BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 maj f. 26-31
  • Respekto vendimet e të tjerëve

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Respekto vendimet e të tjerëve
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • VENDIME QË MUND TË BËHEN SHKAK PËR T’I GJYKUAR TË TJERËT
  • PSE T’I RESPEKTOSH VENDIMET E TË TJERËVE?
  • SI T’I RESPEKTOSH PIKËPAMJET E TË TJERËVE?
  • Merr vendime që ia gëzojnë zemrën Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Vendime që tregojnë se mbështetemi te Jehovai
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2023
  • Trego besim—Merri vendimet me mençuri!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
  • Të marrim vendime që nderojnë Perëndinë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 maj f. 26-31

3-9 GUSHT 2026

KËNGA 113 Paqja që gëzon populli i Perëndisë

Respekto vendimet e të tjerëve

‘Mos e gjykoni vetëm ngaqë mendon ndryshe.’—ROM. 14:1.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si të tregojmë respekt për bashkëbesimtarët kur marrin vendime për të cilat s’jemi dakord.

1-2. Pse vendimet tona mund të ndryshojnë nga ato të bashkëbesimtarëve?

A TË kanë gjykuar ndonjëherë padrejtësisht për ndonjë vendim që more? A ke gjykuar ti në ndonjë rast një vëlla a motër për vendimin që mori? Pa dyshim që shumica prej nesh do t’u përgjigjej «po» të dyja pyetjeve.

2 Mirëpo s’ka pse të habitemi që hera-herës vendimet tona ndryshojnë nga ato të bashkëbesimtarëve të tjerë besnikë. Pse? Sepse secili është unik dhe i sheh gjërat ndryshe. Kultura, ambienti ku jemi rritur dhe eksperiencat personale kanë ndikuar te mënyra si mendojmë. Gjithsesi nuk duhet t’i lejojmë opinionet e ndryshme të cenojnë paqen dhe unitetin në kongregacion.—Efes. 4:3.

3. Çfarë mund të priremi të bëjmë kur s’jemi dakord me vendimin e një bashkëbesimtari?

3 Kur një vëlla a motër merr një vendim për të cilin s’jemi dakord, mbase mendojmë se duhet ta bindim të ndryshojë mendje ose të flasim me të tjerët për çfarë na shqetëson. S’ka dyshim që nisemi nga e mira. I duam vëllezërit e motrat dhe dëshirojmë të jenë të lumtur. (Prov. 17:17) Ja pse nuk duam të marrin një vendim për të cilin mund të bëhen pishman ose që mund t’u dëmtojë miqësinë me Jehovain.

4-5. Çfarë duhet të bëjmë nëse një bashkëbesimtar merr një vendim që ndryshon nga ajo që do të kishim bërë ne?

4 A duhet t’ia shprehim merakun tonë një vëllai nëse nuk jemi dakord me vendimin e tij? Kjo varet nga një sërë faktorësh. Për shembull, nëse marrim vesh se vëllai po mendon të bëjë diçka që dënohet në Bibël, dashuria do të na motivojë ta ndihmojmë të ndryshojë mendje. (Prov. 27:5, 6) Mirëpo, si të veprojmë nëse vendimi i tij nuk shkel asnjë ligj të Perëndisë, por thjesht ndryshon nga ajo që do të kishim bërë ne? Përgjigjen e gjejmë te shkrimi kryesor i artikullit. Ne ‘nuk e gjykojmë vetëm ngaqë mendon ndryshe’.—Rom. 14:1.

5 Prapëseprapë, mund ta kemi të vështirë ta respektojmë vendimin e vëllait. Në këtë artikull do të shohim pse duhet t’i respektojmë vendimet e të tjerëve dhe si ta bëjmë këtë. Por fillimisht, le të ndalemi te disa situata ku vendimet personale të bashkëbesimtarëve mund të bëhen shkak për t’i gjykuar.

VENDIME QË MUND TË BËHEN SHKAK PËR T’I GJYKUAR TË TJERËT

6-7. Përshkruaj situatat që mund të bëhen shkak për t’i gjykuar vendimet e të tjerëve.

