Jehovai është shumë i denjë për lëvdim
Darka e Zotërisë do të kremtohet më 16 prill
1 Me padurim presim të afrohet 16 prilli 2003. Në atë natë do të përkujtojmë vdekjen e Jezuit, duke u bashkuar me miliona bashkadhurues në mbarë botën, për të lavdëruar emrin e Jehovait. Jehovai e meriton gjithë lavdërimin tonë për dhuratën e mrekullueshme të shpërblesës. Me anë të saj, ai do të sjellë bekime të mrekullueshme për të gjithë njerëzimin e bindur. Me gjithë zemër bashkohemi me psalmistin, duke thirrur: «Zoti [Jehovai BR] është i denjë për lëvdimin më të lartë.»—Psal. 145:3.
2 Periudha e Përkujtimit është një kohë për të medituar për mirësinë e Perëndisë dhe për mirënjohjen që i detyrohemi Jehovait, i cili dërgoi «Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij». (1 Gjon. 4:9, 10) Duke iu bindur urdhrit për të kremtuar Darkën e Zotërisë, na ngulitet në zemër që «Zoti [Jehovai BR] është i dhembshur dhe mëshirëplotë . . . dhe i madh në mirësi». (Psal. 145:8) Vërtet, shpërblesa është shprehja më e madhe e dashurisë për të gjithë njerëzimin. (Gjoni 3:16) Kur meditojmë për dashurinë e Perëndisë dhe mendojmë për rrugën e besnikërisë që Jezui ndoqi me besim të plotë, nxitemi të lavdërojmë Jehovain. Gjatë gjithë përjetësisë do ta lavdërojmë për dashurinë e pakufishme që tregoi, duke bërë të mundur të kemi jetën e përhershme.—Psal. 145:1, 2.
3 Të ndihmojmë të tjerët të lavdërojnë Jehovain: Çmueshmëria për dhuratën shumë të madhe të shpërblesës, që ka bërë Perëndia, na nxit që t’i ftojmë të tjerët që të bashkohen me ne për të lavdëruar Jehovain. Psalmisti u frymëzua të shkruante: «Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.» (Psal. 145:7) Vetëm vitin e kaluar, Dëshmitarët e Jehovait në të gjithë botën kushtuan më shumë se një miliard orë në veprën e predikimit. Çfarë rezultati patën përpjekjet e tyre? Çdo javë, u pagëzuan mesatarisht 5.100 veta, duke simbolizuar kushtimin e tyre ndaj Jehovait. Gjithsej në Përkujtim morën pjesë 15.597.746 veta, nga të cilët më shumë se 9 milionë ende nuk kanë filluar të lavdërojnë Jehovain si lajmëtarë të lajmit të mirë dhe ka shumë mundësi për rritje të mëtejshme. Si lajmëtarë të Mbretërisë, gëzojmë privilegjin që të shpallim lajmin e mirë dhe të kthejmë zemrat e njerëzve drejt Jehovait, Birit të tij dhe Mbretërisë.
4 Një mënyrë e shkëlqyer për t’i inkurajuar të tjerët që të lavdërojnë Jehovain është t’i ftojmë të bashkohen me ne për të përkujtuar Darkën e Zotërisë. A keni bërë një listë të atyre që dëshironi të ftoni, si dhe të atyre që mund të kenë nevojë t’u kujtoni ditën dhe orën? A u keni dhënë një ftesë të gjithë atyre që keni vënë në listë? Nëse jo, bëjeni me zell gjatë kohës që ka mbetur. Ndihmojini që të kuptojnë qëllimin e kremtimit. Në ditën e kremtimit jini të gatshëm të përshëndetni vizitorët. Bëjini që të ndihen të mirëpritur, njihini me të tjerët dhe lavdërojini për praninë e tyre.
5 Pjesëmarrja në Përkujtim mund t’i nxitë ata që vijnë për herë të parë që të bëjnë përparim frymor. Një student i Biblës, i cili vuan nga çrregullimet e stresit pas-traumatik, gjë që ia bën shumë të vështirë të rrijë në vende ku ka njerëz, shkoi në Përkujtim. Kur e pyetën se çfarë mendonte për mbledhjen, ai tha: «Ishte mbrëmja më e shenjtë dhe ishte një privilegj që isha i pranishëm.» Që atëherë ka filluar të ndjekë mbledhjet.
6 Pas Përkujtimit: Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar këta të interesuar që të bëhen lavdërues të Jehovait? Pleqtë do t’u kushtojnë vëmendje atyre që marrin pjesë për herë të parë në Përkujtim dhe do të marrin masa që, menjëherë pas Përkujtimit, disa lajmëtarë të kualifikuar t’i vizitojnë dhe t’u kujtojnë gjërat freskuese që vërejtën dhe që mësuan. Ndoshta disa njerëz duan të fillojnë një studim biblik. Meqë pjesëmarrja e rregullt mund t’i bëjë të shtojnë njohurinë për Biblën, mund të ftohen edhe që të ndjekin mbledhjet e kongregacionit, që mbahen çdo javë.
7 Po merren masa për të inkurajuar të gjithë të parregulltit dhe joaktivët që të ndjekin rregullisht mbledhjet. Tregohu i gatshëm të ndihmosh ndonjë joaktiv që të rifillojë të marrë pjesë në shërbimin në fushë, nëse pleqtë të kërkojnë ta bësh këtë. Shfaqja e një interesimi të tillë të dashur është në harmoni me nxitjen e apostullit Pavël: «Derisa të kemi kohë të volitshme, le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.»—Gal. 6:10.
8 Le të bëjmë të gjithë një përpjekje të veçantë për të qenë të pranishëm në Përkujtim, i cili do të mbahet më 16 prill. Nuk do të dëshironim të humbitnim rastin më të shenjtë për të lavdëruar Jehovain. Po, le ta lavdërojmë Jehovain për veprat e tij të mrekullueshme, tani e përgjithmonë!—Psal. 145:21.