A ‘duam’ t’i ndihmojmë të tjerët?
1 Jezui u kujdes me të vërtetë për njerëzit. Kur një i lebrosur iu lut për ndihmë, Jezui shtriu dorën, e preku burrin dhe i tha: «Dua. Bëhu i pastër.» (Mar. 1:40-42) Në cilat mënyra mund ta imitojmë qëndrimin e Jezuit kur ndihmojmë të tjerët?
2 Njerëzit e interesuar: Çdo pjesëtar i kongregacionit luan një rol për të ndihmuar individët e interesuar që të bëhen adhurues të Jehovait. Kur këta individë vijnë në mbledhje, t’i përshëndetim dhe të njihemi me ta. Të kërkojmë mënyra për t’u dhënë zemër. T’i lavdërojmë për komentet që bëjnë gjatë mbledhjes. Të shprehim vlerësimin tonë për përpjekjet që bëjnë për t’i zbatuar në jetë parimet biblike. T’i ndihmojmë të kuptojnë se ç’mundësi kanë për të zënë miq të vërtetë brenda kongregacionit.
3 Bashkëbesimtarët: Sidomos ‘ata që janë të lidhur me ne në besim’ e meritojnë t’i ndihmojmë në mënyra të ndryshme. (Gal. 6:10) Shumë prej tyre luftojnë me problemet shëndetësore. Duke u bërë një vizitë që u jep zemër, u japim mundësinë të shijojnë shoqërinë e nevojshme të krishterë. Gjithashtu, mund t’i ndihmojmë edhe me mënyra të ndryshme praktike. Disa mund të jenë duke hasur vështirësi të tjera në jetë. Le të tregojmë se interesohemi për ta, duke lënë kohë për t’i dëgjuar e për t’i ndërtuar. (1 Sel. 5:14) Edhe pleqtë kanë nevojë për bashkëpunimin tonë, ndërsa përmbushin përgjegjësitë e tyre. (Hebr. 13:17) Duke shfaqur një frymë të gatshme dhe bashkëpunuese, mund ‘të bëhemi një ndihmë fuqizuese’ për bashkëbesimtarët tanë.—Kolos. 4:11.
4 Pjesëtarët e familjes: Duhet të përpiqemi të imitojmë interesin që tregoi Jezui edhe për individët brenda rrethit tonë familjar. Interesimi i thellë për fëmijët i nxit prindërit ‘që të vazhdojnë t’i rritin ata në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait’. (Efes. 6:4) Fëmijët mund ta përmbushin pjesën e tyre, duke u bërë gati shpejt kur është koha për të bërë studimin familjar, për të shkuar në mbledhjet e kongregacionit ose për të dalë në shërbim. Fëmijët e rritur mund të pasqyrojnë dhembshurinë e Jezuit duke i ndihmuar me dashuri prindërit e tyre që të përballojnë vështirësitë e moshës së shkuar. Nëpërmjet këtyre mënyrave ose edhe të tjerave, që të gjithë mund ‘të praktikojmë devocionin [përkushtimin] hyjnor me ata të shtëpisë sonë’.—1 Tim. 5:4.
5 Teksa imitojmë Jezuin kur ndihmojmë të tjerët, mund të arrijmë t’ua lehtësojmë problemet dhe mund të bëjmë që të gjithë në familje e në kongregacion të jenë më të bashkuar. Ajo që është më e rëndësishmja, i sjellim lavdi Jehovait, ‘Atit të mëshirave të buta’.—2 Kor. 1:3