Le ta mbajmë në gjendje të mirë vendin tonë të adhurimit
1. Për çfarë qëllimi shërben Salla e Mbretërisë?
1 Në mbarë botën ka më shumë se 94.000 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait. Shumica e kongregacioneve mblidhen në një Sallë Mbretërie për të studiuar Biblën dhe për të gëzuar shoqërinë e krishterë. Ajo shërben si një qendër lokale e adhurimit të pastër.
2. Përse është e rëndësishme ta mbajmë të pastër e të paraqitshme Sallën e Mbretërisë?
2 Programi i rregullt i pastrimit: Puna që bëhet për të mirëmbajtur Sallën e Mbretërisë është një pjesë shumë e rëndësishme e shërbimit tonë të shenjtë. Te faqet 61 dhe 62 të librit Të organizuar thuhet: «Vëllezërit duhet ta konsiderojnë një privilegj jo vetëm të mbështetin financiarisht Sallën e Mbretërisë, por edhe të ofrojnë vullnetarisht shërbimin e tyre për ta mbajtur atë të pastër, të paraqitshme dhe në gjendje të mirë. Si jashtë edhe brenda, Salla e Mbretërisë duhet të përfaqësojë denjësisht organizatën e Jehovait.» Meqë Salla e Mbretërisë përdoret disa herë gjatë javës, është e nevojshme të pastrohet e të mirëmbahet rregullisht. Zakonisht për këto gjëra kujdesen vullnetarë nga kongregacioni ose kongregacionet që mblidhen në atë Sallë Mbretërie. Ashtu si në kohët biblike, sot shërbëtorët e Jehovait duhet të jenë të zellshëm «për ta riparuar dhe për të restauruar» vendin e adhurimit.—2 Kron. 34:10.
3. Si është organizuar pastrimi i Sallës së Mbretërisë dhe cilët duhet ta kenë këtë privilegj?
3 Në tabelën e informacionit duhet të vihet një program për pastrimin javor të Sallës së Mbretërisë. Të gjitha grupet e Studimit të Librit duhet ta pastrojnë me radhë sallën çdo javë, duke bërë gjërat që janë shkruar në një listë. Të gjithë ata që kanë mundësi duhet të kenë privilegjin për ta mbajtur Sallën e Mbretërisë të pastër e të paraqitshme çdo javë. Nën mbikëqyrjen e prindërve, mund të marrin pjesë edhe fëmijët. Në këtë mënyrë ata i mësojnë fëmijët që ta çmojnë këtë privilegj. Që kjo përgjegjësi të mos bjerë vetëm mbi pak veta, është thelbësor një bashkëpunim i mirë, sidomos kur Sallën e Mbretërisë e përdorin më shumë se një kongregacion.
4. Çfarë duhet bërë, që kongregacioni të dijë se cilat punë duhen kryer kur pastrohet Salla e Mbretërisë?
4 Ndoshta aty ku mbahen veglat e pastrimit mund të vendoset një listë e gjërave që duhen bërë. Kjo listë duhet të shpjegojë punët që duhen bërë gjatë javës. Këto përfshijnë: fshirjen me fshesë korenti, pastrimin e dritareve, pastrimin e pluhurave që ka mbi banakun e revistave, zbrazjen e koshit të plehrave, larjen e dyshemesë dhe larjen e pasqyrave. Disa punë ndoshta nuk duhen bërë rregullisht, si për shembull: lustrimi i mobiljeve prej druri, pastrimi me themel i karrigeve, larja e perdeve dhe e pajisjeve të ndriçimit. Të gjitha ilaçet që përdoren për pastrim duhen mbajtur larg fëmijëve të vegjël dhe duhet të kenë një etiketë që dallohet lehtë. Duhet të bëhet edhe një shpjegim i shkurtër se si të përdoren këto lëndë kimike.
5. Çfarë rëndësie ka siguria dhe cilat gjëra nevojiten të kontrollohen rregullisht? (Shiko kutinë në faqen 4.)
5 Një rëndësi shumë të madhe ka siguria e Sallës së Mbretërisë. (Ligj. 22:8) Për këtë gjë, në kutinë te faqja 4 janë radhitur disa objekte, të cilat nevojitet të kontrollohen herë pas here për të parandaluar ndonjë aksident të mundshëm.
6. Si bashkërendohet puna e mirëmbajtjes së Sallës së Mbretërisë?
6 Mirëmbajtja e Sallës së Mbretërisë: Trupi i pleqve ka përgjegjësinë të mbikëqyrë mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë. Zakonisht caktohet një plak ose një shërbëtor ndihmës që të bashkërendojë punën. Ai organizon punët e zakonshme në Sallën e Mbretërisë dhe sigurohet që të jetë e pastër, e mirëmbajtur dhe të ketë mjete të mjaftueshme. Është e rëndësishme që salla ose zona përreth të mos jetë në një gjendje që paraqet rrezik. Kur të njëjtën sallë e kanë dy ose më shumë kongregacione, trupat e pleqve caktojnë një komitet funksionimi që të kujdeset për ndërtesën e pronën. Ky komitet punon nën drejtimin e trupave të pleqve.
7. (a) Çfarë bëhet çdo vit për t’u siguruar që Salla e Mbretërisë është në gjendje të mirë? (b) Cilat gjëra duhet të kontrollohen herë pas here? (Shiko kutinë në faqen 5.)
7 Çdo vit bëhet një kontroll i hollësishëm i Sallës së Mbretërisë. Pleqtë e kryejnë këtë duke u kujdesur plotësisht për çdo çështje që kërkon vëmendje. Lajmëtarët mund të ftohen për të ndihmuar në riparimet e nevojshme dhe në mirëmbajtjen e sallës. Të gjithë duhet të kujdesen për çdo hollësi dhe të zgjidhin menjëherë çështjet që kërkojnë vëmendje.
8. Kur duhet të flasin pleqtë për çështjet e mirëmbajtjes me Komitetin Rajonal të Ndërtimit ose me zyrën e degës, nëse nuk ka një komitet të tillë?
8 Nëse pleqtë kanë nevojë për këshilla ose ndihmë që të kujdesen për mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë, mund të lidhen me Komitetin Rajonal të Ndërtimit ose me zyrën e degës, në qoftë se ende nuk ka një komitet të tillë. Këtu futen çështje si këto: kujdesi për moketin, kontrolli i pajisjeve për ngrohje e për ajrin e kondicionuar dhe zgjidhja e problemeve të lagështirës së ndërtesës.
9. Çfarë procedure duhet të ndiqet në qoftë se nevojitet një kontraktues?
9 Përdorimi me mençuri i fondeve të kongregacionit: Pjesa më e madhe e punës në Sallën e Mbretërisë dhe në vendin përreth saj kryhet nga vullnetarët. Përpjekjet e tyre vetëmohuese janë një shprehje e shkëlqyer e dashurisë dhe ndihmojnë shumë për të ulur shpenzimet. Në rast se merret një firmë ose një kontraktues që të kujdeset për disa punë të veçanta dhe kongregacioni ka fonde për këtë qëllim, pleqtë duhet të kujdesen që puna të jetë cilësore dhe me çmimin më të leverdisshëm. Për këtë arsye, ata duhet të marrin dhe të shqyrtojnë oferta të ndryshme të tregut dhe të zgjedhin atë më të mirën. Nuk duhet të mjaftohen vetëm me një ofertë. Kjo procedurë duhet të ndiqet edhe nëse ndonjë vëlla është i gatshëm të kryejë punën ose të sigurojë materialet e nevojshme me një çmim të caktuar.
10. Çfarë mase është marrë për t’u siguruar që fondet e kongregacionit të përdoren siç duhet?
10 Në rast se është e mundur, pleqtë duhet të ndërmarrin hapat e duhur për përjashtimin nga taksat e pronës dhe të shitblerjes së pronës. Kur Sallën e Mbretërisë e përdorin më shumë se një kongregacion, komiteti i funksionimit mban një llogari bankare më vete dhe bën çdo muaj me shkrim raportin financiar për çdo trup pleqsh, duke i vënë në dijeni si janë përdorur fondet. Pleqtë janë përgjegjës për t’i përdorur siç duhet fondet e kongregacionit.
11. Çfarë duhet bërë, në qoftë se kërkohet një mirëmbajtje ose restaurim i përgjithshëm?
11 Mirëmbajtja dhe restaurimi i përgjithshëm: Kur komiteti i funksionimit vëren se duhet bërë diçka më e madhe në lidhje me funksionimin dhe mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë, flet për këtë me trupat e pleqve për të marrë drejtim. Po të vendoset se duhet një mirëmbajtje ose restaurim i përgjithshëm, ose që duhet ndihmë nga vëllezër që nuk mblidhen me kongregacionin(et) në atë Sallë Mbretërie, pleqtë flasin me Komitetin Rajonal të Ndërtimit ose zyrën e degës në rast se nuk ka një komitet të tillë. Këta vëllezër të kualifikuar e me përvojë japin udhëzime të nevojshme dhe mbikëqyrin kryerjen e punimeve. Nëse përfshihet një shpenzim i madh, do të jetë e nevojshme të bëhen llogaritje të sakta për shpenzimet dhe të bëhet një rezolutë për t’u miratuar nga kongregacioni.—Shih Shërbimi ynë i Mbretërisë shkurt 1994, Kutia e pyetjes, anglisht.
12. Si mund të tregohemi mirënjohës për privilegjin që kemi për të ndjekur mbledhjet në Sallën e Mbretërisë?
12 Sa shumë që e vlerësojmë privilegjin që kemi për t’u mbledhur në Sallën e Mbretërisë! Nuk dëshirojmë kurrë t’i lëmë pas dore ose t’i nënvlerësojmë mbledhjet. Të gjithë mund të japin ndihmesën e tyre për këtë masë që na inkurajon, duke u kujdesur plotësisht për Sallën e Mbretërisë. Kjo gjë lartëson adhurimin e pastër dhe nderon emrin e Jehovait. Le të jemi të vendosur ta mbajmë në gjendje të mirë vendin tonë të adhurimit!
[Kutia në faqen 4]
Listë për masat e sigurisë
◻ Fikësit e zjarrit duhet të vendosen në një vend ku mund të shihen me lehtësi dhe të kontrollohen çdo vit.
◻ Sistemet për fikjen e zjarrit duhet të kontrollohen në pajtim me ligjin e vendit.
◻ Daljet dhe shkallët duhet të shihen me lehtësi, të kenë ndriçim të mirë, të dilet lehtësisht, dhe parmakët duhet të jenë të sigurt.
◻ Depot, banjat dhe gardërobat duhet të jenë të pastra, të rregullta e të mos kenë objekte që digjen tepër shpejt, sende personale dhe plehra.
◻ Çatia dhe ullukët duhet të kontrollohen e të pastrohen rregullisht.
◻ Trotuaret dhe vendet e parkimit duhet të jenë të ndriçuara dhe të mos kenë ndonjë gjë që të bën të rrëshqasësh ose të rrëzohesh.
◻ Sistemet elektrike, të ngrohjes dhe të ajrimit duhet të kontrollohen e të këqyren me kujdes.
◻ Të gjitha vrimat që nga pikon uji duhet të zihen menjëherë për të parandaluar problemet e rënda që sjell lagështira.
◻ Ndërtesa duhet të kyçet kur nuk ka asnjeri brenda saj.
[Kutia në faqen 5]
Kujdesi për ndërtesën dhe pronën
◻ Jashtë: A janë në gjendje të mirë çatia, muret e jashtme, lyerja, dritaret dhe tabela e Sallës së Mbretërisë?
◻ Vendi përreth: A është i mirëmbajtur vendi përreth? A janë në gjendje të mirë trotuaret, gardhet dhe vendet e parkimit?
◻ Brenda: A janë të paraqitshme tapetet, perdet, karriget, instalimet, lyerja, dollapët dhe raftet e literaturës, si dhe gardëroba?
◻ Pajisjet: A funksionojnë mirë ndriçimi, sistemi akustik, ngrohja, ajrimi dhe ajri i kondicionuar?
◻ Banjat: A janë të pastra dhe a funksionojnë siç duhet?
◻ Dokumentet e kongregacionit: A janë të përditësuara e të sakta dokumentet e pronësisë? Atje ku kërkohet, a janë vendosur çdo vit në arkiv formularët e përjashtimit nga taksat në lidhje me pronën?