27 KORRIK–2 GUSHT 2026
KËNGA 56 E jetoj çdo ditë të vërtetën
Qëndro afër Jehovait ndërsa ndjek arsimimin shtesë
«Nga këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë.»—FILIP. 3:16.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Shqyrto katër parime të Biblës që të ndihmojnë të qëndrosh afër Jehovait nëse vendos të arsimohesh më tej.
1-2. (a) Çfarë duhet të vazhdosh të bësh nëse vendos të ndjekësh arsimim shtesë? (b) Çfarë do të thotë «të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë»? (Filipianëve 3:16)
DISA shërbëtorë të Jehovait vendosin të arsimohen më tej pasi mbarojnë arsimin bazë të detyruar. Mbase mendojnë se kështu do të arrijnë të gjejnë një punë e të mbajnë veten ndërsa i shërbejnë Jehovait. Nëse edhe ti ke vendosur të ndjekësh arsimim shtesë, si të sigurohesh se do të qëndrosh afër Jehovait? (Jak. 4:8a) Natyrisht, ke hasur edhe më parë sprova besimi në ambientin e shkollës dhe i ke përballuar me sukses. Tani të duhet ‘të vazhdosh të ecësh me rregull në të njëjtën udhë’, pra të vazhdosh t’i shërbesh Jehovait me besnikëri, siç ke bërë deri më sot.—Lexo Filipianëve 3:16.
2 Folja greke në shprehjen që përkthehet «të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë» përdorej shpesh në ushtri për të përshkruar marshimin e ushtarëve si një trup i vetëm. Nëse vendos të ndjekësh arsimim shtesë, duhet të vazhdosh «të marshosh përpara» në shërbim të Jehovait. Nuk mund të qëndrosh në vend numëro dhe as të zmbrapsesh. Në këtë artikull do të shqyrtojmë katër parime mjaft të dobishme nga Bibla. Janë parime që i njeh tashmë dhe të kanë ndihmuar në të shkuarën. Por ke nevojë të vazhdosh t’i zbatosh ndërsa arsimohesh më tej, e madje edhe kohë pasi të kesh mbaruar shkollën.
MBAJ NJË PROGRAM TË MIRË TEOKRATIK
3. Si mund të ndikojë arsimimi shtesë te programi yt teokratik?
3 Sfida. Gjatë arsimimit shtesë mund të kesh një program më të ngjeshur gjatë ditës. E meqë dëshiron të kesh rezultate të mira në shkollë, avash-avash mund t’i kushtosh më pak rëndësi shërbimit të Jehovait. Madje mund të fillosh të lësh pas dore mbledhjet, shërbimin, studimin personal të Biblës dhe lutjet.—Zbul. 2:4.
4. Ç’mund të të ndihmojë të kesh «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë»? (1 Korintasve 15:58)
4 Lexo 1 Korintasve 15:58. Ashtu si një biçikletë ecën para kur u japim pedaleve, edhe ti duhet të jesh aktiv në shërbim që ta mbash të fortë miqësinë me Jehovain. Ja pse Bibla të nxit të kesh «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». Nuk është puna të kalosh ca kohë në aktivitete teokratike. Çështja është çfarë ka përparësi për ty. Në radhë të parë je adhurues i Jehovait e pastaj student në shkollë. (Mat. 22:37) Një motër që quhet Samanta thotë: «I premtova vetes që nëse arsimimi do të më pengonte t’i shërbeja Jehovait, do ta lija shkollën.»
5. Ç’mund të bësh që të qëndrosh aktiv në shërbim të Jehovait?
5 Ç’mund të bësh para se të nisësh arsimimin shtesë. Mbaj gjithnjë parasysh përparësitë e tua. Pyet veten: «Çfarë plani kam bërë që të vazhdoj t’i ndjek rregullisht mbledhjet, të marr pjesë në shërbim dhe të bëj studimin personal?» (Jos. 1:8; Mat. 28:19, 20; Hebr. 10:25) Gjithashtu mendo si arrite t’i mbaje në vend të parë këto aktivitete gjatë viteve të kaluara të shkollës. Nëse mendon se mund t’i kishe bërë më mirë ca gjëra, si mund të përmirësosh? Ji i vendosur të qëndrosh aktiv në shërbim të Jehovait ndërsa vazhdon arsimimin shtesë. Kushtoji vëmendjen e nevojshme arsimimit—por jo në kurriz të adhurimit të Jehovait.a—Mat. 6:24.
