Kutia e pyetjes
◼ A duhet të shpërndajnë Dëshmitarët e Jehovait fjalime të regjistruara ose tekstet e tyre?
Ne forcohemi dhe marrim zemër nga fjalimet biblike. (Vep. 15:32) Prandaj, është e natyrshme të dëshirojmë që informacione të tilla inkurajuese t’ua përcjellim edhe të tjerëve që nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhje. Me shpikjen e pajisjeve të ndryshme për të regjistruar, një fjalim mund të regjistrohet dhe t’u shpërndahet të tjerëve shumë lehtë. Disa kanë bërë një koleksion me fjalime të regjistruara, përfshirë fjalimet që janë mbajtur shumë vjet më parë, dhe duke u nisur nga motive të mira i japin hua këto fjalime ose bëjnë kopje për miqtë. Të tjerë kanë krijuar faqe në Internet dhe i kanë vendosur aty fjalimet që t’i shkarkojë kushdo.
Kuptohet që nuk kemi asnjë kundërshtim t’i regjistrojmë fjalimet për përdorim personal ose për pjesëtarët e familjes sonë. Përveç kësaj, pleqtë mund të vendosin që të regjistrohen fjalimet për pjesëtarë të sëmurë të kongregacionit, të cilët nuk janë në gjendje të vijnë në mbledhje. Megjithatë, ka arsye të vlefshme pse nuk duhet të shpërndajmë fjalime të regjistruara ose tekstet e tyre.
Meqë shpesh fjalimet mbahen duke pasur parasysh nevojat e kongregacionit përkatës, fare lehtë mund të keqinterpretojmë disa pika të një fjalimi të regjistruar që është shpërndarë, pasi mund të mos i dimë rrethanat në të cilat është mbajtur fjalimi. Për më tepër, do ta kishim të vështirë të verifikonim se kush e mbajti fjalimin dhe kur e mbajti, për t’u siguruar se informacioni i paraqitur është i përditësuar dhe i saktë. (Luka 1:1-4) Gjithashtu, shpërndarja e fjalimeve të regjistruara ose e teksteve të tyre, mund t’i tundojë disa që t’u kushtojnë vëmendje dhe nderim të pavend atyre që i kanë mbajtur ose që këta të fundit të pranojnë një gjë të tillë.—1 Kor. 3:5-7.
Skllavi i besueshëm dhe i matur punon fort për të siguruar ushqim frymor ‘të mjaftueshëm’ dhe «në kohën e duhur». (Luka 12:42) Këtu përfshihet edhe masa që është marrë për të mbajtur fjalime në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait, si dhe regjistrimet audio që mund të shkarkohen nga faqja zyrtare jw.org në Internet. Jemi të sigurt se skllavi i besueshëm e i matur dhe Trupi i tij Udhëheqës, do të na sigurojnë atë ç’ka nevojitet për t’u bërë të patundur në besim.—Vep. 16:4, 5