6 Siç e përmendëm më sipër, mbase kemi opinione të forta për çështje të caktuara, për shkak të mënyrës si jemi rritur apo të eksperiencave të jetës. Dhe mund ta marrim për të mirëqenë që të gjithë mendojnë si ne. Por realiteti është ndryshe. Le të shohim situatat e mëposhtme. Situata 1: Para se të merrte të vërtetën, një vëlla është rritur me një baba që abuzonte me alkoolin. Ai sheh në një festë vëllezër e motra që pinë alkool. I zhgënjyer, u thotë se po bëjnë diçka të gabuar. Situata 2: Një motër mposht me sukses një sëmundje serioze. Më vonë, merr vesh se një motër tjetër është diagnostikuar me të njëjtën sëmundje. Nga dëshira për ta ndihmuar, përpiqet ta bindë motrën të marrë të njëjtin trajtim si ajo. Ndoshta e nxit të bëjë një dietë të caktuar, të provojë mjekësinë alternative ose të marrë trajtime bimore. Situata 3: Një vëlla ka qenë dikur pjesë e fesë së rreme dhe tani s’do që të ketë asnjë lidhje me të. Prandaj mërzitet shumë kur mëson se një bashkëbesimtar ka shkuar në një funeral të mbajtur në kishë.a

7 Le të shohim edhe disa situata të tjera. Situata 4: Një vëlla është rritur në një kohë kur shumë veta e konsideronin të papranueshme që burrat të mbanin mjekër ose që gratë të vishnin pantallona serioze në evente formale. Megjithëse vëllai e di drejtimin e ri për këto çështje, ai vazhdon t’u thotë bashkëbesimtarëve se vëllezërit s’duhet të mbajnë mjekër dhe motrat s’duhet të veshin pantallona në aktivitete teokratike. Situata 5: Një plak njihte një vëlla që vazhdoi shkollën e lartë dhe më pas la të vërtetën. Tani një vëlla i ri në kongregacionin e plakut ka vendosur të vazhdojë arsimimin shtesë. Plaku është i shqetësuar dhe përpiqet ta bindë vëllanë dhe prindërit e tij që të ndryshojnë mendje.

8. (a) Çfarë mund ta shtyjë një prind të gjykojë prindërit e tjerë? (b) Çfarë mund të ndodhë nëse kemi një qëndrim kritik ndaj të tjerëve?

8 Tani të ndalemi te një situatë që përfshin prindërit. Situata 6: Patjetër që si prind, ti bën të pamundurën t’i rritësh fëmijët «me disiplinën dhe me këshillat e Jehovait». (Efes. 6:4) Prandaj u ke vendosur disa rregulla dhe kufij. Mirëpo sheh prindër të tjerë Dëshmitarë që duket se janë më tolerantë se ty. Për shembull, i lejojnë fëmijët të kthehen më vonë në shtëpi, të luajnë videolojëra jo të dhunshme ose të kenë celular që të vegjël. Si rezultat, fëmija yt mendon se je tepër strikt dhe të thotë: «Pse nuk bëhesh pak si prindërit e tjerë?» Një situatë e tillë mund të të shtyjë të mendosh negativisht për prindërit e tjerë. Natyrisht kur vëllezërit e motrat marrin vendime ndryshe nga tonat, mund të mërzitemi e të fillojmë t’i gjykojmë. Për shembull, mund të mos jemi dakord me mënyrën si i shpenzojnë paratë, sa shpesh shkojnë me pushime ose çfarë zbavitje zgjedhin. Megjithatë nuk duhet t’u japim aq shumë rëndësi opinioneve tona, sa të rrezikohet uniteti i kongregacionit.

9. Çfarë duhet të mbajmë gjithnjë ndër mend? (Shih edhe figurën.)

9 Adhuruesit e Jehovait mund të marrin vendime të ndryshme, por kjo s’do të thotë se njëri e ka mirë dhe tjetri gabim. (Rom. 14:5) Ndonëse Bibla na nxit ‘të jemi në një mendje’ kur vjen puna te standardet e Jehovait, kjo nuk nënkupton se duhet të mendojmë njësoj për të gjitha çështjet personale. (2 Kor. 13:11) Mund t’i krahasojmë vendimet tona me vendimet që marrim kur duhet të udhëtojmë diku. Shpesh ka më tepër se një rrugë që të çon në të njëjtin destinacion. Ne zgjedhim atë që na pëlqen më shumë dhe që e kemi më kollaj. Po njësoj, mund të bëjmë zgjedhje të ndryshme për çështje personale, ama destinacioni ngelet i njëjti: të gjithë duam të kënaqim Jehovain. Ndaj nuk i gjykojmë të tjerët për vendimet që marrin.—Mat. 7:1; 1 Sel. 4:11.

Një aplikacion GPS në telefon tregon rrugë dhe mjete transporti të ndryshme që çojnë në të njëjtin destinacion.

Udhëtarë të ndryshëm mund të zgjedhin rrugë të ndryshme për në të njëjtin destinacion. Po njësoj, adhuruesit e Jehovait mund të marrin vendime të ndryshme për çështje personale (Shih paragrafin 9)


PSE T’I RESPEKTOSH VENDIMET E TË TJERËVE?

