22-28 QERSHOR 2026
KËNGA 90 T’i japim zemër njëri-tjetrit
Mëso nga «Perëndia i çdo ngushëllimi»
«T’i ngushëllojmë të tjerët . . . me po atë ngushëllim që marrim prej tij.»—2 KOR. 1:4.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si t’i ngushëllojmë të tjerët duke ndjekur shembullin e Jehovait dhe të atyre që e imitojnë.
1. Pse është e nevojshme t’i ngushëllojmë të tjerët?
TË GJITHË ‘vuajmë për shkak të sprovave të ndryshme’, ndaj hera-herës kemi nevojë për ngushëllim dhe inkurajim. (1 Pjet. 1:6) Ashtu siç e vlerësojmë kur të tjerët na japin zemër, edhe ne duhet t’i ngushëllojmë pa vonesë ata që po hasin vështirësi. (Mat. 7:12) Jehovai, «Perëndia i çdo ngushëllimi», na mëson si «t’i ngushëllojmë të tjerët në çfarëdo sprove». E ndjekim shembullin e tij ‘duke ngushëlluar njëri-tjetrin’. (2 Kor. 1:3, 4; 1 Sel. 4:18) Këtë nuk e bëjmë sepse duhet, por sepse i duam vëllezërit dhe motrat. Në këtë artikull do të shqyrtojmë (1) çfarë kuptimi ka fjala ngushëllim në Bibël, (2) si mund t’i ngushëllojmë të tjerët dhe (3) çfarë mund të bëjmë kur kemi nevojë për ngushëllim.
KUPTIMI I FJALËS «NGUSHËLLIM» NË BIBËL
2. Çfarë kuptimesh mbart fjala e përkthyer «ngushëllim» në Bibël?
2 Në Bibël, fjala greke që përkthehet «ngushëllim» ka një sërë kuptimesh në varësi të kontekstit. Mund të nënkuptojë «të inkurajosh», «të japësh zemër» ose «të nxitësh». (Rom. 12:8) Fjalë për fjalë ajo do të thotë «të thërrasësh pranë vetes». Pra, mund të përfytyrojmë dikë që i shkon menjëherë në ndihmë shokut të vet dhe i jep gjithë mbështetjen e nevojshme. Edhe pse lloji i ngushëllimit mund të ndryshojë nga rasti në rast, ngushëllimi i vërtetë ka gjithmonë të njëjtin rezultat—i jep forcë dhe e ngre atë që po vuan.
3. Çfarë shembulli të shkëlqyer na ka lënë Barnaba? (Shih edhe figurën.)
3 Le të shqyrtojmë një shembull nga Bibla. Një i krishterë me emrin Jozef, ishte aq i zoti për të inkurajuar dhe për të ngushëlluar të tjerët, sa apostujt e thërritnin me emrin Barnaba, që do të thotë «bir i ngushëllimit». (Vep. 4:36) Ky emër i përshtatej kaq shumë, sa Bibla nuk e përmend asnjëherë tjetër me emrin Jozef. Barnaba tregoi shpesh se jetonte në lartësinë e emrit të tij, duke bërë gjithë sa mundej që t’i ndihmonte bashkëbesimtarët. Për shembull, një rast i tillë ishte kur Sauli që sapo ishte bërë dishepull, shkoi në Jerusalem. Ai donte të takohej me të krishterët atje, por ata kishin frikë për shkak të reputacionit të tij si përndjekës. Megjithatë, Barnaba i besoi Saulit dhe e ndihmoi duke e çuar tek apostujt.—Vep. 9:26-28.
Barnaba jetoi në lartësinë e emrit të tij (Shih paragrafin 3)
SI T’I NGUSHËLLOJMË TË TJERËT
4. Cila është një nga mënyrat më të mira për t’i ngushëlluar të tjerët? (Romakëve 1:11, 12)
4 Takoji personalisht nëse është e mundur. Jehovai përdor shërbëtorët e tij për t’i ngushëlluar të tjerët. Për shembull, kur Elija ndihej përtokë, Jehovai përdori një engjëll që t’i jepte zemër. (1 Mbret. 19:4-7) Edhe apostulli Pavël e dinte sa e rëndësishme ishte t’i takonte nga afër vëllezërit dhe t’i inkurajonte. (Lexo Romakëve 1:11, 12.) Ndaj kur dëshiron të inkurajosh një vëlla a motër, në vend se ta takosh kalimthi, përpiqu t’i kushtosh kohë. (1 Kor. 16:7) Por nëse e ke të pamundur ta takosh, mos e nënvlerëso fuqinë që ka një telefonatë, një letër, një kartolinë ose një mesazh. A do ta lejosh Jehovain t’i ngushëllojë të tjerët nëpërmjet teje?
