6-12 PRILL 2026
KËNGA 82 «Le të ndriçojë drita juaj»
Si t’i ndihmojmë të afërmit jobesimtarë
«Të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer.»—GAL. 6:9.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si të mbajmë marrëdhënie të mira me të afërmit jobesimtarë dhe si t’i ndihmojmë ta njohin Jehovain, nëse kjo është e mundur.
1-2. Si mund të kenë ndryshuar marrëdhëniet me të afërmit jobesimtarë pasi njohëm të vërtetën?
JEZUI i tha një burri që donte të bëhej dishepull i tij: «Shko në shtëpi te njerëzit e tu dhe tregoju të gjitha gjërat që bëri Jehovai për ty.» (Mar. 5:19) Me këto fjalë, Jezui nxori në pah një dëshirë të natyrshme që kemi si njerëz—t’i ndajmë lajmet e mira me ata që kemi për zemër.
2 A të kujtohet si u ndjeve kur dëgjove për herë të parë lajmin e mirë? Ka shumë të ngjarë që s’të mbante vendi t’ua tregoje të tjerëve. Por mbase të afërmita nuk e pritën mirë që po studioje me Dëshmitarët. Ose mënyra si ua prezantove të vërtetën mund të ketë shkaktuar marrëdhënie të tensionuara. Nëse gjendesh në këtë situatë, si mund të mbash ose të rivendosësh marrëdhënie të mira me të afërmit pa bërë kompromis me standardet e Jehovait?
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Në këtë artikull do të shohim: (1) si mund të na motivojë dhembshuria që të interesohemi sinqerisht për të afërmit jobesimtarë,b edhe nëse nuk duan ta njohin Jehovain; (2) si të shohim përtej fjalëve dhe veprimeve të pakëndshme; (3) si mund t’i ndihmojmë të afërmit kur nuk e humbasim durimin dhe shpresën se një ditë mund të bëhen Dëshmitarë; dhe (4) si mund t’u tregojmë të afërmve jobesimtarë se i duam.
NDIHMOJI I MOTIVUAR NGA DHEMBSHURIA
4. Si veproi Jezui me ata që ishin indiferentë ndaj mesazhit të tij?
4 Jezui nuk hoqi dorë menjëherë nga ata që ishin indiferentë ndaj mesazhit të tij. Ai e krahasoi veten me një vreshtar, i cili punoi pa u lodhur që një pemë fiku e pafrytshme të prodhonte. (Luka 13:6-9) Kur e bëri këtë ilustrim, Jezui kishte mbi tre vjet që po përpiqej të ndihmonte judenjtë të kishin besim tek ai. Pse nuk i ndali përpjekjet për t’i ndihmuar? Sepse Jezui e kishte zemrën plot dhembshuri për njerëzit, dhe kjo e nxiti të ishte i duruar.
5. Pse ndiente dhembshuri Jezui për bashkatdhetarët?
5 Jezui ndiente dhembshuri për bashkatdhetarët, sepse krerët fetarë nuk i kishin ndihmuar të zhvillonin besim të vërtetë te Perëndia. Ai vuri re se populli ishte «si dele pa bari». (Mar. 6:34) Pak para se të vdiste, Jezui qau për Jerusalemin ngaqë e dinte se shumica e banorëve të tij do të humbnin jetën, për shkak të mungesës së besimit. (Luka 19:41-44) Kur edhe ne zhvillojmë ndjenja të përzemërta për të afërmit, na shtohet dëshira që t’i ndihmojmë.
6. Pse duhet të tregohemi të duruar me të afërmit jobesimtarë? (Galatasve 6:9)
6 Lexo Galatasve 6:9. Edhe nëse të afërmit nuk kanë ende interes për bindjet tona, duhet të jemi të duruar me ta dhe të mos dorëzohemi «duke bërë atë që është e shkëlqyer». E dimë se nevojitet kohë për të çrrënjosur paragjykime të ngulitura thellë dhe për të zhvilluar besim te Jehovai. Në të kaluarën mbase edhe ti ‘nuk kishe asnjë shpresë dhe ishe pa Perëndi në botë’. (Efes. 2:12) Por, dikush u tregua i duruar me ty dhe të ndihmoi. A nuk ta do zemra dhe ty që t’i ndihmosh të afërmit ta njohin Jehovain, nëse kjo është e mundur?
SHIH PËRTEJ FJALËVE DHE VEPRIMEVE TË PAKËNDSHME
7. Çfarë mund t’i ketë penguar gjysmëvëllezërit e Jezuit të tregonin besim tek ai?
