Troy Harrison/Moment via Getty Images
A ËSHTË PROJEKTUAR?
Aftësia ndërtuese e kastorëve
Digat që kanë ndërtuar kastorët mund të arrijnë një gjatësi prej 850 metrash dhe një lartësi prej 5,3 metrash. Si arrijnë kastorët të ndërtojnë një strukturë kaq gjigante?
Në fillim, kastorët presin dhe përgatisin trungje pemësh me perimetër zakonisht më të vogël se 30 centimetra. Në shtratin e rrjedhës së ujit, ata ngulin degë të rënda që të formojnë kolona vertikale dhe mes tyre gërshetojnë fidanë dhe kallamishte. Pastaj, kastorët i japin stabilitet strukturës duke i vendosur gurë të rëndë në fund dhe duke i mbështetur dy skajet e saj te ndonjë pemë ose gur i madh. Gjithashtu vendosin shtylla përforcuese në anën e poshtme të digës, për ta bërë më rezistente ndaj rrymës së ujit. Kastorët e izolojnë digën në anën e saj të sipërme duke i shtuar degë, barishte dhe baltë. Veç kësaj, ndërtojnë kanale shkarkimi në të dyja skajet e digës për të devijuar ujin e tepërt dhe i zgjerojnë ato kur ka reshje të dendura shiu.
Paraqitje skematike e digës së një kastori ku tregohen (1) kolonat vertikale, (2) kallamishtet e gërshetuara, (3) shtyllat përforcuese, (4) gurët stabilizues dhe (5) degët e barishtet të përziera me baltë
Studiuesit kanë zbuluar se përpjekjet e kastorëve për të ndërtuar diga kanë efekte pozitive te mjedisi përreth. Për shembull, digat e tyre pakësojnë erozionin e tokës, përmirësojnë cilësinë e ujit dhe rrisin nivelin e ujërave nëntokësore. Shpesh, përrenjtë që thaheshin në verë, tani kanë prurje gjatë gjithë vitit. Digat pakësojnë përmbytjet sepse krijojnë terrene të lagështa, të cilat përthithin ujin kur bie shi i rrëmbyeshëm. Kur shpërthejnë zjarre, këto terrene të buta mund të shërbejnë si barriera kundër zjarrit dhe shpesh mbeten të vetmet zona ku gëlon bimësia. Gjithashtu, terrenet e lagështa krijojnë habitate ideale për shumë specie.
Në një studim, shkencëtarët arritën në përfundimin se «digat e kastorëve u ngjajnë strukturave të projektuara nga inxhinierë». Në fakt, në Amerikën e Veriut studiuesit kanë ndërtuar shumë diga të ngjashme me ato të kastorëve. Me të drejtë, shpesh kastorët quhen inxhinierët e ekosistemit.
Shih një kastor në punë e sipër
Si mendon? A erdhi me evolucion aftësia e kastorit për të ndërtuar diga? Apo është projektuar?