A po e kryejmë plotësisht shërbimin tonë?
1 Në librin e Veprave na thuhet se dishepujt e Jezuit e kryen shërbimin e tyre duke u dhënë «dëshmi të plotë» njerëzve. (Vep. 2:40; 8:25; 28:23) Ky ishte me siguri synimi i apostullit Pavël. (Vep. 20:24) A nuk është ky dhe synimi ynë si shërbëtorë të lajmit të mirë? Si mund ta arrijmë këtë?
2 Ta përgatitim prezantimin: Për t’u siguruar që japim një dëshmi të efektshme në shërbim, është e rëndësishme të përgatitemi. Kjo duhet bërë veçanërisht kur ofrojmë revistat, pasi përmbajtja e tyre ndryshon vazhdimisht. Si një ndihmë për të na pajisur më mirë, në këtë numër Shërbimi ynë i Mbretërisë paraqet diçka të re—kolonën në të majtë, në të cilën radhiten disa prezantime model për numrat e fundit të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Për çdo numër do të nxirret në pah një argument i kohës që tërheq shumë njerëz. Si mund t’i shtjellojmë këto prezantime të shkurtra?
3 Të zgjedhim një sugjerim që mendojmë se do të jetë më i efektshëm në territorin tonë. Të lexojmë me kujdes artikullin që jepet dhe të vërejmë ato pika të veçanta që ka të ngjarë të nxitin interesin. Të gjejmë ndonjë shkrim të përmendur në revistë, i cili lidhet me diskutimin dhe që mund t’ia lexojmë pronarit të shtëpisë. Të përfshijmë dhe një mbyllje të shkurtër për ta nxitur dëgjuesin që ta lexojë revistën, si edhe të themi shkurtimisht, nëse është e përshtatshme, që pronari i shtëpisë mund të japë një kontribut për veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait. E tani, le ta provojmë prezantimin tonë!
4 Të planifikojmë që të përdorim Biblën: Me një planifikim të mirë, mund të përfshijmë shpesh dhe një shkrim në prezantimet tona. Për shembull, lajmëtarë me përvojë në shumë vende, duke shkuar në derë me Biblën në dorë, janë duke pasur sukses. E përshëndetin pronarin e shtëpisë dhe thonë:
◼ «Po i pyesim njerëzit nëse e besojnë këtë . . . » Lexojnë Zanafillën 1:1 e më pas pyesin: «A e pranoni këtë pohim?» Nëse personi e pranon, më pas lajmëtarët thonë: «Edhe unë. Por, a mendoni se meqë Perëndia krijoi çdo gjë, është përgjegjës edhe për ligësinë?» Pasi dëgjojnë me kujdes përgjigjen e personit, lexojnë Predikuesin 7:29. Hapin librin Njohuria në faqen 71 dhe lexojnë paragrafin 2. E nxitin personin që ta lexojë librin. Nëse pronari i shtëpisë nuk është i një mendjeje me pohimin në Zanafillën 1:1, e nxitin që të shqyrtojë librin Krijimi.
5 Të ndjekim interesin: Nuk mund ta kryejmë plotësisht shërbimin tonë, nëse nuk e ndjekim interesin e gjetur. Kur kemi një diskutim të këndshëm, pavarësisht nëse kemi lënë ose jo revista a ndonjë literaturë tjetër, të marrim shënim emrin e personit dhe adresën. Të përpiqemi me zell që ta rritim interesin e personit duke u rikthyer tek ai pa vonesë. Të ofrojmë patjetër një studim biblik.
6 Dishepujt e shekullit të parë e dinin se Jezui i kishte urdhëruar që ‘të jepnin dëshmi të plotë’. (Vep. 10:42) I njëjti urdhër vlen edhe për ne, sepse është e vetmja mënyrë që do të mund të bëjmë dishepuj. (Mat. 28:19, 20) Le të bëjmë çmos për ta kryer plotësisht shërbimin tonë!—2 Tim. 4:5.