7 Me shumë gjasa, gjysmëvëllezërit e Jezuit dëgjuan për mrekullitë që bëri në Galile. (Luka 4:14, 22-24) Mirëpo, fillimisht nuk treguan besim tek ai. (Gjoni 7:5) Pse? Bibla nuk e thotë. Megjithatë na zbulon të paktën dy gjëra që mund t’i kenë penguar disa judenj të bëheshin dishepuj të Jezuit. Një pjesë kishte frikë se mos shoqëria i mënjanonte. (Gjoni 9:18-22) Të tjerë e njihnin Jezuin që fëmijë dhe nuk e imagjinonin dot si përfaqësuesin e Perëndisë. (Mar. 6:1-4) Mbase edhe gjysmëvëllezërit e Jezuit u ndikuan nga këto mendime. A mund të bëhen pengesë gjëra si këto edhe për të afërmit tanë?
8. Pse të afërmit jobesimtarë mund të flasin e të veprojnë në mënyrë të pakëndshme?
8 Mendo çfarë qëndron pas fjalëve dhe veprimeve të tyre. Vëllezërit e Jezuit mund të kenë qenë ndër të afërmit që thanë se ‘ai kishte luajtur mendsh’. (Mar. 3:21) Çfarë mund t’i ketë shtyrë drejt këtij përfundimi? Konteksti tregon se Jezui ishte aq i kërkuar, sa s’kishte kohë as të hante bukë. (Mar. 3:20) Mos vallë të afërmit mendonin se ishte kthyer në fanatik fetar? Ka mundësi. Edhe të afërmve tanë mund t’u duket se jemi tepër të dhënë pas fesë. Nëse mendojnë kështu, bëjmë mirë që me sjelljen tonë t’u tregojmë sa të arsyeshëm jemi vërtet.
9. Çfarë mund t’i ndihmojë të afërmit të ndryshojnë mendim për ne? (1 Pjetrit 3:1, 2) (Shih edhe figurat.)
9 Lër të flasë sjellja. Fjalët dhe veprimet tona të përzemërta mund t’i nxitin të afërmit të ndryshojnë mendimin që kanë për ne. (Lexo 1 Pjetrit 3:1, 2.) Për shembull, një bashkëshort jobesimtar mund të ndihet i lënë pas dore ose të mërzitet kur e shoqja shkon në mbledhje ose del në shërbim. Natyrisht, një motër nuk do të donte që burri të ndihej kështu, ndaj mund ta përshtatë programin e aktiviteteve teokratike që të kalojë më shumë kohë me të. Për shembull, mund të dalë në shërbim kur i shoqi është i zënë ose kur nuk është në shtëpi. Kur një grua tregohet elastike dhe e arsyeshme, mund ta ndihmojë burrin që të ndryshojë opinion për Dëshmitarët.
Fjalët dhe veprimet e përzemërta mund ta ndihmojnë një bashkëshort jobesimtar të ndryshojë mendim për Dëshmitarët (Shih paragrafin 9)h
10. Si mund ta imitojmë Jezuin kur na kritikojnë?
10 Mos u ndiej i detyruar t’i përgjigjesh çdo kritike. Kur Jezuin e akuzuan pa të drejtë se po e tepronte me pijen dhe ushqimin, nuk u acarua dhe as nuk u përpoq të provonte se e kishin gabim. Përkundrazi, i nxiti të shikonin faktet. (Mat. 11:19) Gjithashtu tregoi me shembullin e tij se ishte i arsyeshëm dhe se e shijonte jetën. (Krahaso Gjonin 2:2, 6-10.) Po njësoj, nuk je i detyruar t’i përgjigjesh çdo kritike që të bëjnë të afërmit. Në vend të kësaj, tregoju me mënyrën si e jeton jetën se je i ekuilibruar dhe i lumtur. Kështu do ta shohin vetë si qëndron e vërteta. E nëse dëgjojnë informacione negative për Dëshmitarët e Jehovait, do të nxiten t’i hedhin poshtë si të rreme.
MOS E HUMB DURIMIN DHE SHPRESËN
11. Si i trajtoi Jezui vëllezërit e tij jobesimtarë?
11 Ungjijtë tregojnë se Jezui nuk e humbi durimin me vëllezërit e tij. Për shembull, me sa duket edhe ata ishin në Kanë kur Jezui bëri mrekullinë e parë. (Gjoni 2:11, 12) Por siç u përmend më sipër, nuk treguan besim tek ai. Gjithsesi, Jezui nuk i shkëputi lidhjet me ta. Rreth tre vjet pas mrekullisë së parë në Kanë, Bibla tregon se Jezui u fliste me përzemërsi vëllezërve të vet.—Gjoni 7:5-8.
