ARTIKULLI I STUDIMIT 35
KËNGA 121 Vlera e vetëkontrollit
Si ta fitosh luftën kundër dëshirave të gabuara
«Mos lejoni që mëkati të vazhdojë të mbretërojë në trupat tuaj të vdekshëm, që t’u bindeni dëshirave të tij.»—ROM. 6:12.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të na ndihmojë (1) të luftojmë shkurajimin dhe (2) të mos biem pre e tundimit.
1. Çfarë lufte kemi të gjithë?
A KE pasur ndonjëherë një dëshirë të fortë për të bërë diçka që Jehovai nuk e miraton? Nëse po, mos nxirr përfundimin se sprova jote është më e vështirë se e kujtdo tjetër. Bibla thotë: «Nuk keni hasur asnjë tundim që të mos e kenë hasur edhe të tjerë.» (1 Kor. 10:13, shën.)a Pra edhe njerëz të tjerë po luftojnë me të njëjtën dëshirë të gabuar që ke ti. Nuk je vetëm dhe, me ndihmën e Jehovait, mund të dalësh fitimtar.
2. Çfarë tundimesh mund të hasin disa bashkëbesimtarë dhe studentë të Biblës? (Shih edhe figurat.)
2 Bibla thotë edhe se «secili sprovohet, sepse tërhiqet dhe joshet nga dëshira e vet». (Jak. 1:14) Ky varg tregon qartë se njerëzit joshen nga gjëra të ndryshme. Për shembull, disa vëllezër e motra mund të tundohen të përfshihen në sjellje imorale me persona të seksit të kundërt; kurse të tjerë me persona të të njëjtit seks. Ata që kanë hequr dorë nga vesi i pornografisë, mund të ndiejnë një dëshirë të fortë që t’i kthehen prapë këtij zakoni. Të njëjtën sfidë mund të ketë edhe kush abuzonte më parë me drogën ose alkoolin. Këto janë vetëm disa nga dëshirat e gabuara me të cilat luftojnë disa bashkëbesimtarë dhe studentë të Biblës. Ka shumë të ngjarë që, në një pikë të jetës, të gjithë të jemi ndier si apostulli Pavël, i cili shkroi: «Kur dua të bëj të drejtën, e keqja është brenda meje.»—Rom. 7:21.
Tundimet mund të lindin papritur—në çdo kohë e në çdo vend (Shih paragrafin 2)d
3. Si mund të ndihet dikush që lufton vazhdimisht me një dëshirë të gabuar?
3 Nëse po lufton me një dëshirë të gabuar që nxjerr kokë vazhdimisht, mbase ndihesh i pafuqishëm, sepse të duket sikur nuk i reziston dot tundimit. Ndoshta ndihesh edhe i pashpresë, sepse mendon se Jehovai do të të dënojë vetëm ngaqë ke këtë dëshirë të gabuar. Ji i sigurt se asnjë nga këto nuk është e vërtetë! Për të parë pse themi kështu, në këtë artikull do të shqyrtojmë dy pyetje: (1) Për ç’arsye mund të ndihemi të pafuqishëm dhe të pashpresë? (2) Si ta fitosh luftën kundër dëshirave të gabuara?
ÇFARË DO «I LIGU» QË TË BESOJMË
4. (a) Çfarë mendon Satanai se do të bëjmë përballë tundimit, dhe pse? (b) Pse nuk jemi të pafuqishëm në luftën kundër dëshirave të gabuara?
4 Satanai do që të ndihemi të pafuqishëm kur hasim tundime. Jezui e bëri të qartë këtë kur u mësoi dishepujve të luteshin: «Mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i Ligu.» (Mat. 6:13) Sipas Satanait, ne nuk do t’i bindemi Jehovait nëse përballemi me tundime. (Jobi 2:4, 5) Mendo sa absurde është kjo. Satanai është i pari që u josh nga dëshira e vet dhe nuk donte t’i qëndronte besnik Jehovait. Me sa duket na ngatërron me veten dhe mendon se do t’i kthejmë shpinën Jehovait sapo të na paraqitet një tundim. Madje, Satanai arriti deri në atë pikë sa të besonte se Biri i përsosur i Perëndisë mund të binte pre e tundimit. (Mat. 4:8, 9) Mirëpo, a jemi vërtet të pafuqishëm në luftën kundër dëshirave të gabuara? As që bëhet fjalë! Bashkohemi me ndjenjat e apostullit Pavël, i cili shkroi: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—Filip. 4:13.