6. Për çfarë mund të mendosh ndërsa bën një vetëshqyrtim? (Shih edhe figurën.)
6 Ndërsa ndjek arsimimin shtesë, bëj një vetëshqyrtim të rregullt, ndoshta çdo muaj. Pyet veten: «A i kam ende të qarta përparësitë mia?» Ji vigjilent ndaj shenjave paralajmëruese. Për shembull, a po e bën zakon të shkosh me vonesë a t’i lësh fare mbledhjet, të mendosh për detyrat e shkollës gjatë mbledhjes ose t’i ndjekësh mbledhjet vetëm virtualisht? Veç kësaj, a po humbet zakonet e mira për t’u lutur dhe për të lexuar Biblën? Ose mos ndoshta po del në shërbim sa për të thënë dhe kur del, mezi pret të mbarosh? Në rast se pikas shenja të tilla, vepro menjëherë. Mos lejo që arsimimi të të pengojë të mbash në vend të parë adhurimin e Jehovait.
Mos lejo që arsimimi të të pengojë të vësh në vend të parë adhurimin e Jehovait (Shih paragrafin 6)
‘RUAJ AFTËSINË PËR TË MENDUAR MIRË’
7. Si mund të ndikojë arsimimi shtesë te mënyra si mendojmë?
7 Sfida. Në varësi të arsimimit që zgjedh, mund të ekspozohesh ndaj «filozofisë e mashtrimeve boshe» të botës, ku përfshihen ateizmi dhe evolucioni. (Kolos. 2:8) Veç kësaj, shkolla mund të të ushqejë sigurinë e tepruar te vetja. Një vëlla i ri kujton: «Nuk na mësonin thjesht një aftësi, por një mënyrë të menduari, që shpesh binte ndesh me mënyrën si mendon Jehovai. Për shembull, na mësonin se suksesi në jetë varet vetëm nga ne. Kjo mendësi nuk linte vend fare për Jehovain. Si pasojë, e kisha më të vështirë të mbështetesha plotësisht tek Ai.»
8. Pse ka rëndësi «të ruash aftësinë tënde për të menduar mirë»? (Proverbat 5:1, 2)
8 Lexo Proverbat 5:1, 2. Bibla të paralajmëron «të ruash aftësinë tënde për të menduar mirë». Zakonisht lind nevoja ta ruajmë diçka kur dikush përpiqet ta dëmtojë ose ta grabitë. Satanai dhe bota e tij përpiqen vazhdimisht të korruptojnë aftësinë tënde për të menduar. (1 Pjet. 5:8) Për shkak të frymës së botës, mund të vësh në diskutim bindjet e tua për standardet morale, për origjinën e jetës, e madje edhe për ekzistencën e Perëndisë. Njerëzit mund t’i paraqesin pikëpamjet e tyre si «më të zgjuara», por në realitet është krejt e kundërta. Ato janë «marrëzi në sytë e Perëndisë».—1 Kor. 3:18-20.
9. Ç’mund të bësh që të ruash aftësinë për të menduar mirë?
9 Ç’mund të bësh para se të nisësh arsimimin shtesë. Që të ruash aftësinë për të menduar mirë, sigurohu që bindjet e tua të bazuara në Bibël të kenë rrënjë të forta para se të nisësh shkollën. Bëji vetes pyetje, si: «Pse besoj te Perëndia? Si e di që Bibla është Fjala e tij? Çfarë më bind se normat morale të Biblës qëndrojnë ku e ku më lart se ato të botës?» Pa dyshim që gjatë viteve të shkollës ke qenë i ekspozuar ndaj mentalitetit të botës. Ndaj, pyet veten: «A të ngjalli dyshime për ekzistencën e Perëndisë besimi i disave te teoria e evolucionit? A e kishe të vështirë t’u rezistoje gjërave të gabuara që bënin shokët e klasës? Nëse mendon se mund t’i kishe bërë më mirë ca gjëra, si mund ta forcosh bindjen se ajo që mëson Bibla është e vërteta dhe është gjithnjë për të mirën tënde? Ji i vendosur të ruash aftësinë për të menduar mirë ndërsa ndjek arsimimin shtesë.—2 Tim. 2:16-18.b
10. Si mund të vazhdosh ta mbrosh aftësinë për të menduar?
10 Ndërsa arsimohesh më tej, vazhdo ta shqyrtosh rregullisht veten me pyetje, si: «Mos ndoshta tani nuk më duket edhe aq e keqe mënyra si jetojnë ata që shpërfillin Perëndinë? A arrij ta dalloj kur diçka është filozofi boshe e botës? A jam plotësisht i bindur se vetëm Mbretëria e Perëndisë mund t’i zgjidhë problemet e njerëzimit?» Që të ruash aftësinë për të menduar, vazhdo të jesh studiues i mirë i Fjalës së Perëndisë. Falë studimit të Biblës dhe meditimit, do të forcosh bindjen se ke të vërtetën.—1 Tim. 4:15.