12. Çfarë na ndihmon të mos i humbim shpresat se disa të afërm mund ta pranojnë të vërtetën?
12 Tashmë kemi një tablo më të qartë për mëshirën e Jehovait, dhe kjo na ndihmon të mos i humbim shpresat. Pas shtrëngimit të madh, njerëzit do të kenë ende mundësi të marrin anën e Jehovait. Kur të shkatërrohen fetë e rreme, të afërmve mund t’u kujtohet që u kishim folur për këtë ngjarje dhe mbase vendosin t’i shërbejnë Jehovait.c (Zbul. 17:16) E nëse po kalojnë tani ndonjë vështirësi, patjetër që do të bëjmë gjithë sa mundemi për t’i ndihmuar. Mbase do të jenë më të gatshëm të mësojnë më shumë për Biblën, ndërsa shohin se i duam dhe interesohemi sinqerisht për ta.
TREGOJU SE I DO
13. Për çfarë duhet të bëjmë kujdes, ndonëse jemi të zënë në shërbim të Jehovait?
13 Megjithëse jemi të zënë në shërbim të Jehovait, s’duam që të afërmit të krijojnë përshtypjen se nuk kemi kohë për ta ose se nuk i duam më. (Mat. 7:12) Si mund të tregojmë se i kemi për zemër? Le të shohim disa mënyra.
14-15. Cila është një mënyrë si tregojmë se i duam të afërmit jobesimtarë? Jepni një shembull.
14 Komuniko rregullisht dhe shprehe dashurinë. Tregojmë se i duam të afërmit duke folur rregullisht me ta. Për shembull, mund t’u dërgojmë një mesazh dhe disa foto që kemi bërë gjatë pushimeve, gjatë një udhëtimi ose në një organizim me miqtë. Mund t’u japim një dhuratë modeste ose një kartolinë me fjalë zemre, që mund të na afrojë më shumë me ta. Kur marrim iniciativën të bëjmë gjëra të tilla, po tregojmë se i duam vërtet.
15 Le të shohim çfarë ndodhi me Anën, një motër në Armeni. Familja e saj mblidhet shpesh bashkë, sidomos në raste ditëlindjesh dhe festash. Kur Ana mori të vërtetën, të afërmit ishin në merak si do të ndikonte feja e re te marrëdhëniet e tyre. Ishin të shqetësuar edhe se si do të ndikonte vendimi për t’u bërë Dëshmitare tek e ardhmja e saj. Çfarë ka bërë Ana për t’ua hequr këto meraqe? Ajo thotë: «Kur takoj të afërmit, u tregoj si ia kam kaluar dhe me çfarë jam marrë. Gjithashtu i ftoj në shtëpi dhe i prezantoj me miqtë e mi. Si rezultat, shumica e të afërmve e njohin mirë rrethin tim shoqëror dhe ndihen rehat me ta.» Ana shton: «Shumë nga të afërmit janë shprehur se e kanë vënë re që jam e lumtur dhe se nuk janë më të shqetësuar për mua.»
16. Si tregoi Jezui se interesohej sinqerisht për gjysmëvëllanë e tij, Jakovin? (Shih edhe shënimin.)
16 Tregoju se interesohesh për ta. Pas ringjalljes, Jezui tregoi se e kishte për zemër vëllanë e tij, Jakovin, duke iu shfaqur personalisht. (1 Kor. 15:7) A e imagjinon dot si duhet të jetë ndier Jakovi kur kuptoi se Jezui e donte akoma? Ka të ngjarë që ai takim e bindi se Jezui ishte Mesia. Më pas, Jakovi mund t’i ketë ndihmuar pjesëtarët e tjerë të familjes të kuptonin identitetin e Jezuit.d—Vep. 1:14.
17. Si mund ta zbatojmë parimin që gjendet te Romakëve 12:15? (Shih edhe figurën.)
17 Lexo Romakëve 12:15. Nëse interesohemi për njerëzit tanë të dashur kur kanë më tepër nevojë—qoftë kjo në kohë të mira a të vështira—mund t’i ndihmojmë të ndryshojnë qëndrim ndaj nesh.e Për shembull, mund t’i urojmë në rastin e lindjes së një fëmije dhe t’i bëjmë një dhuratë për t’u treguar se gëzojmë bashkë me ta. Nëse një i afërm humbet një njeri të shtrenjtë, mund ta ngushëllojmë duke i shkuar për vizitë, duke i dërguar një mesazh ose duke i ofruar ndihmë praktike. Sigurisht që duhet të interesohemi rregullisht për të afërmit, sidomos në momente të vështira.
