Melitoja i Sardës—Mbrojtës i të vërtetave biblike?
ÇDO vit, të krishterët e vërtetë përkujtojnë Darkën e Zotërisë në datën që korrespondon me 14 nisanin sipas kalendarit hebraik. Ata i binden urdhrit të Jezuit: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» Ishte pikërisht në këtë datë të vitit 33 të erës sonë kur Jezui, themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij flijuese, pasi kishte mbajtur Pashkën. Ai vdiq në perëndim të asaj dite.—Luka 22:19, 20; 1 Korintasve 11:23-28.
Gjatë shekullit të dytë të erës sonë, disa filluan ta ndryshonin datën dhe mënyrën e mbajtjes së Përkujtimit. Në Azinë e Vogël vazhduan të përkujtonin Jezuin në datën e vdekjes së tij. Megjithatë, ashtu siç thekson një vepër referimi, «në Romë dhe në Aleksandri u bë zakon që të përkujtohej ringjallja e tij të dielën pasuese» duke e quajtur kështu Pashka e Ringjalljes. Një grup i njohur si Kuartodeçimanët (Katërmbëdhjetëshit) përkrahu përkujtimin e vdekjes së Jezu Krishtit më 14 nisan. Melitoja i Sardës ishte i një mendimi me ta. Po kush ishte Melitoja? Në ç’mënyrë e mbrojti këtë të vërtetë biblike dhe të vërteta të tjera?
Një ‘ndriçues i madh’
Sipas Eusebit të Cezaresë në veprën e tij Histori Kishtare, Polikrati nga Efesi, në fund të shekullit të dytë, i dërgoi një letër Romës ku mbronte mbajtjen e «ditës së katërmbëdhjetë të Pashkës sipas Ungjillit, duke mos devijuar kurrë, por sipas rregullit të Krishterimit». Në këtë letër, thuhej se Melitoja, peshkopi i Sardës, në Lidia, ishte një prej atyre që mbrojtën 14 nisanin si datën që duhej përkujtuar. Në letër thuhej edhe se bashkëkohësit e tij e konsideronin Meliton një ndër ‘ndriçuesit e mëdhenj që kishin rënë në gjumë’. Polikrati tha se Melitoja nuk u martua dhe se «jetoi vetëm për çështjet që lidheshin me Frymën e Shenjtë dhe trupi i tij gjendet në Sardë duke pritur thirrjen qiellore që të ngrihej nga të vdekurit». Kjo do të thoshte që Melitoja ishte ndër ata që besonin se ringjallja nuk do të bëhej derisa të kthehej Krishti.—Zbulesa 20:1-6.
Pra, me sa duket, Melitoja duhet të ketë qenë njeri i guximshëm dhe i vendosur. Në të vërtetë, ai shkroi një Apologji për të krishterët, një nga të parat që janë dokumentuar, e cila i drejtohej Mark Aurelit, perandorit romak që qëndroi në fron nga viti 161 deri në vitin 180 të erës sonë. Melitoja nuk kishte frikë të mbronte krishterimin dhe të demaskonte njerëzit e ligj dhe lakmitarë. Këta njerëz, me justifikimin se po i bindeshin urdhrave të perandorit, i përndiqnin dhe i dënonin në mënyrë të padrejtë të krishterët vetëm që t’u vidhnin pasuritë që kishin.
Pa iu trembur syri, Melitoja i shkroi perandorit: «Kemi vetëm këtë kërkesë, që ti vetë t’i gjykosh ata që janë arsyeja e këtyre konflikteve [të krishterët], dhe të vendosësh me drejtësi, nëse meritojnë dënimin dhe vdekjen ose sigurinë dhe mbrojtjen. Por, nëse ky urdhër dhe dekret, që nuk është i drejtë as për armiqtë barbarë, nuk është prej teje, të përgjërohemi edhe më shumë që t’i japësh fund këtyre plaçkitjeve të paligjshme nga ana e atyre që na përndjekin.»
Përdori Shkrimet për të mbrojtur krishterimin
Melitoja tregoi interes të madh në studimin e Shkrimeve të Shenjta. Nuk e kemi listën e plotë të veprave të tij, megjithatë disa tituj tregojnë interesin që kishte për temat biblike. Disa prej tyre janë: Jeta e krishterë dhe profetët, Besimi i njeriut, Krijimi, Pagëzimi, e vërteta, besimi dhe lindja e Krishtit, Mikpritja, Çelësi, dhe Djalli dhe Apokalipsi i Gjonit.