PËRDORE KOHËN ME MENÇURI
11. Pse mund të jetë e vështirë ta përdorësh me mençuri kohën ndërsa vazhdon arsimimin?
11 Sfida. Arsimimi shtesë mund të të marrë goxha kohë, sidomos nëse po studion për provimet ose të duhet të mbarosh një projekt në një afat të shkurtër. Po të mos e përdorësh kohën me mençuri, mund të stresohesh së tepërmi e madje të arrish deri në sfilitje. Ja pse është jetike të kujdesesh për shëndetin tënd fizik dhe emocional.
12. Çfarë gjërash duhet të përfshish në program ‘që ta shfrytëzosh sa më mirë kohën’? (Efesianëve 5:15, 16)
12 Lexo Efesianëve 5:15, 16. Mund të jetë e vështirë ‘ta shfrytëzosh sa më mirë kohën’. Për këtë të nevojitet ekuilibër. Për shembull, megjithëse duhet të studiosh për shkollën, akoma më e rëndësishme është të kalosh kohë me bashkëbesimtarët dhe pjesëtarët e familjes. (Psal. 133:1; Prov. 18:1) Dhe mbi të gjitha, duhet të plotësosh nevojën për të mbajtur miqësi të fortë me Jehovain. (Mat. 6:33) Veç kësaj, mund të kesh përgjegjësi në familje dhe një punë. Gjithashtu duhet të kujdesesh për shëndetin duke pushuar dhe duke bërë aktivitet fizik mjaftueshëm. (Ekl. 4:6; 1 Tim. 4:8) Të gjitha këto kërkojnë ta menaxhosh mirë kohën.
13. Ç’mund të bësh që ta përdorësh sa më mirë kohën?
13 Ç’mund të bësh para se të nisësh arsimimin shtesë. Bibla thotë se planet sjellin sukses. (Prov. 21:5) Ndaj bëj një program realist para se të nisësh arsimimin shtesë. Mund të mendosh si e ke menaxhuar kohën më parë gjatë viteve të shkollës. Nëse kupton se mund t’i kishe bërë më mirë ca gjëra, si mund të përmirësosh? Ji i vendosur që ta kesh ti nën kontroll kohën dhe jo koha ty.c
14. Cilat pyetje mund të të ndihmojnë të bësh një vetëshqyrtim?
14 Ndërsa vazhdon të arsimohesh, bëj rregullisht një vetëshqyrtim. Pyet veten: «A më del koha që të pushoj dhe të bëj aktivitet fizik sa duhet? A kam ende kohë që të rri me vëllezërit dhe motrat? A i mbaroj detyrat e shtëpisë në afat? Nëse jo, cila është arsyeja: kam shumë detyra apo i zvarrit gjërat? A mendojnë miqtë dhe familja se duhet të bëj ndonjë ndryshim?» Nëse kupton se duhet të ndryshosh programin ose të jesh më i vetëdisiplinuar, vepro menjëherë. Mund të marrësh ndonjë sugjerim edhe nga të tjerë që janë të zotë në menaxhimin e kohës.—Prov. 11:14.
VAZHDO ‘TË ECËSH ME TË MENÇURIT’
15. Çfarë sfide mund të hasësh ndërsa vazhdon arsimimin shtesë?
15 Sfida. Ndërsa vazhdon shkollën, studentët e tjerë mund të të ftojnë të kalosh kohë me ta pas mësimit. Ndoshta ke qejf të shkosh. Tekefundit të afrojnë shumë gjëra me ta, sidomos nëse pjesën më të madhe të kohës e kaloni bashkë. Madje mund të mendosh se ke më shumë të përbashkëta me ta sesa me bashkëbesimtarët. Sidoqoftë duhet të tregohesh i kujdesshëm. Vërtet mund të jesh në të njëjtën klasë me studentët e tjerë, por nuk keni të njëjtat vlera. E sa më shumë kohë të kalosh me ta, aq më shumë mund të ndikohesh nga mënyra si mendojnë. (1 Kor. 15:33) Majkëlli që bëri një trajnim 4-vjeçar për elektricist provoi sa e vërtetë është kjo. Ai thotë: «Kaloja më shumë se 40 orë në javë me kolegët. Pikëpamja e tyre për seksin tjetër, zgjedhja e muzikës dhe gjuha e tyre banale filluan të ndikonin te mënyra si mendoja.»
16. Ç’do të thotë ‘të ecësh me të mençurit’? (Proverbat 13:20)
16 Lexo Proverbat 13:20. Bibla na paralajmëron për rreziqet e shoqërisë së dëmshme. Nga ana tjetër, thotë se «kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur». (Prov. 13:20) Mësimi është i qartë: ata me të cilët zgjedhim të kalojmë kohë ndikojnë te ne, qoftë për mirë a për keq. Prandaj lidh miqësi të ngushtë me ata që duan të jesh i lumtur—me ata që i shërbejnë Jehovait me gjithë shpirt si ti.—Psal. 101:6, 7; 119:63.
