BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 qershor f. 26-31
  • Një jetë e pasur me mësime nga Mësuesi ynë i Madh

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një jetë e pasur me mësime nga Mësuesi ynë i Madh
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • SHEMBULLI I MIRË I PRINDËRVE
  • SHIJOJMË PËR HERË TË PARË SHËRBIMIN NË KOHË TË PLOTË
  • JETA SI MISIONARË
  • NË EVROPË—PASTAJ NË AFRIKË
  • PËR NË LINDJEN E MESME
  • PRAPË NË AFRIKË
  • I vendosur të mos lejoj të më lëshojë zemra
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2018
  • Bekimet e Jehovait tejkaluan çdo gjë që prisja
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
  • Jehovai ‘m’i ka drejtuar shtigjet’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2021 (Për studim)
  • Surpriza të bukura dhe mësime në shërbim të Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2023 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 qershor f. 26-31
Franko Dagostini.

JETËSHKRIM

Një jetë e pasur me mësime nga Mësuesi ynë i Madh

TREGUAR NGA FRANKO DAGOSTINI

POSTBLLOQE me ushtarë të armatosur, protesta të dhunshme, uragane, luftëra civile dhe evakuime. Këto janë disa nga rreziqet që kemi kaluar unë dhe ime shoqe në shërbimin si pionierë dhe misionarë. Gjithsesi, nuk do ta këmbenim jetën tonë me asgjë në botë! Jehovai na ka mbështetur e na ka bekuar në çdo hap. Veç kësaj, si Mësuesi ynë i Madh, ai na ka dhënë mësime me vlerë.—Jobi 36:22; Isa. 30:20.

SHEMBULLI I MIRË I PRINDËRVE

Prindërit e mi emigruan nga Italia në Kindersli të Saskaçevanit, Kanada, në fund të viteve 50. Pak më vonë njohën të vërtetën, e cila u bë boshti i jetës sonë. Kujtoj se kur isha fëmijë, kaloja thuajse tërë ditën në shërbim me familjen, prandaj ndonjëherë them me shaka që kam filluar si pionier ndihmës në moshën 8-vjeçare.

Franko kur ishte fëmijë, me prindërit, vëllanë dhe motrat.

Me familjen, rreth vitit 1966

Edhe pse të varfër, prindërit na lanë një shembull të shkëlqyer me sakrificat që bënin për Jehovain. Për shembull, në 1963-shin shitën shumë nga zotërimet e tyre që të mblidhnin pará për të ndjekur kongresin ndërkombëtar në Pasadenë të Kalifornisë, SHBA. Më 1972 u transferuam rreth 1.000 kilometra larg, në qytezën e Trejlit në Kolumbinë Britanike, Kanada, për të ndihmuar në fushën italiane. Babai merrej me pastrim dhe mirëmbajtje godinash. Ai refuzoi oferta pune me rrogë më të mirë, që të ishte i përqendruar në shërbimin e Jehovait.

Jam mirënjohës për shembullin që na lanë prindërit ne katër fëmijëve. Me shembullin e tyre zuri fill stërvitja ime në shërbim të Jehovait. Ndër të tjera, ata më mësuan diçka që e mbajta vath në vesh për tërë jetën: nëse kërkoj në radhë të parë Mbretërinë, Jehovai do të kujdeset për mua.—Mat. 6:33.

SHIJOJMË PËR HERË TË PARË SHËRBIMIN NË KOHË TË PLOTË

Më 1980, u martova me Debin, një motër e bukur me synime të qarta në shërbim të Jehovait. Donim të nisnim shërbimin në kohë të plotë, ndaj Debi filloi si pioniere tre muaj pas martese. Pas një viti martesë, u transferuam në një kongregacion të vogël ku kishte nevojë, dhe u bëra edhe unë pionier.

Franko and Debi në ditën e dasmës.

Në ditën e dasmës, 1980

Pas njëfarë kohe u shkurajuam dhe donim që të iknim nga atje. Mirëpo fillimisht folëm me mbikëqyrësin qarkor. Ai na tha me përzemërsi, por hapur: «Ju po e bëni vetë më të vështirë situatën, sepse po përqendroheni tek aspektet negative. Ama, nëse kërkoni gjërat pozitive, keni për t’i gjetur.» Ishte fiks këshilla që na nevojitej. (Psal. 141:5) E zbatuam menjëherë dhe shpejt kuptuam se kishte vërtet plot aspekte pozitive. Mjaft veta në kongregacion, mes tyre disa fëmijë dhe motra me bashkëshortë jobesimtarë, donin të bënin më shumë për Jehovain. Ky ishte një mësim goxha i rëndësishëm për ne. Mësuam të përqendroheshim te gjërat e mira dhe të prisnim Jehovain, plot besim se ai do të ndreqte çdo situatë që mund të dukej sfiduese. (Mik. 7:7) Kështu rifituam gëzimin, dhe gjërat u përmirësuan.

