Të kryejmë me efektshmëri shërbimin tonë jetëshpëtues
1 Apostulli Pavël e përshtaste mënyrën e tij të prezantimit të lajmit të mirë me qëllim që «të shpëtonte me çdo kusht ndonjërin». (1. Kor. 9:19-23) Ngjashëm, edhe ne do të kemi sukses nëse do të jemi të zgjuar që të dallojmë se çfarë i intereson të zotit të shtëpisë dhe të gatshëm për t’ia përshtatur prezantimin nevojave të tij. Nuk duhet të jetë e vështirë të bëjmë këtë nëse ofrojmë Kullën e Rojës ose njërën prej broshurave.
2 Pasi të jeni prezantuar, mund të filloni duke thënë me fjalët tuaja diçka të tillë:
◼ «Shumë njerëz humbin çdo shpresë përpara paaftësisë së dukshme të qeverive të botës për të gjetur zgjidhje praktike për problemet e kohës sonë. Bile, disa ia hedhin fajin qeverive për problemet e tyre. A mendon se ndonjë qeveri mund të jetë në gjendje që të kujdeset në mënyrë të përshtatshme për të gjitha nevojat tona? [E lëmë të përgjigjet]. A e dije që një burim i besueshëm ka premtuar një qeveri që do të eliminojë përfundimisht të gjitha problemet tona?» Dëgjoni me vëmendje çfarë përgjigje jep i zoti i shtëpisë. Dhe sipas asaj që thotë jini të gatshëm të vazhdoni me një prezantim të ndryshëm.
3 Nëse vërejmë se i zoti i shtëpisë mbahet si i krishterë, mund ta pyesim nëse e di lutjen «Ati ynë». Nëse përgjigjja është afirmuese mund ta përsërisim lutjen model deri në pikën ku thotë: «Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt si në qiell ashtu edhe mbi tokë.» (Mat. 6:9, 10) Këto fjalë tregojnë se një ditë këtu mbi tokë do të bëhet vullneti i Jehovait. Mund t’i referohemi ndonjë artikulli të përshtatshëm të Kullës së Rojës ose të një broshure që e thellon këtë koncept, për shembull Qeveria e cila do të vendos[ë] parajsën, në faqen 3.
4 Nëse i zoti i shtëpisë tregon se nuk ka besim tek Perëndia, mund të lexoni Hebrenjve 3:4 dhe të hapni librezën A ekziston Perëndia i cili kujdeset për ne? në faqen 8. Lexoni paragrafin 9 dhe pyetjen në fund të faqes. Ose mund të bëni lidhje me informacione të tjera të përshtatshme të njërës prej revistave në vazhdim.
5 Nëse i zoti i shtëpisë duket i kënaqur nga jeta që bën, mund ta pyesni:
◼ «Përse duhet ta konsiderojmë seriozisht atë që thotë Bibla në lidhje me të ardhmen e qeverive?» Pastaj mund të përdorim shkrimet nga Bibla si Psalmet 46:9, 10; 72:16, Zbulesën 21:3, 4, Proverbat 2:22, ose Psalmin 85:10, 11 për të treguar disa nga bekimet që do të sjellë mbretëria e Perëndisë. Nëse i zoti i shtëpisë tregon interes, vazhdojeni bisedën me fletushkën A do të mbijetojë kjo botë?, duke filluar nga paragrafi i parë në faqen 2.
6 Nuk mund të themi se ia kemi dalë mbanë në vizitën fillestare nëse nuk e kemi nxitur oreksin e të zotit të shtëpisë për vizitën tjetër. Mos harroni, pra, t’i bëni një pyetje interesante dhe t’i premtoni se do t’ia thoni përgjigjen kur të ktheheni.
7 Në mes të informacioneve të mësipërme, zgjidhni më të përshtatshmet. Përshtatjani territorit tuaj. Fitoni përvojë me broshurat, fletushkat dhe artikujt e revistave që mendoni të përdorni kështu që mund t’ia përshtatni argumentimin tuaj nevojave të të zotit të shtëpisë. Le t’i përgatisim, pra, me kujdes prezantimet tona «për hir të lajmit të mirë», në mënyrë që të kryejmë me efektshmëri shërbimin tonë jetëshpëtues.—1. Kor. 9:23.