4-10 MAJ 2026
KËNGA 53 Motivi për të predikuar
Përmirëso ‘artin e mësimdhënies’ në shërbim
«Prediko fjalën . . . me shumë durim dhe art mësimdhënieje.»—2 TIM. 4:2.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të shohim tri mënyra si të bëhemi mësues më të zotë në veprën e predikimit.
1. Cilën aftësi duam të zhvillojmë, dhe pse? (2 Timoteut 4:2) (Shih edhe figurën.)
JEZUI u tha dishepujve të tij: «Bëni dishepuj . . . , duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mat. 28:19, 20) Kjo tregon se të gjithë të krishterët duhet të jenë mësues. Natyrisht, është Jehovai ai që i tërheq drejt vetes njerëzit ‘e prirur për jetën e përhershme’, dhe engjëjt luajnë një rol duke na drejtuar tek ata. (Vep. 13:48; Gjoni 6:44; Zbul. 14:6) Prapëseprapë ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Të mendojmë për shembullin e apostujve Pavël dhe Barnaba. Bibla tregon se kur predikuan në sinagogën e judenjve në Ikoni, ata «folën në mënyrë aq të efektshme, sa u bënë besimtarë një shumicë e madhe judenjsh dhe grekësh». (Vep. 14:1) Pa dyshim, Pavli dhe Barnaba kishin zhvilluar ‘artin e mësimdhënies’. (Lexo 2 Timoteut 4:2.) Të gjithë ne kemi nevojë të bëhemi më të zotë në këtë art.
Mund të mësojmë shumë për ‘artin e mësimdhënies’ nga Jezui dhe dishepujt e tij, si apostujt Pavël dhe Barnaba (Shih paragrafin 1)
2. Pse disa vëllezër e motra mund të mendojnë se nuk i përmirësojnë dot aftësitë si mësues?
2 Disa mund të mendojnë se nuk bëhen dot mësues të mirë, ngaqë nuk kanë shumë arsimim ose ndonjë dhunti. Në fakt, edhe disa burra që përmend Bibla ndiheshin të paaftë. (Eks. 4:10; Jer. 1:6) Të tjerë mund të shkurajohen, sepse nuk arrijnë të njëjtat rezultate të mira si disa bashkëbesimtarë. Natyrisht, jo të gjithë ata që takojmë do të reagojnë pozitivisht ndaj lajmit të mirë. Veç kësaj, rezultatet që kemi në shërbim nuk varen plotësisht nga përpjekjet tona. Siç e pamë më lart, janë Jehovai dhe engjëjt të cilët bëjnë të mundur që njerëzit me zemër të sinqertë të afrohen drejt së vërtetës. Gjithsesi duam të bëjmë çmos që ta prezantojmë mesazhin tonë në mënyrë tërheqëse. Ja pse, në këtë artikull do të shohim tri mënyra si mund të bëhemi mësues më të zotë.
TREGO MERAK TË SINQERTË PËR NJERËZIT
3. Pse Jezui kishte aftësinë t’u prekte zemrat dëgjuesve?
3 Bibla thotë se Jezui «e dinte çfarë kishin në zemër» njerëzit. (Gjoni 2:25) Kjo shprehje përcjell idenë se ai i njihte mendimet dhe motivet e tyre. Jezui kishte aftësinë t’u prekte zemrat dëgjuesve, sepse e kuptonte për çfarë kishin nevojë. Ai e shihte se njerëzve u nevojitej drejtim dhe ngushëllim. Krerët fetarë ua kishin vështirësuar jetën me tradita dhe rregulla të panumërta. (Mat. 9:36; 23:4) Ndaj, Jezui u solli lehtësim me mësimet e tij, siç bëri në Predikimin në Mal. Shumë njerëz e dëgjonin tërë sy e veshë, sepse ai fliste për çështje që i preknin personalisht.
4. Si mund të tregojmë interes të sinqertë për njerëzit? (Shih edhe figurat.)
4 Mund t’u tregojmë interes të sinqertë njerëzve që takojmë në shërbim, duke u përpjekur të kuptojmë çfarë i shqetëson. Secili prej tyre vuan në ndonjë mënyrë nga sistemi i lig i Satanait. Nëse e mbajmë ndër mend këtë, do t’i kuptojmë më mirë njerëzit. Për shembull, mos ndoshta janë të shqetësuar nga ndonjë lajm i fundit? A janë në merak prindërit për sigurinë e fëmijëve në shkollë? A është e përhapur papunësia në zonën tënde? Përpiqu ta vësh veten në vendin e tyre dhe imagjino si mund të jetë jeta në këto «kohë kritike», pa shpresën që jep Bibla.—2 Tim. 3:1; Isa. 65:13, 14.
Mendo për rrethanat e njerëzve në territorin tënd dhe mëso si t’u tregosh interes të sinqertë (Shih paragrafin 4)
5. Ku ndryshonte Jezui nga farisenjtë si mësues? (Mateu 11:28-30)
5 Jezui i donte njerëzit, dhe ata e kuptonin këtë nga mënyra si i trajtonte. Ai ndryshonte si nata me ditën nga farisenjtë, të cilët i përbuznin dhe i përçmonin njerëzit e thjeshtë. (Mat. 23:13; Gjoni 7:49) Jezui i trajtonte të tjerët plot zemërmirësi dhe respekt. Ai ishte «me natyrë të butë e i përulur në zemër», dhe kjo e ndihmonte të ishte mësues i efektshëm. (Lexo Mateun 11:28-30.) Edhe ne duhet t’u tregojmë zemërmirësi dhe respekt atyre që na dëgjojnë.
6. Si mund të shfaqim zemërmirësi dhe respekt ndaj atyre që nuk e pranojnë ose e kundërshtojnë mesazhin tonë?
6 Disa nuk e pranojnë mesazhin që predikojmë e madje na kundërshtojnë. Si duhet të reagojmë? Jezui na mësoi se s’duhet të mjaftohemi thjesht duke e anashkaluar kundërshtimin. Ai tha ‘t’u bëjmë mirë atyre që na urrejnë’, ‘të bekojmë ata që na mallkojnë’ dhe madje ‘të lutemi për ata që na fyejnë’. (Luka 6:27, 28) Do ta kemi më të lehtë këtë, nëse nuk nxitohemi t’i gjykojmë ata që s’e pranojnë mesazhin tonë. Është e vërtetë se disa janë kundërshtarë të vendosur. Megjithatë, të tjerë mund të jenë të stresuar nga ndonjë problem familjar ose ndoshta janë në ankth për ndonjë situatë që s’ka lidhje me ne. Mbase thjesht trokitëm në një moment të papërshtatshëm. Sidoqoftë, duhet të zbatojmë këshillën që ‘fjalët tona të jenë gjithnjë të hijshme e të lezetuara me kripë, që të dimë si t’i përgjigjemi gjithsecilit’. (Kolos. 4:6) Nëse kemi empati për njerëzit dhe përpiqemi të kuptojmë nevojat e tyre, nuk do të ofendohemi shpejt dhe do të bëhemi mësues më të mirë.
LËR TË FLASË FJALA E PERËNDISË
7. Si tregoi Jezui se e bazonte mësimdhënien e tij te Fjala e Perëndisë? (Gjoni 7:14-16)
7 Jezui e bazonte mësimdhënien te Fjala e Perëndisë, jo te njohuria e vet. Ai i mësonte njerëzit në atë mënyrë që t’i kuptonin dhe t’i mbanin mend kollaj gjërat. Bibla tregon se Jezui mësonte «si njeri me autoritet e jo si skribët». Ja pse njerëzit «mahniteshin» kur e dëgjonin. (Mar. 1:22) Skribët në kohën e Jezuit citonin rabinë të mirënjohur për të mbështetur mësimet e tyre. Krejt ndryshe, Jezui citonte shpesh nga Shkrimet e frymëzuara. Si Biri i Perëndisë që kishte jetuar në qiell, Jezui mund ta kishte shpalosur mençurinë e tij mahnitëse që t’u bënte përshtypje të tjerëve e madje t’u tregonte sa pak dinin. Ama nuk vepronte aspak kështu. Përkundrazi, përdorte gjithmonë Fjalën e Perëndisë që t’u mësonte njerëzve çfarë priste Jehovai prej tyre. (Lexo Gjonin 7:14-16.) Çfarë shembulli të shkëlqyer na la Jezui!
8. Si e imitoi Pjetri shembullin e Jezuit?
8 Edhe dishepujt e Jezuit e bazuan mësimdhënien te Fjala e Perëndisë. Për shembull, të mendojmë për fjalimin që mbajti apostulli Pjetër në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Pjetri nuk ishte shumë i arsimuar. Megjithatë ia doli të prekte zemrat e dëgjuesve, duke shpjeguar qartë nga Shkrimet profecitë që kishte përmbushur Jezui. (Vep. 2:14-37) Cili ishte rezultati? «Ata që i pranuan me gëzim fjalët e tij, u pagëzuan, dhe atë ditë u shtuan rreth 3.000 veta.»—Vep. 2:41.
9. Pse duhet ta drejtojmë vëmendjen te Fjala e Perëndisë kur mësojmë të tjerët?
9 Asgjë nuk depërton aq thellë në zemrat e njerëzve, sa Fjala e Perëndisë. (Hebr. 4:12) Prandaj duhet ta drejtojmë vëmendjen te Bibla kur mësojmë të tjerët. Duam ‘të predikojmë fjalën’, jo mendimet tona. (2 Tim. 4:2) Proverbat 2:6 thotë: «Vetë Jehovai jep mençuri e prej gojës së tij burojnë njohuria dhe aftësia dalluese.» Ndaj kur i mësojmë njerëzit nga Shkrimet, po lejojmë të flasë Jehovai. (Mal. 2:7) Duam që dëgjuesit tanë të kuptojnë se mençuria e Biblës është ku e ku më superiore se mençuria njerëzore. Bibla është e frymëzuar nga Perëndia dhe përmban njohurinë që na nevojitet për të kënaqur Krijuesin dhe për të bërë një jetë të lumtur dhe domethënëse.—2 Tim. 3:16, 17.
10. Si mund t’ia drejtojmë vëmendjen studentit te Fjala e Perëndisë?
10 Ndërsa përgatitesh për një studim, mendo si mund t’ia drejtosh vëmendjen studentit te Bibla. Ai duhet të kuptojë se, megjithëse figurat dhe videot e bëjnë më të larmishme mësimdhënien tonë, mjeti kryesor është Bibla. Prandaj gjatë studimit, lexoni shkrimet kryesore, dhe ndihmoje studentin të arsyetojë mbi to. Kur përdor figurat dhe videot, sigurohu që të kuptojë parimet themelore të Biblës që dalin në pah. Për këtë s’ka nevojë të flasësh tepër apo të lexosh një mal me shkrime. Në vend të kësaj, lëri kohë studentit të kuptojë çdo shkrim që lexoni, madje duke e rilexuar shkrimin po të jetë e nevojshme. Kështu nuk do të jemi duke drejtuar një studim që bazohet në një libër, në disa figura ose video, por te Bibla.—1 Kor. 2:13.
11-12. (a) Si mund të tregosh durim me studentin e Biblës? (Veprat 17:1-4) (Shih edhe figurën.) (b) Çfarë nuk dinë disa për Biblën, dhe si mund t’i ndihmojmë?
11 Nëse studenti e ka të vështirë të pranojë një mësim, mos harro ‘ta predikosh fjalën me shumë durim’. Tekefundit nuk përparojnë të gjithë me të njëjtin ritëm. Disave u duhet më tepër kohë të pranojnë të vërteta që për ne janë normale. Për shembull, Pavli u dëshmoi më shumë se një herë judenjve në Selanik, duke arsyetuar nga Shkrimet, para se disa ta kuptonin pikën.—Lexo Veprat 17:1-4.
12 Mund të tregojmë durim me studentin edhe duke i bërë pyetje që të shprehet dhe duke i rezistuar prirjes për të folur shumë. Përpiqu ta dëgjosh me vëmendje dhe të kuptosh mënyrën si mendon. Më pas lexoni dhe diskutoni shkrime specifike, që ta ndihmosh të dallojë mendimin e Perëndisë për një çështje. Gjithashtu, mos harro se disa njerëz nuk kanë pasur kurrë Bibël dhe nuk e kanë idenë se për çfarë flet. Prandaj, a do ta ndihmonte studentin po t’i tregoje një Bibël në format të shtypur? Mund të përdorësh pjesën «Njihu me Fjalën e Perëndisë», në fillim të botimit Përkthimi Bota e Re, që t’i prezantosh bollëkun e informacionit që përmban Bibla. Pastaj ndihmoje të kuptojë vlerën e saj praktike, duke përdorur një ose dy shkrime nga pyetja 15 dhe shpjegoji si na ndihmon Bibla të jemi të lumtur. Me pak fjalë, nëse i tregon studentit fuqinë e Fjalës së Perëndisë, mësimdhënia jote do të jetë më e efektshme.
Një mësues i aftë dëgjon shumë dhe flet pak (Shih paragrafët 11-12)
DREJTOJE VËMENDJEN TE JEHOVAI
13. Ku duhet ta drejtojmë vëmendjen ndërsa mësojmë të tjerët? Ilustrojeni.
13 Synimi ynë është t’i ndihmojmë njerëzit ta njohin Jehovain dhe t’i afrohen atij. (Jak. 4:8) Punën tonë mund ta krahasojmë me punën që bën një operator ndriçimi në teatër. Gjatë shfaqjes, ai nuk e drejton projektorin te vetja, por te personazhet kryesore që të marrin gjithë vëmendjen. Duhet të bëjmë po njësoj kur mësojmë të tjerët—ta drejtojmë vëmendjen te Jehovai, jo te vetja.
14. Si mund ta ndihmojmë studentin të ketë dëshirë ta kënaqë Jehovain?
14 Kur drejton një studim të Biblës, ndihmoje studentin të ushqejë dëshirën për t’ia kënaqur zemrën Jehovait. (Prov. 27:11) Synimi yt nuk është që studenti të zbatojë një sërë rregullash, thjesht për t’u bërë anëtar i një organizate. Ti dëshiron që ai të bëjë ndryshime për t’i pëlqyer Jehovait. Për shembull, nëse studenti s’po e heq dot një ves, bëji pyetje, si: «Pse e urren Jehovai këtë praktikë? Pse të kërkon Jehovai të mos e bësh më diçka që të pëlqen? Si tregon kjo kërkesë se Jehovai të do shumë?» Sa më shumë e motivon studentin të mendojë për Jehovain, aq më shumë do të kuptojë çfarë Ati të mrekullueshëm ka. Kjo do ta nxitë të ketë dëshirë ta kënaqë Jehovain.
VAZHDO TË PËRMIRËSOSH ARTIN E MËSIMDHËNIES
15. Si mund ta përmirësosh cilësinë e mësimdhënies?
15 Mund t’i lutesh Jehovait për ndihmë që të analizosh cilësinë e mësimdhënies dhe të shohësh ku mund të përmirësosh. (1 Gjon. 5:14) Që të veprosh në harmoni me lutjet, vëri veshin stërvitjes që siguron Jehovai në mbledhjet e kongregacionit. Pse të mos ftosh në studimet e tua vëllezër e motra që janë mësues të aftë? Pastaj mund t’i pyesësh nëse kanë ndonjë sugjerim çfarë të përmirësosh. Gjithashtu, mos harro se ti mund ta dish në majë të gishtave materialin, por studenti jo. Ndaj përpiqu ta shohësh materialin me syrin e tij. Më pas ndihmoje të kuptojë se mesazhi ynë është vërtet lajm i mirë. Kështu studenti do të lidhet ngushtë me Jehovain dhe do të ketë një jetë më të bukur.—Psal. 1:1-3.
16. Çfarë dobish vijnë kur përpiqemi të zhvillojmë artin e mësimdhënies?
16 Një nga kënaqësitë më të mëdha në jetë është t’i mësojmë të tjerët për Jehovain. Vepra e bukur e mësimdhënies do të jetë tejet e domosdoshme në botën e re. Ndaj, le të vazhdojmë të tregojmë merak për njerëzit, të lëmë Fjalën e Perëndisë të flasë dhe ta drejtojmë vëmendjen te Jehovai ndërsa predikojmë lajmin e mirë. Kështu do ta zotërojmë gjithnjë e më mirë artin e mësimdhënies në shërbim.
KËNGA 65 Përparo!