Instruktorët e shkollës sonë të parë të pionierit, kishin shërbyer në shtete të tjera. Teksa na tregonin fotografi dhe na flitnin për sfidat dhe bekimet që kishin pasur, zgjuan te ne dëshirën për të shërbyer si misionarë. Kështu vumë synimin të nisnim këtë lloj shërbimi.

Pasi ka rënë borë e dendur, rruga për te parkimi i një Salle Mbretërie është pastruar.

Në një Sallë Mbretërie në Kolumbinë Britanike, 1983

Që ta kishim më kollaj ta arrinim këtë synim, në 1984-n u transferuam në zonën frëngjishtfolëse të Kuebekut, mbi 4.000 kilometra larg Kolumbisë Britanike. Na duhej të përshtateshim me një kulturë krejt të re dhe të mësonim një gjuhë tjetër. Edhe gjendja ekonomike ishte sfidë, pasi shpesh ishim ngushtë. Për ca kohë kishim për të ngrënë vetëm patate që i mblidhnim te toka e një fermeri. Debi e vuri goxha në punë imagjinatën dhe sajonte lloj-lloj gatimesh me patate. Pavarësisht nga sfidat, u përpoqëm fort të tregonim qëndrueshmëri pa e humbur gëzimin. Ndërkohë shihnim si kujdesej Jehovai për ne.—Psal. 64:10.

Një ditë morëm një telefonatë të papritur. Na ftuan të shërbenim në Bethelin e Kanadasë. Meqë më parë kishim bërë kërkesën për Shkollën e Galadit, ishim edhe të gëzuar edhe të zhgënjyer. Gjithsesi, e pranuam ftesën. Kur mbërritëm në Bethel, pyetëm vëllanë Keneth Litëll, një anëtar të Komitetit të Degës: «Po sikur të na ftojnë në Galad?» Ai na këshilloi të mos shqetësoheshim para kohe dhe t’i merrnim gjërat një nga një.

Mirëpo kaloi vetëm një javë dhe na ftuan në Galad. Ndaj duhej të merrnim një vendim. Vëllai Litëll na tha: «Çfarëdo vendimi që të merrni, do të ketë ditë kur do të donit të kishit zgjedhur variantin tjetër. Asnjë zgjedhje nuk është më e mirë se tjetra; Jehovai mund të bekojë çdonjërën prej tyre.» Pranuam ftesën për në Galad, dhe gjatë viteve kemi parë sa me vlerë ishin sugjerimet e vëllait Litëll. Shpeshherë ua kemi përmendur fjalët e tij edhe të tjerëve që duhej të zgjidhnin mes dy caktimeve.

JETA SI MISIONARË

(Majtas) Ulises Glasi

(Djathtas) Xhek Redfordi

Ndiheshim shumë të emocionuar që ishim mes 24 studentëve të klasës së 83-të të shkollës së Galadit që filloi në Bruklin, Nju-Jork, në prill 1987. Vëllezërit Ulises Glas dhe Xhek Redford ishin instruktorët tanë kryesorë. Pesë muajt e shkollës fluturuan, dhe më 6 shtator 1987 u diplomuam. Na caktuan në Haiti, bashkë me Xhon dhe Marí Gudin.

Franko dhe Debi në veprën e predikimit buzë detit në Haiti.

Në Haiti, 1988

Në Haiti nuk kishin dërguar misionarë të Galadit që prej vitit 1962, kur ishin dëbuar misionarët e fundit. Tri javë pas diplomimit, po shërbenim në një kongregacion të vogël me 35 lajmëtarë në një zonë të thellë malore të Haitit. Ishim të rinj e të papërvojë dhe banonim vetëm në shtëpinë misionare. Njerëzit jetonin në skamje, dhe shumica nuk dinin të lexonin. Gjatë kohës që jetonim atje, u përballëm me trazira civile, me grushte shteti, me protesta të dhunshme dhe me uragane.

Kishim shumë për të mësuar nga vëllezërit e motrat në Haiti që qëndronin të fortë dhe nuk e humbnin gëzimin. Me gjithë jetën e vështirë, ata e donin Jehovain dhe shërbimin. Një motër e moshuar që nuk dinte të lexonte, kishte mësuar përmendsh rreth 150 shkrime. Vështirësitë që shihnim përreth, na shtuan dëshirën që të vazhdonim të predikonim mesazhin se Mbretëria është e vetmja zgjidhje për problemet e njerëzimit. Na bëhet zemra mal që disa nga studentët tanë të parë u bënë pionierë të rregullt, pionierë specialë dhe pleq.

