BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 mars f. 26-31
  • Pse mund të jemi të lumtur kur na urrejnë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pse mund të jemi të lumtur kur na urrejnë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PSE NA URREJNË?
  • PSE MUND TË JEMI TË LUMTUR KUR NA URREJNË
  • Dashuria na ndihmon t’i bëjmë ballë urrejtjes
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2021 (Për studim)
  • Një letër për të qëndruar besnikë deri në fund
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Si na ndihmon Jehovai të tregojmë qëndrueshmëri
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • «Zgjidhni . . . kujt do t’i shërbeni»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 mars f. 26-31

1-7 QERSHOR 2026

KËNGA 111 Arsyet për të gëzuar

Pse mund të jemi të lumtur kur na urrejnë

«Lum ju kur njerëzit t’ju urrejnë.»—LUKA 6:22.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Do të shohim pse mund të jemi të lumtur kur njerëzit na urrejnë ngaqë i shërbejmë Jehovait.

1. Çfarë pohimi befasues bëri Jezui?

JEZUI tha në Predikimin në Mal: «Lum ju kur njerëzit t’ju urrejnë.» (Luka 6:22) Fjalët e tij duhet t’i kenë habitur ata që po e dëgjonin. Tekefundit, askujt nuk i pëlqen ta urrejnë. Atëherë, pse e bëri Jezui këtë pohim? Kjo pyetje ia vlen të shqyrtohet, sepse shumë njerëz sot i urrejnë dishepujt e Jezuit. Tani do të shohim disa arsye pse na urrejnë dhe pse mund të jemi të lumtur pavarësisht nga kjo.

PSE NA URREJNË?

2-3. Cila është një arsye pse përndiqen të krishterët e vërtetë, dhe si mund të ndikojë kjo te mendimi ynë për kundërshtarët? (Gjoni 16:2, 3)

2 Na urrejnë sepse adhurojmë Jehovain. Jezui tha për ata që do të përndiqnin e madje do të vritnin disa nga dishepujt: «Nuk kanë arritur të njohin as Atin, as mua.» (Lexo Gjonin 16:2, 3.) Kush është fajtori kryesor për kundërshtimin ndaj popullit të Perëndisë? Patjetër që Satanai. Ai është «perëndia i kësaj bote». (2 Kor. 4:3, 4) Satanai bën çmos që njerëzit të mos e mësojnë të vërtetën për Jehovain dhe i shtyn që t’i kundërshtojnë ata që e njohin dhe e duan Perëndinë. (Gjoni 8:42-44) Si na ndihmon kjo t’i shohim me sy tjetër kundërshtarët tanë? Për shembull, kur e kuptojmë se këta njerëz janë mashtruar, e kemi më të lehtë të mos ushqejmë urrejtje kundër tyre.

3 Të shohim rastin e Dimitrita që jeton në një vend ku vepra jonë është e ndaluar. Ngaqë nuk hoqi dorë nga adhurimi i Jehovait, e arrestuan, e rrahën mizorisht dhe e mbajtën në qeli izolimi për muaj të tërë. Tani Dimitri thotë: «E kuptoj fare qartë se përndjekja është rezultat i luftës së Satanait dhe demonëve kundër adhurimit të pastër. Shumica e atyre që punojnë në sistemin e burgjeve, nuk kanë ndjenja armiqësore kundër nesh. Thjesht bëjnë punën e tyre.» Një vëlla në Kroaci e përndoqën egërsisht prindërit për shkak të së vërtetës. Ai shprehet: «Kam arritur të kuptoj se armiku im i vërtetë është Satanai, jo prindërit e mi.»—Efes. 6:12.

4. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jezuit dhe i dishepullit Stefan? (Shih edhe figurën.)

