15-21 QERSHOR 2026
KËNGA 122 Asgjë s’më lëkund!
Vazhdo t’i shohësh drejt vështirësitë
«Ndonëse brengat dhe hallet më mundojnë, urdhërimet e tua i kam për zemër.»—PSAL. 119:143.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Do ta kemi më të lehtë t’i përballojmë vështirësitë, nëse i shohim nga këndvështrimi i duhur.
1-2. Çfarë kemi nevojë të bëjmë që t’i përballojmë siç duhet vështirësitë? (Shih edhe figurën.)
A PO përballesh me padrejtësi ose me kundërshtim nga familja? A po të persekutojnë për shkak të besimit? Mos po lufton me shëndetin e dobët ose me vështirësitë e moshës së thyer? Mos të ka copëtuar shpirtin ndonjë tragjedi, mbase vdekja e një njeriu të shtrenjtë? Si shumë e shumë shërbëtorë të tjerë të çmuar të Jehovait, jeta jote mund të jetë «plot halle e dhembje».—Psal. 90:10.
2 Që t’i përballojmë më me lehtësi vështirësitë, duhet t’i shohim ato në mënyrën e duhur. Pse e themi këtë? Mund ta ilustrojmë kështu: problemet në jetë janë si rreziqet që të dalin në rrugë ndërsa po nget makinën. Në varësi të rrezikut, mund të kesh nevojë të shkosh majtas ose djathtas, të ngadalësosh, ose për një moment edhe të ndalosh. Ama që të kryesh manovrën e duhur, duhet ta shohësh qartë rrezikun. E që të shohësh qartë, xhamat duhet të jenë të pastër. Në mënyrë të ngjashme, po të mos i shohim vështirësitë ashtu siç do Jehovai t’i shohim, do ta kemi të vështirë t’i përballojmë siç duhet. Në këtë artikull do të shqyrtojmë (1) mënyrën e drejtë për t’i parë vështirësitë, (2) pasojat që vijnë kur i shohim vështirësitë në mënyrën e gabuar, dhe (3) disa gjëra që mund të bëjmë kur përballemi me një vështirësi.
Që t’i përballojmë më me lehtësi vështirësitë, duhet t’i shohim ato në mënyrën e duhur (Shih paragrafin 2)
PIKËPAMJA E DREJTË PËR VËSHTIRËSITË
3. Çfarë duhet të presim nga jeta në këtë sistem të lig?
3 Vështirësitë janë të pashmangshme në këtë sistem të lig. Për sa kohë të jemi të papërsosur dhe Satanai të sundojë botën, të gjithë do të kalojmë vështirësi. Veç kësaj, meqë po i afrohemi gjithnjë e më shumë fundit të këtij sistemi, do të kemi edhe më shumë probleme. Katastrofat natyrore ose ato të shkaktuara nga njeriu mund të shtohen, e po ashtu edhe vuajtjet për shkak të gjërave që bëjnë njerëzit e ligj. (Mat. 24:8; 2 Tim. 3:13) Nëse Jehovai do t’i ndreqte që tani këto probleme, do të krijohej përshtypja se ai po e ndihmon Satanain të sundojë tokën. Në këtë sistem të lig, nuk mund t’u shpëtojmë halleve.—Ekl. 9:12.
4. Cilat vështirësi të tjera hasim si dishepuj të Krishtit?
4 Si dishepuj të Jezuit, kemi edhe më shumë vështirësi. Jezui u tha shpesh dishepujve të tij se do të persekutoheshin për shkak të besimit. (Mat. 24:9; Gjoni 16:2) Fjalët e Jezuit na ndihmojnë të mos na rrënohet besimi kur hasim vështirësi të këtij lloji. (1 Sel. 3:3, 4) Kur i përballojmë me besim të fortë sprovat, mund të jemi të sigurt se po ecim në udhën drejt jetës së përhershme. Gjithashtu, tregojmë se anën e kujt marrim në çështjen më të rëndësishme, atë mes Jehovait dhe Satanait. Një nga gënjeshtrat që tha Satanai kur u ngrit kjo çështje e madhe, është se njerëzit i shërbejnë Perëndisë për interesa egoiste. Në përpjekje për ta vërtetuar këtë, ai i vë në shënjestër shërbëtorët e Jehovait dhe i sulmon egërsisht. (Jobi 1:9-11) Jehovait i gëzon zemra kur sheh qëndrimin tonë të paepur dhe dashurinë që kemi për të.—Prov. 27:11.
5. Çfarë mund të mësojmë nga Eklisiastiu 7:13, 14? (Shih edhe figurat.)
