A po e zbatojmë atë që mësuam në Kongresin Krahinor «Mësues të Fjalës së Perëndisë»?
1 Kushdo që e ndoqi kongresin krahinor të këtij viti, mundi të kuptonte se shërbëtorët e Jehovait janë të vendosur ta përmbushin caktimin e tyre për të qenë mësues të Fjalës së Perëndisë. (Mat. 28:19, 20) Kur u kthyem në shtëpi, cilat pika specifike mësimi kishim vendosur të zbatonim në jetën tonë dhe në shërbimin në fushë?
2 Shkrimet e frymëzuara janë të dobishme për mësim: Tema e ditës së parë theksoi shkrimin e 2 Timoteut 3:16. Fjalimi kyç tregoi se për të qenë «Plotësisht të pajisur si mësues të Fjalës së Perëndisë» duhet ta vlerësojmë shumë Fjalën e Perëndisë, ta nderojmë atë më shumë se çdo opinion ose traditë njerëzore dhe ta përdorim vazhdimisht. Gjithashtu, duhet të lutemi çdo ditë që fryma e shenjtë të na ndihmojë në shërbim dhe të punojmë për të kultivuar frytin e saj kryesor—dashurinë. Veç kësaj, duhet ta lejojmë organizatën tokësore të Jehovait që të na stërvitë si administrues të Fjalës nëpërmjet të gjitha mbledhjeve të kongregacionit.
3 Simpoziumi i së premtes «Të mësojmë veten ndërsa mësojmë të tjerët» shpjegoi se duhet të jemi shembullorë (1) duke iu përmbajtur ligjeve të Perëndisë në çdo aspekt të moralit të krishterë, (2) duke mbajtur zakone të studimit të zellshëm dhe (3) duke çrrënjosur qëndrimet dhe gjendjet e zemrës që mund të shfrytëzohen nga Djalli. Më pas, mësuam mënyra praktike për t’i mbrojtur familjet tona nga epidemia botërore e pornografisë. Prindërit u nxitën që të japin shembullin e tyre duke mos parë qoftë dhe kalimthi një skenë seksuale. Gjithashtu, morën dhe nxitjen që të kontrollojnë si e përdorin Internetin fëmijët e tyre dhe se çfarë shohin në televizor. Cilën nga pikat e programit të së premtes keni filluar të vini në praktikë?
4 Fjalimi i fundit i ditës së premte na e shtoi vendosmërinë për ta çmuar dritën e Jehovait, për të qëndruar afër klasës së të mirosurve besnikë të Perëndisë dhe për të dhënë ndihmesën tonë për paqen e popullit të Jehovait. A e kemi lexuar botimin e ri Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin II?
5 Të kualifikuar sa duhet për të mësuar të tjerët: Shkrimi ku bazohej tema e ditës së dytë të kongresit ishte 2 Timoteut 2:2. Ndërsa dëgjuam simpoziumin e së shtunës paradite, a i mbajtëm shënim udhëzimet për mënyrën si (1) të kërkojmë ata që e meritojnë, (2) të kultivojmë interesin e tyre dhe (3) t’u mësojmë që të zbatojnë gjithçka që urdhëroi Krishti? A po e zbatojmë atë që mësuam, pra, që t’u tregojmë pronarëve të shtëpive të paktën një pikë nga Shkrimet dhe të vëmë themelin për një vizitë tjetër?
6 Programi i pasdites theksoi se është e rëndësishme të imitojmë Mësuesin e Madh, Jezuin. Në cilat mënyra po përpiqemi të jemi më shumë ngjashëm tij? Nga ajo që mësuam në simpoziumin e dytë të asaj dite, në ç’mënyrë mendojmë se mund «Të përfitojmë më plotësisht nga arsimimi teokratik»? Cilat udhëzime po zbatojmë për të rritur kohën e përqendrimit gjatë studimit personal dhe gjatë mbledhjeve të kongregacionit?
7 Pa dyshim, sigurimi që do të dalë së shpejti, Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, do të na ndihmojë të rritim aftësitë tona si oratorë dhe si mësues të Fjalës së Perëndisë. Vëmendje më e madhe do t’u jepet cilësive të të folurit që karakterizonin shërbëtorët besnikë të Perëndisë në kohët biblike. Çdo mësim në librin e ri ka kuti që tregojnë në mënyrë të përmbledhur se çfarë duhet të bëjmë, përse kjo është e rëndësishme dhe se si ta bëjmë. Janë përfshirë edhe ushtrime praktike. Motrat do të kenë 29 rrethana nga të cilat mund të zgjedhin kur zhvillojnë caktimet e tyre. Me kalimin e kohës, do të bëhen edhe ndryshimet që u njoftuan për programin e shkollës. A kemi një zakon të mirë studimi dhe përgatitjeje, me qëllim që të nxjerrim plotësisht dobi çdo javë nga Shkolla e Shërbimit Teokratik?
8 Të jemi mësues duke pasur parasysh kohën: Hebrenjve 5:12 përcaktoi drejtimin e ditës së diel. Simpoziumi i paradites «Profecia e Malakisë na përgatit për Ditën e Jehovait» na nxiti që t’i japim Perëndisë më të mirën tonë dhe të urrejmë të gjitha format e pabesisë, në mënyrë që të mbijetojmë ditën e madhe e të frikshme të Jehovait. Drama «Të respektojmë autoritetin e Jehovait» tregoi fuqishëm se si krenaria, ambicia, xhelozia dhe besnikëria e pavend e Koreut dhe e shoqëruesve të tij në kohët e lashta çoi në vepra të një rebelimi të hapur kundër vetë Jehovait. Fjalimi pasues u përqendrua në nevojën që kemi sot për t’iu nënshtruar autoritetit të perëndishëm brenda familjes dhe kongregacionit. Fjalimi publik «Cilët po ua mësojnë të gjitha kombeve të vërtetën?» dha prova se Dëshmitarët e Jehovait po e bëjnë këtë, në dallim nga i ashtuquajturi krishterim që thjesht pohon se mëson të vërtetën biblike.
9 Qartë, Jehovai po na stërvit që të jemi mësues më të mirë të Fjalës së tij. Le ta zbatojmë atë që mësuam, ‘duke i kushtuar vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sonë, që të shpëtojmë veten dhe ata që na dëgjojnë’.—1 Tim. 4:16.