Melitoja shkoi personalisht në vendet biblike, për të bërë kërkime për numrin e saktë të librave të Shkrimeve Hebraike. Në lidhje me këtë ai i shkroi një mikut të tij: «Prandaj, kur unë shkova në Lindje, në vendin ku këto gjëra u predikuan dhe u praktikuan, dhe pasi kisha mësuar saktë librat e Dhiatës së Vjetër dhe kisha mbledhur faktet, t’i dërgova ty.» Në këtë listë nuk përmendej libri i Nehemisë dhe Esterës, megjithatë ajo është lista më e vjetër e librave biblikë të Shkrimeve Hebraike e bërë nga ata që pohojnë se janë të krishterë.
Gjatë kërkimeve të tij, Melitoja mblodhi një sërë vargjesh nga Shkrimet Hebraike që profetizonin për Jezuin. Vepra e tij, me titull Fragmente, tregon se Jezui ishte Mesia i shumëpritur dhe se Ligji i Moisiut dhe profetët kishin profetizuar për Krishtin.
Mbrojti vlerën e shpërblesës
Në qytetet kryesore të Azisë së Vogël jetonin një numër i madh judenjsh. Judenjtë e Sardës, ku jetonte edhe Melitoja, e festonin Pashkën Hebraike më 14 nisan. Melitoja shkroi një fjalim fetar me titull Pashka që tregonte legjitimitetin e Pashkës nën Ligj dhe mbronte mbajtjen e Darkës së Zotërisë më 14 nisan.
Pas komenteve për kapitullin 12 të Eksodit, dhe pasi tregon që Pashka ishte një parapërgatitje për flijimin e Krishtit, Melitoja shpjegon pse nuk kishte kuptim që të krishterët të vazhdonin të mbanin Pashkën. Kjo sepse Perëndia e kishte shfuqizuar Ligjin e Moisiut. Pastaj ai shpjegon se përse nevojitej flijimi i Krishtit: Perëndia e vendosi Adamin në parajsë në mënyrë që të jetonte i lumtur. Por njeriu i parë nuk iu bind urdhrit që të mos hante nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes. Kështu lindi nevoja për një shpërblesë.
Melitoja shpjegoi më tej se Jezui u dërgua në tokë dhe vdiq në një shtyllë torturash për t’i çliruar nga mëkati dhe nga vdekja njerëzit që besonin. Është interesante se Melitoja përdori fjalën greke ksilon, që do të thotë «dru» për të përshkruar shtyllën ku vdiq Jezui.—Veprat 5:30; 10:39; 13:29.
Melitoja njihej edhe përtej Azisë së Vogël. Tertuliani, Klementi i Aleksandrisë dhe Origjeni i njihnin mjaft mirë shkrimet e tij. Megjithatë, historiani Raniero Kantalamesa shprehet: «Rënia e Melitos, e cila gradualisht çoi në zhdukjen e shkrimeve të tij, filloi kur—pasi triumfoi zakoni që të mbahej Pashka të Dielën—Katërmbëdhjetëshit nisën të konsideroheshin si heretikë.» Pastaj shkrimet dhe veprat e Melitos humbën pothuajse të gjitha.
Viktimë e apostazisë?
Pas vdekjes së apostujve, një apostazi e parathënë depërtoi në krishterimin e vërtetë. (Veprat 20:29, 30) Kuptohet që edhe Melitoja u infektua. Stili i ndërlikuar i shkrimeve të tij duket se pasqyron filozofinë greke dhe mentalitetin romak. Ndoshta kjo është arsyeja pse Melitoja e quajti krishterimin «filozofia jonë». Madje ai e quajti shkrirjen e të ashtuquajturit krishterim me perandorinë romake «provën më të madhe . . . të suksesit».
Sigurisht që ai nuk ia vuri veshin këshillës së apostullit Pavël: «Ruhuni që të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës, e jo në përputhje me mësimet e Krishtit.» Pra, megjithëse Melitoja i mbrojti deri në njëfarë mase të vërtetat biblike, në shumë aspekte i braktisi ato.—Kolosianëve 2:8.
[Figura në faqen 18]
Jezui e themeloi Darkën e Zotërisë më 14 nisan