5. Çfarë sfidash mund të presim?
5 Ndërsa ditët e fundit bëhen më kritike, mund ta kemi më të vështirë t’i takojmë nga afër vëllezërit e motrat për t’i ngushëlluar. Gjatë kohës kur Pavli ishte i burgosur në Romë, Onesifori, një i krishterë nga Efesi, donte që t’i qëndronte pranë. Ja pse e kërkoi me ngulm, megjithëse ishte në lojë liria e madje vetë jeta e tij. (2 Tim. 1:16-18) Njësoj si Onesifori, edhe vëllezërit e motrat në Rusi nuk i kanë lënë vetëm bashkëbesimtarët që po përndiqen për hir të besimit. Për shembull, kur Dëshmitarët i thërrasin në gjyq, vëllezërit e tyre janë atje për t’i mbështetur, ndonëse rrezikojnë të burgosen edhe vetë. Çfarë do të të ndihmojë që të imitosh guximin e tyre? Mund të studiosh shembujt e shërbëtorëve të Jehovait në të kaluarën dhe në kohën tonë, të cilët e kanë mbështetur njëri-tjetrin dhe e kanë ruajtur gëzimin pavarësisht nga përndjekja.
6. Si mund ta imitojmë Jehovain kur ngushëllojmë të tjerët? (Shih edhe figurën.)
6 Dëgjo me vëmendje. Kur e kishte jetën në rrezik, profeti Elija ia zbrazi zemrën në lutje Jehovait. Perëndia ynë i dashur i dëgjoi me vëmendje meraqet e tij, megjithëse e dinte çfarë e trazonte. Madje nuk e humbi durimin ndërsa Elija përsëriste të njëjtat gjëra. (1 Mbret. 19:9, 10, 14) Jehovai e lejoi edhe profetin Habakuk që të shprehte shqetësimet dhe dyshimet, ndonëse me fjalët e tij dukej sikur po sfidonte autoritetin e Perëndisë. (Hab. 1:2, 3) Sot Jehovai i dëgjon me vëmendje lutjet tona, edhe pse e di shumë mirë për çfarë kemi nevojë. Mund ta imitojmë shembullin e tij, duke i dëgjuar me kujdes e me respekt bashkëbesimtarët. Prandaj, le ‘të jemi të shpejtë për t’i dëgjuar’, të mos i ndërpresim dhe të mos e marrim për keq nëse thonë fjalë të rrëmbyera ose përsëritin të njëjtat gjëra.—Jak. 1:19; Ekl. 7:9.
Imito Jehovain dhe dëgjoji me merak vëllezërit dhe motrat (Shih paragrafin 6)
7. Si mund të dallojmë çfarë i nevojitet një bashkëbesimtari në vështirësi?
7 Dallo për çfarë kanë nevojë. Ndryshe nga Jehovai, ne nuk i lexojmë dot zemrat. Prandaj e vetmja mënyrë për të kuptuar si ta ngushëllojmë dikë, është ta dëgjojmë me vëmendje. Mos u nis nga vetja për të përcaktuar se çfarë i nevojitet tjetrit. Tekefundit, s’ka dy njerëz njësoj. Ndaj lër kohë për të dëgjuar me kujdes dhe bëj pyetje me takt që vëllai a motra të shprehë ndjenjat më të thella.—Prov. 20:5.
8. Si i ngushëlloi Jezui Martën dhe Marinë pas vdekjes së Lazarit? (Shih edhe figurat.)
8 Le të mendojmë se si i ngushëlloi Jezui Martën dhe Marinë, pasi u kishte vdekur i vëllai, Lazari. Megjithëse humbja ishte e njëjtë për të dyja, Jezui zgjodhi mënyra të ndryshme për t’i ngushëlluar. Për shembull, pasi Marta shkoi të fliste me Jezuin, ai i tregoi të vërteta të rëndësishme për ringjalljen dhe e ndihmoi të forconte besimin te kjo masë e dashur. Ndërsa kur Maria e takoi duke qarë, me sa duket ai nuk e zuri në gojë ringjalljen. Përkundrazi, qau bashkë me të dhe e pyeti ku e kishin vënë Lazarin. (Gjoni 11:20-35) Çfarë mësojmë nga kjo? Kur ngushëllojmë ata që po vuajnë, duhet të dallojmë nevojat specifike të secilit, në vend se të përdorim një «formulë standarde» me të gjithë.
Kur ngushëllon të tjerët, përpiqu të kuptosh për çfarë kanë nevojë (Shih paragrafin 8)a
9. Si mund ta përdorim Biblën për të ngushëlluar të tjerët? (Romakëve 15:4, 5)
9 Përdor Biblën. Kur përdor Shkrimet për t’i ngushëlluar të tjerët, i ndihmon ta mbajnë të patundur shpresën te premtimet e Jehovait. (Lexo Romakëve 15:4, 5.) Nga ana tjetër, shpresa mund t’ua ngushëllojë zemrën dhe të vazhdojë t’u japë forcë. (Isa. 40:31) Si mund të gjesh shkrime inkurajuese nga Bibla? Disa mbajnë një listë me vargje që i përdorin kur lind nevoja. Mund të gjesh vargje të tilla te tema «Ngushëllimi», në librin Parime nga Bibla për jetën. Lutju Jehovait për ndihmë që ta përdorësh sa më mirë Fjalën e tij për të inkurajuar të tjerët. Fryma e shenjtë mund të të kujtojë shkrimet e duhura në momentin e duhur.—Gjoni 14:26.
10. Pse duhet të flasim me përzemërsi, ndërsa përpiqemi të inkurajojmë dikë?
10 Fol me përzemërsi. Në gjuhën origjinale, fjala që përkthehet «të ngushëllosh» ka edhe kuptimin «të nxitësh». Ndonjëherë mund të jetë e nevojshme që ndërsa ngushëllon dikë, ta nxitësh të ndryshojë mënyrën si mendon. Në raste të tilla, zgjidhi me kujdes fjalët që të mos hapësh plagë, por të shërosh. (Prov. 12:18) Jehovai la shembullin e përsosur kur foli me Elijan, i cili mendonte gabimisht se kishte dështuar në caktimin e tij dhe se ishte i vetmi që po i shërbente Jehovait. Ai e ndihmoi plot përzemërsi Elijan që t’i ndreqte këto mendime, pa ia thënë drejtpërdrejt se e kishte gabim. (1 Mbret. 19:15-18) Edhe ti mund të bësh po njësoj, duke folur me përzemërsi dhe me merak. Ndërsa përpiqesh t’i inkurajosh e t’i forcosh vëllezërit e motrat në mbledhje, sigurohu që fjalimet dhe komentet e tua të jenë përherë të ngrohta dhe pozitive.
11. Për çfarë kanë nevojë shpesh ata që vuajnë? (1 Gjonit 3:18)
11 Ndihmo në mënyrë praktike. Ata që vuajnë nuk kanë nevojë vetëm për fjalë ngushëlluese, por shpesh edhe për ndihmë praktike. (Lexo 1 Gjonit 3:18.) Barnaba la një shembull të shkëlqyer në këtë aspekt, kur shiti një pronë të vetën dhe i dhuroi të ardhurat për të mbështetur bashkëbesimtarët e sapopagëzuar. (Vep. 4:36, 37) Shumë vëllezër e motra sot e imitojnë shembullin e Barnabës dhe i ndihmojnë në mënyra praktike ata që janë në vështirësi. Gabriela, një motër nga Polonia, ndihej përtokë kur iu dëmtua rëndë shtëpia nga një përmbytje. Ajo tregon: «Si unë, si prindërit ishim vërtet të frikësuar dhe të shqetësuar. Vrisja mendjen si do të na vente halli. Por vëllezërit nga kongregacionet fqinje erdhën dhe na e riparuan shtëpinë brenda ditës. Ajo eksperiencë më forcoi besimin se Jehovai po e drejton popullin e tij, që t’i ngushëllojë ata që po vuajnë.»
