Të rinjve u duhet një shembull i mirë
1 Ne gëzohemi të kemi një numër në rritje të të rinjve që «lavdërojnë emrin e Jehovait». (Psal. 148:12, 13) Shumë prej tyre janë akoma të rinj në moshë. Përparimi i tyre është i përcaktuar kryesisht nga stërvitja dhe shembulli i siguruar prej prindërve të tyre dhe të moshuarit e tjerë në kongregacion. Megjithatë, nuk duhet injoruar ndikimi që ushtrojnë të rinjtë e tjerë, veçanërisht adoleshentët e rritur dhe të rinjtë më të mëdhenj në moshë. Nëse ti bën pjesë në këtë grup moshe, këto vërejtje mund të jenë të dobishme për ty.
2 Të rinjtë, para adoleshencës së tyre, kanë prirje të imitojnë adoleshentët e rritur. Ata kanë dëshirën e natyrshme për të qenë miq të ngushtë të atyre që admirojnë. Ata kanë prirje për të admiruar të rinjtë e tjerë që janë më të mëdhenj dhe që mbahen si të ditur dhe më të dalluar. Si rezultat, ata mund të imitojnë të folurit dhe sjelljen e tyre si dhe çmueshmërinë e tyre për vlerat frymore dhe pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet e kongregacionit.
3 Si adoleshent i rritur, ti ke një privilegj si dhe një përgjegjësi të rëndë. Tani, shembulli yt ndoshta po ndikon në shokët e tu që janë të rinj. Pyet veten: ‘Çfarë lloj ndikimi ushtroj unë mbi të rinjtë? A jam me mendje serioze, duke shmangur marrëzitë dhe «dëshirat e gabuara të rastit të rinisë»? A po tregoj unë bindje dhe respekt ndaj prindërve të mi, pleqve të kongregacionit dhe personave të tjerë të moshuar?’ (2. Tim. 2:22, BR; Kolos. 3:20) Ajo që ti thua dhe bën mund të jetë një faktor i rëndësishëm në përparimin frymor të të rinjve të tjerë që vërejnë veprimet e tua.
4 Predikimi i mesazhit të Mbretërisë është vepra kryesore e kongregacionit. Pjesëmarrja jote e rregullt dhe e vullnetshme mund të inkurajojë shokët e tu që të jenë më aktivë. Nëse ti mund të fillosh shërbimin si pionier, miqtë e tu do të nxiten të bëjnë të njëjtën gjë. Duke bërë komente në mbledhje dhe duke ofruar vullnetarisht ndihmën tënde në kryerjen e detyrave të nevojshme në Sallën e Mbretërisë, mund të paraqesësh gjithashtu një shembull të mirë.
5 Edhe pse Timoteu e kishte kaluar moshën e adoleshencës kur Pavli i dha atij këtë këshillë për të ndjekur, ti që je adoleshent mund ta aplikosh atë: «Bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në besim, në dëlirësi.» (1. Tim. 4:12, BR) Pjesëmarrja jote entuziaste dhe me gjithë shpirt në shërbim të Jehovait mund të nxitë në një mënyrë pozitive shokët e tu dhe të rinjtë që të vërejnë, duke i ndihmuar ata që të përparojnë derisa të bëhen burra të rritur plotësisht nga ana frymore. (Efes. 4:13) Adoleshentët që janë pjesë e familjeve që sapo kanë filluar të studiojnë, mund të tërhiqen nga e vërteta për shkak të asaj që shohin tek ti.
6 Dhe çka është më e rëndësishme, zelli yt në demonstrimin e cilësive hyjnore nderon Jehovain dhe organizatën e tij. (Prov. 27:11) Vëzhguesit e sinqertë do të mrekullohen nga kontrasti i dukshëm ndërmjet teje dhe të rinjve të botës. Kështu, ti ke një rast unik për të ndihmuar të rinjtë, ndërsa je duke dhënë një kontribut të vlefshëm për lavdinë e Jehovait.—Psal. 71:17.