21-27 SHTATOR 2026
KËNGA 12 Jehova, Atë i përkryer
A po përpiqesh ta njohësh më mirë Jehovain?
«Njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji atij me gjithë zemër.»—1 KRON. 28:9.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Çfarë do të thotë të njohim Jehovain, pse duhet të kemi dëshirë ta njohim më mirë dhe si mund ta bëjmë këtë.
1. Si ndihemi kur mendojmë thellë për njohurinë, mençurinë dhe veprat e Jehovait?
A KE menduar ndonjëherë sa e thellë është njohuria e Jehovait, sa e paskaj është mençuria e tij ose sa të mrekullueshme janë veprat e tij? Ndihemi vërtet të vegjël përballë Krijuesit tonë. Bashkohemi me ndjenjat e apostullit Pavël, i cili shkroi: «O thellësi e bujarisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!»—Rom. 11:33, 34.
2. Pse jemi të sigurt se është e mundur ta njohim Jehovain?
2 Megjithëse s’do të mësojmë dot kurrë gjithçka për Jehovain, është e mundur që ta njohim deri diku personalitetin e tij. Mbreti David i tha të birit, Solomonit: «Njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji atij me gjithë zemër. . . . Nëse e kërkon, ai do të të lërë që ta gjesh.» (1 Kron. 28:9) Shekuj më vonë, apostulli Gjon u kujtoi të bashkëkrishterëve se Jezui na ka dhënë «gjykim të thellë që të fitojmë njohuri për të Vërtetin». (1 Gjon. 5:20) Dhe vetë Jezui tha se Jehovain mund ta njohë kushdo, të cilit «Biri dëshiron t’ia bëjë të njohur».—Mat. 11:27.
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Të gjithë ata që i kanë kushtuar jetën Jehovait, dinë tashmë shumë gjëra për të. Ama, njohuria për Perëndinë tonë nuk ka fund. (Gjoni 17:3, shën.) Mund të mësojmë gjithnjë e më shumë si t’ia gëzojmë zemrën Jehovait dhe si ta forcojmë besimin tek ai. Le të ndalemi te tri pyetje që ia vlen t’i shqyrtojmë, pavarësisht nga sa vite kemi në shërbim të Jehovait: çfarë do të thotë ta njohim Jehovain? Pse duhet të vazhdojmë ta njohim më mirë? Dhe si mund ta njohim më mirë?
ÇFARË DO TË THOTË TA NJOHIM JEHOVAIN?
4. Çfarë do të thotë të njohim Jehovain?
4 Mund të kuptojmë se ç’do të thotë të njohim Jehovain nga fjalët e Tij për judenjtë që do të ktheheshin nga mërgimi. Jehovai premtoi: «Do t’u zgjoj në zemër dëshirën për të më njohur mirë, që unë jam Jehovai.» (Jer. 24:7) Natyrisht, ata që u kthyen nga Babilonia kishin njohuri bazë për Jehovain. Ama që të afroheshin më shumë me të, duhej të përfshinin zemrën, ku bëjnë pjesë ndjenjat dhe motivet. Një vepër referimi thotë: «Të dish diçka për Perëndinë dhe ta njohësh Perëndinë, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Është njësoj si diferenca që ekziston kur lexon për dashurinë dhe kur bie në dashuri.» Kemi nevojë të dimë më tepër për Jehovain sesa thjesht emrin e tij apo faktin se është Perëndi. Duam të na vlojë në zemër dëshira për të njohur Personin që mban këtë emër.
5. Sipas asaj që mësojmë nga shembulli i Josisë, ç’do të thotë të njohim Jehovain?
5 Ndërsa e njohim më mirë Jehovain, kuptojmë çfarë e bën të lumtur dhe çfarë e mërzit. Për ta ilustruar, të mendojmë për shembullin e mbretit Josia. Bibla thotë: «Vitin e 8-të të mbretërimit, kur ishte ende djalosh, filloi të kërkonte Perëndinë e Davidit, paraardhësit të tij.» (2 Kron. 34:3) Josia nuk mjaftohej vetëm duke studiuar Fjalën e Perëndisë, por edhe e zbatonte atë që mësonte. Nëpërmjet profetit Jeremia, Jehovai tha se Josia «gjykonte me drejtësi dhe bënte atë që është e drejtë», si edhe i mbronte të munduarit dhe të varfrit. Më pas, Jehovai tha: «A nuk do të thotë kjo të më njohësh mua?!»—Jer. 22:15, 16.