5 Jehovai lejon të hasim vështirësi. Jehovai nuk vepron kurrë me ligësi e nuk na vë asnjëherë në provë me gjëra të liga. (Jak. 1:13) Atëherë, pse mbreti Solomon shkroi se ‘dita e vështirë’ është ‘vepër e Perëndisë së vërtetë’? (Lexo Eklisiastiun 7:13, 14.) Si në shumë raste të tjera, edhe në këtë rast kur Bibla thotë për Jehovain se bën diçka, nënkupton thjesht se ai po e lejon të ndodhë. Çfarë mësojmë nga këto fjalë të Solomonit? Së pari, kemi nevojë ta shohim me realizëm jetën e papërsosur në botën e Satanait. Do të kemi ditë të mira dhe ditë të këqija. Kur kemi një ditë të mirë, le t’i shprehim mirënjohjen tonë Perëndisë për mirësinë e tij e ta shohim këtë ditë si dhuratë nga ai. Së dyti, Solomoni na kujton se nuk mund ta «dimë me siguri ç’do të ndodhë në të ardhmen»: nëse jeta do të na sjellë një ditë të mirë apo një ditë të vështirë. Problemet e papritura prekin si të drejtët, edhe të padrejtët.
Duhet të jemi realistë e ta pranojmë se në botën e Satanait do të kemi ditë të mira dhe të këqija (Shih paragrafin 5)
6. Pse mund t’i lejojë Jehovai sprovat? (Hebrenjve 12:7, 11)
6 Nëse i shohim siç duhet sprovat, do të kuptojmë se Jehovai po na mëson të mos mbështetemi te vetja, por tek ai. Jehovai i vë re të gjitha sprovat tona dhe hidhërohet kur na sheh që po vuajmë. Edhe kur lejon të ecim nëpër «luginën e territ», ai vazhdon t’i mbajë sytë mbi ne, të na sigurojë se na do, dhe të na japë forcën që na duhet për të rezistuar. (Psal. 23:4) Vështirësitë mund të na ndihmojnë edhe që të njohim më mirë veten e të përmirësojmë cilësitë tona me ndihmën e Jehovait. (Lexo Hebrenjve 12:7, 11.) Për shembull, Jobi kishte nevojë të ishte më i përulur. Edhe pse nuk ia shkaktoi Jehovai sprovat, Ai i lejoi ato që Jobi të nxirrte mësime me vlerë. (Jobi 42:1-6) Sidoqoftë, të mos harrojmë: çfarëdolloj vështirësie të kalojmë, e dimë se gjërat që Jehovai lejon, nuk mund të na shkaktojnë kurrë dëme të përhershme. Kur qëndrojmë besnikë gjatë sprovave, «ne dalim plotësisht fitimtarë».—Rom. 8:35-39.
7. Pse mund të jesh i lumtur edhe kur të persekutojnë për shkak të besimit?
7 Mund të jemi të lumtur edhe mes persekutimeve. Nëse po të persekutojnë për shkak të besimit, mos mendo se Jehovai nuk po të bekon më. Përkundrazi, këto kundërshtime janë provë se ke miratimin e tij. (Mat. 5:10-12) Kur mban këtë pikëpamje gjatë përndjekjes, mund të ndihesh i gëzuar e të ruash respektin për veten, ashtu si apostujt. (Vep. 5:40-42) Veç kësaj, ndoshta do të ndihmosh edhe ata që nuk janë Dëshmitarë, të mësojnë të vërtetën dhe «t’i japin lavdi Perëndisë». (1 Pjet. 2:12) Ashtu si Jozefi, edhe ti mund ta ndiesh miratimin e Jehovait gjatë vështirësive, jo vetëm kur ato të kenë kaluar.—Zan. 39:3, 23.
8. Çfarë shtyse tjetër kemi që të qëndrojmë besnikë në sprova?
8 Sprovat tona do të përfundojnë një ditë. Ngjarjet e jetës së Jobit na kujtojnë se vështirësive do t’u vijë fundi një ditë. Në fakt, «Jehovai i bekoi vitet e mëvonshme të jetës së Jobit më shumë se të mëparshmet». (Jobi 42:12) Në të njëjtën mënyrë, Jehovai premton të bekojë «vitet e mëvonshme» të jetës sate—atë pjesë të jetës që do të zgjasë përgjithmonë—më shumë se pjesëzën fillestare që mund të jetë e mbushur me halle. Çfarë shtyse e fuqishme është kjo për të gjithë ne, që të qëndrojmë deri në fund!—Mat. 24:13.
DËMET QË MUND TË SJELLË PIKËPAMJA E GABUAR
9. Çfarë dëmesh mund të sjellë një pikëpamje e gabuar për vështirësitë?
