Çfarë mësojnë të tjerët kur ju vëzhgojnë?
1. Çfarë mësuan dishepujt e Jezuit duke e vëzhguar atë?
1 Jezui tha: «Futuni në zgjedhën time bashkë me mua dhe mësoni nga unë.» (Mat. 11:29, shën. BR me referime, angl.) Është e qartë se ai i mësonte të tjerët duke u lënë një shembull të mirë e jo vetëm me fjalë. Mendoni se çfarë mësuan dishepujt duke vëzhguar Jezuin. Ai ishte i ëmbël, mirëdashës dhe i dashur. (Mat. 8:1-3; Mar. 6:30-34) Ishte vërtet i përulur. (Gjoni 13:2-5) Ndërsa shoqëronin Jezuin në shërbim, dishepujt shihnin se ai ishte punëtor i palodhur që ua mësonte me efektshmëri të vërtetën të tjerëve. (Luka 8:1; 21:37, 38) Si ndikohen të tjerët kur na vëzhgojnë në shërbim?
2. Në ç’mënyrë paraqitja dhe sjellja jonë në shërbim u lënë përshtypje të mirë të zotëve të shtëpive?
2 Të zotët e shtëpive: Veshja jonë modeste, sjellja e mirë dhe interesi personal i sinqertë, mund të ndikojnë fuqishëm te të zotët e shtëpive. (2 Kor. 6:3; Filip. 1:27) Ata vërejnë se përdorim shpesh Biblën. Të tjerëve u bën përshtypje fakti që i dëgjojmë me respekt kur flasin. Kurrë mos nënvlerësoni se sa shumë mund të tërhiqen njerëzit drejt mesazhit për Mbretërinë, kur lini një shembull të mirë në këto drejtime.
3. Ç’ndikim të mirë mund të kemi te vëllezërit tanë?
3 Vëllezërit tanë: Mendoni edhe për ndikimin e mirë që mund të kemi te vëllezërit tanë. Zelli ynë për shërbimin është ngjitës. Ashtu si hekuri mpreh hekurin, prezantimi që kemi përgatitur mirë i shtyn të tjerët të përmirësojnë aftësitë për të predikuar. (Prov. 27:17) Zelli që shfaqim duke mbajtur shënime për ata që tregojnë interes dhe duke u kthyer sa më shpejt, i nxit të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë. Do të ndikojmë për mirë te vëllezërit e motrat duke e kryer plotësisht shërbimin tonë.—2 Tim. 4:5.
4. Pse duhet të analizojmë herë pas here shembullin tonë?
4 Pse të mos analizoni herë pas here se çfarë bëni e thoni dhe si ndikoni te të tjerët me shembullin tuaj? Shembulli ynë i mirë do t’i pëlqejë Jehovait dhe do të na japë mundësinë të mendojmë njësoj si apostulli Pavël kur tha: «Bëhuni imituesit e mi, ashtu si unë jam i Krishtit.»—1 Kor. 11:1.