Si të marrim vendime që i pëlqejnë Perëndisë?
NJË amerikan shkoi në bankë me një çek prej 25.000 dollarësh. Qëllimi i tij ishte t’i fuste në bankë. Por punonjësi i bankës e këshilloi që t’i investonte në bursë, duke i thënë se, edhe pse koha kalon, bursës nuk i bie kurrë vlera. Kështu ai vendosi ta pranonte këtë këshillë. Por nuk kaloi shumë dhe pësoi humbje nga ky investim.
Ky rast tregon se nuk është e lehtë të marrësh vendime. Po ç’mund të themi për vendimet e tjera që duhet të marrim në jetë? Shpesh janë vendimet tona ato që na çojnë drejt suksesit ose dështimit, e madje, herët a vonë, drejt jetës a vdekjes. Po atëherë, si mund të jemi të sigurt se po marrim vendime të mençura?
«Kjo është udha»
Çdo ditë, duhet të vendosim se ç’të hamë, ç’të veshim, ku do të shkojmë e kështu me radhë. Disa vendime mund të duken të vogla, megjithatë mund të sjellin pasoja të rënda. Për shembull, vendimi për të ndezur cigaren e parë mund të jetë fillimi i një zakoni. Nuk duhet t’i nënvlerësojmë kurrë pasojat e vendimeve të vogla në dukje.
Ku mund të gjejmë drejtim kur na duhet të marrim një vendim, madje edhe për diçka të vogël në dukje? Do të ishte fantastike të kishim një këshillues të besueshëm që të na ndihmonte kur jemi përballë një vendimi të vështirë, apo jo?! Në të vërtetë, mund ta gjejmë një këshillues të tillë. Një libër i lashtë, praktik edhe për ditët e sotme, thotë: «Ngado që të shkoni, djathtas ose majtas, veshët tuaj do të dëgjojnë nga prapa fjalët: ‘Kjo është udha. Ecni në të!’» (Isaia 30:21) Të kujt janë këto fjalë? Dhe si mund të jemi të sigurt se mund t’i besojmë këtij drejtimi?
Këtë siguri e gjejmë në Bibël, një libër që e kanë lexuar miliona njerëz dhe kanë kuptuar se është frymëzuar nga Perëndia Jehova, nga Krijuesi. (2 Timoteut 3:16, 17) Jehovai njeh formimin dhe nevojat tona, ja pse është këshilluesi më i mirë për ne. Madje ai mund të parashikojë edhe të ardhmen, pasi është «Ai që thotë përfundimin qysh në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk kanë ndodhur; Ai që thotë: ‘Qëllimi im do të qëndrojë.’» (Isaia 46:10) Ja si e shprehu psalmisti besimin në fjalën e Jehovait: «Fjala jote është një llambë për këmbën time dhe një dritë për shtegun tim.» (Psalmi 119:105) Por, si na e ndriçon Jehovai shtegun tonë të jetës në një botë kaq të errët? Si të marrim vendime që i pëlqejnë Perëndisë?
Të zbatojmë parimet biblike
Perëndia Jehova u dha të krishterëve parime hyjnore në mënyrë që të merrnin vendime të mençura. T’i mësosh dhe t’i zbatosh parimet biblike është njëlloj si të mësosh dhe të praktikosh një gjuhë. Kur e ke mësuar mirë gjuhën, shpesh arrin t’i dallosh gabimet gramatikore që bëjnë të tjerët, sepse ajo që thonë të vret veshin. Ndoshta nuk je në gjendje ta përcaktosh nga ana gramatikore se çfarë nuk shkon në atë fjali, por je i sigurt që është gabim. Kur i njeh kaq mirë parimet biblike sa t’i bësh pjesë të jetës sate, zakonisht mund ta kuptosh kur një vendim është i gabuar, në mospërputhje me parimet e Perëndisë.
Le të marrim si shembull vendimin që duhet të marrë një i ri në lidhje me modelin e flokëve. Nuk ka asnjë urdhër në Bibël që dënon në mënyrë të veçantë një model të caktuar flokësh. Megjithatë shikoni se çfarë thotë një parim biblik. Apostulli Pavël shkroi: «Dëshiroj që gratë të stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë, jo me modele të gërshetimit të flokëve me ar e me margaritarë ose me rroba shumë të shtrenjta, por si u ka hije grave që pohojnë se nderojnë thellë Perëndinë, domethënë me anë të veprave të mira.» (1 Timoteut 2:9, 10) Pavli këtu flet për gratë, por parimi vlen si për gratë, ashtu edhe për burrat. Po cili është parimi në këtë rast? Pamja jonë e jashtme duhet të pasqyrojë modesti dhe mendje të shëndoshë. Kështu i riu mund të pyesë veten: ‘A tregon ky model flokësh modestinë e një të krishteri?’
Çfarë parimi të dobishëm mund të nxjerrë një i ri edhe nga fjalët e mëposhtme të apostullit Jakov? «O kurorëshkelëse, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Prandaj, kush dëshiron të jetë mik i botës, bëhet armik i Perëndisë.» (Jakovi 4:4) Të krishterët e urrejnë idenë e të qenët mik i botës, pasi kjo do të thotë armiqësi me Perëndinë. A do të dukej ky i ri me këtë model flokësh, që pëlqejnë bashkëmoshatarët, më shumë mik i Perëndisë apo mik i botës? Ai që bën këto lloj pyetjesh, që të marrë një vendim të mençur, mund të mbështetet në parime të tilla të bazuara në Bibël. Po, parimet e Perëndisë na ndihmojnë kur kemi për të marrë vendime. Dhe kur mësohemi të marrim vendime që bazohen në këto parime, është më e lehtë të arrijmë në përfundime të mençura që nuk sjellin pasoja të hidhura.
Mund të gjejmë shumë parime në Fjalën e Perëndisë. Sigurisht që mund të mos gjejmë një shkrim që këshillon tamam për problemin që kemi. Megjithatë mund të lexojmë për disa njerëz që i janë bindur udhëheqjes së Perëndisë dhe për disa të tjerë që e kanë shpërfillur. (Zanafilla 4:6, 7, 13-16; Ligji i përtërirë 30:15-20; 1 Korintasve 10:11) Duke lexuar këto tregime dhe duke shqyrtuar pasojat, do të arrijmë të kuptojmë disa parime që na ndihmojnë të marrim vendime sipas vullnetit të Perëndisë.
Le të shqyrtojmë një bisedë të shkurtër midis Jezu Krishtit dhe apostullit Pjetër. Njerëzit që mblidhnin dy drahmat e taksës e kishin pyetur Pjetrin: «A i paguan mësuesi juaj dy drahmat e taksës?» Pjetri i ishte përgjigjur: «Po.» Pak pas kësaj, Jezui e pyeti Pjetrin: «Nga cilët i marrin mbretërit e tokës tatimet ose haraçet për kokë? Nga bijtë e tyre apo nga të huajt?» Kur Pjetri iu përgjigj: «Nga të huajt», Jezui i tha: «Ashtu është, bijtë janë të përjashtuar nga taksat. Megjithatë, që të mos bëhemi pengesë për ta, shko në det, hidh grepin dhe, peshkut të parë që do të kapësh, hapi gojën e do t’i gjesh një monedhë statere. Merre dhe jepua për mua e për vete.» (Mateu 17:24-27) Çfarë parimesh mund të nxjerrim nga ky tregim?
Duke bërë një sërë pyetjesh, Jezui e ndihmoi Pjetrin të arsyetonte: meqë ishte Biri i Perëndisë, Jezui përjashtohej nga taksat. Megjithëse Pjetri nuk e kuptoi ku donte të dilte Jezui, ai me butësi e ndihmoi ta kuptonte. Kur të tjerët gabojnë, edhe ne, duke imituar Jezuin, mund t’i trajtojmë me dhembshuri, e jo t’ua përplasim në fytyrë gabimet apo t’i dënojmë.
Pas kësaj, Pjetri arriti të kuptonte arsyen pse duhej ta paguante taksën, dhe kjo bëhej që të mos pengonte të tjerët. Ky është një mësim tjetër që nxjerrim nga ky tregim. Të marrim parasysh ndërgjegjen e të tjerëve është më e rëndësishme sesa të ngulim këmbë në të drejtat tona.
Çfarë na shtyn të marrim vendime që tregojnë respekt për ndërgjegjen e të tjerëve? Dashuria për të afërmin. Jezu Krishti na mësoi se urdhërimi që ta duam të afërmin si veten, është i dyti për nga rëndësia, pas urdhërimit që ta duam Perëndinë me gjithë shpirtin tonë. (Mateu 22:39) Megjithatë jetojmë në një botë egoiste dhe prirja jonë mëkatare na shtyn të jemi egoistë. Prandaj që ta duam të afërmin si veten, në fillim duhet të përtërijmë mendjen.—Romakëve 12:2.
Shumë kanë bërë ndryshimet e duhura dhe marrin parasysh ndërgjegjen e të tjerëve kur marrin vendime, të mëdha a të vogla qofshin. Pavli shkroi: «Ju, sigurisht, u thirrët në liri, vëllezër, vetëm mos e përdorni këtë liri si një shkas për mishin, por nëpërmjet dashurisë, shërbejini si skllevër njëri-tjetrit.» (Galatasve 5:13) Si mund ta bëjmë këtë? Për shembull, një vajzë u transferua në një qytezë për t’i ndihmuar njerëzit që të mësonin për Fjalën e Perëndisë. Kur fliste me ta, e kuptoi se veshja e saj, megjithëse modeste sipas standardeve të një qyteti të madh, nuk shihej me sy të mirë. Veshja dhe krehja e saj ishte modeste, megjithatë ajo vendosi që të vishte rroba akoma më të thjeshta, jo shumë të modës, «që të mos [shahej] fjala e Perëndisë».—Titit 2:5.
Po ti si do të kishe vepruar nëse do të të duhej të merrje ndonjë vendim që ka të bëjë me mënyrën se si vishesh e rregullohesh ose me aspekte të tjera ku futet shija personale? Mund të jesh i sigurt se Jehovai kënaqet kur merr vendime që tregojnë se shqetësohesh për ndërgjegjen e të tjerëve.
Të jemi largpamës
Përveç parimeve biblike dhe ndërgjegjes së të tjerëve, ç’ gjë tjetër duhet të kemi parasysh kur marrim një vendim? Megjithëse udha që ndjekin të krishterët është e vështirë dhe e ngushtë, ata kanë mjaft liri veprimi brenda kufijve që Perëndia ka përcaktuar. (Mateu 7:13, 14) Duhet të peshojmë mirë se si do të ndikojnë në të ardhmen vendimet tona në mirëqenien tonë frymore, mendore dhe fizike.
Ta zëmë se po mendon për të pranuar një punë. Ndoshta nuk ka asgjë të pamoralshme dhe të papërshtatshme në këtë punë për një të krishterë. Nuk të pengon për të ndjekur mbledhjet dhe kongreset e krishtere. Paga do të jetë më e lartë seç e kishe menduar. Punëdhënësi i vlerëson aftësitë e tua dhe do që t’i përdorësh plotësisht në këtë punë. Përveç këtyre, ty të pëlqen si punë. A ka arsye për të mos e pranuar këtë vend pune? Po nëse mendon se mund të lidhesh tepër me punën? Vërtet të kanë thënë se askush nuk do të të detyrojë të punosh jashtë orarit. Po mos vallë do ta sakrifikoje veten më shumë seç duhet për të mbaruar një projekt? Mos vallë do të ndodhë shpesh që të punosh jashtë orarit? A do të të merrte kohë nga koha që do të kaloje me familjen ose nga veprimtaritë e krishtere që nuk duhet t’i humbasësh kurrsesi?
Ja si mori Xhimi një vendim të mençur në lidhje me punën e tij. Punonte pa u lodhur dhe arriti lart e më lart në kompaninë ku punonte. Arriti të bëhej drejtori i administratës për veprimtaritë e kompanisë në vendet e Lindjes, drejtori i përgjithshëm në filialin e Shteteve të Bashkuara dhe anëtar i këshillit drejtues për filialet në Evropë. Por kur në Japoni pati një rënie të ekonomisë, ai e kuptoi se sa e kotë ishte të rendte pas parasë dhe pushtetit. Paratë që mezi i kishte fituar, u zhdukën sa hap e mbyll sytë. Tani jeta i dukej e pakuptimtë. ‘Çfarë do të jem duke bërë pas dhjetë vjetësh?’—pyeti veten. Pastaj e kuptoi se gruaja dhe fëmijët e tij kishin qëllime më domethënëse në jetë. Prej vitesh ata shoqëroheshin me Dëshmitarët e Jehovait. Edhe Xhimi donte të ishte i lumtur ashtu si edhe familja e tij. Kështu filloi të studionte Biblën.
Shumë shpejt Xhimi e kuptoi se mënyra e tij e jetesës nuk e lejonte të bënte një jetë plotësisht të krishterë. Udhëtimet e vazhdueshme në Azi, në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, nuk i linin kohë të studionte Biblën dhe të shoqërohej me bashkëbesimtarët. Duhej të merrte një vendim: ‘A do të vazhdoj jetën që kam bërë këto 50 vjetët e fundit apo do të filloj një jetë të re?’ Pasi iu lut Perëndisë, i peshoi mirë vendimet që duhej të merrte dhe pasojat e tyre në të ardhmen. Vendosi të linte të gjitha punët, përveç njërës, në mënyrë që të kishte kohë për veprimtaritë e krishtere. (1 Timoteut 6:6-8) Vendimi që mori e bëri më të lumtur, sepse i dha mundësi të përfshihej më tepër në këto veprimtari.
Vendimet e tua janë të rëndësishme, të mëdha a të vogla qofshin. Një vendim që mund të marrësh sot, mund të përcaktojë në të ardhmen suksesin ose dështimin tënd, e madje jetën ose vdekjen. Mund të marrësh vendime të mençura, nëse mendon për parimet e Biblës, ndërgjegjen e të tjerëve dhe pasojat e vendimit tënd në të ardhmen. Merr vendime sipas vullnetit të Perëndisë.
[Figura në faqen 13]
Vendimet e vogla në dukje mund të sjellin pasoja të rënda
[Figura në faqen 14]
Si mund ta ndihmojnë parimet biblike për të marrë një vendim të mençur?
[Figura në faqen 15]
Jezui i foli me dhembshuri Pjetrit