Një shqyrtim progresiv i veprës urgjente të bërjes së dishepujve
1 Përpara se ta linte tokën, Jezui i urdhëroi ithtarët e tij që të «bëjnë dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve». Kjo gjë kërkonte që ata të ndërmerrnin një fushatë intensive predikimi dhe mësimi dhe ta zgjeronin aktivitetin e tyre në të gjithë tokën e banuar. (Mat. 28:19, 20, BR; Vep. 1:8) A e konsideruan ata këtë detyrë si një barrë, tepër të vështirë për ta mbajtur? Sipas apostullit Gjon, jo. Pas 65 vjetësh si bërës i dishepujve ai shkroi: «Kjo do të thotë dashuri e Perëndisë, që ne të ruajmë urdhërimet e tij dhe prapëseprapë urdhërimet e tij nuk janë një barrë.»—1. Gjon. 5:3, BR.
2 Dokumentimi në Bibël i aktivitetit të të krishterëve të hershëm, provon se ata punuan me urgjencë në caktimin e tyre për të bërë dishepuj të Jezu Krishtit. (2. Tim. 4:1, 2) Ata nuk e bënë këtë thjesht për detyrë, por për shkak të dëshirës së madhe që kishin për të lavdëruar Perëndinë dhe për t’u sjellë shpresën e shpëtimit të tjerëve. (Vep. 13:47-49) Duke qenë se të gjithë ata që u bënë dishepuj, pas kësaj ishin vetë bërës të dishepujve, kongregacioni i krishterë në shekullin e parë u rrit me shpejtësi.—Vep. 5:14; 6:7; 16:5.
3 Vepra e bërjes së dishepujve përshpejtohet: Në këtë shekull të 20, po kryhet si asnjëherë tjetër vepra më e madhe e bërjes së dishepujve! Deri tani, miliona njerëz e kanë pranuar lajmin e mirë dhe kanë vepruar sipas tij. (Luka 8:15) Pasi koha e sistemit të tanishëm të gjërave po mbaron shpejt, «skllavi i besueshëm dhe i matur», na ka pajisur me mjete të cilat u japin mundësi njerëzve me zemër të sinqertë, që të mësojnë të vërtetën me shpejtësi.—Mat. 24:45.
4 Në vitin 1995 morëm librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme dhe në vitin 1996 ai u pasua nga broshura Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Në lidhje me librin Njohuria, Kulla e Rojës, 15 janar 1996, faqe 14 pohon: «Ky libër me 192 faqe mund të studiohet në një periudhë kohore relativisht të shkurtër dhe ata që ‘me të drejtë janë të prirur për jetën e përhershme’ duhet të kenë mundësi që me anë të studimit të tij, të mësojnë aq sa t’i dedikohen Jehovait e të pagëzohen.»—Veprat 13:48, BR.
5 Shtojca e Shërbimi ynë i Mbretërisë, qershor 1996, «Si të bëjmë dishepuj me librin Njohuria», na dha këtë synim: «Në varësi të rrethanave dhe të aftësive të studentit, mund të kesh mundësi që ta trajtosh shumicën e kapitujve në një sesion që mund të zgjasë një orë a diçka e tillë, pa e bërë studimin shpejt e shpejt. Studenti do të bëjë më shumë përparim, atëherë kur si mësuesi, ashtu edhe studenti e respektojnë takimin për studim çdo javë.» Artikulli vazhdonte duke thënë: «Duhet pritur që deri në atë kohë kur personi e ka përfunduar studimin me librin Njohuria, sinqeriteti dhe interesi i thellë për t’i shërbyer Perëndisë do të jetë bërë i dukshëm.» Kutia e Pyetjes në Shërbimi ynë i Mbretërisë, tetor 1996 shpjegonte: «Pritet që brenda një periudhe kohore relativisht të shkurtër, një mësues i efektshëm të jetë në gjendje për të ndihmuar një student të sinqertë të zakonshëm që të fitojë njohuri të mjaftueshme, aq sa për të marrë një vendim racional për t’i shërbyer Jehovait.»
6 Libri Njohuria bën që të arrihen rezultate: Kur u pagëzua, një e re tregoi se ç’mendonte rreth studimit me librin Njohuria. Për njëfarë kohe, ajo kishte studiuar me librin Të jetosh përgjithmonë. Kur doli libri Njohuria, motra me të cilën studionte e kaloi studimin me këtë libër të ri. Shpejt studentja mundi të kuptonte se tani pritej një vendim nga ana e saj dhe që nga ai moment u nxit të bënte progres të shpejtë. E reja, tani një motër, thotë: «Libri Të jetosh përgjithmonë më ndihmoi ta doja Jehovain, por libri Njohuria më ndihmoi që të merrja vendimin për t’i shërbyer atij.»
7 Shiko se sa shpejt e mësoi të vërtetën një grua tjetër. Pas studimit të dytë që kishte bërë, ajo ndoqi një mbledhje në Sallën e Mbretërisë gjatë vizitës së mbikëqyrësit qarkor. Atë javë, kur ishte hera e tretë që bënte studim, i thotë atij se kishte bërë dedikimin ndaj Jehovait dhe se donte të bëhej një lajmëtare e papagëzuar. Ajo u takua me pleqtë të cilët e miratuan si lajmëtare dhe javën që pasoi filloi shërbimin në fushë. Ajo u dha aq shumë pas studimit biblik që bënte, saqë mori lejen nga puna me qëllim që të studionte dy ose tre herë në javë dhe kushtoi edhe më shumë kohë në shërbim. Disa herë ato trajtonin dy ose tre kapituj në një sesion. Ajo filloi ta zbatonte atë që po mësonte në çdo fushë të jetës së saj, e përfundoi librin Njohuria për katër javë dhe përparoi deri në pagëzim!