9 Pavarësisht nga vështirësia që po kalojmë, na duhet të kemi pikëpamjen e duhur që të mos ia rëndojmë barrën vetes. Për shembull, mbase mendojmë se një vështirësi që po kalojmë e ka shkaktuar Jehovai. Edhe Jobi për ca kohë mendoi se problemet ia kishte shkaktuar Jehovai, dhe kjo pikëpamje e gabuar e çoi deri aty sa «ta shpallte veten më të drejtë se Perëndia». (Jobi 32:2) Po ashtu, Naomi fillimisht fajësoi Jehovain për gjëmat që i kishin rënë. (Rutha 1:13, 20, 21) Nëse Jobi dhe Naomi nuk do ta ndreqnin pikëpamjen, do ta kishin dëmtuar marrëdhënien e tyre me Jehovain. (Prov. 19:3) Sidoqoftë, Jehovai i ndihmoi t’i shikonin problemet nga pikëpamja e duhur dhe i bekoi për besnikërinë e tyre.
10. Për çfarë mund të jemi në mëdyshje kur përballemi me sprova?
10 Ndonëse mund të jemi të sigurt se sprovat nuk na i shkakton Jehovai, mbase mund të jemi në mëdyshje nëse kemi akoma rëndësi për Atin tonë. Kjo pikëpamje negative mund të na i shterojë fuqitë. (Prov. 24:10) Mbreti David dhe profeti Habakuk kaluan vështirësi dhe, në disa raste, vunë në pikëpyetje nëse Jehovai po i dëgjonte përgjërimet e tyre për ndihmë. (Psal. 10:1; Hab. 1:2) Prapëseprapë, ata nuk reshtën së luturi. Jehovai i siguroi ata burra se ishte pranë tyre, e të njëjtën gjë do të bëjë edhe me ty.—Psal. 10:17.
11. Çfarë mund të na ndodhë nëse nuk kemi pikëpamjen e duhur për sprovat?
11 Nëse nuk kemi pikëpamjen e duhur për sprovat, ato mund të na tronditin e të na bëjnë të mendojmë se nuk duhej të na ndodhte neve një gjë e tillë. (1 Pjet. 4:12) Dishepujt e Jezuit e patën të vështirë ta pranonin se ai do të persekutohej ashpër. (Luka 18:33, 34) Pjetri, për shembull, tha se Jehovai nuk do ta lejonte Jezuin të vuante, edhe pse Jezui e kishte thënë qartë se ç’e priste. Jezui e dinte se kjo mënyrë të menduari do ta pengonte të bënte vullnetin e Jehovait, prandaj e qortoi Pjetrin. (Mar. 8:31-33) Dishepujt e patën të vështirë ta kuptonin atë që i ndodhi Jezuit, madje edhe pas vdekjes së tij. Por, Jezui vazhdoi t’i ndihmonte me durim. Kur foli me ta pas ringjalljes, ua ‘zbërtheu plotësisht Shkrimet’, që t’i ndihmonte të kishin pikëpamjen e duhur për vuajtjet e tij. (Luka 24:25-27, 32, 44-48) Reflektimi mbi mësimet e Jezuit, do t’i ndihmonte të përgatiteshin për kundërshtimin që do të hasnin pas pak, ngaqë ishin dishepujt e tij. Shqyrtimi i të vërtetave nga Shkrimet mund të na ndihmojë edhe ne të përgatitemi për vështirësitë.
12. Si mund të na bëjë të ndihemi një pikëpamje e gabuar për situatën tonë?
12 Pikëpamja e gabuar për situatën tonë mund të na bëjë të mendojmë se ajo është më e rëndë se ç’është në të vërtetë. Jezui shpjegoi si mund të ndodhë kjo me ilustrimin e punëtorëve në vresht. Disa punëtorë u mërzitën sepse menduan se pagat po jepeshin padrejtësisht. Por pronari i vreshtit i tha njërit prej tyre: «Mik, s’po të bëj asnjë padrejtësi.» (Mat. 20:10-13) Ankesat e punëtorëve nuk ishin bazuar te ndonjë padrejtësi, por te pritshmëritë e tyre të gabuara. Sot, disa Dëshmitarë kanë luftuar me ndjenja të ngjashme, për shembull, kur nuk kanë marrë ndonjë caktim që u pëlqente ose kur u është dashur të heqin dorë nga ndonjë privilegj shërbimi. Çfarë mund të bëjmë që ta shohim drejt një situatë të vështirë?
ÇFARË MUND TË BËJMË KUR NA GODET NJË VËSHTIRËSI
13. Çfarë mund të ndodhë kur godet një vështirësi?
13 Mund t’i dish të vërtetat nga Shkrimet për vështirësitë. Mbase i ke përdorur këto të vërteta për të ndihmuar ata që po kalonin sprova. Ama, kur të bie një hall ty vetë, mund ta kesh të vështirë të ruash pikëpamjen e duhur. Për shembull, mund të ndihesh sikur Jehovai po të ndëshkon ose sikur nuk po t’i dëgjon lutjet. Nëse ke filluar të ndihesh kështu, çfarë mund të bësh?
