Të aftësohemi për të arsyetuar me të tjerët
1. Cilin tregim biblik do të shqyrtojmë dhe pse?
1 Fjalimi i apostullit Pavël që mbajti në një sinagogë në Antioki të Pisidisë, siç është dokumentuar te Veprat 13:16-41, është për ne një shembull i shkëlqyer se si të arsyetojmë me të tjerët. Pavli e shpallte lajmin e mirë duke e përshtatur me formimin dhe mentalitetin e dëgjuesve. Ndërsa shqyrtojmë këtë tregim, le të shohim se si mund të bëjmë të njëjtën gjë në shërbim.
2. Çfarë mësojmë nga mënyra se si e nisi fjalimin Pavli?
2 Të gjejmë të përbashkëtat me të tjerët: Megjithëse mesazhi i Pavlit përqendrohej në rolin kyç të Jezuit në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë, Pavli nuk e përmendi këtë që në fillim të fjalimit. Por ai nisi të fliste për diçka të përbashkët me auditorin që përbëhej kryesisht nga judenj, për historinë e popullit judaik. (Vep. 13:16-22) Po kështu, edhe ne do t’ua prekim zemrën më lehtë, nëse përpiqemi të gjejmë të përbashkëtat me ta. Prandaj, me anë të pyetjeve me takt mund t’i nxitim të shprehen lirshëm dhe t’i dëgjojmë me vëmendje në mënyrë që të kuptojmë se çfarë është vërtet e rëndësishme për ta.
3. Pse dëgjuesit e Pavlit e kishin të vështirë ta pranonin se Jezui ishte Mesia i Premtuar?
3 Duke folur për historinë e judenjve, Pavli u kujtoi atyre premtimin e Perëndisë se do të nxirrte një Shpëtimtar nga pasardhësit e Davidit. Megjithatë, shumë judenj po pritnin një hero kombëtar i cili do t’i çlironte nga zgjedha romake dhe do të lartësonte kombin e Judës mbi gjithë kombet e tjera. Pa dyshim, e dinin se udhëheqësit fetarë judaikë në Jerusalem e kishin hedhur poshtë Jezuin, e kishin lënë në dorë të autoriteteve romake dhe e kishin vrarë. Si mund t’i bindte Pavli që Ai ishte Mesia i premtuar?
4. Si tregoi zotësi Pavli në arsyetimin që bëri para judenjve?
4 Ta përshtatim prezantimin: Duke njohur mentalitetin e dëgjuesve të tij, Pavli përdori Shkrimet për të arsyetuar për gjërat që ata i kishin pranuar tashmë. Për shembull, ai e prezantoi Jezuin si pasardhësin e Davidit dhe si dikush që ishte identifikuar nga Gjon Pagëzori, i cili pranohej gjerësisht si profeti i Perëndisë. (Vep. 13:23-25) Pavli theksoi se, duke hedhur poshtë Jezuin dhe duke e dënuar me vdekje, udhëheqësit fetarë «përmbushën gjërat e shprehura nga Profetët». (Vep. 13:26-28) Pastaj, ai shpjegoi se kishte dëshmitarë që kishin parë me sytë e tyre se Jezui ishte ringjallur, dhe u drejtoi vëmendjen te disa shkrime të njohura që ishin përmbushur me ringjalljen e Jezuit.—Vep. 13:29-37.
5. (a) Si e filloi Pavli fjalimin e tij kur ishte para grekëve? (b) Si mund ta imitojmë shembullin e Pavlit kur predikojmë në territorin tonë?
5 Nga ana tjetër, kur iu drejtua dëgjuesve grekë në Areopag, në Athinë, Pavli përdori një metodë tjetër. (Vep. 17:22-31) Edhe këtë herë mesazhi bazë ishte i njëjtë, dhe në të dyja rastet përpjekjet e tij kishin sukses. (Vep. 13:42, 43; 17:34) Po kështu edhe sot, do të kemi sukses në shërbim, nëse përpiqemi të gjejmë të përbashkëtat me dëgjuesit tanë dhe nëse gjejmë mënyrën për të filluar bisedën duke pasur parasysh formimin dhe mentalitetin e tyre.