A mund ta bëjmë prillin 2000 muajin tonë më të mirë?
1 Mbrëmja e së mërkurës së 19 prillit, do të jetë pika kulmore e vitit tonë të shërbimit. Atë ditë, ndërsa dielli perëndon gradualisht anembanë tokës, çdo kongregacion dhe grup i Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën, do të mbajë Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Në cilëndo zonë orare të globit që jetojmë, përkujtimi i sakrificës së Jezu Krishtit, do të jetë ngjarja kulmore e vitit. Në Kalendari i Dëshmitarëve të Jehovait 2000, në muajin prill, data e Përkujtimit është dalluar nga datat e tjera.
2 I gjithë muaji prill, na jep një mundësi të shkëlqyer për të treguar me gjithë shpirt çmueshmërinë tonë për dashamirësinë e pamerituar të Jehovait, të shprehur nëpërmjet sakrificës së Birit të tij. Në ç’mënyrë? Apostulli Pavël shkroi: «Dashuria që ka Krishti na detyron, sepse kjo është ajo që kemi gjykuar, se një njeri i vetëm vdiq për të gjithë; të gjithë, pra, kishin vdekur; dhe ai vdiq për të gjithë që ata që jetojnë, të jetojnë jo më për vetveten, por për atë që vdiq për ta dhe u ringjall.» (2. Kor. 5:14, 15, BR) Po, gjatë prillit mund të tregojmë se nuk po jetojmë për veten, por për atë që vdiq për ne, duke e bërë kështu prillin muajin tonë më të mirë si shërbëtorë të Mbretërisë!
3 Të regjistrohemi si pionierë ndihmës në prill: Apostulli Pavël na la një shembull nxitës kur tha: «Megjithatë, nuk e llogaris fare shpirtin tim si të dashur për mua, sikur vetëm të mund të mbaroj udhën time dhe shërbimin që mora nga Zotëria Jezu, që të jap dëshmi të plotë të lajmit të mirë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë.» (Vep. 20:24, BR) Ne kemi po këtë privilegj, pra, të japim dëshmi të plotë për Perëndinë Jehova. Për këtë arsye, duke u angazhuar në shërbimin si pionierë ndihmës, do të donim ta bënim prillin muajin tonë më të mirë.
4 Duke qenë se ka pesë fundjavë të plota, prilli i vitit 2000 do të jetë një muaj i shkëlqyer për shumë lajmëtarë, që të shërbejnë si pionierë. Parvjet, në vitin 1998, kur arritëm maksimumin më të lartë në pionierë ndihmës, të 275 pjesëmarrësit përfaqësuan 21 për qind të numrit të përgjithshëm të lajmëtarëve. Një vit më vonë, numri i përgjithshëm i lajmëtarëve që raportuan në prill të vitit 1999, u rrit me 24 për qind. Kjo do të thotë se kemi një potencial të jashtëzakonshëm për ta rritur më tej maksimumin e mëparshëm të pionierëve ndihmës. Përveç kësaj, reduktimi i kuotës së orëve e ka bërë të arritshëm këtë aspekt të shërbimit për shumë të tjerë në kongregacion. Çdo lajmëtar i pagëzuar duhet të shqyrtojë në lutje nëse ka mundësi që të shërbejë si pionier ndihmës gjatë këtij prilli.
5 Duke përdorur muajin prill në Kalendar 2000, të bëjmë që tani programin tonë për muajin tjetër. Të përcaktojmë se cilat ditë kemi mundësi që të dalim në shërbim dhe të mbledhim të gjitha orët që mendojmë se mund t’i kushtojmë aktivitetit të predikimit gjatë muajit. Të përfshijmë edhe kohën që mund të harxhojmë duke u dëshmuar të tjerëve, si në mënyrë formale, ashtu edhe joformale. A arrin shuma e përgjithshme afërsisht sasinë e 50 orëve që kërkohen për pionierët ndihmës? Nëse nuk i arrijmë orët e kërkuara, a mund të bëjmë ndonjë rregullim tjetër në programin tonë, në mënyrë që të blejmë kohën e nevojshme për të shërbyer si pionier ndihmës? Na duhet të kushtojmë mesatarisht vetëm një orë e dyzet minuta çdo ditë, për të arritur 50 orë në fund të muajit.