10. Sipas Jakovit 4:12, për çfarë nuk kemi autoritet, dhe pse?

10 Në Bibël gjejmë më tepër se një arsye pse duhet t’i respektojmë vendimet e të tjerëve. Të shqyrtojmë disa prej tyre. Ne nuk kemi autoritetin t’i gjykojmë të tjerët për vendime që marrin për çështje personale. (Lexo Jakovin 4:12.) Jehovai është Ligjdhënësi dhe Gjykatësi legjitim. Vetëm ai ka të drejtë të vendosë standarde dhe rregulla për ne. Prandaj vëllezërit dhe motrat duhet t’i japin llogari Jehovait, jo neve. (Rom. 14:10) Nuk kemi të drejtë t’i gjykojmë ose t’i kritikojmë vendimet e të tjerëve në bazë të standardeve ose të opinioneve tona.b

11. Si mund t’i kontribuojmë unitetit në kongregacion? (Shih edhe figurën.)

11 Jehovai dëshiron që adhuruesit e tij të jenë në unitet, jo identikë. Faktikisht Perëndisë tonë i pëlqen shumë larmia. Kjo dallohet qartë te krijimi. Për shembull, nuk ka dy flokë bore që të jenë njësoj. E në mbi 8 miliardë njerëz në tokë, nuk ekzistojnë 2 veta që janë identikë në pamje dhe në personalitet. Jehovai na krijoi që të jemi të ndryshëm, jo kopje të njëri-tjetrit. Ama dëshiron edhe që të jemi të bashkuar. Prandaj, kur të tjerët veprojnë ndryshe nga ne, nuk lejojmë që kjo të na mërzitë dhe të na përçajë. Për ne paqja dhe uniteti në kongregacion janë më të vyera se opinionet dhe preferencat personale.—Rom. 14:19.

Një grup Dëshmitarësh të racave dhe të moshave të ndryshme shijojnë një vakt së bashku. Disa po pinë alkool, ndërsa disa jo. Disa vëllezër kanë mjekër, ndërsa të tjerë jo.

Jehovai na krijoi që të jemi të ndryshëm, por dëshiron të jemi të bashkuar (Shih paragrafin 11)


SI T’I RESPEKTOSH PIKËPAMJET E TË TJERËVE?

12-13. Çfarë duhet të kemi parasysh nëse mendojmë se dikush ka hedhur një «hap të gabuar»? (Galatasve 6:1; shih edhe kutinë «Kur nuk je dakord me vendimet e të tjerëve».)

12 Kur të tjerët marrin vendime për çështje personale. Pyet veten: «A po hedh vëllai ose motra një ‘hap të gabuar’ apo thjesht një hap ndryshe?» Nëse po hedh një hap të gabuar, pra po shkel një urdhërim të Biblës, pyet veten: «A jam personi i duhur për ta ndrequr, apo duhet ta ndreqë dikush tjetër, për shembull një plak?» Nëse je i kualifikuar për ta ndihmuar, përpiqu të arsyetosh me butësi. (Lexo Galatasve 6:1.) Mirëpo shpesh mund të kuptosh se vëllai thjesht ka hedhur një hap ndryshe, pra ka marrë një vendim që nuk përputhet me pikëpamjen tënde. Në këto raste, mos i vër në pikëpyetje motivet ose pjekurinë e tij dhe as mos fol negativisht për të. Respektoje të drejtën e vëllait për të vendosur për veten dhe mos e gjyko.—Rom. 14:2-4.

13 Mendo për këtë shembull: po të shkoje në një restorant me një shok, a do të ngulje këmbë që të porosiste të njëjtën gjë si ty? Jo. Do ta respektoje të drejtën e tij për të zgjedhur çfarë ka dëshirë të hajë. Tekefundit, ushqimi që zgjedh tjetri nuk ka ndonjë ndikim te ti. Nga ana tjetër, as ti nuk do të doje që shoku të porosiste për ty ushqimin që i pëlqen vetë. Në mënyrë të ngjashme, mund të tregojmë respekt për të tjerët duke u lënë hapësirë t’i marrin vetë vendimet, pa u imponuar opinionet tona.

Kur nuk je dakord me vendimet e të tjerëve

Nëse nuk je dakord me vendimin e një bashkëbesimtari, pse të mos i bësh vetes pyetjet e mëposhtme? Kjo mund të të kursejë shqetësime të panevojshme.—Gal. 6:5.

  • A po merr vëllai një vendim që bie ndesh me Biblën?

  • Si mund të ketë ndikuar mënyra si është rritur te vendimi i tij?

  • A do ta dëmtojë ky vendim, apo thjesht unë po imagjinoj më të keqen?

  • Ç’të mira mund të vijnë nga vendimi i tij?

  • A po hedh një «hap të gabuar» apo thjesht një hap ndryshe nga unë?

  • Nëse vëllai po hedh një hap të gabuar, a jam i kualifikuar për ta ndihmuar që të ndryshojë mendim?

