Si të organizojmë një bibliotekë teokratike
SHEREZADJA, një vajzë e vogël spanjolle, shumë e zgjuar, ishte katër vjeçe kur mësuesja u tha nxënësve të ngjyrosnin pikturat e «Babagjyshit të Vitit të Ri». Menjëherë, Sherezade kërkoi që t’i lejohej të mos merrte pjesë. Shpjegoi se ndërgjegja e saj nuk e lejonte ta bënte këtë.
E mahnitur nga kundërshtimi i saj, mësuesja i tha se kjo ishte njësoj sikur të ngjyrosje pikturën e një kukulle dhe se nuk kishte asgjë të keqe në këtë. Sherezadja iu përgjigj: «Nëse është vetëm një kukull, do të preferoja të vizatoja vetë një kukull, nëse nuk ke ndonjë kundërshtim.»
Në një rast tjetër, klasës iu tha të ngjyroste flamurin kombëtar. Edhe një herë, Sherezadja pyeti nëse mund të bënte diçka tjetër. Për të shpjeguar motivet e saj, i tregoi mësueses historinë e Sadrakut, Mesakut, dhe Abednegut.—Danieli 3:1-28.
Jo shumë pas kësaj, mësuesja i telefonoi të ëmës së Sherezades për t’i shprehur habinë e saj. «Vajza jote në raste të ndryshme më ka folur për ndërgjegjen e saj,—i tha.—A mund ta imagjinosh? Një vajzë në moshën e saj të më shpjegojë se përse e shqetëson ndërgjegja! Shiko, unë nuk jam dakord me ato që i mëson, por jam e sigurt se ja ke arritur. Dhe dua që ta dish se e admiroj shumë vajzën tënde.»
Si mund të zhvillojë një vajzë katër vjeçare një ndërgjegje të stërvitur sipas Biblës? Nëna e saj, Marina, shpjegon se Sherezadja në dhomën e saj ka bibliotekën e saj teokratike. Biblioteka përfshin kopjet e saj personale të Kullës së Rojës, të cilat i ka nënvizuar, literaturat që i përdor për të predikuar dhe të gjitha botimet e Shoqatës (Watch Tower) që kanë dalë qëkur ka lindur. Pika e dobët e bibliotekës së saj është Libri im i Tregimeve Biblike në kasetë, të cilën e dëgjon çdo natë dhe ndërkohë e ndjek edhe në librin e saj. Ishin këto tregime biblike që i dhanë mundësi të merrte vendimet që përmendëm më lart.
A mund të të ndihmojë ty dhe fëmijët e tu një bibliotekë e organizuar mirë? Përse është e domosdoshme të kesh një bibliotekë në shtëpi?
«Një bibliotekë nuk është një luks»
«Një librari nuk është një luks, por një domosdoshmëri në jetë», deklaroi Henry Ward Beecher. Ndoshta pa e ditur, pothuaj të gjithë e kemi një të tillë. Në ç’kuptim? Sepse edhe nëse do të zotëronim vetëm një Bibël, në njëfarë mënyre kemi një lloj biblioteke.
Bibla është me të vërtetë një bibliotekë teokratike që ka epërsi. Në shekullin e katërt, Jerome krijoi shprehjen latine Bibliotheca Divina (Biblioteka hyjnore) për të përshkruar koleksionin e plotë të librave të frymëzuara që e quajmë Bibël. Jehovai na ka sigururar këtë bibliotekë të shenjtë për të na ndihmuar, mësuar dhe udhëhequr në një mënyrë praktike. Është diçka që kurrë nuk duhet ta nënvlerësojmë. Pasja e një Bible të tërë, do të thotë të kesh një bibliotekë më të gjerë se ç’kanë pasur shumica e shërbëtorëve të Perëndisë në të kaluarën.
Kur në dispozicion ishin vetëm kopje të shtrenjta dorëshkrimesh, shumë pak shtëpi private mund të mburreshin se kishin një Bibël të tërë. Kur Pavli, gjatë burgimit të tij të fundit në Romë, dëshironte të studionte Shkrimet, i kërkoi Timoteut t’i sillte disa rrotulla, ndoshta pjesë të Shkrimeve Hebreje nga Azia e Vogël. (2. Timoteut 4:13) Megjithatë, në sinagoga kishte një koleksion të rrotullave dhe si Jezui ashtu edhe apostulli Pavël i përdornin këto biblioteka në veprën e tyre të predikimit. (Luka 4:15-17; Veprat 17:1-3) Jemi të lumtur që Shkrimet sot janë më të arritshme se në shekullin e parë.
Falë shpikjes së makinave të shtypit, sot pothuaj të gjithë shërbëtorët e Perëndisë—pavarësisht nga gjuha që kanë—mund ta gjejnë tërë Biblën me një çmim të arsyeshëm. Kemi edhe mundësinë unike për ta zgjeruar këtë «bibliotekë» të shenjtë. Për gati një shekull, «skllavi besnik dhe i matur» ka qenë i impenjuar për të siguruar ushqim frymor në kohën e duhur.—Mateu 24:45-47.