6 Tani që është reduktuar edhe kuota e orëve të pionierëve të rregullt, a kemi menduar që të fillojmë shërbimin e plotkohor? Përse të presim derisa të fillojë vera? Me dimrin të lënë tashmë prapa, prilli do të jetë një muaj i shkëlqyer për të filluar. Nëse jemi të pasigurt lidhur me mundësinë tonë për të plotësuar 70 orët e kërkuara për pionierët e rregullt, përse të mos shërbejmë si pionierë ndihmës në prill dhe t’i vëmë 70 orët si një synim për muajt e tjerë? Kur të shohim se ia dalim t’i bëjmë, mund të jemi më të prirur për t’u angazhuar në shërbimin e plotkohor, duke iu bashkuar radhëve të pionierëve të rregullt, sa më shpejt që është e mundur.—Shiko Të organizuar, faqet 113-114.
7 Të angazhohemi plotësisht si lajmëtarë të lajmit të mirë: Të gjithëve ne, qofshim lajmëtarë ose pionierë, dashuria e sinqertë për Perëndinë dhe për të afërmin na nxit që të gjithë atë që mundemi të bëjmë në shërbim të Jehovait, në varësi të rrethanave tona personale, ta bëjmë me gjithë shpirt. (Luka 10:27) Kështu tregojmë se «po punojmë shumë dhe po përpiqemi energjikisht, sepse e kemi mbështetur shpresën tonë te një Perëndi i gjallë, i cili është Shpëtimtar i çdo lloj njeriu, veçanërisht i atyre që janë besnikë.» (1. Tim. 4:10, BR) Ja pse duhet të presim që të shohim një pjesëmarrje 100 për qind në muajin prill, ndërkohë që secili angazhohet plotësisht në veprën e Mbretërisë.
8 Le të mos harrojmë këshillën e Jezuit: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj, luteni Zotërinë e të korrave që të dërgojë punëtorë në të korrat e veta.» Menjëherë pasi tha këtë, Jezui mblodhi 12 apostujt e tij dhe i dërgoi për të predikuar. (Mat. 9:37, 38, BR; Mat. 10:1, 5, 7) Rreth një vit më vonë, pasi të 12-ët ishin stërvitur mirë në aktivitetin e predikimit, Jezui «caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i dërgoi», duke u dhënë të njëjtat udhëzime: «E korra është e madhe. . . ; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet.» (Luka 10:1, 2) Libri biblik i Veprave tregon se si iu përgjigj Jehovai këtyre lutjeve. Në kohën kur u mbajt Festa e Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s., numri i dishepujve kishte arritur në rreth 120 veta. Më pas, pati maksimume radhazi me 3.000 dhe 5.000 dishepuj. (Vep. 1:15; 2:41; 4:4) Pas kësaj, «numri i dishepujve po shumohej». (Vep. 6:7) Ngjashëm, në kohën e sotme, ne duhet të vazhdojmë t’i lutemi Zotërisë për më shumë predikues të Mbretërisë. Në harmoni me lutjet tona, çdo lajmëtar kongregacioni duhet të bëjë rregullime të përcaktuara mirë, për të marrë pjesë në shërbim çdo muaj.
9 Jemi të lutur që ta shohim me kujdes muajin prill në Kalendar 2000. Pasi dy ditët e para të muajit janë e shtuna dhe e diela, a mund të bëjmë plane për t’u angazhuar në shërbim këtë fundjavë, duke nisur kështu shpejt që në fillim të muajit? A mund të mbështetim çdo «Dita e revistave» me grupin tonë të Studimit të Librit të Kongregacionit gjatë muajit? A mund të kushtojmë një orë ose dhe më shumë në shërbim çdo të diel? Fal kohës që sigurohet kur dita është më e gjatë, do të ketë më shumë orë me ditë gjatë mbrëmjeve të muajit. A mund të bëjmë rregullime për të dhënë një farë dëshmie edhe gjatë mbrëmjeve? Veç kësaj, të mos harrojmë të përfitojmë nga të gjitha mundësitë që kemi për të dhënë dëshmi joformale në punë, në shkollë ose ndërsa jemi të angazhuar në aktivitet e tjera të përditshme. Të shënojmë ditët në të cilat mund të harxhojmë një sasi kohe në shërbim dhe të përdorim kalendarin për të shënuar orët e shërbimit për këtë muaj.
10 Prilli do të jetë një kohë e përshtatshme për të gjithë që janë të kualifikuar dhe janë aprovuar nga pleqtë për të filluar shërbimin si lajmëtarë të papagëzuar. Nëse studiojmë Biblën me një person, a ka përparuar ai mjaftueshëm për t’ju afruar mbikëqyrësit drejtues e për t’i kërkuar që të konsiderohet si një lajmëtar i lajmit të mirë? Nëse kemi fëmijë të papagëzuar, a kemi diskutuar me pleqtë për progresin e tyre frymor? A nuk do të ishte muaji prill për ta një kohë e mirë për të filluar veprën e predikimit?—Shiko Të organizuar, faqet 97-100.
11 Në përpjekje për ta bërë prillin e vitit 2000, muajin tonë më të mirë, secili prej nesh duhet që të marrë pjesë në shërbim dhe më pas të dorëzojë raportin e shërbimit në fund të muajit. (Krahaso Marku 6:30.) Lajmëtarët e papagëzuar që marrin pjesë për herë të parë në shërbimin në fushë, duhen inkurajuar që ta raportojnë në kohë aktivitetin e tyre të shërbimit. Duke bërë pjesën tonë, mund të japim një kontribut të shkëlqyer në raportin e prillit dhe në thirrjen e madhe të lëvdimit që do t’i ofrohet Jehovait nëpërmjet përpjekjeve tona për të dëshmuar.
12 Të marrim me vete të tjerë në Përkujtim: A nuk do të ishte emocionuese të shihnim një maksimum të ri në numrin e të pranishmëve, gjatë Përkujtimit të vdekjes së Krishtit, për vitin 2000? Po! Kjo do të thoshte që janë mbledhur më shumë njerëz se kurrë më parë për të treguar çmueshmërinë e tyre për shprehjen më të madhe të dashurisë, treguar nga Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti për dobinë tonë. (Gjoni 3:16; 15:13) Le të bëjmë të gjitha rregullimet e nevojshme, në mënyrë që asgjë të mos na pengojë, ne dhe familjen tonë, për të qenë të pranishëm në Përkujtim!
13 Gjithashtu, tani është koha për të ftuar të tjerët në Përkujtim. Të bëjmë një listë të personave që do të dëshironim të ishin të pranishëm. Të përfshijmë të gjithë ata që kanë studiuar Biblën në të kaluarën, ata që po studiojnë tani, si edhe të gjitha rivizitat tona. T’i shtojmë listës të njohurit tanë në punë, në shkollë, në lagje, si edhe këdo me të cilin kemi marrëdhënie tregtare. Të mos harrojmë të përfshijmë edhe të njohurit e tjerë që kemi, si edhe të afërmit. Pas hartimit të listës, të fillojmë t’i ofrojmë secilit një ftesë të përzemërt personale. Të bëjmë të qartë se kur dhe ku do të mbahet Përkujtimi. Ndërsa 19 prilli afrohet, t’i kujtojmë edhe një herë ata të listës sonë ose personalisht, ose me telefon. T’u ofrojmë që të vijnë me ne në Përkujtim atë natë.