Në Haiti takova Trevorin, një djalë të ri që ishte misionar mormon, dhe bëmë disa biseda rreth Biblës. Vite më vonë mora papritur një letër prej tij. Ai më shkruante: «Do të pagëzohem në asamblenë tjetër. Dua të kthehem në Haiti dhe të shërbej si pionier special në po atë zonë ku isha misionar mormon.» Dhe vërtet shërbeu atje për shumë vjet bashkë me gruan.

NË EVROPË—PASTAJ NË AFRIKË

Franko duke punuar në tavolinën e tij të punës.

Duke punuar në Slloveni, 1994

Na caktuan në një pjesë të Evropës ku po hiqeshin kufizimet ndaj veprës sonë. Në 1992-shin mbërritëm në Lubjanë, Slloveni, afër vendit ku ishin rritur prindërit e mi para se të shkonin në Itali. Në disa zona të ish-Jugosllavisë zhvilloheshin ende luftime të ashpra. Vepra në atë rajon kishte qenë nën mbikëqyrjen e degës në Vjenë të Austrisë, si edhe të zyrës në Zagreb të Kroacisë dhe në Beograd të Serbisë. Tani secila republikë e pavarur do të kishte Bethelin e vet.

Na duhej të mësonim sërish një gjuhë të re dhe të përshtateshim me një kulturë tjetër. Vendësit thoshin «jezhik je tezhek», që do të thotë «gjuha është e vështirë». Dhe ishte që ç’ke me të! Sa e admironim besnikërinë e vëllezërve dhe motrave që pranonin me gatishmëri ndryshimet organizative! E shihnim me sytë tanë se Jehovai nuk ua kursente bekimet. Pamë edhe një herë se Jehovai gjithmonë i ndreq gjërat me dashuri dhe në kohën e duhur. Gjatë viteve në Slloveni na vlejtën goxha mësimet e mëparshme dhe nxorëm plot mësime të reja.

Por na prisnin akoma shumë ndryshime. Në vitin 2000 na caktuan në Bregun e Fildishtë në Afrikën Perëndimore. Pastaj, në nëntor të 2002-shit, u shpërngulëm në Sierra-Leone për shkak të luftës civile. Edhe në Sierra-Leone sapo kishte mbaruar një luftë civile 11-vjeçare. Nuk e patëm kollaj të iknim nga Bregu i Fildishtë aq papritur. Gjithsesi e ruajtëm gëzimin falë mësimeve që kishim nxjerrë.

U përqendruam te njerëzit e shumtë që ishin të etur për të vërtetën dhe te bashkëbesimtarët e dashur që kishin qëndruar besnikë gjatë viteve të luftës. Ata ishin të varfër, por donin t’i ndanin me të tjerët ato që kishin. Për shembull, një motër donte t’i falte ca rroba Debit. Në fillim Debi ngurroi, por motra këmbënguli dhe i tha: «Gjatë luftës na mbështetën vëllezër nga vende të tjera. Tani është radha jonë të ndihmojmë.» Vumë si synim të imitonim shembullin e tyre.

Më vonë u kthyem në Bregun e Fildishtë, por vendi vlonte nga tensionet dhe shpërtheu sërish dhuna. Ndaj në nëntor të 2004-s na evakuan me helikopter. Arritëm të merrnim vetëm nga një çantë 10-kilogramëshe. Natën fjetëm në dyshemenë e një baze ushtarake franceze dhe të nesërmen u nisëm për në Zvicër. Rreth mesnatës arritëm në zyrën e degës, ku na mirëpritën ngrohtësisht vëllezërit e Komitetit të Degës dhe instruktorët e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim bashkë me gratë e tyre. Ata na mbuluan me përqafime, na dhanë një vakt të ngrohtë dhe plot çokollata zvicerane. U prekëm tej mase nga mikpritja e tyre.

Franko teksa mban një fjalim në podium, në një Salle Mbretërie në Bregun e Fildishtë.

Duke folur me refugjatët në Bregun e Fildishtë, 2005

Na caktuan përkohësisht në Ganë e më vonë prapë në Bregun e Fildishtë, pasi u qetësua situata atje. Falë zemërmirësisë së vëllezërve dhe motrave, e patëm më kollaj të përballonim evakuimet stresuese dhe caktimet e përkohshme. Bashkë me Debin vendosëm të mos e merrnim kurrë si të zakonshme dashurinë vëllazërore, ndonëse e shohim ditë për ditë në organizatën e Jehovait. Më vonë e kuptuam se edhe ato kohë të stuhishme ishin pjesë e vyer e stërvitjes tonë.