4 Ne nuk i urrejmë kundërshtarët tanë. Madje, Bibla na nxit të lutemi për ta. (Mat. 5:44) Mund të mësojmë shumë në këtë aspekt nga Jezui dhe nga dishepulli Stefan. Kur ushtarët romakë po e gozhdonin në shtyllë, Jezui u lut: «O Atë, fali.» (Luka 23:34) Ai i kërkoi Jehovait t’i falte ushtarët që kishin marrë urdhër për ta vrarë. Mund të kishte ndërmend edhe disa nga turma, që të nxitur nga kundërshtarët fetarë, bërtitnin që ai të vritej. Jezui e dinte se këta njerëz nuk e kuptonin çfarë po bënin. Po njësoj, dishepulli Stefan iu lut Perëndisë që t’i falte vrasësit e tij. (Vep. 7:58-60) A iu përgjigj Jehovai lutjeve të Jezuit dhe të Stefanit? Absolutisht që po! Shumë veta që ishin të përfshirë në gjyqin dhe në ekzekutimin e Jezuit, më vonë u penduan, treguan besim tek ai dhe u pagëzuan. (Vep. 2:36-41) Dhe të paktën një nga njerëzit që miratoi vrasjen e Stefanit—Sauli nga Tarsi—u bë i krishterë dhe u pendua thellësisht për gjërat e tmerrshme që kishte bërë nga padija.—1 Tim. 1:13.

Një vëlla me fytyrën e mavijosur nga dhuna, lutet në qelinë e burgut ndërsa një rojë qëndron aty pranë.

Jezui dhe dishepulli Stefan u lutën për ata që i përndoqën, e po njësoj mund të bëjmë edhe ne (Shih paragrafin 4)


5. Çfarë të mëson eksperienca e Sezarit?

5 Jehovai vazhdon t’u përgjigjet lutjeve që bëjmë për ata që na përndjekin. Të shohim eksperiencën e Sezarit, i cili jeton në Venezuelë. Babai i tij ishte kundërshtar i ashpër i së vërtetës. Sezari thotë: «Mamaja ime ishte zonjë grua dhe nënë e shkëlqyer. Edhe pse i jepte gjithnjë përparësi adhurimit të Jehovait, ajo nuk e linte kurrë pas dore tim atë. Mamaja na mësoi të gjithë ne fëmijëve ta respektonim babanë. Gjithashtu, na thoshte t’i bindeshim, përveçse kur ai na kërkonte të bënim diçka që Jehovai nuk e miraton.» Me kalimin e viteve, babai i Sezarit u zbut. Sezari tregon: «Një ditë, pasi i isha lutur me gjithë shpirt Jehovait, e pyeta babin nëse donte të studionte Biblën me mua. S’kam fjalë ta përshkruaj si u ndjeva kur ai më tha ‘po’.» Me kohë, babai i Sezarit u pagëzua. Megjithëse nuk bëjnë ndryshime të tilla të gjithë kundërshtarët, disave u zbutet zemra pasi vënë re të folurin tonë plot respekt dhe sjelljen tonë të shkëlqyer. Sa na gëzon kjo! Mezi presim të shohim si mund t’i tërheqë drejt vetes këta njerëz Jehovai, «Gjykatësi [i mëshirshëm] i gjithë tokës».—Zan. 18:25.

6. Sipas Markut 13:13, cila është një arsye tjetër pse na urrejnë?

6 Na urrejnë sepse përkrahim Jezuin. Jezui tha se të gjithë njerëzit do t’i urrenin të krishterët e vërtetë, «për shkak të emrit [të tij]». (Lexo Markun 13:13.) Çfarë përfaqëson «emri» i Jezuit? Ai përfaqëson reputacionin dhe autoritetin e tij si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. Ne na urrejnë njerëzit që i kanë varur shpresat te liderët e kësaj bote, jo te Jezu Krishti, të cilin Jehovai e ka zgjedhur për të qeverisur universin. Mirëpo, kjo situatë nuk do të zgjasë përgjithmonë. Jezui po qeveris si Mbret i Mbretërisë që prej 1914-s. Së shpejti, ai do të asgjësojë gjithë qeveritë rivale që nuk e pranojnë autoritetin e tij.

7-8. Pse disa vëllezër e motra bëhen shënjestër e talljeve? (Gjoni 15:18-20) (Shih edhe figurat.)

