BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w03 15/2 f. 4-7
  • Jehovai​—Një Perëndi që ia vlen ta njohësh

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Jehovai​—Një Perëndi që ia vlen ta njohësh
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2003
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • A ka kuptim jeta?
  • Çfarë mund të bëni?
  • Pse ndodhi?
  • Të njohim Perëndinë
  • Një marrëdhënie që bëhet gjithnjë e më e ngushtë
  • Bibla u përgjigjet pyetjeve jetësore të ditëve tona
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • A ka Zot? E pse duhet ta di?
    Zgjohuni!—2015
  • Të ndjekim një qëllim domethënës në jetë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Cila është e vërteta rreth Perëndisë?
    Çfarë mëson vërtet Bibla?
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2003
w03 15/2 f. 4-7

Jehovai​—Një Perëndi që ia vlen ta njohësh

A KA mundësi që po humbitni diçka të rëndësishme në jetë? Patjetër që po, nëse nuk dini shumë gjëra për Perëndinë. Pse? Sepse, ashtu siç kanë zbuluar miliona njerëz, njohja e Perëndisë së Biblës sjell shumë dobi në jetë. Këto dobi vijnë menjëherë dhe vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Perëndia Jehova, Autori i Biblës, dëshiron që ta njohim. Psalmisti shkroi: «Ta dinë se ti vetëm, që quhesh Zoti [Jehova, BR], je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.» Ai e pranon se është në të mirën tonë ta njohim Perëndinë. «Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde.» Si nxjerrim dobi nga njohja e Perëndisë Jehova, Shumë të Lartin?​—Psalmi 83:18; Isaia 48:17.

Një dobi konkrete është se na jepet drejtim për të përballuar problemet e përditshme, e kemi edhe një shpresë të patundur për të ardhmen dhe paqe mendore. Për më tepër, kur njohim Jehovain, jemi të nxitur që të zhvillojmë një qëndrim të ndryshëm nga ai që kishim më parë për çështjet më të rëndësishme me të cilat përballen njerëzit sot në mbarë botën. Cilat janë këto çështje?

A ka kuptim jeta?

Me gjithë përparimin mahnitës të teknologjisë në kohët tona, njerëzit bëjnë ende të njëjtat pyetje themelore: ‘Përse jam këtu? Ku po shkoj? Ç’kuptim ka jeta?’ Nëse dikush nuk merr përgjigje të kënaqshme, i mungon qëllimi i vërtetë në jetë. A e ndiejnë shumë njerëz këtë boshllëk? Gjatë një sondazhi, të kryer në Gjermani në fund të viteve 90 të shekullit të 20-të, u zbulua se gjysma e pjesëmarrësve, shpesh ose disa herë, mendonin që me sa duket jeta nuk ka kuptim. Ndoshta edhe aty ku jetoni ju ekziston e njëjta situatë.

Pa një qëllim në jetë, një individ ka pak themel mbi të cilin të mund të vendosë synime. Shumë njerëz përpiqen ta mbushin këtë boshllëk duke ndjekur një karrierë të suksesshme ose duke grumbulluar pasuri. Prapëseprapë boshllëku vazhdon t’i mundojë. Madje disa, ngaqë nuk kanë një qëllim në jetë, shqetësohen deri në atë pikë, sa nuk duan të jetojnë më. Këtë përvojë pati një grua e re dhe e bukur, e cila, sipas gazetës International Herald Tribune, ishte rritur «mes pasurive përrallore dhe kishte privilegje të panumërta». Ndonëse jetonte në luks, ishte e vetmuar dhe mendonte se jeta ishte pa kuptim. Ajo piu disa ilaçe për gjumë dhe u gjend e vdekur. Edhe ju mund të jeni në dijeni të njerëzve të tjerë të vetmuar, jeta e të cilëve mori fund në mënyrë tragjike.

Gjithsesi, a keni dëgjuar që njerëzit thonë se shkenca mund të na thotë gjithçka për jetën? E përjavshmja gjermane Die Woche thekson: «Megjithëse shkenca mund të jetë e vërtetë, ajo është e mangët në çështjet fetare. Teoria e evolucionit duket tepër vulgare, e madje edhe teoria e kuanteve, me gjithë variantet e saj të ndryshme, nuk ofron aspak ngushëllim ose siguri. Zbulimet shkencore kanë bërë shumë për ta përshkruar jetën me format e saj të ndryshme dhe për të shpjeguar ciklet dhe proceset e natyrës që bëjnë të mundur jetën. Prapëseprapë shkenca nuk mund të na thotë përse jemi këtu dhe ku po shkojmë. Po të mbështetemi vetëm te shkenca, pyetjet rreth qëllimit të jetës mbeten pa përgjigje. Siç raportonte gazeta Süddeutsche Zeitung, rezultati është «një nevojë e përgjithshme për drejtim».