Nëse interesohesh sinqerisht për të afërmit kur kanë më shumë nevojë, ata mund të ndryshojnë qëndrim ndaj teje dhe bindjeve të tua fetare (Shih paragrafin 17)i
18. Si mund ta imitojmë dishepullin Andrea?
18 Njihi me vëllezërit dhe motrat. Kur dishepulli Andrea mësoi se Jezui ishte Mesia, e prezantoi gjithë gëzim të vëllanë, Pjetrin, me Jezuin. (Gjoni 1:40-42) A mund të veprojmë edhe ne njësoj? Për shembull, a mund të ftojmë herë pas here ndonjë të afërm në mbledhje ose për të ngrënë diçka me vëllezërit dhe motrat? Ndërsa takon Dëshmitarë të tjerë, do ta kuptojë se bëjmë një jetë normale dhe jemi njerëz të mirë e të ndershëm.
19. Si duhet t’i trajtojmë të afërmit, edhe nëse nuk i kuptojnë plotësisht disa nga bindjet tona? (1 Pjetrit 3:15)
19 Lexo 1 Pjetrit 3:15. Të afërmit mund të mos e kuptojnë plotësisht pse nuk i bëjmë disa gjëra, ama s’do ta harrojnë kurrë sjelljen tonë të mirë dhe plot respekt. Megjithëse nuk përfshihemi më në festa dhe zakone që bien ndesh me Shkrimet, të afërmve mund t’u bëhet qejfi kur përpiqemi të kalojmë kohë me ta. Për shembull, mund të shkojmë t’i takojmë, të hamë një vakt bashkë dhe t’u bëjmë dhurata në momente të tjera.
MOS HIQ DORË KURRË NGA TË AFËRMIT
20. Pse marrim zemër nga shembulli i Jakovit?
20 Jakovi e humbi mundësinë që ta shoqëronte Jezuin gjatë shërbimit të tij në tokë, megjithatë në fund u bë dishepull i tij. (Gal. 1:18, 19; 2:9) Ndonëse nuk ishte ndër dishepujt e parë, Jakovi ua vuri veshin mësimeve të Jezuit. Për shembull, në letrën që shkroi nën frymëzim, ai përmendi mësime të ngjashme me ato që kishte thënë Jezui në Predikimin në Mal.f
21. Pse s’duhet të heqim dorë nga të afërmit jobesimtarë?
21 Pavarësisht nga përpjekjet tona, të afërmit jobesimtarë mund të mos kenë interes për të vërtetën. Ose mund të vazhdojnë të sillen në mënyrë të pakëndshme, edhe nëse interesohemi sinqerisht për ta. Pse s’duhet të heqim dorë nga njerëzit tanë? Sepse sa herë që tregohemi zemërmirë me ta, imitojmë Perëndinë tonë të mëshirshëm, Jehovain, dhe Birin e tij, Jezuin. (Luka 6:33, 36) Me kohë, veprat tona të dashura mund t’i nxitin të afërmit të ndryshojnë mendim për ne. Madje, mund të kujtojnë shumë nga bindjet tona, për të cilat u kemi folur në të kaluarën. Nëse nuk heqim dorë prej tyre, mund të përjetojmë gëzimin e pamasë që vjen kur një njeri i dashur na bashkohet në adhurimin e vërtetë.
KËNGA 60 Lajmi i jetës
a Në këtë artikull, fjala «të afërm» përfshin edhe pjesëtarët e ngushtë të familjes.
b SHPJEGIMI I SHPREHJES: Në Bibël, fjala «jobesimtar» nuk përdoret medoemos për dikë që nuk i përket një feje ose që nuk beson te Perëndia. (1 Kor. 7:12) Në këtë artikull, ky term përdoret për ata që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait.
c Lexo artikullin «Çfarë dimë për mënyrën si do t’i gjykojë Jehovai njerëzit së shpejti?» në Kullën e Rojës të majit 2024, f. 11, par. 11-13.
d Pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit, të paktën dy nga vëllezërit e tij të gjakut, Jakovi dhe Juda, përqafuan të vërtetën.
g Për më shumë informacion si të veprosh në këto raste, shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 majit 2002 dhe të 15 nëntorit 2007.
h PËRSHKRIMI I FIGURËS: Para se të dalë në shërbim, një motër përgatit me dashuri një vakt për të shoqin.
i PËRSHKRIMI I FIGURËS: E njëjta motër lë kohë që të takojë vjehrrën, e cila nuk është Dëshmitare.