7 Na urrejnë sepse nuk jemi pjesë e botës së Satanait. Jezui shpjegoi se dishepujt e tij do t’i urrenin ngaqë ‘nuk janë pjesë e botës’. (Lexo Gjonin 15:18-20.) Njësoj si të krishterët e shekullit të parë, nuk duam të infektohemi nga mënyra si mendojnë, sillen dhe flasin njerëzit që e shpërfillin Perëndinë. Ja pse, shumë vëllezër e motra janë bërë shënjestër e talljeve në vendin e punës dhe në shkollë. (1 Pjet. 4:3, 4) Megjithatë jemi të kënaqur kur disa kundërshtarë ndryshojnë qëndrim dhe na admirojnë për sjelljen tonë.

8 Le të shohim eksperiencën e Injasjos, në Amerikën Qendrore. Kur ishte në shkollë, një mësues e talli për vite me radhë, ngaqë kishte standarde të larta morale. Mirëpo, para se të diplomohej, mësuesi e pyeti si ia doli të jetonte në harmoni me parimet e Biblës, pavarësisht nga presioni në shkollë. Injasjo i shpjegoi se i shihte ligjet e Perëndisë si mbrojtje. Më pas e ftoi mësuesin në një mbledhje kongregacioni. Për habinë e tij, mësuesi shkoi vërtet. I bëri aq shumë përshtypje dashuria e vëllezërve dhe motrave, sa vazhdoi t’i ndiqte rregullisht mbledhjet. Më vonë, mësuesi hasi edhe vetë kundërshtim ngaqë po studionte Biblën. Por vazhdoi të forconte miqësinë me Jehovain dhe në fund u pagëzua.

Kolazh: inskenim i situatës së Injasjos në shkollë. 1. Ndërsa mësuesi e tall në sy të nxënësve të tjerë, ai qëndron në heshtje, plot respekt. 2. Më vonë mësuesi e dëgjon me vëmendje Injasjon teksa i flet.

Mund të jemi të guximshëm e ta mbrojmë besimin tonë, pavarësisht nga mosha (Shih paragrafin 8)b


9-10. (a) Cila është një arsye tjetër pse adhuruesit e Jehovait dallojnë nga bota e Satanait? (b) Ç’mund të mësojmë nga shembulli i apostullit Pavël?

9 Dallojmë nga njerëzit në botë, edhe sepse qëndrojmë asnjanës në çështje politike dhe në luftëra. (Gjoni 18:36) Në përputhje me këshillën që gjendet te Romakëve 13:1, bëjmë maksimumin të jemi qytetarë që u bindemi ligjeve. Gjithsesi si adhurues të Jehovait, nuk mbajmë anën e asnjë partie politike. Prandaj nuk garojmë për poste politike dhe as votojmë për ndonjë kandidat politik. Pse? Sepse i qëndrojmë besnikë Jehovait dhe Mbretërisë së tij nën qeverisjen e Krishtit. Shumë Dëshmitarë të Jehovait janë burgosur për hir të besimit, por kjo s’i ka penguar të predikojnë edhe në ato rrethana. Kështu imitojnë apostullin Pavël, që ishte në arrest shtëpie dhe në burg për vite. (Vep. 24:27; 28:16, 30) Ai vazhdoi të fliste për lajmin e mirë me të gjithë që e dëgjonin, si rojat e burgut, zyrtarët nëpër gjykata, guvernatorët, mbretërit e ndoshta edhe disa zyrtarë në shërbimin e perandorit romak, Neronit.—Vep. 9:15.

10 Edhe sot, vëllezërit e burgosur i predikojnë kujtdo që i dëgjon, ku përfshihen gjykatës, zyrtarë të qeverisë dhe roja burgu. Një vëlla, që bëri më tepër se gjashtë vjet burg për hir të asnjanësisë, tha se nuk e shihte burgun si ndëshkim, por si caktim nga Jehovai që të gjente njerëz me zemër të përulur. Sa të lumtur ndihemi nëse Jehovai na përdor që t’u japim lajmin e mirë këtyre individëve! (Kolos. 4:3) Le të shqyrtojmë disa arsye të tjera pse mund të jemi të lumtur kur na urrejnë ngaqë i shërbejmë Jehovait.

