KAPITULLI 1
Kush është Perëndia?
1, 2. Për çfarë pyesim shpesh?
FËMIJËT bëjnë shumë pyetje. Shpesh, sa u shpjegon një gjë, të pyesin: «Pse?» Kur mundohesh t’u japësh përgjigje, të pyesin prapë: «Po pse?»
2 Të gjithë kemi pyetje, të vegjël a të rritur qofshim. Për shembull, pyesim se çfarë do të hamë, çfarë do të veshim ose çfarë do të blejmë. Por mund të kemi edhe pyetje të rëndësishme që lidhen me jetën dhe të ardhmen. Ama, kur nuk gjejmë përgjigje të kënaqshme, mbase reshtim së kërkuari.
3. Pse shumë njerëz mendojnë se nuk i gjejnë dot përgjigjet e pyetjeve të rëndësishme?
3 A i ka Bibla përgjigjet e pyetjeve të rëndësishme që kemi? Disa mendojnë se po, por besojnë se Bibla është tepër e vështirë për t’u kuptuar. Sipas tyre, vetëm teologët ose priftërinjtë i dinë përgjigjet. Ndërsa disa të tjerëve u vjen zor ta pranojnë se nuk i dinë përgjigjet. Po ti, si mendon?
4, 5. Cilat pyetje të rëndësishme ke? Pse është e rëndësishme të vazhdosh t’i kërkosh përgjigjet?
4 Me shumë mundësi dëshiron të dish përgjigjet e pyetjeve, si: Përse ekzistoj? Çfarë ndodh pas vdekjes? Çfarë personi është Zoti? Jezui, Mësuesi i famshëm, tha: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni me ngulm dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.» (Mateu 7:7) Mos hiq dorë derisa të gjesh përgjigje të besueshme.
5 Po, nëse ‘vazhdon të kërkosh me ngulm’, do t’i gjesh përgjigjet në Bibël. (Proverbat 2:1-5) Këto përgjigje nuk janë tepër të vështira. Ato do të të ndihmojnë të kesh një jetë më të lumtur që sot, dhe një shpresë të jashtëzakonshme për të ardhmen. Le të shohim përgjigjen e një pyetjeje që ka pështjelluar shumë njerëz.
A E KA FAJIN ZOTI PËR VUAJTJET TONA?
6. Pse disa njerëz mendojnë se Perëndia nuk do t’ia dijë për vuajtjet e tyre?
6 Shumë njerëz mendojnë se Zoti nuk do t’ia dijë për ne. Ata thonë se, po të merakosej, bota do të ishte krejt ndryshe. Gjithandej ka luftëra, urrejtje dhe mjerim. Njerëzit sëmuren, vuajnë dhe vdesin. Ndaj disa pyesin veten: «Nëse Zoti merakoset për ne, pse nuk i zhduk vuajtjet?»
7. (a) Në ç’mënyrë udhëheqësit fetarë i kanë bërë njerëzit të besojnë se Perëndia është shkaktari i vuajtjeve? (b) Pse jemi të sigurt që nuk e ka fajin Perëndia për të këqijat që ndodhin?
7 Ndonjëherë udhëheqësit fetarë i bëjnë njerëzit të besojnë se vuajtjet i shkakton Perëndia. Kur ndodhin tragjedi, ata thonë se ky ishte vullneti i Zotit, se kështu donte ai. Në të vërtetë, me këto fjalë po fajësojnë Perëndinë. Por, Bibla mëson se Perëndia nuk është kurrë burimi i ligësisë. Jakovi 1:13 mëson se Perëndia nuk vë askënd në provë me qëllime të liga. Në të thuhet: «Kur has sprova [ose vështirësi], askush të mos thotë: ‘Po më vë në provë Perëndia’, sepse, me qëllime të liga, Perëndia nuk mund të vihet në provë e as ai vetë nuk vë njeri në provë.» Kjo do të thotë që, ndonëse Perëndia lejon të ndodhin gjëra të këqija, ai nuk i shkakton kurrë ato. (Lexo Jobin 34:10-12.) Le ta ilustrojmë.
8, 9. Pse do të ishte e padrejtë t’ia hidhnim fajin Perëndisë për problemet tona? Ilustroje.
8 Mendo për një të ri që jeton në shtëpi me prindërit. Babai e do shumë dhe e ka mësuar si të marrë vendime të mençura. Me kohë, ky i ri rebelohet ndaj babait dhe ikën nga shtëpia. Përzihet në gjëra të këqija dhe futet në telashe. A do t’ia vije fajin babait për telashet e të birit ngaqë nuk e ndaloi të ikte nga shtëpia? Patjetër që jo. (Luka 15:11-13) Ashtu si ky baba, Perëndia nuk i ndalon njerëzit kur zgjedhin të rebelohen e të bëjnë gjëra të këqija. Ja pse kur ndodh diçka e keqe, duhet të kujtojmë që nuk e ka shkaktuar Perëndia. Do të ishte e padrejtë t’ia hidhnim fajin atij.
