Gra që jetojnë më gjatë, por jo detyrimisht më mirë
PËRQARK botës, gratë po martohen në moshë më të madhe, kanë më pak fëmijë dhe jetojnë më gjatë. «Jeta e grave po ndryshon»,—raporton revista UNESCO Sources. Nga viti 1970 deri në vitin 1990, parashikimi i jetëgjatësisë së grave që lindin u rrit në katër vjet në vendet me industri të zhvilluar dhe në rreth nëntë vjet në vendet në zhvillim. «Kjo do të thotë se sot në rajonet e zhvilluara, gratë jetojnë mesatarisht 6,5 vjet më gjatë sesa burrat. Në vendet në zhvillim, diferenca është pesë vjet në Amerikën Latine dhe Karaibe, 3,5 vjet në Afrikë dhe tre vjet në Azi dhe Paqësor.»
Megjithatë, për shumë gra, të jetosh më gjatë, nuk do të thotë të jetosh më mirë. Our Planet, një revistë e Kombeve të Bashkuara, vëren se për shumicën e grave në botë, të drejtat themelore njerëzore janë ende «kremi mbi ëmbëlsirën që kurrë nuk e kanë shijuar. Ato janë ende në kërkim të copës së bukës dhe të ujit». Gjithsesi, sipas OKB-së, edhe të drejtat themelore njerëzore janë të paarritshme për miliona gra, për shkak se shumica dërrmuese e analfabetëve, refugjatëve dhe të varfërve të botës janë ende gratë. Pavarësisht se janë bërë disa përparime, përfundon UNESCO Sources, «perspektiva e përgjithshme për të ardhmen e grave . . . duket e zbehtë».