PSE MUND TË JEMI TË LUMTUR KUR NA URREJNË

11. Si na ndihmon përndjekja të lidhemi më ngushtë me Jehovain? Jepni një shembull.

11 E dimë se urrejtja e kësaj bote përmbush profecitë e Biblës. Në profecinë e parë të dokumentuar në Bibël, Jehovai paratha se Satanai dhe ‘pasardhësi i tij’—ata që do ta përkrahnin—do t’i urrenin njerëzit që e duan dhe i shërbejnë Jehovait. (Zan. 3:15) Jezui tregoi shpesh sa të vërteta janë këto fjalë profetike, dhe kjo del në pah te të katër Ungjijtë. (Mat. 10:22; Mar. 13:9-12; Luka 6:22, 23; Gjoni 15:20) Edhe shkrimtarë të tjerë të Biblës shkruan për të njëjtën gjë. (2 Tim. 3:12; Jak. 1:2; 1 Pjet. 4:12-14; Jud. 3, 17-19) Ja pse nuk tronditemi kur hasim përndjekje. Përkundrazi jemi të lumtur tek shohim përmbushjen e profecive të Biblës. Kjo na garanton se po i shërbejmë Perëndisë së vërtetë. Një motër që jeton në një vend ku vepra jonë është e kufizuar, thotë: «Kur i kushtova jetën Jehovait, e dija se herët a vonë do të më përndiqnin. Kështu që as u frikësova, as u habita kur filluan sprovat.» Një nga shumë kundërshtarët e saj ishte edhe i shoqi. Ai e trajtonte keq dhe i dogji Biblën dhe botimet. Por në vend se të sprapsej nga frika, motra u lidh më ngushtë me Jehovain. (Hebr. 10:39) Ajo shprehet: «Bibla e kishte parathënë përndjekjen, ndaj e prisja që do të ndodhte një ditë. E kur e përjetova në lëkurë, u binda se kjo është feja e vërtetë.»

12. Çfarë e ndihmoi një vëlla të përballonte përndjekjen?

12 Megjithëse e dimë se do të na përndjekin, prapë mund ta kemi të vështirë të tregojmë qëndrueshmëri. Një vëlla shkroi për kohën që kaloi në burg: «Kishte raste që ndihesha përtokë ose në ankth dhe vetëm qaja.» Çfarë e ndihmoi vëllanë të mos dorëzohej? Ai tregon: «Lutesha gjithmonë. Çdo mëngjes e nisja me një lutje. Gjatë ditës lutesha sa herë dilte një situatë e vështirë. Dhe kur nxehesha nga padrejtësitë që më bënin, futesha në banjë, kyçja derën dhe lutesha.» Ai meditonte edhe shërbëtorë besnikë të kohëve të lashta dhe moderne. Kjo e ndihmoi të qëndronte besnik në përndjekje dhe të ndiente paqen që u premtoi Jezui dishepujve të tij.—Gjoni 14:27; 16:33.

13. Çfarë mund të na ndihmojë të fitojmë mbi urrejtjen?

13 Dashuria jonë triumfon mbi urrejtjen. Jezui e deshi Atin me gjithë zemër deri në frymën e fundit. Ai i deshi edhe miqtë e tij. (Gjoni 13:1; 15:13) Kur zhvillojmë një dashuri të tillë për Jehovain dhe për vëllezërit e motrat, edhe ne dalim fitimtarë mbi urrejtjen. Si? Le ta marrim përgjigjen duke shqyrtuar shembullin e apostullit Pavël.

14. Çfarë e ndihmoi Pavlin të qëndronte besnik përballë vdekjes?