Por është e vështirë që t’i shfrytëzojmë në mënyrë të plotë këto informacione me vlerë të paçmueshme, nëse nuk organizojmë një bibliotekë teokratike personale. Si mund ta krijojmë atë? Hapi i parë, është të sigurojmë librat e nevojshëm. Ja vlen të bëhen këto përpjekje, pasi kjo do të na bëjë të aftë që t’i dimë në majë të gishtave informacionet e çmuara që na nevojiten për të zgjidhur problemet dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve biblike.
Çfarë librash më nevojiten?
A ke menduar ndonjëherë se si mund të zgjidhësh një problem komunikimi në martesën tënde apo se si mund t’i ndihmosh fëmijët e tu t’i thonë jo drogës? Si mund të ndihmosh një mik që vuan nga depresioni? A mund të shpjegosh në mënyrë të qartë se çfarë dëshmie kemi që Perëndia ekziston apo pse i lejon ai ligësitë? Çfarë përfaqëson bisha e egër me ngjyrë të kuqe të ndezur, përshkruar në kapitullin e 17-të të Zbulesës?
Nëse ke një bibliotekë teokratike të mjaftueshme, mund të gjesh përgjigjet e këtyre pyetjeve si edhe pyetjeve të tjera të panumërta. Shoqata Watchtower ka botuar libra, broshura dhe revista që trajtojnë një shumëllojshmëri të gjerë të argumenteve biblike. Për më tepër, këto literatura trajtojnë edhe çështje familjare, ndërtojnë besimin tonë tek Perëndia dhe Bibla, na ndihmojnë që të përmirësojmë aftësitë tona për të predikuar dhe na ndihmojnë të kuptojmë profecitë biblike.
Shumica e literaturës së botuar nga Shoqata gjatë 20 vjetëve të fundit, është akoma në dispozicion. Nëse je në të vërtetën nga pak kohë, do të bëje mirë po të merrje të gjitha veprat që janë në dispozicion në gjuhën tënde. Ndoshta në gjuhën tënde, janë në dispozicion volumet e lidhura të Kullës së Rojës së viteve të kaluara. Në gjuhë të ndryshme madje, kanë qenë botuar vepra të mrekullueshme referimi, si Mendjehollësi mbi Shkrimet dhe Renditja e plotë e fjalëve biblike. Megjithatë, sigurimi i këtyre botimeve është vetëm hapi i parë.
Organizoje mirë bibliotekën tënde!
Të dish që ke një libër diku është një gjë, por ta gjesh atë që të nevojitet është diçka tjetër. Nëse harxhojmë shumë kohë për të gjetur veprën e referimit që na nevojitet, ka mundësi që ta humbim interesin mbi çështjen. Por nëse i kemi librat të renditura mirë dhe në një vend të përshtatshëm, do të jemi më të prirur për të bërë kërkime personale.
Nëse është e mundur, do të jetë e dobishme ta kemi pjesën më të madhe të librave teokratikë në një vend. Nëse nuk kemi mundësi të blejmë një bibliotekë të gatshme, mund të bëjmë rafte librash që kushtojnë më pak dhe zënë më pak vend. Gjithashtu, ka rëndësi nëse biblioteka është në një vend që e kemi të lehtë për ta arritur. Librat që lihen në papafingo, zakonisht nuk shërbejnë pasi mbulohen nga pluhuri.
Hapi tjetër është renditja e librave. Të harxhosh vetëm pak kohë në renditjen e librave do të thotë të kesh shumë avantazhe.
Ç’mund të themi nëse pjesa më e madhe e familjes nuk janë Dëshmitarë të Jehovait? Edhe nëse nuk do të kesh mundësi të organizosh një bibliotekë ashtu siç do ta dëshiroje, në dhomën tënde mund të kesh një raft ku të mbash të paktën disa nga botimet biblike.
Një bibliotekë teokratike mund të të ndërtojë nga ana frymore
Pasi i kemi sistemuar librat, na nevojitet një sistem që të na ndihmojë për ta gjetur më lehtë informacionin. Memorja mund të na lërë dhe ndoshta nuk mund të kemi personalisht familjaritet me përmbajtjen e çdo libri në bibliotekën tonë teokratike. Megjithatë, të gjitha informacionet në bibliotekë gjenden lehtë. Treguesi i Botimeve të Kullës së Rojës nëse është në dispozicion në gjuhën tënde, mund të të ndihmojë për të gjetur në një kohë të shkurtër informacione specifike mbi çdo argument.
Juliani, i cili ka shërbyer për shumë vjet si pionier special dhe plak kongregacioni, shpjegoi se e shikonte të domosdoshme përdorimin e Treguesit për t’i mësuar djalit më të vogël se si ta bëjë studimin personal. «Një ditë, Jairo, i cili është shtatë vjeç, erdhi nga shkolla dhe më pyeti: ‘Babi, çfarë thotë Shoqata për dinozaurët?’ Shkuam menjëherë tek Treguesi dhe kërkuam fjalën ‘dinozaur’. Pothuajse menjëherë gjetëm një seri artikujsh të revistës Zgjohuni! mbi këtë argument [8 shkurt 1990]. Jairo filloi t’i lexonte po atë ditë. Ai tashmë e di që biblioteka jonë teokratike ka informacion të dobishëm e praktik mbi çdo subjekt. Unë personalisht, jam i bindur se kur fëmijët tanë mësojnë të bëjnë një përdorim të mirë të bibliotekës teokratike, kjo i ndihmon të rriten frymësisht. Ata mësojnë të arsyetojnë dhe për më tepër zbulojnë se studimi personal mund të jetë i kënaqshëm».
Fausto, babai i Sherezades, vajza e përmendur në fillim, është i bindur që fëmijët duhet të mësohen sa më shpejt që është e mundur për të përdorur bibliotekën teokratike. «Ne tashmë i kemi mësuar Sherezades, e cila tani është 6 vjeç, se si ta përdorë Treguesin,—shpjegon ai.—Meqë ajo është e mahnitur pas ardhmërisë së Tokës Parajsore, e filluam duke i treguar fjalën ‘parajsë’ në Tregues dhe pastaj kërkuam në Kullën e Rojës artikujt që i referoheshin asaj. Zakonisht, i tregonim vetëm figurat. Megjithatë, me anë të kësaj metode, ajo mësoi se Treguesi është çelësi për të gjetur informacionet në bibliotekën tonë të shtëpisë. E kuptuam që e kishte kapur pikën, kur u kthye një ditë nga shkolla me një pyetje rreth festimit të Pashkëve. ‘Përse nuk kërkojmë tek Treguesi?’—e pyeti të ëmën.
Pavarësisht nga mosha që kemi, Bibla na inkurajon të «sigurohemi për të gjitha gjërat dhe të mbajmë atë që është e mirë». (1. Selanikasve 5:21, BR) Kjo kërkon që të shqyrtojmë se çfarë thonë Shkrimet. (Veprat 17:11) Nëse kemi një bibliotekë teokratike të organizuar mirë, një kërkim i tillë mund të jetë një kënaqësi. Çdo herë që e përdorim bibliotekën tonë për të përgatitur një fjalim, për të gjetur këshilla praktike se si mund të zgjidhim një problem, ose për të gjetur informacione interesante, do të na ngulitet në mendje vlera praktike e bibliotekës sonë.
Prindërit e Sherezades pohojnë qartë: «Në një shtëpi të krishterë, një bibliotekë teokratike sigurisht që nuk është një luks!»
[Kutia në faqen 30]
SI T’I SISTEMOSH LIBRAT?
Nuk ka rregulla strikte në mënyrën se si t’i organizosh librat. Megjithatë, nënndarjet që vijojnë, ilustrojnë një mënyrë se si mund t’i sistemosh librat, d.m.th sipas përmbajtjes.
1. Librat që analizojnë disa pjesë të Biblës varg për varg
(Shembuj: Njeriu më i madh i cili ka jetuar ndonjëherë, Zbulesa—Kulmi i saj madhështor është afër!, «Kombet do të njohin se unë jam Jehovai»—Si?, «U bëftë vullneti yt mbi Tokë»)
2. Librat mbi jetën familjare
(Shembuj: Si të bëhet e lumtur jeta familjare, Të rinjtë pyesin—Përgjigje praktike, Libri im i tregimeve biblike)
3. Biblat dhe veprat e referimit
(Shembuj: Përkthimi i Botës së Re të Shkrimeve të Shenjta—me referime, Bibla të tjera, Treguesi i botimeve Watch Tower, Renditja e plotë e fjalëve biblike, Mendjehollësi mbi Shkrimet, The Kingdom Interlinear Translation of the Greek Scriptures, një fjalor i mirë)
4. Libra që studiohen vazhdimisht në studimin e librit të kongregacionit dhe në Shkollën e Shërbimit Teokratik
5. Audiokaseta dhe video
6. Volumet e lidhura të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni!
7. Historia e Dëshmitarëve të Jehovait
(Shembuj: Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait, Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë)
8. Libra dhe broshura që i përdorim rregullisht në shërbim
(Shembuj: Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, Të arsyetojmë me anë të Shkrimeve, Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim? Njerëzimi në kërkim të Perëndisë, Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë)
[Figura në faqen 31]
Sherezadja tashmë është një studente e mirë biblike
[Figura në faqen 31]
Edhe pse i vogël, ky djalë di të përdorë një bibliotekë teokratike