Të tregojmë interes personal: Duke u sjellë me hir
1 «Jehovai është hirmadh.» (Psal. 145:8) Megjithëse është Sovrani Universal, ai është i mirë, i dhembshur dhe i sjellshëm me njerëzit e papërsosur. (Zan. 13:14; 19:18-21, 29) Mund ta prezantojmë edhe më mirë lajmin e mirë nëse imitojmë Perëndinë tonë hirmadh. (Kolos. 4:6) Kjo do të thotë më shumë sesa të flasim me edukatë dhe me respekt.
2 Kur predikojmë nga shtëpia në shtëpi: Si duhet të sillemi në qoftë se e vizitojmë të zotin e shtëpisë në një çast të papërshtatshëm ose kur është tepër i zënë për të biseduar me ne? Është mirë të kuptojmë që kjo nuk është një kohë e përshtatshme për të dhe të bëjmë një prezantim sa më të shkurtër ose t’i themi që do të kthehemi një herë tjetër. Në rast se nuk duan ta pranojnë literaturën që u ofrojmë, nuk duhet të këmbëngulim, por të heqim dorë me mirësjellje. Konsiderata për të tjerët do të na shtyjë që të tregojmë respekt edhe për pronën e tyre, si për shembull duke mbyllur portën ose derën e jashtme dhe duke i stërvitur fëmijët tanë të bëjnë të njëjtën gjë. Kur t’u lëmë literaturë atyre që nuk janë në shtëpi, të sigurohemi që të mos jetë në një vend ku mund ta shohin edhe kalimtarët. Në të vërtetë, mirësjellja do të na ndihmojë t’i trajtojmë të tjerët pikërisht ashtu si do të donim të na trajtonin edhe neve.—Luka 6:31.
3 Kur predikojmë në rrugë: Ndërsa predikojmë në rrugë, mund të tregohemi të sjellshëm duke mos u bllokuar rrugën kalimtarëve dhe duke mos u grumbulluar para dyqaneve ose vendeve ku shitet. Duhet të tregohemi të vëmendshëm ndaj rrethanave të të tjerëve dhe të përpiqemi të flasim me ata që mund të kenë kohë për të folur, e jo me ata që duket qartë se janë me nxitim. Ndonjëherë, për shkak të zhurmës në rrugë, jemi të detyruar të ngremë zërin. Megjithatë duhet të tregojmë kujdes që të mos e ngremë aq shumë sa të tërheqim vëmendjen e të tjerëve.—Mat. 12:19.
4 Kur predikojmë me anë të telefonit: Respekti për të tjerët do të na shtyjë që kur të predikojmë me anë të telefonit të zgjedhim një vend ku zhurma përreth nuk krijon problem. Duhet të jemi të sjellshëm e të tregojmë që në fillim se kush jemi dhe pse po u telefonojmë. Nëse e mbajmë mirë receptorin afër gojës dhe flasim me një ton të këndshëm, kjo do të ndihmojë që dëgjuesi të përfshihet në një bisedë interesante rreth Shkrimeve. (1 Kor. 14:8, 9) Duke qenë të mirë, të dhembshur dhe të sjellshëm në këto raste, imitojmë Jehovain, Perëndinë tonë hirmadh.