14 Pak para se ta ekzekutonin, Pavli i shkroi mikut të tij të shtrenjtë, Timoteut: «Perëndia nuk na dha frymën e frikacakëve, por të fuqisë, të dashurisë.» (2 Tim. 1:7) Ku e kishte fjalën Pavli? Ai po thoshte se dashuria e fortë për Jehovain e motivon një të krishterë t’u bëjë ballë sprovave të zjarrta. (2 Tim. 1:8) Natyrisht, dashuria që kishte Pavli për Jehovain e ndihmoi ta përballonte vdekjen me guxim, pa e braktisur adhurimin e vërtetë.—Vep. 20:22-24.

15. Si po tregojnë vëllezërit e motrat në kohën tonë dashuri altruiste për njëri-tjetrin? (Shih edhe figurën.)

15 I duam fort bashkëbesimtarët, të cilët qëndrojnë të palëkundur mes përndjekjeve. Sot disa janë të gatshëm të vënë jetën në rrezik për vëllezërit, njësoj siç bënë Akuila dhe Prishila për Pavlin. (Rom. 16:3, 4). Për shembull, në Rusi shumë vëllezër e motra shkojnë në salla gjyqi, për t’u dhënë zemër atyre që janë arrestuar. Një motër që e kishin arrestuar, ngeli pa fjalë nga emocionet kur pa dhjetëra bashkëbesimtarë në sallën e gjyqit. Dashuria e tyre altruiste i dha forcë kur kishte më tepër nevojë. Jemi të lumtur që dashuria jonë e gjunjëzon urrejtjen!

Një motër po e fusin në furgonin e burgut dy oficere policie, ndërkohë që një grup vëllezërish e motrash po e duartrokasin.

Edhe në vendet ku vepra jonë është e ndaluar ose e kufizuar, vëllezërit dhe motrat shfaqin dashuri altruiste për njëri-tjetrin (Shih paragrafin 15)c


16. Pse tha apostulli Pjetër se mund të jemi të lumtur kur na keqtrajtojnë si adhurues të Perëndisë? (1 Pjetrit 4:14)

16 E dimë se qëndrueshmëria jonë kur na urrejnë, sjell miratimin e Perëndisë. (Lexo 1 Pjetrit 4:14.) Apostulli Pjetër tha duhet të jemi të lumtur kur na keqtrajtojnë ngaqë i shërbejmë Perëndisë. Pse? Sepse kjo është provë se fryma e Perëndisë «prehet mbi [ne]». Pjetri e dinte ç’do të thotë të kesh miratimin e Perëndisë dhe të të përndjekin. Pak pas Festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., policia e tempullit jude arrestoi Pjetrin dhe apostujt e tjerë ngaqë predikonin. Por Pjetri e mbrojti besimin pa iu dridhur qerpiku. (Vep. 5:24-29) Madje edhe pasi i rrahën, Pjetri dhe apostujt e tjerë nuk e ndalën predikimin. Përkundrazi, gëzuan sepse «ishin quajtur të denjë të çnderoheshin për emrin e [Jezuit]». Edhe ne mund të gëzojmë kur nuk lëkundemi në sprova.—Vep. 5:40-42.

17. Çfarë u tha Jezui dishepujve natën para se të vdiste?

17 Natën para se të vdiste, Jezui u tha dishepujve: «Atë që më do mua, Ati im do ta dojë.» (Gjoni 14:21) Mezi presim ditën kur vetëm do të na duan ngaqë i shërbejmë Jehovait. (2 Sel. 1:6-8) Ndërkohë, të marrim zemër sepse kemi plot arsye të jemi të lumtur edhe kur na urrejnë.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Pse i urrejnë dishepujt e Jezuit?

  • Si triumfon dashuria jonë mbi urrejtjen e kësaj bote?

  • Pse mund të jemi të lumtur kur na urrejnë?

KËNGA 149 Kënga e ngadhënjimit

a Disa emra janë ndryshuar.

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Inskenim ku Injasjo i jep dëshmi mësuesit të tij.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Inskenim ku vëllezër e motra mbështetin një bashkëbesimtare, që po e burgosin për shkak të besimit.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo