Shërbimi ynë—Një vepër e motivuar nga dhembshuria
1 Jezui pa se njerëzit e shumtë që po dëgjonin mesazhin e tij ishin «të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari». (Mat. 9:36) Me butësi e me dashuri, ai u mësoi udhët e Jehovait, i ngushëlloi dhe, me dhembshuri, u përkujdes për nevojat e tyre frymore. Kur meditojmë për mënyrën si vepronte Jezui, mësojmë të mendojmë e të ndiejmë si ai dhe e shfaqim cilësinë e dhembshurisë në shërbim.
2 Të ndalemi një çast e të mendojmë se si reagonte Jezui kur i afroheshin njerëz që kishin shumë nevojë për ndihmë. (Luka 5:12, 13; 8:43-48) Ai tregonte konsideratë për ata që kishin nevoja të veçanta. (Mar. 7:31-35) I mbante parasysh ndjenjat e të tjerëve dhe interesohej për ta. Nuk ndikohej nga pamja e jashtme. (Luka 7:36-40) Po, Jezui pasqyronte në mënyrë të përsosur dhembshurinë e butë të Perëndisë tonë.
3 «I shtyrë nga keqardhja»: Jezui nuk e kryente shërbimin vetëm nga ndjenja e detyrës. E bënte këtë «i shtyrë nga keqardhja» për njerëzit. (Mar. 6:34) Po kështu, edhe sot, ne nuk po shpërndajmë thjesht një mesazh, por po përpiqemi të shpëtojmë jetë të çmuara. Duhet të mundohemi të kuptojmë pse njerëzit reagojnë në njëfarë mënyre. Çfarë i shqetëson ose i vë në ankth? Mos ndoshta barinjtë e rremë fetarë i kanë lënë pas dore dhe i kanë mashtruar? Interesimi ynë i sinqertë mund t’i shtyjë të tjerët ta dëgjojnë lajmin e mirë.—2 Kor. 6:4, 6.
4 Dhembshuria u prek zemrën njerëzve. Për shembull, një grua pësoi një tragjedi kur i vdiq vajza tremuajshe. Kur i shkuan në shtëpi dy Dëshmitare, ajo i ftoi brenda, me qëllim që t’i rrëzonte arsyet e tyre pse i lejon Perëndia vuajtjet. Megjithatë, më vonë gruaja tha: «Ato më dëgjuan me shumë dhembshuri dhe, kur po largoheshin, ndihesha kaq mirë, saqë pranova të më vizitonin prapë.» A përpiqeni t’u tregoni dhembshuri të gjithë atyre që takoni në shërbim?
5 Kur shprehim dhembshuri, do të kemi mundësi t’u sjellim ngushëllim të vërtetë të tjerëve. Kështu i sjellim lavdi ‘Atit të mëshirave të buta’, Jehovait.—2 Kor. 1:3.