12. Si mund t’i ndihmosh vëllezërit e motrat kur tregon qëndrueshmëri në sprova?
12 Qëndro besnik në sprova. Pavli u tha selanikasve se u ngushëllua dhe iu ripërtërinë fuqitë kur mori vesh për besnikërinë e tyre në sprova. Ai e dinte se mundi i tij s’kishte shkuar kot. (1 Sel. 3:5-8) Pavli shpresonte që edhe qëndrueshmëria e tij në sprova të bëhej burim ngushëllimi për vëllezërit, madje edhe për ata që s’i kishte takuar. (Kolos. 2:1, 2) Po njësoj, vëllezërit dhe motrat sot inkurajohen pa masë kur shohin si po na ndihmon Jehovai të qëndrojmë besnikë mes vështirësive.
13. Çfarë duhet të vazhdojmë të bëjmë ndërsa inkurajojmë të tjerët?
13 Trego durim. Pavarësisht nga përpjekjet tona, motra ose vëllai i shkurajuar mund të mos ndihet menjëherë mirë. Por Shkrimet na nxitin ‘të vazhdojmë t’i japim zemër njëri-tjetrit’. Kjo shprehje përshkruan një veprim të vazhdueshëm. (1 Sel. 5:11) Ndaj trego durim ndërsa vazhdon t’u qëndrosh pranë atyre që kanë nevojë për ty. (1 Sel. 5:14) Natyrisht, herët a vonë, të gjithëve do të na duhet inkurajim. Ç’mund të bëjmë në këto raste?
KUR KE NEVOJË PËR NGUSHËLLIM
14-15. Ç’duhet të bëjmë nëse po kalojmë një situatë stresuese?
14 Lutju Jehovait. Rend tek Ati yt për ngushëllim kur ndien se të ka pushtuar ankthi. (Psal. 94:19) Ji specifik në lutje dhe mos i mbaj asgjë Jehovait. (Psal. 62:8) Patjetër, Ai e di mirë si ndihesh, madje përpara se t’i lutesh. Por kur ia zbraz zemrën në lutje dhe i shpreh mendimet më të thella, tregon se ke besim te Jehovai. Ai u përgjigjet përherë lutjeve të bëra plot besim, megjithëse jo gjithmonë siç presim ne. (Mar. 11:24) Filipianëve 4:6, 7 na nxit: «Bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja . . . . Kështu paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe mendjen tuaj.»
15 Kërkoju ndihmë të tjerëve. Fol hapur për ndjenjat e tua me një mik të pjekur ose me një plak të besuar. Vëllezërit dhe motrat mund të bëhen burim ngushëllimi, por nëse nuk u thua gjë, mbase nuk e kuptojnë si ndihesh ose çfarë të duhet. (Prov. 14:10) Mund t’i kërkosh një bashkëbesimtari të të dëgjojë me empati ose të të tregojë ndonjë shkrim apo artikull që e ka ngushëlluar atë vetë.
16. Ç’mund të ndodhë ndërsa të tjerët përpiqen të të inkurajojnë, por çfarë duhet të mbash parasysh?
16 Ji i duruar dhe fal. Vëllezërit dhe motrat mund të bëjnë gabime ndërsa përpiqen të të inkurajojnë. Ndoshta mund të thonë a të bëjnë diçka që të lëndon, në vend se të të ngushëllojë. Në këto raste, tregohu i duruar me ta. (1 Kor. 13:4, 7) Mbaj parasysh atë që thotë Jakovi 3:2: «Nëse dikush nuk gabon kur flet, është njeri i përsosur.» Përqendrohu te motivet e mira të vëllezërve e motrave. E mos harro se «zemra është gati, por trupi është i dobët».—Mat. 26:41.
17. Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
17 Të gjithë kemi nevojë për ngushëllim dhe inkurajim në këto ditë të fundit. E kjo nevojë do të shtohet dita-ditës, teksa kohët bëhen më kritike dhe kundërshtimi nga armiqtë e Perëndisë bëhet më i flaktë. Qofshim të vendosur të bëjmë gjithë sa mundemi për të ngushëlluar njëri-tjetrin!
KËNGA 130 Le ta falim njëri-tjetrin
a PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një plak dëgjon me empati një vëlla që sapo ka humbur gruan e tij të shtrenjtë. Më vonë plaku takon një vëlla tjetër, të cilit i ka vdekur e shoqja para disa vitesh, dhe flasin me nostalgji për gjërat e bukura që kujtojnë prej saj.