«Besimi vjen nga dëgjimi»
1 Kur gjejmë dikë që është «i prirur në mënyrë të drejtë ndaj jetës së përhershme», është e nevojshme që të forcojmë besimin e atij personi në gjërat që ka dëgjuar. (Vep. 13:48, BR; Rom. 10:17) Me këtë synim, ne duhet të vazhdojmë lënien e revistave, duke u kthyer për të trajtuar temat e fundit dhe për të biseduar më shumë. Aty ku ka interes të vërtetë, mund të ofrohet një abonim. Sidoqoftë, mbaj në mendje qëllimin për të filluar një studim me librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Këtu ka disa sugjerime që mund të jenë mjaft të dobishme:
2 Kur bën një rivizitë aty ku ke diskutuar më parë artikullin «Lavdëroni mbretin e përjetësisë!», ti mund të fillosh në këtë mënyrë:
◼ «Kur biseduam herën e kaluar, pamë disa nga dëshmitë e panumërta që provojnë se ka një Perëndi të plotfuqishëm. Sidoqoftë, vetëm të qenit të vetëdijshëm për ekzistencën e tij nuk mjafton. Ne kemi nevojë të njohim emrin e tij. Me çfarë emri e thërrisni ju Perëndinë? [Lëre të përgjigjet.] Miliona njerëz e thërrasin atë thjesht me emrat ‘Zot’ ose ‘Perëndi’, të cilët janë tituj të përgjithshëm. Përveç kësaj, ai dëshiron që ne ta njohim atë me emrin e tij. [Lexo Psalmin 83:18.] Bibla na tregon shumë më tepër mbi Perëndinë Jehova, siç është shpjeguar edhe në këtë libër.» Trego ilustrimin në faqen 29 të librit Njohuria dhe lexo diçiturën. Pasi ke diskutuar tre paragrafët e parë në kapitullin 3, ke filluar kështu një studim!
3 Për ata me të cilët konsideron artikullin «Përse do të marrë fund feja botërore?», ti mund të dëshirosh të ndjekësh interesin, duke thënë:
◼ «Pasi lexuat artikullin, mund t’ju ketë bërë përshtypje fakti që nuk mund t’i shohim të gjitha fetë në të njëjtën mënyrë. Ekzistojnë si feja e vërtetë, ashtu edhe feja e rreme. Kjo ngre një pyetje logjike. Cilin adhurim pranon Perëndia? Përgjigjja u dha nga Jezu Krishti dhe është e nënvizuar në këtë libër.» Kthehu tek kapitulli 5 në librin Njohuria dhe lexo paragrafin 4, duke përfshirë edhe Gjonin 4:23, 24. Më pas pyet: «A do të kishit dëshirë të pranonit një studim biblik pa pagesë, në shtëpi?» Në qoftë se përgjigjja është pozitive, kthehu në kapitullin 1 dhe fillo studimin.
4 Nëse tregohet interes mbi revistën «Zgjohuni!» të muajve prill-qershor, kur të kthehesh, mund të përpiqesh për të filluar një studim me librin «Njohuria» me këtë prezantim:
◼ «Ju mund të kujtoni që ne bëmë një bashkëbisedim mbi perspektivën tonë për të parë një botë pa luftë. Është e vështirë të përfytyrosh se si do të jetë në të vërtetë. Këtu kemi konceptimin e një artisti për këtë gjë. [Trego ilustrimin në faqet 188-189 në librin Njohuria.] A nuk do të ishte një kënaqësi që të jemi në gjendje të gëzojmë këto ambiente? [Kthehu tek faqet 4-5, trego ilustrimin dhe lexo kutinë.] Titulli i këtij libri është i ngjashëm me fjalët e Jezuit, që gjenden në Gjonin 17:3. [Lexo.] Nëse është e mundur, kam dëshirë të të tregoj se si mund të përdoret ky libër, bashkë me Biblën tuaj, për të gjetur këtë njohuri jetëshpëtuese.» Nëse pronari i shtëpisë ka dëshirë, fillo studimin në kapitullin e parë.
5 Nëse takon një person, i cili ishte i zënë kur e vizitove fillimisht, kur të kthehesh mund t’i thuash:
◼ «Kur ju vizitova kohët e fundit, ju lashë kopjet e revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Këto revista ndërtojnë respektin për Biblën dhe për udhëheqjen e saj morale. Duke menduar se është thelbësore që çdo njeri të kuptojë Fjalën e Perëndisë, kam ardhur përsëri t’ju tregoj diçka që do t’ju ndihmojë ta bëni këtë.» Trego librin Njohuria dhe vër theksin mbi përmbajtjen në faqen 3. Pyet se cili kapitull i duket më interesant, kthehu tek ai kapitull dhe fillo studimin.
6 Gëzimi ynë do të jetë i madh, nëse jemi në gjendje t’u ‘hapim të tjerëve derën e besimit’, duke i çuar në jetën e përjetshme.—Veprat 14:27; Gjoni 17:3.