14. Për çfarë mund të lutesh kur je duke vuajtur? (Filipianëve 4:13)
14 Kërkoji Jehovait të të ndihmojë. Tregoji Jehovait për vuajtjet që po kalon dhe si po ndikojnë te ti. Mund t’i shprehësh në mënyrë specifike si dëshiron të të ndihmojë Jehovai. Mund t’i kërkosh frymën e shenjtë që të kesh forcën dhe mençurinë që të duhet për të qëndruar besnik. Megjithatë, mos harro se Jehovai mund t’i përgjigjet lutjes sate në një mënyrë që nuk ta merr mendja. (Efes. 3:20) Ndihma nga Jehovai mund të vijë edhe nëpërmjet engjëjve ose vëllezërve e motrave. (Psal. 34:7) Prandaj, pranoje ndihmën e tij në çfarëdo forme që ta jep. Ai e jep frymën e tij pa kursim që të arrish t’i bësh ballë çdo lloj sfide.—Lexo Filipianëve 4:13.
15. Çfarë do të të ndihmojë t’u bësh ballë vështirësive? (Shih edhe figurën.)
15 Mbaj një program të mirë adhurimi. Bëj ç’të kesh mundësi, edhe nëse nuk je në gjendje të ndjekësh programin që kishe dikur. Ke nevojë të mbushësh mendjen me mendimet e Perëndisë, sidomos gjatë periudhave kur je i rënduar nga «brengat dhe hallet». (Psal. 119:143) Vazhdo të lexosh Biblën rregullisht, ta studiosh e të reflektosh për të. Dil në predikim për aq sa ta lejojnë rrethanat, ndiq mbledhjet dhe bëj komente. Mos i shkëput lidhjet me vëllezërit e motrat. Rezistoji dëshirës për t’u izoluar.—Prov. 18:1.
Bëj ç’të kesh mundësi, që të mbash një program të mirë adhurimi (Shih paragrafin 15)
16. Cilat dyshime mund të kesh kur të godasin vështirësitë dhe si mund t’i mposhtësh këto dyshime? (2 Korintasve 10:4, 5)
16 Mposhti dyshimet. Kur të godasin vështirësitë, mund të kesh nevojë të rrëzosh ide «të fortifikuara mirë», ku mund të përfshihen dyshimet për veten ose për Jehovain. (Lexo 2 Korintasve 10:4, 5.) Mund t’i mposhtësh këto dyshime me anë të «njohurisë së Perëndisë», që gjendet në Bibël dhe në botimet e organizatës. Për shembull, a ke dyshim nëse Jehovai ende të miraton? Studio për apostullin Pavël. Gjatë shërbimit të tij, ai kaloi vështirësi ekstreme. Por, këto vështirësi vetëm sa i përforcuan bindjen se ishte shërbëtor i miratuar i Krishtit. (2 Kor. 11:23-27) A ke frikë se mos Jehovai nuk t’i ka falur gabimet që ke bërë në të kaluarën? Nëse po, bëj një listë me shkrime që tregojnë se Jehovai i fal me të vërtetë mëkatet. (Isa. 43:25) Pastaj lexoji këto shkrime dhe mendo thellë për to. (Psal. 119:97) Ose ndoshta të ka ndodhur ndonjë tragjedi dhe tani nuk je më i sigurt nëse Jehovai i mbron shërbëtorët e tij. Në këtë rast, bëj kërkime për arsyet pse i lejon Perëndia vuajtjet dhe si na ndihmon të ruajmë miqësinë me të përgjatë çdo vështirësie. (Psal. 91:9-12) Gjithashtu, lexo tregime për vëllezër e motra që e kanë ruajtur gëzimin edhe kur u ka ndodhur një tragjedi.a
17. Çfarë duhet të bëjmë kur na godasin vështirësitë?
17 A po gëzon në këtë moment një «ditë të mirë», pa ndonjë vështirësi të madhe? Atëherë falënderoje Jehovain dhe shfrytëzoje këtë ‘ditë’ që të reflektosh për mirësinë e tij. (Ekl. 7:14) Por kur të godasin vështirësitë, shikoji drejt ato dhe vazhdo të kesh besim të patundur te Jehovai. Ndërsa bën këtë, Jehovai ‘do të sigurojë rrugëdaljen, që t’u bësh ballë’. (1 Kor. 10:13) Por çfarë duhet të bëjmë kur diçka e tmerrshme u ndodh vëllezërve e motrave tona të dashura? Për këtë do të flasim në artikullin tjetër.
KËNGA 150 Jehovai të premton çlirim
a Për shembull, jetëshkrimi «Rimëkëmben sërish pas tragjedisë» në jw.org, tregon si e përballoi familja e vëllait Dejvid Mejzi vdekjen e djalit të tyre, e cila u copëtoi zemrën.