PËR NË LINDJEN E MESME

Franko dhe Debi duke vizituar disa rrënoja të lashta në Lindjen e Mesme.

Në Lindjen e Mesme, 2007

Në 2006-n morëm një letër nga selia botërore që na njoftonte se ishim caktuar në Lindjen e Mesme. Prapë na prisnin aventura, sfida, gjuhë dhe kultura të reja. Kishim plot gjëra për të mësuar në atë ambient të tensionuar nga ana politike dhe fetare. Na pëlqente shumë që në kongregacione kishte vëllezër e motra me prejardhje të ndryshme që flitnin një larmi gjuhësh. Pamë se kur ndjekim drejtimin nga organizata e Jehovait, jemi në unitet. I çmonim vëllezërit e motrat që i bënin ballë me guxim kundërshtimit në familje, në shkollë, në punë dhe në lagje.

Në 2012-n morëm pjesë në një kongres special në Tel-Aviv, Izrael. Ishte hera e parë që në atë rajon mblidhej një numër aq i madh adhuruesish të Jehovait që nga Festa e Ditës së Pesëdhjetë e vitit 33 të e.s. Çfarë rasti i paharrueshëm!

Gjatë atyre viteve, na dërguan të vizitonim një vend ku vepra është e kufizuar. Morëm me vete edhe botime, dolëm në predikim dhe ndoqëm disa asamble të vogla. Kudo shihje ushtarë të armatosur gjer në dhëmbë dhe postblloqe. Mirëpo ndiheshim të sigurt, sepse tregoheshim të kujdesshëm dhe lëviznim të shoqëruar me lajmëtarët e paktë atje.

PRAPË NË AFRIKË

Franko duke shkruar në laptop.

Duke përgatitur një fjalim në Kongo, 2014

Në 2013-n morëm një caktim krejt ndryshe—të shërbenim në degën e Kongos në Kinshasë. Do të shkonim në një vend të paanë, plot bukuri natyrore, por që e kishin pllakosur varfëria ekstreme dhe konfliktet e shpeshta të armatosura. Në fillim menduam: «E dimë si është jeta në Afrikë, kështu që jemi gati.» Por sa gjëra të reja kishim për të mësuar, sidomos gjatë udhëtimeve në zona me fare pak rrugë dhe ura. Gjetëm plot gjëra pozitive ku të përqendroheshim. Këtu përfshihej qëndrueshmëria e gëzimi i bashkëbesimtarëve edhe mes vështirësive ekonomike, dashuria për shërbimin dhe përpjekjet e tyre për të ndjekur mbledhjet dhe asambletë. Pamë me sytë tanë suksesin që pati vepra e predikimit vetëm falë mbështetjes dhe bekimit të Jehovait. Vitet që shërbyem në kohë të plotë në Kongo na pasuruan me mësime të rëndësishme e me shumë miq që u bënë familja jonë.

Franko me një grup vëllezërish e motrash duke shkuar në një fshat për të predikuar.

Duke predikuar në Afrikën e Jugut, 2023

Në fund të 2017-s morëm një caktim tjetër. Do të shkonim në Afrikën e Jugut. Kjo është dega më e madhe ku kemi shërbyer ndonjëherë dhe patëm caktime krejt të reja në Bethel. Sërish kishim plot për të mësuar; gjithsesi mësimet e mëparshme na vlejtën shumë. I duam fort gjithë ata vëllezër e motra që mbajnë mbi supe dekada besnikërie. Dhe është kënaqësi tek shohim unitetin e familjes Bethel, edhe pse përbëhet nga raca dhe kultura të ndryshme. Është e qartë se Jehovai i bekon me paqe adhuruesit e tij teksa veshin personalitetin e ri dhe zbatojnë parimet e Biblës.

Ndër vite, unë dhe Debi kemi marrë caktime emocionuese, jemi përshtatur me kultura të ndryshme dhe kemi mësuar gjuhë të reja. S’ka qenë gjithmonë fushë me lule, por e kemi ndier pareshtur dashurinë besnike të Jehovait përmes organizatës dhe vëllezërve e motrave. (Psal. 144:2) Jemi të mendimit se stërvitja që kemi marrë gjatë shërbimit në kohë të plotë na ka bërë adhurues më të mirë të Jehovait.

Jam mirënjohës sa s’ka për mënyrën si më rritën prindërit, për mbështetjen e gruas sime të dashur, Debit, dhe për shembujt e shkëlqyer në familjen tonë mbarëbotërore. Jemi të vendosur që edhe në të ardhmen të vazhdojmë të mësojmë nga Mësuesi ynë i Madh.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo