‘T’i shërbejmë Jehovait me gëzim’!
1. Çfarë mund t’u sjellë shumë gëzim shërbëtorëve të Jehovait?
1 Apostulli Pavël shkroi: «Gjithnjë gëzoni në Zotërinë. Edhe një herë do ta them: Gëzoni!» (Filip. 4:4) Kemi privilegjin t’u japim lajmin e mirë njerëzve, si dhe t’i ndihmojmë ata njerëz që janë si delet të adhurojnë Jehovain. Kjo na sjell shumë gëzim. (Luka 10:17; Vep. 15:3; 1 Sel. 2:19) Por, po sikur ndonjëherë të ndiejmë se shërbimi nuk po na sjell gëzim? Çfarë mund të bëjmë?
2. Kur mbajmë gjithnjë ndër mend se kush na e ka ngarkuar detyrën për të predikuar e për të bërë dishepuj, si mund të na sjellë kjo gjë gëzim?
2 Një vepër e urdhëruar nga Perëndia: Le të kujtojmë se na e ka ngarkuar Jehovai detyrën për të predikuar. Po, çfarë privilegji kemi që kur shpallim mesazhin e Mbretërisë dhe bëjmë dishepuj, jemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë»! (1 Kor. 3:9) Në këtë vepër, që nuk do të përsëritet më kurrë, me ne është edhe Krishti Jezu. (Mat. 28:18-20) Gjithashtu, në korrjen e madhe frymore që po kryhet tani, me ne punojnë dhe marrin pjesë gjallërisht edhe engjëjt. (Vep. 8:26; Zbul. 14:6) Shkrimet dhe përvojat e popullit të Perëndisë, tregojnë qartë se Jehovai po e mbështet këtë vepër. Prandaj, kur predikojmë, vazhdojmë ta bëjmë këtë «si të dërguar nga Perëndia, nën shikimin e Perëndisë, bashkë me Krishtin». (2 Kor. 2:17) Çfarë arsyeje e fortë për gëzim!
3. Si na ndihmon lutja që ta ruajmë gëzimin në shërbimin ndaj Perëndisë?
3 Lutja është thelbësore për ta ruajtur gëzimin në shërbimin ndaj Perëndisë. (Gal. 5:22) Meqë mund ta kryejmë veprën e Perëndisë vetëm falë fuqisë së tij, duhet t’i lutemi me ngulm që të na japë frymën e tij. Ai ua jep bujarisht frymën atyre që ia kërkojnë. (Luka 11:13; 2 Kor. 4:1, 7; Efes. 6:18-20) Në shërbim mund të takojmë njerëz që nuk i përgjigjen mirë lajmit të mirë. Por, nëse lutemi për shërbimin tonë, do të ruajmë pikëpamjen e duhur për të. Kjo do të na ndihmojë të vazhdojmë të predikojmë me guxim dhe plot gëzim.—Vep. 4:29-31; 5:40-42; 13:50-52.
4. Si na ndihmon përgatitja e mirë që të kemi edhe më shumë gëzim në predikim? Cilat janë disa mënyra të dobishme për t’u përgatitur?
4 Të përgatitemi mirë: Një mënyrë e dobishme për të pasur edhe më shumë gëzim në shërbim është përgatitja e mirë. (1 Pjet. 3:15) Për t’u përgatitur mirë nuk duhet shumë kohë. Duhen vetëm pak minuta për të rishikuar prezantimet që këshillohen për revistat e fundit ose një prezantim që përshtatet me literaturën që mendoni të jepni. Mund të shikoni numrat e kaluar të Shërbimi ynë i Mbretërisë për ndonjë hyrje të përshtatshme. Disa lajmëtarëve të Mbretërisë u duket e dobishme të shkruajnë në një copë letër një prezantim të shkurtër. Herë pas here ata i hedhin një sy për ta kujtuar. Kjo i ndihmon të kapërcejnë ankthin dhe u jep siguri për të predikuar me guxim.
5. Si na sjell dobi gëzimi neve dhe të tjerëve?
5 Gëzimi sjell shumë dobi. Kur flasim me gëzim, mesazhi ynë bëhet më tërheqës për të tjerët. Gëzimi na forcon që të durojmë. (Neh. 8:10; Hebr. 12:2) Dhe ajo që është më e rëndësishme, shërbimi ynë me gëzim i jep lavdi Jehovait. Prandaj, le ‘t’i shërbejmë Jehovait me gëzim’.—Psal. 100:2, BR.