‘Më ndiqni vazhdimisht’
1 Qëllimi kryesor i shumë njerëzve në jetë është të kënaqin veten, e megjithatë shpesh nuk janë të lumtur. Ndryshe nga këta, Jezui këshilloi të jepnim me altruizëm që të gjenim lumturi të vërtetë. (Vep. 20:35) Ai tha: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten . . . dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Mar. 8:34) Kjo nënkupton më shumë sesa thjesht të privosh veten me raste nga ndonjë kënaqësi. Kjo do të thotë të jetosh çdo ditë me qëllimin për të kënaqur jo veten, por Jehovain.—Rom. 14:8; 15:3.
2 Le të shqyrtojmë shembullin e apostullit Pavël. Për shkak të «vlerës së pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu», Pavli hoqi dorë nga ambiciet e veta dhe iu përkushtua interesave të Mbretërisë. (Filip. 3:7, 8) Ai tha: «Unë do të shpenzoj me gëzim të madh dhe do të shpenzohem» për t’u shërbyer të tjerëve. (2 Kor. 12:15) Secili prej nesh bën mirë të pyesë veten: ‘Si po i përdor kohën, energjitë, aftësitë dhe gjithçka kam? A jam përqendruar tek interesat e mia apo përpiqem t’i pëlqej Jehovait?’
3 Mundësi për të dhënë: Çdo vit, populli i Perëndisë i kushton më shumë se një miliard orë veprës jetëshpëtuese të predikimit të Mbretërisë. Brenda kongregacionit, si të rinjtë, ashtu edhe të moshuarit kanë një sërë caktimesh ku u shërbejnë të tjerëve. Një punë e madhe bëhet edhe në lidhje me asambletë, kongreset, ndërtimet dhe me mirëmbajtjen e ndërtesave që përdoren për të çuar përpara adhurimin e pastër. Të mos harrojmë edhe ndihmën e dashur të vëllezërve që shërbejnë në Komitetet e Lidhjes me Spitalet dhe Grupet e Asistencës. Të gjitha këto përpjekje vetësakrifikuese janë një bekim për vëllazërinë tonë të krishterë.—Psal. 110:3.
4 Raste për të ofruar ndihmë në mënyra të ndryshme mund të krijohen kur ka nevoja urgjente ose katastrofa. Por, më shpesh, mund të vëmë re se një i bashkëkrishterë ka nevojë për ndihmë ose inkurajim. (Prov. 17:17) Kur me gatishmëri shpenzohemi për të tjerët dhe çojmë përpara interesat e Mbretërisë, po ndjekim shembullin e Jezuit. (Filip. 2:5-8) Le të përpiqemi ta bëjmë vazhdimisht këtë!