6. Sipas Psalmit 9:10, çfarë ndodh kur e njohim më mirë Jehovain?
6 Lexo Psalmin 9:10. Sa më mirë ta njohim Jehovain, aq më shumë do t’i besojmë. Kështu ndodhi me apostullin Pavël. Herën e fundit që ishte në burg, pak para se të vdiste, ai shkroi: «Nuk më vjen turp, sepse e njoh Perëndinë të cilit i kam besuar.» (2 Tim. 1:12) Gjërat që mësoi dhe përjetoi gjatë jetës, e nxitën Pavlin t’i besonte pa rezerva Jehovait. Ai ishte i sigurt se Jehovai nuk do ta harronte atë dhe shërbimin e tij me besnikëri e një ditë do ta ringjallte.
PSE TË VAZHDOJMË TA NJOHIM JEHOVAIN?
7. Ç’mund të ndodhë pasi i kemi shërbyer për shumë vite Jehovait?
7 Kur filluam të njihnim Jehovain, mezi prisnim të mësonim sa më shumë gjëra për të. Por me kalimin e viteve, mbase përpjekjet për ta njohur janë bërë më të vakëta. Pse mund të ndodhë kjo? Kur studiojmë Biblën vetëm ose me të tjerët në kongregacion, ndoshta fokusohemi te vlera praktike e Biblës, pra ç’dobi nxjerrim ne ose si ta përdorim atë që mësojmë për t’i ndihmuar të tjerët. Në fakt, Shkrimet na inkurajojnë ta bëjmë këtë. (2 Tim. 3:16, 17) Ama, Bibla na zbulon shumë edhe për Autorin e saj. (Psal. 25:8-10) Ndaj, të mos përqendrohemi aq shumë te dobitë, sa të harrojmë të pyesim veten: «Çfarë më mëson kjo për Perëndinë Jehova?»a
8. Si ndikon te miqësia jonë me Jehovain njohuria më e thellë për Të? (Psalmi 73:24-28)
8 Ndërsa e thellojmë njohurinë për Jehovain, bëhemi miq më të ngushtë me të. Për shembull, si ndihesh kur lexon Biblën çdo ditë, sheh programin mujor ose ndjek një asamble a kongres? Shpesh ndihemi më afër me Atin tonë qiellor. Pse? Sepse kemi mësuar më shumë për të. E me zemrën plot, nxitemi ta lëvdojmë e ta falënderojmë. Ndihemi si psalmisti, i cili duke menduar për kujdesin e dashur të Jehovait, tha: «Perëndia është shkëmbi i zemrës sime, trashëgimia ime përgjithmonë.» (Lexo Psalmin 73:24-28.) Çdo përpjekje që bëjmë për të njohur Jehovain, na thellon çmueshmërinë për miqësinë e vyer që gëzojmë me të.
9. Ç’vendime do të marrim kur ‘i kushtojmë vëmendje’ Jehovait? Ilustrojeni.
9 Kur ‘i kushtojmë vëmendje’ Jehovait—duke sjellë ndër mend çfarë dimë për të e duke menduar thellë si ndikojnë veprimet tona tek ai—marrim vendime më të mira. (Prov. 3:5, 6) Ta ilustrojmë: shumë vëllezër e motra mbajnë një foto të bashkëshortit në tavolinën e punës, në portofol ose në ekranin e celularit. Kjo i ndihmon të mendojnë shpesh për bashkëshortin dhe për dashurinë që ndiejnë për të. Kështu e kanë më të lehtë të marrin vendime që e dinë se e kënaqin bashkëshortin dhe të shmangin gjithçka që e lëndon. Po njësoj, sa më shpesh të mendojmë për Jehovain, aq më të prirur do të jemi të marrim vendime që ia gëzojnë zemrën.—Psal. 19:13, 14.
10. Çfarë do të jemi në gjendje të bëjmë ndërsa mësojmë më shumë për Jehovain?
