Dëshmi e heshtur
1 Edhe pse nuk mund të flasë, krijimi i Jehovait shpall hapur cilësitë e tij të padukshme. (Psal. 19:1-3; Rom. 1:20) Po kështu edhe sjellja jonë e mirë, cilësitë e krishtere dhe paraqitja modeste japin dëshmi pa fjalë. (1 Pjet. 2:12; 3:1-4) Secili prej nesh duhet të ketë dëshirën ‘që në çdo gjë të stolisë mësimin e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë’ me anë të sjelljes.—Titit 2:10.
2 Si ka mundësi që njerëzit e papërsosur të zbukurojnë mësimet e Biblës? Kjo bëhet e mundur vetëm duke u drejtuar nga Fjala e Perëndisë dhe me anë të fuqisë së frymës së shenjtë. (Psal. 119:105; 143:10) Fjala e Perëndisë «është e gjallë dhe ushtron fuqi; është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe». (Hebr. 4:12) Ajo depërton thellë brenda nesh dhe na ndihmon të veshim personalitetin e ri. (Kolos. 3:9, 10) Fryma e shenjtë krijon te ne cilësi të mira, si për shembull: mirëdashjen, mirësinë, butësinë dhe vetëkontrollin. (Gal. 5:22, 23) A po lejojmë që fjala e Perëndisë dhe fryma e shenjtë të ndikojnë në jetën tonë?—Efes. 4:30; 1 Sel. 2:13.
3 Të tjerët na vëzhgojnë: Kur jetojmë sipas normave të Jehovait dhe bëjmë çmos që të pasqyrojmë cilësitë e tij, të tjerët e vënë re. Ja çfarë ka ndodhur me një burrë të cilin shokët e punës e tallnin sepse ishte i shkurtër. Një motër, që punonte në të njëjtën zyrë me të, e trajtonte gjithmonë me respekt e dinjitet. Kjo e preku dhe e shtyu që ta pyeste motrën se si ishte e mundur që ishte aq ndryshe nga të tjerët. Ajo i shpjegoi se kishte një sjellje të respektueshme ngaqë zbatonte parimet e Biblës. Madje i tregoi edhe shpresën e mrekullueshme të Mbretërisë. Ai filloi të studionte Biblën, bëri përparim dhe u pagëzua. Kur u kthye në vendlindjen e vet, të afërmve u bëri përshtypje sjellja e tij e mirë, e madje edhe disa prej tyre e pranuan të vërtetën.
4 Kudo qofshim, në punë a në shkollë, me të afërmit apo me fqinjët, me anë të sjelljes sonë të mirë dhe dëshmisë sonë mund t’i nxitim të tjerët t’i japin lavdi Perëndisë.—Mat. 5:16.