9 Ka arsye madhore pse Perëndia vazhdon t’i lejojë gjërat e këqija. Në kapitullin 11 do të mësosh çfarë thotë Bibla për këtë. Gjithsesi mund të jesh i sigurt se Perëndia na do dhe nuk është kurrë shkaktari i problemeve tona. Ç’është e vërteta, vetëm ai është në gjendje t’i zgjidhë.—Isaia 33:2.
10. Pse jemi të sigurt se Perëndia do t’i ndreqë dëmet e shkaktuara nga të ligjtë?
10 Perëndia është i shenjtë. (Isaia 6:3) Gjithçka që bën ai është e pastër dhe e mirë. Ja pse mund t’i besojmë. Por njerëzit janë ndryshe. Ka raste që ata bëjnë gjëra të gabuara. Madje as qeveritari më i ndershëm nuk ka fuqi t’i ndreqë dëmet që shkaktojnë të ligjtë. Vetëm Perëndia e ka këtë fuqi. Ai ka edhe fuqinë, edhe dëshirën t’i ndreqë tërë dëmet e shkaktuara nga të ligjtë. Perëndia do ta zhdukë një herë e mirë ligësinë.—Lexo Psalmin 37:9-11.
SI NDIHET PERËNDIA KUR NJERËZIT VUAJNË?
11. Si ndihet Perëndia kur ti vuan?
11 Si ndihet Perëndia kur sheh gjërat që ndodhin në botë dhe atë që kalon ti? Bibla mëson se Perëndia «e do drejtësinë». (Psalmi 37:28) Për të ka shumë rëndësi çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Ndaj i pikon në zemër kur njerëzit vuajnë. Në Bibël thuhet se Perëndia «u hidhërua shumë në zemër» kur në të shkuarën bota u mbush me ligësi. (Zanafilla 6:5, 6) Ai nuk ka ndryshuar. (Malakia 3:6) Bibla thotë se Perëndia merakoset vërtet për ty.—Lexo 1 Pjetrit 5:7.
Bibla mëson se Jehovai është Krijuesi i dashur i universit
12, 13. (a) Pse kemi dashuri për të tjerët, dhe si ndihemi për vuajtjet që ka në botë? (b) Pse jemi të sigurt se Perëndia do t’i zhdukë të gjitha vuajtjet dhe padrejtësitë?
12 Në Bibël thuhet edhe se Perëndia na ka krijuar sipas imazhit të tij. (Zanafilla 1:26) Kjo do të thotë se na ka bërë me po ato cilësi të shkëlqyera që ka edhe ai vetë. Pra, nëse ti ndihesh keq kur njerëzit e pafajshëm vuajnë, Perëndia ndihet shumë herë më keq. Nga e dimë këtë?
13 Bibla mëson se «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:8) Gjithçka që bën ai motivohet nga dashuria. Kështu, ne kemi dashuri sepse Perëndia ka dashuri. Mendo pak: po të kishe fuqi, a nuk do t’i zhdukje të gjitha vuajtjet dhe padrejtësitë? Nga dashuria për njerëzit, pa diskutim që do ta bëje. Po Perëndia? Ai e ka fuqinë, dhe nga dashuria për ne do t’i zhdukë të gjitha vuajtjet dhe padrejtësitë. Mund të jesh i sigurt se çdo premtim i Perëndisë që tregohet në fillim të këtij libri do të realizohet. Vetëm se, për t’i besuar këto premtime, duhet ta njohësh më mirë Perëndinë.
PERËNDIA DËSHIRON QË TA NJOHËSH
Nëse dëshiron të zësh miqësi me dikë, i tregon emrin. Edhe Perëndia na e tregon emrin e tij në Bibël
14. Cili është emri i Perëndisë dhe si e dimë që duhet ta përdorim?
14 Nëse dëshiron të zësh miqësi me dikë, zakonisht çfarë i tregon në fillim? Emrin. Po Perëndia, a ka emër? Shumë fe thonë se emri i tij është Perëndi ose Zot, por këta nuk janë emra. Janë vetëm tituj, njësoj si «mbret» dhe «president». Perëndia na ka treguar se e ka emrin Jehova. Psalmi 83:18 thotë: «Le ta dinë të gjithë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në mbarë tokën.» Emri i Perëndisë shfaqet me mijëra herë në Bibël. Kjo tregon se Jehovai dëshiron që ta dish emrin e tij dhe ta përdorësh. Ai po të tregon emrin që të bëhesh mik me të.
15. Ç’kuptim ka emri Jehova?
15 Emri i Perëndisë, pra Jehova, ka domethënie të veçantë. Ka kuptimin se Perëndia mund të realizojë çdo premtim dhe mund të plotësojë qëllimin që ka. Asgjë nuk e pengon dot. Vetëm Jehovai është i denjë ta mbajë këtë emër.a
16, 17. Ç’kuptim ka titulli (a) «i Plotfuqishëm»? (b) «Mbret i përjetësisë»? (c) «Krijues»?