10 Ne jemi krijuar sipas imazhit të Jehovait, ja pse kemi aftësinë të pasqyrojmë cilësitë e tij. (Zan. 1:26) E sa më shumë të mësojmë për cilësitë e Jehovait, aq më mirë do të kuptojmë si ta imitojmë. Jezui i dënoi skribët dhe farisenjtë, sepse nuk kishin mësuar të imitonin personalitetin e Jehovait. Ata i dinin në majë të gishtave detajet e Ligjit, mirëpo ‘shpërfillnin çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë drejtësinë, mëshirën dhe besnikërinë’. (Mat. 23:23) Ndryshe nga ata krerë fetarë, le të bëjmë çmos të kuptojmë si dalin në pah cilësitë e Jehovait te ligjet dhe parimet e tij. Kjo do të na ndihmojë t’i bëjmë këto cilësi pjesë të personalitetit tonë.—1 Gjon. 4:8, 11.
SI TA NJOHIM MË MIRË JEHOVAIN?
11. Si e njohe Jehovain?
11 Kush të foli për herë të parë për Jehovain? Mbase mësove për të nga prindërit Dëshmitarë. Me shumë gjasa të treguan histori nga Bibla që zbulojnë cilësitë e Perëndisë dhe të mësuan si e pasqyron krijimi personalitetin e Tij. Ose ndoshta pranove të studioje Biblën me një Dëshmitar të Jehovait. Me anë të një mjeti për studim, si libri Gëzoje jetën përgjithmonë, mësuesi yt të ndihmoi të analizoje Shkrimet dhe të dalloje te krijimi cilësitë tërheqëse të Jehovait.b (Neh. 8:8; Vep. 14:17) Le të shohim tani si të vazhdojmë të mësojmë për Jehovain.
12-13. Çfarë mund të mësojmë për Jehovain nga leximi i Biblës? Jepni një shembull. (Jeremia 39:15-18) (Shih edhe figurën.)
12 Së pari, mësojmë më shumë për Jehovain ndërsa lexojmë dhe studiojmë Fjalën e tij. Ndonjëherë Bibla i përmend specifikisht cilësitë e Perëndisë. (Eks. 34:6, 7) Por kryesisht ajo flet për njerëz dhe për vendimet që morën. Kur lexon historitë e tyre, mendo se çfarë mund të mësosh për Jehovain.
13 Të marrim një shembull. Te Jeremia 38:6-13, lexojmë për etiopasin Ebed-Melek, i cili shpëtoi profetin Jeremia. Patjetër që menjëherë të shkon mendja si të imitosh cilësitë e Ebed-Melekut, si fryma vetëmohuese, guximi dhe dashuria për bashkadhuruesit. Mirëpo, a dallon në këtë histori edhe cilësi të Jehovait? (Lexo Jereminë 39:15-18.) Për shembull, cili varg tregon se Jehovai është një Perëndi mirënjohës; i drejtë; i paanshëm? Cilat aspekte të tjera të personalitetit të Jehovait vëren në këtë histori? Sa herë lexon një pjesë nga Fjala e Perëndisë, përpiqu të zbulosh cilësi të Jehovait dhe pastaj falënderoje e lëvdoje për to.
Ebed-Meleku shpëton plot guxim Jereminë, të cilin e kanë hedhur në sternë (Shih paragrafët 12-13)
14. Ç’duhet të bëjmë që të nxjerrim plotësisht dobi nga krijimi i Jehovait?
14 Së dyti, mësojmë më shumë për Jehovain kur mendojmë thellë për gjërat që ka krijuar. (Psal. 145:9, 10) E për këtë nuk mjafton thjesht të vëzhgojmë krijimin. Për shembull, disa i kushtojnë tërë jetën studimit të natyrës, ama nuk i dallojnë cilësitë e Perëndisë ose nuk e pranojnë që ka një Krijues. Apostulli Pavël shkroi se ‘cilësitë e padukshme të Perëndisë shihen qartë që nga krijimi i botës, sepse dallohen nga gjërat që ka bërë’. (Rom. 1:20) Një përkthim tjetër për këtë varg thotë se mund t’i dallojmë cilësitë e Perëndisë, ngaqë ato janë «të dukshme. . . për sytë e arsyes». Ja pse duhet të mendojmë dhe të arsyetojmë për gjërat e mahnitshme që shohim përreth, që të dallojmë cilësitë e Krijuesit tonë.
15. Çfarë ka bërë Patriku për ta njohur më mirë Jehovain, dhe si mund të bësh edhe ti diçka të ngjashme? (Shih edhe figurën.)