8 Burri i një motre tregon për veten se ka qenë «një bashkëshort tipik jobesimtar». Një ditë, një vëlla i ofroi një studim me librin Njohuria, me kusht që ai të mund ta ndërpriste atë ose që pas studimit të parë ose kur të donte pas kësaj. Burri pranoi që ta provonte njëherë, megjithëse nuk kishte qenë një nxënës dhe aq i mirë në shkollë dhe për më shumë se 20 vjet nuk kishte studiuar ndonjë literaturë fetare. Cili ishte reagimi i tij kur filloi studimin me librin Njohuria? Ai tha: «Ishte një kënaqësi e vërtetë të shihje që ky botim ndihmës për studimin e Biblës ishte shkruar në një mënyrë kaq të thjeshtë. Informacioni ishte paraqitur në një mënyrë kaq të qartë dhe logjike, saqë shpejt mezi po prisja studimin tjetër. Mësuesi im ndoqi me mjeshtëri metodat e bërjes së dishepujve të dhëna nga Shoqata dhe me ndihmën e frymës së Jehovait, u pagëzova katër muaj më vonë. Me të vërtetë mund të them se nëse zhvillojmë një dashuri për veprën e bërjes së dishepujve, nëse vazhdojmë të kërkojmë në shërbim ata me zemër të drejtë, nëse përdorim librin Njohuria dhe pajisjet e tjera ndihmëse për studimin e Biblës të dhëna nga Shoqata dhe ajo që është më e rëndësishmja, nëse i lutemi Jehovait për drejtim, mund të kemi privilegjin e veçantë të dhënies së ndihmës në bërjen e dishepujve.» Përvojat e mësipërme, janë me të vërtetë të rralla. Shumica e studentëve tanë, nuk vijnë kaq shpejt në të vërtetën.
9 Shpejtësia e përparimit të studentëve është e ndryshme: Duhet pranuar se aftësitë si të mësuesve, ashtu edhe të nxënësve që studiojnë Fjalën e Perëndisë mund të ndryshojnë në një masë të konsiderueshme. Rritja frymore mund të jetë e ngadaltë ose e shpejtë. Disa studentë, përparojnë më shpejt se të tjerët. Shpejtësia e rritjes frymore të një personi ndikohet nga arsimimi i tij, shkalla e çmueshmërisë që ka për gjërat frymore dhe thellësia e devotshmërisë së tij ndaj Jehovait. Jo çdo person me të cilin studiojmë ka «etje më të madhe mendjeje» për të studiuar Shkrimet çdo ditë, siç bënin bereasit e lashtë që u bënë besimtarë.—Vep. 17:11, 12, BR.
10 Ja pse shtojca e Shërbimi ynë i Mbretërisë, prill 1998, «Kërkohen më shumë studime biblike», jep këtë udhëzim realist: «Natyrisht, jo të gjithë studentët e Biblës përparojnë me të njëjtën shpejtësi. Disa nuk janë aq të prirur ndaj gjërave frymore sa të tjerët as aq të shpejtë për të thithur gjërat që u mësohen. Të tjerët bëjnë një jetë shumë të ngarkuar dhe mund të mos jenë në gjendje të kushtojnë kohën e duhur për të përfunduar një kapitull të tërë çdo javë. Kështu, në disa raste, mund të jetë e nevojshme të bëhet më shumë se një sesion studimi, për të përfunduar disa kapituj dhe kërkohen disa muaj më shumë për të përfunduar librin.»
11 Si bërës të dishepujve, mbani një pikëpamje të ekuilibruar: Është e nevojshme që të vlerësojmë ritmin me të cilin studiojmë, në varësi të rrethanave dhe aftësive të studentit. Pasi jemi inkurajuar që të fillojmë studime me broshurën Çfarë kërkon, mund të na nevojiten dy deri tre muaj për ta mbaruar atë para se të fillojmë me librin Njohuria. Nëse i përdorim të gjitha sugjerimet e dhëna në shtojcën e Shërbimi ynë i Mbretërisë, qershor 1996, mund të nevojiten akoma gjashtë deri nëntë muaj të tjerë për të përfunduar librin Njohuria. Disa që sapo kishin filluar një studim me këtë libër, kaluan me broshurën Çfarë kërkon?, për ta ndihmuar studentin që t’i mësonte edhe më shpejt të vërtetat biblike. Pastaj filluan sërish studimin me librin Njohuria. Nëse studimi ka filluar me këtë libër dhe ecën mirë, mund të jetë dobiprurëse që pas përfundimit të tij, të studiohet me broshurën Çfarë kërkon?, duke bërë kështu një rishikim të shpejtë të të vërtetave bazë të Fjalës së Perëndisë. Sidoqoftë, nuk është mirë që për hir të shpejtësisë ta pengojmë studentin që të fitojë një kuptueshmëri të qartë. Çdo studenti i nevojitet një bazë e fortë për besimin e tij të sapogjetur në Fjalën e Perëndisë.
12 Duke ditur se ku jemi në rrjedhën e kohës, më tepër se kurrë më parë është urgjente që t’i ndihmojmë të tjerët të mësojnë të vërtetën. Le të lutemi vazhdimisht jo vetëm për të filluar studime të reja biblike, por edhe për ata që tashmë studiojnë me ne. Atëherë do të jetë gëzimi ynë që të vazhdojmë të pagëzojmë edhe më shumë dishepuj «gjithë ditët deri në përfundim të sistemit të gjërave».—Mat. 28:20, BR.