5. Nga e dimë se Jehovai është i sigurt se mund t’i luftojmë dëshirat e gabuara?
5 Krejt ndryshe nga Satanai, Jehovai është plotësisht i sigurt se mund t’i luftojmë dëshirat e gabuara. Pse e themi këtë? Sepse Jehovai paratha se një shumicë e madhe me shërbëtorë besnikë do t’i mbijetojnë shtrëngimit të madh. Mendo çfarë do të thotë kjo. Jehovai, që nuk mund të gënjejë, premton se në botën e re do të hyjë një numër i madh njerëzish, jo vetëm pak veta. Për Jehovain do të jenë të pastër, sepse «i kanë larë rrobat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit». (Zbul. 7:9, 13, 14) Është e qartë se ai nuk na sheh si të pafuqishëm në luftën kundër dëshirave të gabuara.
6-7. Pse dëshiron Satanai të ndihemi të pashpresë kur luftojmë me dëshira të gabuara?
6 Satanai do që të ndihemi jo vetëm të pafuqishëm, por edhe të pashpresë—pra të mendojmë se Jehovai nuk na miraton, vetëm ngaqë kemi dëshira të gabuara. Por sërish kjo është shumë absurde. Në të vërtetë Satanai është i pashpresë, sepse Jehovai do ta shkatërrojë përgjithmonë. (Zan. 3:15; Zbul. 20:10) Ndaj, nuk habitemi pse ai dëshiron të ndihemi edhe ne njësoj—sidomos ngaqë kemi perspektivën për të jetuar përgjithmonë, diçka që Satanai e humbi njëherë e mirë. Gjithsesi, ne s’jemi aspak të pashpresë. Në fakt, Bibla na siguron se Jehovai dëshiron të na ndihmojë, jo të na dënojë. Ai «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të pendohen».—2 Pjet. 3:9.
7 Nëse besojmë se jemi të pafuqishëm ose të pashpresë në luftën kundër dëshirave të gabuara, jemi duke menduar fiks siç i pëlqen Satanait. E kur e kuptojmë këtë, bëjmë çmos që të jemi më të vendosur t’i kundërvihemi.—1 Pjet. 5:8, 9.
NDIKIMI I MËKATIT
8. Cila është një arsye tjetër pse mund të ndihemi të pafuqishëm dhe të pashpresë? (Psalmi 51:5) (Shih edhe «Shpjegimi i shprehjes».)
8 Përveç Satanait, ka edhe një arsye tjetër pse mund të ndihemi të pafuqishëm dhe të pashpresë në luftën kundër dëshirave të gabuara. Cila është kjo? Gjendja jonë mëkatare, që e kemi trashëguar nga prindërit tanë të parë.b—Jobi 14:4; lexo Psalmin 51:5.
9-10. (a) Si ndikoi mëkati tek Adami dhe Eva? (Shih edhe figurën.) (b) Çfarë ndjenjash provojmë për shkak të mëkatit të trashëguar?
9 Le të mendojmë për ndikimin që pati mëkati tek Adami dhe Eva. Pasi nuk iu bindën Jehovait, ata u fshehën dhe u përpoqën të mbulonin trupin. Mëkati u shkaktoi ndjenja faji, ankthi, pasigurie dhe turpi. Ishte sikur Adami dhe Eva u kyçën në një shtëpi që kishte vetëm katër dhoma, pra ato katër ndjenja. Mund të shkonin nga njëra dhomë në tjetrën, por s’mund të dilnin nga shtëpia. Me pak fjalë s’mund t’i shpëtonin gjendjes së tyre mëkatare.
10 Natyrisht, situata jonë ndryshon nga ajo e Adamit dhe Evës. Falë shpërblesës—vlera e së cilës nuk zbatohet për çiftin e parë—mund të na falen mëkatet dhe të kemi një ndërgjegje të pastër. (1 Kor. 6:11) Prapëseprapë kemi trashëguar mëkatin. Ndaj nuk habitemi që provojmë ndjenja faji, ankthi, pasigurie dhe turpi. Bibla tregon se i gjithë njerëzimi është në pushtetin e mëkatit. E kjo vlen edhe për ata ‘që [s’kanë] mëkatuar siç mëkatoi Adami’. (Rom. 5:14) Mirëpo, edhe pse kemi lindur mëkatarë, s’do të thotë se jemi të pafuqishëm dhe të pashpresë. Mund t’i shkulim nga zemra këto ndjenja negative. Si?
Mëkati u shkaktoi Adamit dhe Evës ndjenja faji, ankthi, pasigurie dhe turpi (Shih paragrafin 9)
11. Çfarë duhet të bëjmë nëse ndihemi të pafuqishëm, dhe pse? (Romakëve 6:12)
11 Kur ndihemi të pafuqishëm në luftën kundër dëshirave të gabuara, është sikur gjendja jonë mëkatare po na thotë se nuk do t’ia dalim dot mbanë. Por s’duhet ta dëgjojmë «zërin» e saj. Pse? Sepse Bibla na mëson se nuk duhet ta lëmë mëkatin të vazhdojë «të mbretërojë» mbi ne. (Lexo Romakëve 6:12.) Kjo do të thotë se mund të zgjedhim të mos i plotësojmë dëshirat e gabuara. (Gal. 5:16) Jehovai është plotësisht i bindur se mund t’i rezistojmë tundimit, përndryshe s’do të na e kërkonte diçka të tillë. (Ligj. 30:11-14; Rom. 6:6; 1 Sel. 4:3) Është e qartë se nuk jemi të pafuqishëm në luftën kundër dëshirave të gabuara.