15 Mjaft prej nesh jetojmë në zona urbane ku nuk ka shumë gjelbërim dhe kafshë. Atëherë, si mund të mësosh nga krijimi nëse gjendesh në një situatë të tillë? Të shohim çfarë bën Patriku që jeton në Brazavil, një qytet i madh në Republikën e Kongos. Ai tregon: «Përpiqem të vëzhgoj krijimin e Jehovait nga ballkoni. Shpesh shoh insekte fare të vogla ose zogj të vegjël që kërkojnë pa përtuar ushqim ose strehë. Një herë pashë ca zogj që po ndërtonin folenë. Aty rrotull gjetën fiks materialet e përshtatshme për të ndërtuar një folezë të ngrohtë për të vegjlit e tyre.» Patriku nuk u mjaftua me kaq, por mendoi thellë për Krijuesin. Ai shprehet: «Kuptova se Jehovai kujdeset për krijesat e tij, madje edhe për ato që duken të parëndësishme. Kjo më siguron se ai ka merak edhe për mua dhe s’do të më lërë kurrë pa gjërat e nevojshme.»
Njihe më mirë Jehovain duke menduar thellë për krijimin (Shih paragrafin 15)
16. Çfarë e ndihmoi Marinë, nënën e Jezuit, ta njihte më mirë Jehovain, dhe si mund ta imitojmë? (Shih edhe figurën.)
16 Së treti, e njohim më mirë Jehovain duke bluar në mendje gjërat që na kanë ndodhur në jetë. Pikërisht këtë bëri Maria, nëna e Jezuit. Ajo e njihte goxha mirë Jehovain dhe kishte gjetur «pëlqim në sytë e Perëndisë». (Luka 1:30) Por pastaj mori një caktim me peshë—të bëhej nëna e Birit të Perëndisë. Me anë të engjëllit Gabriel dhe të Elizabetës, të afërmes së saj, Jehovai i dha zemër Marisë dhe e siguroi se do ta ndihmonte. Më pas, ajo mendoi thellë se çfarë i kishte mësuar kjo eksperiencë për Jehovain—për fuqinë, mëshirën, paanshmërinë dhe merakun e tij për njerëzit e thjeshtë. (Luka 1:46-55) Ashtu siç ishte mirënjohëse Maria për mbështetjen e Perëndisë, edhe ne e çmojmë pa masë kur Jehovai na vjen në ndihmë «në kohën e duhur». (Hebr. 4:16) Ndaj, kur Jehovai të zgjat dorën e të ndihmon, pyet veten: «Çfarë mësova për Jehovain? Çfarë cilësish të Jehovait zbulova nga kjo eksperiencë?»
Njihe më mirë Jehovain duke menduar thellë për atë që ka bërë për ty (Shih paragrafin 16)c
NJOHURIA PËR JEHOVAIN S’DO TË KETË FUND
17-18. Pse nuk do të reshtim kurrë së njohuri Jehovain?
17 Mendo sa shumë do të mësojmë për Jehovain në botën e re. Do të marrim rrotullat e reja që zbulojnë kërkesat e Tij për ne. (Zbul. 20:12) Do të jemi më afër me krijimin. (Isa. 11:6-9) Gjithashtu do ta njohim më mirë Atin tonë ndërsa përjetojmë gjëra të reja, si për shembull kur të kthehen në jetë njerëzit tanë të dashur dhe t’i afrohemi çdo ditë e më shumë përsosmërisë.
18 Nuk do të reshtim kurrë së njohuri personalitetin e Jehovait. Ai ka ekzistuar jetë e mot, ndaj «mençuria e tij nuk njeh kufij». (Psal. 90:2; 147:5) Veç kësaj, ‘nuk do ta zbulojmë dot kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë’. (Ekl. 3:11) Prandaj, sado kohë të kemi në të vërtetën, le të shfrytëzojmë çdo mundësi që ta njohim më mirë Atin tonë të dashur.
KËNGA 28 Miqësia me Jehovain—Gjithçka që zemra do!
a Shih pyetjen 20 te pjesa «Njihu me Fjalën e Perëndisë», në fillim të botimit Përkthimi Bota e Re.
b Shih mësimin 7, pikat 5-7 në librin Gëzoje jetën përgjithmonë.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla që vuan nga ankthi, bluan në mendje si e ka ndihmuar Jehovai të përmbushë caktimin e tij në mbledhjen e mesjavës.