Kutia e pyetjes
◼ Çfarë botimesh duhet të vendosen në bibliotekën e Shkollës së Shërbimit Teokratik?
Për dobinë e popullit të Perëndisë është siguruar një bollëk botimesh frymore. Meqenëse shumë lajmëtarë nuk i kanë personalisht të gjitha ato, biblioteka e Shkollës së Shërbimit Teokratik në Sallën e Mbretërisë, siguron mjetet për kërkim në këto botime, të cilat përndryshe nuk do të ishin në dispozicion. Prandaj, ajo duhet të jetë e pajisur mirë me një varietet përkthimesh të Biblës, botimet e fundit të Shoqatës, kopje të Shërbimi ynë i Mbretërisë, çdo numër të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni!, si dhe Treguesin e botimeve Watch Tower. Përveç këtyre, duhet shtuar dhe një fjalor i mirë i kohës. Nëse janë në dispozicion, mund të jenë të dobishëm edhe enciklopeditë, atlaset ose librat e referimeve mbi gramatikën dhe historinë. Megjithatë, përqendrimi ynë parësor duhet të jetë mbi botimet e siguruara nga «skllavi i besueshëm dhe i matur».—Mat. 24:45.
Në disa raste është raportuar se në bibliotekën e Shkollës së Shërbimit Teokratik, janë vendosur libra të një natyre të dyshimtë. Nuk do të ishte e përshtatshme që në të të përfshihej material historish të trilluara, komentarë biblikë që theksojnë kritikën e lartë, apo libra mbi filozofinë ose spiritizmin. Biblioteka e Shkollës së Shërbimit Teokratik duhet të përfshijë vetëm material, i cili do t’i aftësonte ata që e përdorin, për të bërë përparim të vazhdueshëm frymor.—1. Tim. 4:15.
Mbikëqyrësi i shkollës është përgjegjës për bibliotekën, ndonëse mund të jetë caktuar një vëlla tjetër për ta ndihmuar që të kujdeset për të. Ai duhet të shohë nëse biblioteka është e përditësuar, duke i shtuar botimet e reja sapo ato vihen në dispozicion. Çdo libri, në kapakun e brendshëm, duhet t’i jetë shënuar qartë emri i kongregacionit të cilit i përket. Çdo vit, librat duhen kontrolluar për të parë nëse ndonjëri ka nevojë për riparim apo zëvendësim.
Gjithësecili mund të bashkëpunojë në kujdesin për bibliotekën. Duhet ushtruar kujdes në mirëmbajtjen dhe përdorimin e librave. Fëmijëve nuk u duhet lejuar që të luajnë me to dhe askush nuk duhet të shkruajë brenda tyre. Në bibliotekë mund të vendoset një tabelë e thjeshtë, si një përkujtues që librat nuk duhen nxjerrë nga Salla e Mbretërisë.
Me kongregacionet e reja që formohen vazhdimisht, ka të ngjarë që shumë biblioteka të jenë të kufizuara në madhësinë e tyre. Disa lajmëtarë që kanë botimet tona të vjetra, mund të shqyrtojnë dhurimin e tyre për kongregacionin. Pleqtë mund të kenë dëshirë që të porositin ribotimet e Shoqatës të vëllimeve të lidhura të Kullës së Rojës. Në këto mënyra, biblioteka e Shkollës së Shërbimit Teokratik do të provojë se është shumë e dobishme në ndihmën që do t’u japë të gjithëve, për të zbuluar thesaret e fshehura të Fjalës së Perëndisë, të cilat japin njohuri, mençuri dhe kuptueshmëri.—Prov. 2:4-6.