14 Në harmoni me udhëzimin e mëparshëm të Shoqatës, trupi i pleqve do të bëjë një përpjekje të veçantë për t’i inkurajuar të gjithë lajmëtarët joaktivë në territor që të ndjekin Përkujtimin. (Mat. 18:12-14) Ata do të rishikojnë letrën e Shoqatës të 2 shkurtit 1999. Sekretari i kongregacionit do të bëjë një listë të të gjithë lajmëtarëve joaktivë dhe mbikëqyrësi i shërbimit do të caktojë pleq që t’i vizitojnë dhe t’i ftojnë në Përkujtim. Ndoshta duke pasur sa më shpejt që është e mundur një vizitë inkurajuese baritore, këta joaktivë mund të ndihmohen për t’u bërë përsëri aktivë në shërbimin në fushë, madje që gjatë prillit. Do të ishte diçka ndërtuese për ta që të ftoheshin të dilnin në shërbim me një lajmëtar me përvojë.
15 Të inkurajojmë një mbështetje të mirë për prillin! Për ta bërë prillin e vitit 2000 muajin tonë më të mirë, do të kërkohet një bashkërendim i mirë i punëve nga ana e të gjithë pleqve, shërbëtorëve ndihmës dhe krerëve të familjeve. Pleqtë do të jenë të zellshëm për të organizuar sa më mirë çdo gjë dhe për të marrë drejtimin. (Hebr. 13:7) Duhen bërë rregullime praktike për mbledhjet e shërbimit që mbahen gjatë ditëve të javës dhe fundjavëve. Mund të rregullohet të mbahen edhe disa mbledhje shërbimi shtesë për aktivitetin e shërbimit pasdite vonë dhe herët në mbrëmje. Në tabelën e informacionit duhet paraqitur një program i plotë i gjithçkaje që është planifikuar për muajin prill. Do të ketë nevojë që dikush të caktohet për të trajtuar çdo mbledhje të programuar për shërbim. Duhet siguruar territor i mjaftueshëm, për të plotësuar nevojat e secilit grup.
16 Gjatë prillit do të prezantohen revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Në përpjekje për të filluar studime biblike, do t’i ofrohet broshura Çfarë kërkon? kujtdo që tregon interes. Për këtë arsye duhet siguruar një sasi e bollshme revistash dhe broshurash.
17 Në fund të muajit, të gjithë drejtuesit e studimit të librit dhe ndihmësit e tyre do të inkurajojnë gjithsecilin në grupin e tyre, për të dorëzuar pa vonesë raportin në përfundim të muajit. Ndoshta kjo mund të bëhet edhe të dielën, më 30 prill. Më pas, kur sekretari bën numërimin e raporteve dhe vëren se disa lajmëtarë nuk e kanë dorëzuar ende raportin, ai mund t’u kujtojë atyre me butësi që ta dorëzojnë atë përpara 6 majit, datë në të cilën ai duhet t’i paraqesë Shoqatës raportin e kongregacionit. Sekretari mund të kërkojë ndihmën e drejtuesve të studimit të librit në rast se dëshiron të kontaktojë me ndonjë lajmëtar në veçanti.
18 Sezoni i Përkujtimit është periudha më e rëndësishme e vitit për popullin e Perëndisë. Për të gjithë ne, duhet të jetë një kohë mjaft e zënë me shërbimin e Jehovait. Do të jetë e tillë nëse gjithsecili merr pjesë sa më plotësisht që është e mundur si lajmëtar i lajmit të mirë, nëse ata që mund të regjistrohen si pionierë ndihmës, angazhohen në këtë lloj shërbimi dhe nëse punojmë me zell për t’i sjellë të tjerët në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Le të lutemi me zjarr për bekimin e pasur të Jehovait, ndërsa përpiqemi ta bëjmë prillin e vitit 2000, muajin tonë më të mirë, dhe këtë të gjithë, për lëvdim dhe për lavdi të Perëndisë!—Hebr. 13:15.
[Kutia në faqen 3]
Pionierë ndihmës
Maksimumi ynë më i lartë: 275
(prill 1998)
[Kutia në faqen 4]
Totali i lajmëtarëve
Maksimumi ynë më i lartë: 1826
(Nëntor 1999)
[Kutia në faqen 5]
Të pranishëm në Përkujtim
Maksimumi ynë më i lartë: 8.971
(1999)