Arsimimi që çon në jetë
1 Sa bukur është të shohësh sesi shkëlqejnë sytë e njerëzve kur kuptojnë të vërtetën nga Fjala e Perëndisë! Është vërtet kënaqësi t’u japësh të tjerëve njohurinë e Perëndisë dhe t’u tregosh qëllimet që ka për njerëzimin. Një arsimim i tillë mund t’i çojë njerëzit drejt jetës së përhershme.—Gjoni 17:3.
2 Pse është kaq e lartë kjo njohuri? Sot, njerëzit arsimohen për çdo çështje dhe duke përdorur pothuajse çdo mjet të mundur. (Ekl. 12:12) Por, për nga vlera, njohuria që marrin as mund të krahasohet me «gjërat madhështore të Perëndisë». (Vep. 2:11) A e ka ndihmuar njerëzimin arsimimi që të afrohet më shumë me Krijuesin dhe të njohë qëllimin e tij? A i ka ndihmuar njerëzit të kuptojnë se çfarë ndodh kur vdesim ose pse ka kaq shumë vuajtje? A u ka dhënë shpresë? A i ka forcuar familjet? Jo. Vetëm nëpërmjet arsimimit që vjen nga Perëndia, mund të gjejmë përgjigjet e sakta të pyetjeve më të rëndësishme në jetë.
3 Arsimimi që vjen nga Perëndia jep atë që në botën e sotme mungon jashtëzakonisht shumë, dhe kjo është rritja e vlerave morale. Fjala e Perëndisë çrrënjos racizmin, paragjykimet fisnore dhe nacionalizmin nga zemra e atyre që i pranojnë dhe i zbatojnë mësimet e saj. (Hebr. 4:12) Ajo i ka nxitur njerëzit që të heqin dorë nga çdo formë dhune dhe ‘të veshin personalitetin e ri’. (Kolos. 3:9-11; Mik. 4:1-3) Përveç këtyre, arsimimi nga Perëndia u ka dhënë miliona njerëzve forcën për të hequr dorë nga disa zakone dhe për të mposhtur disa veçori të karakterit, të rrënjosura thellë, që nuk i pëlqejnë Perëndisë.—1 Kor. 6:9-11.
4 Pse është kaq urgjente tani? Mësuesi ynë i Madh na ka paralajmëruar për domethënien e kohëve në të cilat jetojmë. Gjykimet e tij profetike përmbajnë informacione të kohës, që duhen shpallur në mbarë botën. (Zbul. 14:6, 7) Krishti mbretëron në qiell, perandoria botërore e fesë së rreme shumë shpejt do të shkretohet dhe Mbretëria e Perëndisë është gati të shkatërrojë të gjitha qeveritë tokësore. (Dan. 2:44; Zbul. 11:15; 17:16) Prandaj është urgjente që njerëzit ta njohin Mbretin e Perëndisë që tani mbretëron, të dalin nga Babilonia e Madhe dhe të thërrasin emrin e Jehovait me besim. (Psal. 2:11, 12; Rom. 10:13; Zbul. 18:4) Le të jetë sa më e plotë pjesëmarrja jonë në dhënien e këtij arsimimi që çon në jetë!