17. Si mund ta shmangësh shoqërinë e dëmshme?
17 Ç’mund të bësh para se të nisësh arsimimin shtesë. Vendos kufij kur bëhet fjalë për shoqërinë me studentët e tjerë. Një Dëshmitar me emrin Trenton thotë: «Jam i sjellshëm me studentët e tjerë, por nuk kaloj kohë me ta pas shkolle. I shoh si shokë klase, por jo si shokë të ngushtë.» Po ti çfarë kufijsh do të vendosësh? Kujto çfarë kufijsh vendose gjatë viteve të kaluara të shkollës. Nëse mendon se mund t’i kishe bërë më mirë ca gjëra, si mund të përmirësosh? Ji i vendosur të vazhdosh ‘të ecësh me të mençurit’ dhe të shmangësh shoqërinë e ngushtë me ata që nuk e duan Jehovain.d
18. Cilat pyetje mund të të ndihmojnë të bësh një vetëshqyrtim? (Shih edhe figurën.)
18 Bëj një vetëshqyrtim të rregullt. Pyet veten: «Mos po lidhem shumë me shokët e klasës? A kam filluar të flas, të mendoj a të veproj si ata? Çfarë mendon Jehovai për shoqërimin tim me ta?» (Psal. 1:1) Nëse kupton se duhet të ndryshosh diçka, vepro menjëherë. Sigurohu që miqtë e tu të ngushtë të jenë ata që e duan Jehovai ashtu si ti. Dhe mos ngurro t’u japësh dëshmi shokëve të klasës. Ke një mundësi të shkëlqyer t’i ndihmosh ta njohin Jehovain.
Mos ngurro t’u japësh dëshmi shokëve të klasës (Shih paragrafin 18)e
JI I PËRGATITUR
19. Si mund të përgatitesh që të qëndrosh afër Jehovait gjatë arsimimit shtesë? Ilustroje.
19 Para se të niset për rrugë, një ekskursionist i mençur bën përgatitjet e nevojshme. Edhe pse nuk e parashikon dot çdo sfidë, ai sigurohet që të jetë në gjendje të mirë fizike, vishet siç duhet dhe e ka të qartë synimin ose destinacionin. Ti mund të bësh diçka të ngjashme ndërsa vazhdon shkollën. Mbaje besimin të fortë, vish «armaturën e plotë që jep Perëndia» dhe ki një synim—jo të arrish «suksesin» në sytë e botës, por t’i japësh lavdi Jehovait me gjithçka që bën.—Efes. 6:11-13; 1 Kor. 9:26, 27; 10:31.
20. Si mund ‘të vazhdosh të vësh në provë veten nëse je në besim’?
20 Bibla na nxit: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni çfarë jeni ju vetë.» (2 Kor. 13:5) Mund ta bësh këtë ndërsa vazhdon shkollën. Shqyrtoje rregullisht veten në aspektet e përmendura në këtë artikull. A po mban një program të mirë teokratik? A po e ruan aftësinë për të menduar nga e ashtuquajtura mençuri e kësaj bote? A po e përdor kohën me mençuri? A po i zgjedh miqtë mes adhuruesve të Jehovait, duke shmangur njëkohësisht shoqëritë e këqija? Këto janë pyetje që duhet t’ia bësh vetes kudo qofsh, në shkollë, në punë ose diku tjetër. Ji i vendosur ta mbash besimin të fortë në çfarëdo rrethane të ndodhesh. Të jesh i sigurt se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet e tua që të qëndrosh afër tij.—Prov. 3:5, 6.
KËNGA 87 Eja, gjej për shpirtin freski!
a Për sugjerime se si mund të qëndrosh aktiv në shërbim të Jehovait, shih në jw.org artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Çfarë duhet të bëj pas pagëzimit?—Pjesa 1: Vazhdo të forcosh miqësinë me Jehovain».
b Për sugjerime se si mund të ruash aftësinë për të menduar, shih artikullin «Mos u marros nga ‘mençuria e kësaj bote’» në Kullën e Rojës të majit 2019.
c Për sugjerime se si mund të organizosh aktivitetet e ditës, shih në jw.org artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Si ta menaxhoj kohën?»
d Për sugjerime se si mund ta zgjedhësh me mençuri dhe me kujdes shoqërinë, shih mësimin 48 «Zgjidhi miqtë me mençuri» te libri Gëzoje jetën përgjithmonë.
e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër që po bën një kurs parukerie, i dëshmon me takt shoqes së kursit.