Kush është në gjendje të na e japë këtë drejtim më mirë se Krijuesi? Meqenëse në fillim i vendosi njerëzit në tokë, ai duhet ta dijë pse janë këtu. Bibla shpjegon se Jehovai i krijoi njerëzit që ta mbushnin tokën dhe të kujdeseshin për të, pra të ishin kujdestarët e saj. Në çdo gjë që do të bënin njerëzit do të pasqyronin cilësitë e tij, si: drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë. Kur e kuptojmë se për çfarë arsye na krijoi Jehovai, e dimë edhe përse jemi këtu.​—Zanafilla 1:26-28.

Çfarë mund të bëni?

Po sikur në të kaluarën të mos keni gjetur përgjigje të kënaqshme për pyetjet: ‘Përse jam këtu? Ku po shkoj? Ç’kuptim ka jeta?’ Bibla ju këshillon që ta njihni Jehovain nga afër. Në fakt Jezui tha: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» Po ashtu ju inkurajon të zhvilloni cilësi të perëndishme, sidomos dashurinë, dhe t’i vini si synim vetes që të jeni nënshtetas të Mbretërisë së ardhshme mesianike të Perëndisë. Atëherë do të keni një qëllim në jetë dhe një shpresë të mrekullueshme e të sigurt për të ardhmen. Pyetjet themelore që ju shqetësonin deri tani do të marrin përgjigje.​—Gjoni 17:3; Predikuesi 12:13.

Çfarë ndikimi mund të ketë kjo? Hansi e di.a Para disa vitesh, ai kishte një besim të përgjithshëm te Perëndia, por ky besim nuk ndikonte në jetën e tij. Hansi merrte drogë, bënte një jetë imorale, kryente veprime të kundërligjshme dhe i pëlqenin motorët. «Por jeta ime ishte e zbrazët, nuk isha vërtet i kënaqur»,​—shpjegon ai. Kur ishte rreth 25 vjeç, Hansi vendosi ta njihte Perëndinë si person duke lexuar me kujdes Biblën. Pasi e njohu Jehovain nga afër dhe kuptoi se cili është qëllimi i jetës, Hansi e ndryshoi mënyrën e të jetuarit dhe u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait. Që prej dhjetë vjetësh është në shërbim të plotë kohor. Ai thotë me çiltërsi: «T’i shërbesh Jehovait është mënyra më e mirë e të jetuarit. Asgjë tjetër nuk mund të krahasohet me të. Njohja e Jehovait më ka dhënë një qëllim në jetë.»

Patjetër që shumë njerëz nuk shqetësohen vetëm se cili është qëllimi i jetës. Ndërkohë që kushtet në botë keqësohen, gjithnjë e më shumë njerëz i mundon një çështje tjetër jetësore.

Pse ndodhi?

Kur ndodh një fatkeqësi shpesh viktimat i mundon kjo pyetje: ‘Pse ndodhi?’ Aftësia për ta përballuar emocionalisht fatkeqësinë varet shumë nga përgjigjja e duhur e kësaj pyetjeje. Nëse nuk ka asnjë përgjigje të kënaqshme, vuajtjet vazhdojnë dhe viktima mund të hidhërohet. Të marrim për shembull, përvojën e Brunës.

Bruna, e cila tani është një nënë me fëmijë, shpjegon: «Para disa vitesh më vdiq një vajzë e vogël. Besoja te Perëndia, prandaj kërkova ngushëllim te prifti. Ai më tha se Perëndia e kishte marrë Suzanën në qiell, ku tani ajo ishte një engjëll. Jo vetëm që gjithçka ishte shkatërruar në jetën time prej vdekjes së saj, por tani urreja edhe Perëndinë që ma kishte marrë.» Dhembja dhe vuajtjet e Brunës vazhduan për disa vjet. «Pastaj një Dëshmitare e Jehovait më tregoi nga Bibla se nuk kisha pse ta urreja Perëndinë. Jehovai nuk e kishte marrë Suzanën në qiell dhe ajo nuk ishte një engjëll. Sëmundja e saj ishte pasojë e papërsosmërisë njerëzore. Suzana po fle në gjumin e vdekjes, duke pritur që Jehovai ta ringjallë. Gjithashtu mësova se ai i krijoi njerëzit që të jetonin përgjithmonë në një parajsë mbi tokë dhe që kjo gjë do të realizohet së shpejti. Kur fillova të kuptoja se ç’lloj personi është në të vërtetë Jehovai, iu afrova më shumë atij dhe dhembja ime filloi të fashitej.»​—Psalmi 37:29; Veprat 24:15; Romakëve 5:12.

Miliona njerëz preken nga fatkeqësi të llojeve të ndryshme: tragjedi personale, luftëra, zi buke ose katastrofa natyrore. Bruna provoi lehtësim kur kuptoi nga Bibla se nuk duhet fajësuar Jehovai për fatkeqësitë, se ai nuk kishte kurrë si qëllim që të vuanin njerëzit dhe se së shpejti do t’i japë fund ligësisë. Vetë fakti që ligësia po shtohet është një shenjë se po jetojmë në «ditët e fundit» të këtij sistemi. Është afër ndryshimi dramatik që të gjithë e dëshirojmë me zjarr, i cili do të sjellë shumë të mira.​—2 Timoteut 3:1-5; Mateu 24:7, 8.