12. Çfarë duhet të bëjmë nëse ndihemi të pashpresë, dhe pse?
12 Po njësoj, kur ndihemi të pashpresë në luftën kundër dëshirave të gabuara, është sikur gjendja jonë mëkatare po na thotë se Jehovai do të na dënojë vetëm ngaqë kemi këto dëshira. Por të mos e dëgjojmë «zërin» e saj. Pse? Sepse Bibla na mëson se Jehovai e kupton fare mirë gjendjen tonë mëkatare. (Psal. 103:13, 14) Ai «di gjithçka» për ne, e këtu përfshihet edhe roli që luan mëkati i trashëguar te prirjet tona të gabuara. (1 Gjon. 3:19, 20) Për sa kohë të luftojmë me prirjet mëkatare dhe të mos i plotësojmë dëshirat e gabuara, mund të jemi të pastër në sytë e Jehovait. Pse jemi të sigurt për këtë?
13-14. A jemi të pamiratuar për Jehovain vetëm ngaqë kemi dëshira të gabuara? Shpjegoni.
13 Bibla tregon se të bësh diçka të gabuar (të cilën mund ta kontrollojmë) ndryshon kryekëput nga një dëshirë e gabuar (që mund të lindë në mënyrë të pavullnetshme). Për shembull, në shekullin e parë disa që u bënë të krishterë në Korint kishin qenë homoseksualë. Pavli u tha: «Të tillë ishit disa nga ju.» A do të thotë kjo se nuk patën më kurrë asnjë dëshirë për të kryer akte homoseksuale? Ka shumë të ngjarë që patën, sepse shpesh dëshira të tilla janë të rrënjosura thellë. Ama, të krishterët që treguan vetëkontroll e nuk vepruan sipas dëshirave të gabuara, morën miratimin e Jehovait, dhe ai i konsideroi ‘të larë’.—1 Kor. 6:9-11.
14 E njëjta gjë vlen edhe sot. Pavarësisht nga dëshirat e gabuara me të cilat po lufton, ti mund t’ia dalësh mbanë t’u rezistosh. Edhe nëse nuk i çrrënjos dot, mund të tregosh vetëkontroll dhe ‘të mos bësh vullnetin e trupit e të mendjes’. (Efes. 2:3) Ç’mund të bësh që ta fitosh luftën kundër dëshirave të gabuara?
SI TA FITOSH LUFTËN
15. Pse duhet të jemi të ndershëm me veten nëse duam të fitojmë luftën kundër dëshirave të gabuara?
15 Që të fitosh luftën kundër dëshirave të gabuara, duhet të jesh i ndershëm me veten për dobësitë që ke. Bëj kujdes të mos e gënjesh veten me «arsyetime të rreme». (Jak. 1:22) Nëse e minimizon problemin me arsyetime të tilla, si «të tjerët pinë më shumë se unë», do të biesh më kollaj në tundim. Njësoj do të ndodhë po të fajësosh dikë tjetër, për shembull nëse mendon: «Po të ishte gruaja ime më e përzemërt, nuk do të tundohesha të shihja pornografi.» Kështu që mos u përpiq ta justifikosh diçka të gabuar, madje as në mendjen tënde. Mbaj përgjegjësi për veprimet e tua.—Gal. 6:7.
16. Si të jesh më i vendosur për të bërë atë që është e drejtë?
16 Përveçse të jesh i ndershëm me veten për dobësitë e tua, duhet edhe të bëhesh më i vendosur që të mos biesh pre e tyre. (1 Kor. 9:26, 27; 1 Sel. 4:4; 1 Pjet. 1:15, 16) Mendo çfarë të tundon më shumë dhe kur ndodh kjo. Mund të jetë një tundim specifik a një kohë e caktuar gjatë ditës kur dëshira e gabuar bëhet më e fortë. Për shembull, a e ke më të vështirë t’i rezistosh tundimit kur je i lodhur ose në orët e vona të natës? Mendo paraprakisht si do të veprosh në një situatë të tillë. Koha më e mirë për ta bërë këtë është para se të të paraqitet një tundim.—Prov. 22:3.
17. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jozefit? (Zanafilla 39:7-9) (Shih edhe figurat.)
