Të mësojmë nga lajmëtarët që kanë më shumë përvojë
I vlerësojmë sinqerisht lajmëtarët me përvojë të kongregacionit. Disa i kanë shërbyer besnikë Jehovait për vite me radhë. Të tjerë mund të jenë bërë të aftë në shërbim kohët e fundit. Këta lajmëtarë kanë parë si e ka drejtuar kongregacionin e krishterë Jezui në këto ditë të fundit, duke zgjeruar veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve. (Mat. 28:19, 20) Duke dalë në shërbim, këta lajmëtarë kanë marrë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ përballë vështirësive dhe sprovave. (2 Kor. 4:7) Kemi shumë për të mësuar nga lajmëtarët me përvojë. Kur u jepet mundësia, e kanë për kënaqësi të ndajnë me të tjerët atë që kanë mësuar vetë. (Psal. 71:18) Ndaj duhet të krijojmë raste që të mësojmë prej tyre. Si mund të bëhet kjo?
Në shërbim. Që të jenë të efektshëm në shërbim, lajmëtarët e rinj dhe me pak përvojë kanë nevojë për stërvitje. Mund të mësojmë goxha gjëra duke vëzhguar si e kryejnë shërbimin lajmëtarët e pjekur. (Shih Kullën e Rojës të 15 shkurtit 2015, artikullin «Mbaje ndezur zellin për shërbimin» te paragrafi i tretë, poshtë nëntitullit «Ndihmo dikë me më pak përvojë».) Si ke nxjerrë dobi duke dalë në shërbim me lajmëtarë të tillë?
A mund ta ftosh një lajmëtar të kualifikuar në shërbim? Nëse lajmëtari është me shëndet të dobët, ndoshta herë pas here mund të drejtosh një studim biblik te shtëpia e tij. Pas studimit pyete lajmëtarin për këshilla ose konstatime.
Rri me ta: I njeh më mirë lajmëtarët me përvojë, nëse kalon kohë. Ftoje një prej tyre në adhurimin familjar dhe intervistoje. Nëse lajmëtari është me shëndet të dobët, a mund ta bëni adhurimin familjar në shtëpinë e tij? Pyete si e ka marrë të vërtetën. Çfarë bekimesh ka pasur? Çfarë rritjeje ka parë në zonën tuaj? Çfarë gëzimi ka provuar duke i shërbyer Jehovait?
Ji i arsyeshëm dhe i ekuilibruar nga ajo që pret të mësosh. Si të gjithë ne, ata që kanë vite si lajmëtarë kanë dhurata të ndryshme në shërbim. (Rom. 12:6-8) Disa janë të shkuar në moshë, ndaj s’mund të kalojnë shumë kohë me ne. Gjithsesi mund të mësojmë shumë prej tyre, se kanë përvojë duke i shërbyer besnikë Jehovait.