Predikimi i Mbretërisë ndihmon që të shpëtohen jetë
1 Është vepra më e rëndësishme që po zhvillohet sot në botë. Perëndia Jehova, Jezu Krishti dhe një mori engjëjsh e kanë përqendruar vëmendjen në të. Cila është kjo dhe përse është kaq thelbësore? Është vepra e predikimit të Mbretërisë dhe ndihmon që të shpëtohen jetë.—Rom. 1:16; 10:13, 14.
2 Disa njerëz mund të mendojnë se ne mund t’u shërbejmë më mirë të tjerëve nëse përfshihemi në përpjekjen për të përmirësuar botën rreth nesh. Shumë veta janë dhënë plotësisht pas përpjekjeve për të arritur paqen, për të kuruar sëmundjet ose për të përmirësuar ekonominë. Por, çfarë është ajo që do t’i ndihmojë më shumë njerëzit?
3 Një vepër e jashtëzakonshme: Vetë mesazhi i Mbretërisë shpjegon qëllimin e jetës, arsyen e vuajtjeve njerëzore dhe të vetmen shpresë të besueshme për të ardhmen. Lajmi i mirë u jep mundësi njerëzve që të bëhen miq me Jehovain dhe të gëzojnë kështu ‘paqen e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim’. (Filip. 4:7) Vetëm mesazhi i Mbretërisë siguron udhëheqje praktike për t’i ndihmuar njerëzit që të përballojnë problemet që ka jeta sot dhe shpjegon se si të mbeten gjallë kur kjo botë e ligë të shkatërrohet në të ardhmen. (1 Gjon. 2:17) A nuk ia vlen çdo përpjekje që mund të bëjmë për të predikuar Mbretërinë?
4 Të bëjmë një shembull: cila do të ishte mënyra më e mirë për ta ndihmuar një fshat—banorët e të cilit flenë—që rrezikohet nga një digë që së shpejti do të shpërthejë? Duke hequr ujin prapa digës që po dobësohet? Duke zbukuruar fshatin e dënuar për t’u shkatërruar? Jo! Fshatarët duhen zgjuar, duhen lajmëruar për shkatërrimin që u kanoset dhe duhen ndihmuar që të ikin! Ata që sot flenë frymësisht janë në një rrezik shumë serioz. (Luka 21:34-36) Duke qenë se ky sistem gjërash do të kalojë së shpejti, le të përpiqemi t’u predikojmë me urgjencën më të madhe të gjithëve që mundim!—2 Tim. 4:2; 2 Pjet. 3:11, 12.
5 Të ngulmojmë në këtë vepër: Le të kërkojmë mënyra për të arritur edhe më shumë njerëz të sinqertë me lajmin e mirë, duke shkuar në shtëpinë e tyre, duke i takuar në rrugë, me anë të telefonit dhe në mënyrë joformale. Vepra që Jehovai na ka dhënë është vepra më e rëndësishme që mund të bëjmë. Nëse e kryejmë atë me zell, ‘do të shpëtojmë veten dhe ata që na dëgjojnë’.—1 Tim. 4:16.