14. Si mund të ruash unitetin kur merr vendime për çështje personale? (1 Korintasve 8:12, 13)

14 Kur merr ti vendime për çështje personale. Mund ta ruash unitetin në kongregacion duke bërë çmos që të mos i fyesh të tjerët. (Lexo 1 Korintasve 8:12, 13.) Me raste, vendimi që po mendon të marrësh është ‘i ligjshëm’, pra i lejueshëm. Por, a do ta fyejë kjo zgjedhje vëllanë ose a do të jetë «dobiprurëse»?c (1 Kor. 10:23, 24, shën.) Në këto raste, në vend që të këmbëngulësh tek e drejta jote, do të ishte mirë të mendoje së pari për ndjenjat e të tjerëve. (Rom. 15:1) Mirëpo, a nuk thamë se të tjerët duhet t’i respektojnë vendimet tona për çështje personale? Po. Vëllezërit dhe motrat duhet t’i respektojnë vendimet tona, siç duhet të bëjmë edhe ne me vendimet e tyre. Ama s’mund të harrojmë edhe këshillën te Romakëve 12:18, ku thuhet: «Aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.» Ndaj bëjmë gjithë sa është e arsyeshme të ruajmë paqen me të tjerët dhe të mos i fyejmë më kot me vendimet tona.

15. Si mund të ndihmojnë pleqtë që kongregacioni të jetë i bashkuar? (1 Korintasve 4:6)

15 Pleqtë i respektojnë vendimet e të tjerëve. Pleqtë ndihmojnë që kongregacioni të jetë i bashkuar kur nuk vendosin rregulla për çështje personale dhe nuk shkojnë «përtej gjërave të shkruara» në Bibël. (Lexo 1 Korintasve 4:6.) Gjithashtu nuk shkojnë përtej këshillave të bazuara në Bibël që gjenden në botimet tona. Veç kësaj, kur një bashkëbesimtar u kërkon ndihmë, pleqtë bëjnë kujdes të mos japin këshilla vetëm nga përvoja e tyre. Përkundrazi, i bazojnë këshillat te Fjala e Perëndisë.—Isa. 48:17, 18.

16. Si mund t’i respektojë një plak vendimet që merr trupi i pleqve?

16 Një plak respekton edhe vendimet që merr trupi i pleqve. Pasi trupi i pleqve është lutur për frymën e shenjtë, ka shqyrtuar me kujdes atë që thonë Shkrimet dhe ka marrë një vendim, çdo plak duhet ta mbështetë atë vendim edhe kur shumica e pleqve nuk bie dakord me mendimin e tij. (Efes. 5:17) Gjithashtu, kur bëhet fjalë për një drejtim teokratik, pleqtë duhet të jenë të kujdesshëm që të mos lexojnë mes rreshtave, duke shtuar opinionet e veta. Për shembull, një plak nuk do të përdorte jashtë kontekstit një fjali në botimet tona, vetëm e vetëm për të mbështetur pikëpamjen e tij.

17. Çfarë dobish nxjerrim kur respektojmë vendimet e të tjerëve?

17 Siç e pamë, të gjithë jemi unikë. Secili prej nesh ka opinionet dhe preferencat e veta. Por kjo larmi i shton ngjyra jetës. Ngaqë kemi prejardhje dhe personalitete të ndryshme, kongregacioni bëhet një vatër e ngrohtë dhe mikpritëse. Ndaj në vend se t’i lejojmë ndryshimet mes nesh të na përçajnë, bëjmë çmos të nxitim unitetin. Tregohemi të kujdesshëm të mos i fyejmë të tjerët me vendimet tona dhe i respektojmë vendimet tyre për çështje personale. Nëse veprojmë kështu, përpjekjet tona do të shpërblehen patjetër. Do të jemi pjesë e një kongregacioni të lumtur e të bashkuar.—Psal. 133:1; Mat. 5:9.

SI NA NDIHMOJNË SHKRIMET MË POSHTË TË RESPEKTOJMË PIKËPAMJET DHE VENDIMET E TË TJERËVE?

  • Jakovi 4:12

  • Galatasve 6:1

  • 1 Korintasve 4:6; 8:12, 13

KËNGA 89 Bindju Jehovait dhe gjej lumturi

a Para se të vendosë nëse do të marrë pjesë në një funeral ose dasmë që mbahet në kishë, një adhurues i Jehovait duhet të shqyrtojë me kujdes disa faktorë. Shih artikullin «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 majit 2002.

b Me raste, pleqtë duhet të gjykojnë kur dikush kryen një mëkat serioz. Megjithatë, ata nuk harrojnë se Jehovai u ka dhënë përgjegjësinë për të gjykuar në bazë të standardeve të tij të drejta, jo në bazë të standardeve të tyre.—Krahaso 2 Kronikave 19:6.

c Shih disa shembuj te libri Gëzoje jetën përgjithmonë, mësimi 35, pika 5.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo