Për çfarë do t’ju pëlqente ta pyetnit Perëndinë?
NJERËZ anembanë botës kanë pyetje serioze për jetën. Po ju? Shumë veta ua kanë bërë pyetjet udhëheqësve fetarë, por nuk kanë marrë përgjigje të kënaqshme. Të tjerë i kanë bluar në mendje këto pyetje. Disa janë lutur për drejtim. A është vërtet e mundur që të merrni përgjigje nga Perëndia rreth çështjeve që ju pështjellojnë? Ja disa prej pyetjeve që shumë veta kanë thënë se do t’u pëlqente t’ia bënin Perëndisë.
Kush je ti në të vërtetë, o Perëndi?
Mënyra se si njerëzit e shohin Perëndinë ndikohet nga kultura, feja e prindërve dhe ndoshta nga vetë zgjedhja e tyre. Disa përdorin një emër për Hyjninë e tyre; të tjerë thjesht e quajnë Zot. A ka vërtet rëndësi kjo? A ka vetëm një Perëndi të vërtetë që na e zbulon veten dhe emrin e tij?
Pse ka kaq shumë vuajtje?
Nëse dikush e ka dëmtuar rëndë shëndetin e tij ose është katandisur në varfëri për shkak të një mënyre jetese të shkujdesur ose imorale, mund të ankohet. Por mund t’a dijë mirë se përse po vuan.
Megjithatë shumë të tjerë vuajnë rëndë pa pasur ndonjë faj. Disa kanë sëmundje kronike. Të tjerë luftojnë kundër pengesave, në dukje të pakapërcyeshme, për të pasur një vend ku të futin kokën dhe ushqim të mjaftueshëm për familjen. Miliona njerëz janë viktima të krimeve, të luftërave, të dhunës së shfrenuar, të katastrofave natyrore ose të padrejtësive të shkaktuara nga njerëz me pozitë.
Mund të kuptohet se përse shumë veta pyesin: ‘Pse këto kushte janë përhapur kaq shumë? Pse i lejon Perëndia gjithë këto vuajtje?’
Pse ekzistoj? Cili është qëllimi i jetës?
Shpesh këto pyetje lindin si pasojë e zhgënjimit që provon një individ, veprimtaritë e përditshme të të cilit nuk i sjellin kënaqësi të vërtetë—dhe shumë njerëz provojnë zhgënjim të tillë. Miliona të tjerë besojnë se rrjedha e jetës së një personi është paracaktuar në njëfarë mënyre nga Perëndia. A është kështu? Në qoftë se Perëndia në të vërtetë ka ndonjë qëllim të veçantë për ju, pa dyshim që do të doni ta dini se cili është.
Nga të gjitha librat në botë, ekziston një libër që thotë qartë se është i frymëzuar nga Perëndia. Siç do të pritnit nga një mesazh që është vërtet prej Perëndisë për të gjithë njerëzimin, ky libër është në dispozicion në shumë më tepër gjuhë se cilido libër tjetër i shkruar ndonjëherë. Ai libër është Bibla e Shenjtë. Në të Krijuesi i qiellit dhe i tokës, vetë Perëndia, zbulon se kush është dhe cili është emri i tij. A e dini atë emër? A e dini se ç’lloj personi thotë Bibla se është Perëndia? A e dini se ç‘thotë Bibla lidhur me atë që kërkon Perëndia prej jush?
[Burimi i figurës në faqen 2]
KAPAKU: Chad Ehlers/Index Stock Photography
[Burimi i figurës në faqen 3]
Mal: Chad Ehlers/Index Stock Photography