17 Të mendojmë si veproi Jozefi kur gruaja e Potifarit u përpoq ta joshte. Ai i refuzoi menjëherë dhe me vendosmëri propozimet e saj imorale. (Lexo Zanafillën 39:7-9.) Çfarë na tregon kjo? Jozefi ishte i vendosur të mos merrte gruan e dikujt tjetër, para se gruaja e Potifarit të përpiqej ta joshte. Po njësoj, edhe ti mund të forcosh vendosmërinë për të bërë ç’është e drejtë, para se të gjendesh në një situatë tunduese. Kështu do ta kesh më kollaj të mos lëkundesh nga vendimi që ke marrë tashmë.
Thuaji menjëherë «jo» tundimit, njësoj si Jozefi! (Shih paragrafin 17)
«VAZHDONI TË VINI NË PROVË VETEN»
18. Si mund ta fitosh luftën kundër dëshirave të gabuara? (2 Korintasve 13:5)
18 Që të fitosh luftën kundër dëshirave të gabuara, duhet ‘të vazhdosh të vësh në provë’ veten. (Lexo 2 Korintasve 13:5.) Shqyrto rregullisht mënyrën si mendon e vepron dhe bëj ndryshimet e nevojshme. Për shembull, edhe nëse i reziston një tundimi, mund të pyesësh veten: «Sa kohë m’u desh të thosha ‘jo’?» Nëse e kupton se t’u desh ca kohë, mos u shkurajo. Përkundrazi, ndërmerr hapa që të jesh më i vendosur herën tjetër. Bëji vetes pyetje, si: «A mund t’i heq më shpejt nga mendja mendimet e papërshtatshme? A e kam më të vështirë t’i rezistoj një tundimi për shkak të zbavitjes që zgjedh? A i largoj menjëherë sytë nga pamjet imorale? A e kuptoj pse standardet e Jehovait janë gjithmonë për të mirën time, edhe kur e kam të vështirë të tregoj vetëkontroll?»—Psal. 101:3.
19. Pse vendimet e pamenda në dukje të vogla na e bëjnë më të vështirë luftën kundër dëshirave të gabuara?
19 Bëj çmos edhe që të mos e justifikosh sjelljen e gabuar. Bibla thotë: «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme.» (Jer. 17:9) Jezui tha se prej saj burojnë «arsyetime të liga». (Mat. 15:19) Për shembull, dikush që ka hequr dorë nga shikimi i pornografisë, pas ca kohe mund të mendojë se «s’ka ndonjë rrezik» të shohë pamje provokuese, që nuk kanë përmbajtje të hapur seksuale. Ose mbase arsyeton: «S’ka ndonjë gjë të keqe të fantazoj për gjëra të papërshtatshme për sa kohë nuk bëj veprime të tilla.» Në njëfarë kuptimi, zemra e tij e pabesë po ‘synon të kënaqë dëshirat mëkatare’. (Rom. 13:14) Si mund ta shmangësh këtë grackë? Ji syçelë dhe ruhu nga vendimet e vogla të pamenda që do të të çojnë në vendime të mëdha të pamenda, siç është kryerja e një mëkati të rëndë.c Hidh poshtë edhe çdo mendim ose ‘arsyetim të ligë’ që të shtyn të justifikosh sjelljen e gabuar.
20. Cilën shpresë kemi për të ardhmen, dhe çfarë ndihme kemi tani?
20 Siç mësuam në këtë artikull, Jehovai na jep fuqi t’u rezistojmë tundimeve. Gjithashtu, falë shpërblesës, kemi shpresën për të jetuar përgjithmonë në botën e re. Çfarë lehtësimi do të jetë kur t’i shërbejmë Jehovait me mendje e zemër krejtësisht të pastër! E derisa të vijë ajo kohë, mund të kemi sigurinë e plotë se nuk jemi as të pafuqishëm, as të pashpresë në luftën kundër dëshirave të gabuara. Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona, ndaj e kemi të garantuar fitoren.
KËNGA 122 Asgjë s’më lëkund!
a Ky varg përkthehet edhe: «Asnjë tundim nuk ju ka rënë, përveç asaj që është e zakonshme për njerëzit.»—International Standard Version.
b SHPJEGIMI I SHPREHJES: Në Bibël fjala «mëkat» shpesh nënkupton një veprim, si vjedhje, kurorëshkelje ose vrasje. (Eks. 20:13-15; 1 Kor. 6:18) Megjithatë, në disa shkrime fjala «mëkat» nënkupton gjendjen mëkatare që trashëguam që nga lindja, ndonëse s’kishim bërë ende asnjë mëkat.
c I riu për të cilin flitet te Proverbat 7:7-23 mori vendime të vogla të pamenda para se të merrte vendimin e madh të pamend që të kryente imoralitet seksual.
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Majtas: Ndërsa është në një lokal, një vëlla i ri vëren dy burra që i shfaqin përzemërsi të papërshtatshme njëri-tjetrit. Djathtas: Një motër sheh dy veta që pinë duhan.