MËSO NGA JEZUI
Do të ketë paqe në tërë botën
Të gjithë duan të jetojnë në një botë ku mbizotëron paqja. Përgjatë historisë, udhëheqësit botërorë janë përpjekur t’u japin fund konflikteve e të rivendosin paqen. Ndonjëherë, përpjekjet e tyre kanë sjellë rezultat për njëfarë kohe. Por mjerisht, konfliktet shpesh rikthehen. A do të jetë ndonjëherë e gjithë bota në paqe? Po. Shih çfarë mund të mësojmë nga Jezui.
Çfarë do të bëjë Jezui
Bibla na tregon se çfarë do të bëjë së shpejti Jezui për të sjellë paqe në botë.
«[Jezui] do të jetë . . . Princ i Paqes. Mbretërimi i tij do të shtrihet kudo dhe paqja nuk do të ketë fund.» (Isaia 9:6, 7) Si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, Jezui do të vendosë paqen që nuk do të ketë fund në të gjithë botën.
«Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë . . . e këdo që s’ka kush e ndihmon.» (Psalmi 72:12-14) Jezui do ta përdorë autoritetin e tij për të sjellë drejtësi të vërtetë dhe për t’u dhënë fund luftërave, dhunës e vuajtjeve.
«Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, as do të mësojnë më të luftojnë.» (Isaia 2:4) Nën qeverisjen e Jezuit, të gjithë njerëzit do të mësojnë si të bëjnë paqe në vend se si të luftojnë.
Që të mësosh si do të sjellë Jezui një të ardhme plot paqe dhe se çfarë do të thotë kjo për ty, shih videon Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?
Çfarë mësoi Jezui
Që sot, mësimet e Jezuit po ndihmojnë miliona veta të jetojnë në paqe. Në Predikimin e famshëm në Mal, Jezui u mësoi të tjerëve parime që i kontribuojnë paqes në jetën e përditshme. Të shohim disa shembuj.
«Lum paqebërësit.» (Mateu 5:9) Jezui i nxiti dishepujt e tij jo vetëm t’i shmangnin konfliktet, por edhe të bënin paqe.
«Bëj më parë paqe me vëllanë tënd e pastaj kthehu dhe paraqit flijimin.» (Mateu 5:23, 24) Jezui i nxiti dëgjuesit e tij t’i sheshonin sa më shpejt mosmarrëveshjet. I mësoi se të bësh paqe me të tjerët është jetësore për të pasur një marrëdhënie të mirë me Jehovain.
«Mos gjykoni më, që të mos gjykoheni.» (Mateu 7:1) Jezui na paralajmëroi të mos i gjykojmë të tjerët, e as të mos presim prej tyre gjëra që ne vetë nuk i bëjmë, sepse ky qëndrim është burim konfliktesh. Në vend që të gjejnë të meta, Jezui i mësoi dishepujt ‘të vazhdojnë t’i falin’ të tjerët.—Luka 6:37.
Njerëz nga e gjithë bota po i zbatojnë mësimet e Jezuit. Edhe në vende ku ka dhunë ose përçarje, ata po mësojnë si t’i zgjidhin konfliktet pa u acaruar, të falin dhe të tregojnë dashuri edhe kur të tjerët nuk sillen mirë.
Për të parë si i kanë ndihmuar mësimet e Jezuit disa njerëz të gjejnë paqe, lexo artikullin «Si të gjejmë paqe në një botë plot luftëra?».