Të njohim Perëndinë

Hansi dhe Bruna kishin një ide të përgjithshme për Perëndinë. Ata besonin te ai, pa ditur shumë gjëra për të. Kur lanë kohë mënjanë për ta njohur në mënyrë të saktë Jehovain, përpjekjet e tyre u shpërblyen. Ata morën përgjigjet e duhura për pyetjet më të rëndësishme të ditëve tona. Kjo u dha paqe mendore dhe një shpresë të sigurt për të ardhmen. Miliona shërbëtorë të Jehovait kanë pasur një përvojë të ngjashme.

Njohuria për Jehovain fillon duke shqyrtuar me kujdes Biblën, e cila na tregon për të dhe se çfarë kërkon ai prej nesh. Kështu vepruan disa në shekullin e parë. Historiani dhe mjeku Luka tregon se pjesëtarët e kongregacionit judaik të Bereas në Greqi «e pranuan fjalën [nga Pavli dhe Sila] me etjen më të madhe të mendjes, duke i shqyrtuar me kujdes Shkrimet çdo ditë, për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu».​—Veprat 17:10, 11.

Gjithashtu të krishterët e shekullit të parë mblidheshin në kongregacione. (Veprat 2:41, 42, 46; 1 Korintasve 1:1, 2; Galatasve 1:1, 2; 2 Selanikasve 1:1) Po kështu është edhe sot. Kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait mblidhen nëpër mbledhje të cilat janë përgatitur posaçërisht për të ndihmuar individët që t’i afrohen Jehovait dhe të provojnë gëzim duke i shërbyer. Shoqëria me Dëshmitarët ka dobi të mëtejshme. Meqenëse pak nga pak njerëzit bëhen gjithnjë e më të ngjashëm me Perëndinë që adhurojnë, Dëshmitarët e Jehovait, edhe pse në një masë të kufizuar, shfaqin cilësitë që shfaq Jehovai. Prandaj të mbledhurit bashkë me Dëshmitarët na ndihmon ta njohim Jehovain edhe më mirë.​—Hebrenjve 10:24, 25.

A nuk duket sikur duhen bërë shumë përpjekje vetëm për të njohur një Person? Sigurisht që kërkohen përpjekje. Por, a nuk është po njësoj edhe për shumë gjëra të tjera që doni të arrini në jetë? Mendoni se sa shumë përpjekje bën një atlet i shkëlqyer për t’u stërvitur. Për shembull, fituesi i medaljes së artë në ski në lojërat olimpike të Francës, Zhan-Klod Kili, tha se për të qenë një konkurrues i suksesshëm në sportet ndërkombëtare kërkohet: «Të fillosh 10 vjet përpara, të bësh plane rreth saj për vite të tëra dhe të mendosh për të çdo ditë . . . Duhet të punosh 365 ditë në vit, mendërisht dhe fizikisht.» Sa kohë dhe përpjekje vetëm për të marrë pjesë në një garë që mund të zgjasë dhjetë minuta! Por, sa shumë dobi të qëndrueshme mund të nxjerrim nga njohuria për Jehovain!

Një marrëdhënie që bëhet gjithnjë e më e ngushtë

Kush do të donte të humbiste diçka të rëndësishme në jetë? Askush. Prandaj nëse mendoni se jeta juaj nuk ka një qëllim të vërtetë ose nëse dëshironi fort një shpjegim se përse ndodhin fatkeqësitë, atëherë jini të vendosur të njihni Jehovain, Perëndinë e Biblës. Po të mësoni rreth tij mund t’ju ndryshohet përgjithmonë jeta për më mirë.

A do të mbarojmë ndonjëherë së mësuari për Jehovain? Ata që i kanë shërbyer atij për dhjetëvjeçarë të tërë ende habiten për gjërat që kanë mësuar dhe për gjërat e reja që vazhdojnë të mësojnë për të. Kur mësojmë këto gjëra bëhemi të lumtur dhe i afrohemi më shumë atij. Le t’u bëjmë jehonë mendimeve të apostullit Pavël, i cili shkroi: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pahulumtueshme janë udhët e tij! Sepse ‘kush ka arritur ta njohë mendjen e Jehovait apo kush është bërë këshilltar i tij’?»​—Romakëve 11:33, 34.

[Shënimi]

a Emrat janë ndryshuar.

[Diçitura në faqen 5]

Njerëzit bëjnë ende të njëjtat pyetje themelore: ‘Përse jam këtu? Ku po shkoj? Ç’kuptim ka jeta?’

[Diçitura në faqen 6]

«Kur fillova të kuptoja se ç’lloj personi është në të vërtetë Jehovai, iu afrova më shumë atij»

[Diçitura në faqen 7]

«T’i shërbesh Jehovait është mënyra më e mirë e të jetuarit. Asgjë tjetër nuk mund të krahasohet me të. Njohja e Jehovait më ka dhënë një qëllim në jetë»

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo