PERSONAZH NGA BIBLA
Abdia—Zhvillo nderim të thellë për Perëndinë
Abdia ishte kujdestar i shtëpisë së Akabit, një mbret i lig, i cili lejoi që në Izrael të merrte dhenë adhurimi i rremë i Baalit. Megjithatë, Abdia kishte zhvilluar nderim të thellë për Jehovain «që në rini». (1 Mbret. 18:1-13) Kështu, kur mbretëresha Jezebelë urdhëroi vrasjen e gjithë profetëve të Jehovait, ai e dinte se duhej të vepronte me guxim që ky plan i lig të dështonte. Të fshihje një profet, ishte punë me rrezik; ama, Abdia fshehu 100 profetë dhe u siguroi ushqim gjatë një zie buke të madhe. Kushedi sa të vështirë duhej ta ketë pasur që të mos e zbulonin qindra profetë të rremë, që i shërbenin mbretit dhe mbretëreshës.—1 Mbret. 18:19.
Ç’mund të mësojmë nga ky burrë që kishte nderim të thellë për Perëndinë? Ndonëse i frikësohej Akabit, nderimi i thellë që kishte Abdia për Jehovain e tejkalonte frikën. Kjo i dha guximin e nevojshëm që të rrezikonte jetën për të mbrojtur vëllezërit e tij. Nëse adhurimi i pastër është i ndaluar në vendin ku jetojmë, edhe ne mund të zhvillojmë nderim të thellë për Perëndinë. Kjo cilësi do të na bëjë guximtarë, që t’u bëhemi krah vëllezërve e motrave të cilët po hasin sprova.