16 Siç u përmend, në Psalmin 83:18, për Jehovain thuhet: «Vetëm ti . . . je Më i Larti.» Veç kësaj, te Zbulesa 15:3 thuhet: «Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua, o Perëndi Jehova, o i Plotfuqishëm! Të drejta e të besueshme janë udhët e tua, o Mbret i përjetësisë!» Ç’kuptim ka titulli «i Plotfuqishëm»? Do të thotë se Jehovai është më i fuqishëm se çdokush tjetër në univers. Ndërsa titulli «Mbret i përjetësisë» tregon se ai ka ekzistuar gjithmonë. Për shembull, Psalmi 90:2 shpjegon se ai ka ekzistuar dhe do të ekzistojë në përjetësi. A nuk të lë pa fjalë kjo?
17 Vetëm Jehovai është Krijuesi. Zbulesa 4:11 thotë: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistojnë dhe u krijuan.» Po, që nga engjëjt e padukshëm, yjet e qiellit, frutat e pemëve e deri te peshqit e detit, gjithçka është krijuar nga Jehovai.
A ËSHTË E MUNDUR TË JESH MIK I JEHOVAIT?
18. Pse disa mendojnë që s’mund të jenë kurrë miq të Perëndisë? Ç’thotë Bibla për këtë?
18 Kur lexojnë për cilësitë mbresëlënëse të Jehovait, disa njerëz frikësohen dhe mendojnë: «Zoti është kaq i fuqishëm, kaq i rëndësishëm dhe kaq larg. Pse duhet të interesohet për mua?» Të tjerë mendojnë se është mungesë respekti ta konsiderosh Zotin si mikun tënd. Por, a dëshiron Jehovai të mendojmë kështu? Absolutisht jo! Jehovai dëshiron të na afrohet. Bibla thotë se ai «nuk është larg nga secili prej nesh». (Veprat 17:27) Perëndia do që t’i afrohesh dhe premton se ‘ai do të të afrohet’.—Jakovi 4:8.
19. (a) Si mund të bëhesh mik i Perëndisë? (b) Cila nga cilësitë e Jehovait të pëlqen më shumë?
19 Si mund të bëhesh mik i Perëndisë? Jezui u shpreh: «Që të gëzojnë jetën e përhershme, duhet të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Vazhdo të studiosh, dhe kështu do të njohësh Jehovain e Jezuin. Atëherë mund të fitosh jetën e përhershme. Për shembull, kemi mësuar se «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:16) Por, ai ka edhe plot cilësi të tjera tërheqëse. Në Bibël thuhet se Jehovai është ‘i mëshirshëm dhe i dhembshur, nuk zemërohet shpejt dhe është plot dashuri besnike e të vërtetë’. (Eksodi 34:6) Jehovai është ‘i mirë dhe mezi pret të falë’. (Psalmi 86:5) Është edhe i duruar e besnik. (2 Pjetrit 3:9; Zbulesa 15:4) Teksa lexon për të në Bibël, do të mësosh shumë më tepër rreth cilësive të tij tërheqëse.
20-22. (a) Si mund të lidhësh miqësi të ngushtë me Perëndinë edhe pse nuk e sheh? (b) Ç’duhet të bësh nëse të thonë të mos e studiosh më Biblën?
20 Si mund të lidhësh miqësi të ngushtë me Perëndinë edhe pse nuk e sheh? (Gjoni 1:18; 4:24; 1 Timoteut 1:17) Teksa lexon për Jehovain në Bibël, do të njohësh personalitetin e tij. (Psalmi 27:4; Romakëve 1:20) Sa më mirë ta njohësh Jehovain, aq më shumë do ta duash dhe do të forcosh miqësinë me të.
Çdo baba i do fëmijët e vet; Ati ynë qiellor na do edhe më shumë
21 Do të kuptosh se Jehovai është Ati ynë. (Mateu 6:9) Ai na ka dhënë jetën dhe dëshiron që ta jetojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Këtë do çdo baba i dashur për fëmijët e vet. (Psalmi 36:9) Po, Bibla mëson se ti mund të bëhesh mik i Jehovait. (Jakovi 2:23) Vetëm mendo: Jehovai, Krijuesi i universit, dëshiron që ti të jesh miku i tij.
22 Disa njerëz mund të të thonë të mos e studiosh më Biblën, ndoshta nga meraku se mos ndryshon fenë. Por mos lejo askënd të të pengojë të bëhesh mik i Jehovait! Ai është miku më i mirë që mund të kesh.
23, 24. (a) Pse duhet të vazhdosh të bësh pyetje? (b) Çfarë do të trajtojmë në kapitullin tjetër?
23 Gjatë studimit të Biblës, do të dalin gjëra që nuk i kupton. Mos ki turp të pyesësh ose të kërkosh ndihmë. Jezui tha se duhet të jemi të përulur si fëmijë të vegjël. (Mateu 18:2-4) Dhe fëmijët bëjnë shumë pyetje. Perëndia dëshiron t’i gjesh përgjigjet e pyetjeve të tua. Prandaj studioje Biblën me kujdes që të sigurohesh se po mëson të vërtetën.—Lexo Veprat 17:11.
24 Mënyra më e mirë për të njohur Jehovain është të studiosh Biblën. Në kapitullin tjetër do të zbulojmë pse Bibla ndryshon nga gjithë librat e tjerë.