Bibla u përgjigjet pyetjeve jetësore të ditëve tona
A ËSHTË Bibla sot e kohës? Që përgjigjja të jetë po, patjetër duhet që ky libër i lashtë t’u sigurojë lexuesve të tij udhëheqje për çështjet që janë me interes sot dhe për ato që kanë vlerë praktike. A jep Bibla këshilla të dobishme për çështjet që janë vërtet me rëndësi në botën e sotme?
Le t’u hedhim një vështrim dy çështjeve që ngrihen në kohën tonë. Ndërsa bëjmë këtë gjë, do të shqyrtojmë se çfarë thotë Bibla lidhur me to.
Përse i lejon Perëndia vuajtjet?
Duke parë kushtet që ekzistojnë sot në botë, një nga pyetjet që bëhet më shpesh është: Përse lejon Perëndia që njerëzit e pafajshëm të vuajnë? Kjo pyetje është me vend, duke qenë se gjithnjë e më shumë njerëz po preken nga krimet e dhunshme, korrupsioni, gjenocidi, tragjeditë individuale e kështu me radhë.
Për shembull, në qershor 1998, një tren ekspres u përplas me një urë në Gjermaninë Veriore dhe për pasojë vdiqën më shumë se njëqind pasagjerë. Edhe mjekët e zjarrfikësit me përvojë, që u morën me të plagosurit dhe me të vdekurit, u tronditën nga pamja e asaj kërdie. Një peshkop i Kishës Evangjeliste pyeti: «Perëndi i dashur, pse duhej të ndodhte kjo?» Peshkopi vetë nuk dha asnjë përgjigje.
Përvoja tregon se kur njerëzit e pafajshëm vuajnë pa pasur një shpjegim për shkakun e vuajtjeve, ata disa herë mbushen me hidhërim e indinjatë. Pikërisht në këtë pikë Bibla mund të vijë në ndihmë, pasi ajo shpjegon se përse njerëzit e pafajshëm përjetojnë ligësi dhe vuajtje.
Kur krijoi tokën dhe gjithçka në të, Perëndia Jehova nuk kishte për qëllim që njerëzimi të trazohej nga ligësi dhe vuajtje. Si mund të jemi të sigurt? Sepse, pasi përfundoi krijimin, «Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë». (Zanafilla 1:31) Pyet veten: ‘Nëse unë do të vëzhgoja diçka të ligë, a do ta deklaroja si «shumë të mirë»?’ Patjetër që jo! Ngjashëm, kur Perëndia e deklaroi gjithçka ‘shumë të mirë’, mbi tokë nuk kishte asnjë gjurmë ligësie. Kur dhe si filloi, pra, ligësia?
Pak pas krijimit të prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës, një krijesë e fuqishme frymore iu afrua gruas dhe sfidoi faktin që Jehovai është perëndi i së vërtetës dhe të drejtën e tij për të qenë sovran. (Zanafilla 3:1-5) Kjo krijesë, Satana Djalli, më pas pohoi se kur të ishin në vështirësi, njerëzit nuk do t’i qëndronin besnikë Perëndisë. (Jobi 2:1-5) Si reagoi Jehovai ndaj kësaj situate? Ai lejoi që të kalonte kohë, në mënyrë që të bëhej e dukshme se njerëzit nuk mund t’i drejtojnë me sukses hapat e tyre duke qenë të pavarur prej tij. (Jeremia 10:23) Kur krijesat veprojnë në kundërshtim me ligjet dhe parimet e Perëndisë, pasoja është mëkati, i cili sjell dëme. (Predikuesi 8:9; 1. Gjonit 3:4) Gjithsesi, pavarësisht nga këto rrethana të vështira, Jehovai e dinte se disa njerëz do ta mbanin integritetin ndaj tij.
Qysh nga ai rebelim i trishtueshëm në Eden, kanë kaluar rreth 6.000 vjet. A është kjo një kohë tepër e gjatë? Jehovai mund ta kishte shkatërruar Satanain dhe përkrahësit e tij shekuj më parë. Por a nuk ka qenë më mirë që të priste derisa të davaritej çfarëdolloj dyshimi lidhur me të drejtën e Jehovait për të qenë sovran dhe me integritetin e njerëzve ndaj tij? A nuk është e vërtetë në sistemet e sotme gjyqësore se për një çështje mund të duhen vite, që të provohet se kush ka të drejtë e kush jo?
Duke pasur parasysh rëndësinë e çështjeve që kishin të bënin me Jehovain dhe njerëzimin—çështja e sovranitetit universal dhe e integritetit të njerëzve—sa e mençur ishte nga ana e Perëndisë që të lejonte të kalonte kohë! Tani ne e shikojmë qartë se çfarë ndodh kur njerëzit shpërfillin ligjet e Perëndisë dhe marrin drejtimin e punëve të tyre. Pasoja është se ligësia është përhapur në mbarë botën. Dhe kjo është arsyeja se përse kaq shumë njerëz të pafajshëm vuajnë sot.
Megjithatë, lumturisht, Fjala e Perëndisë tregon se ligësia nuk do të vazhdojë përgjithmonë. Në fakt, Jehovai do t’i japë fund së shpejti të ligës dhe atyre që e shkaktojnë atë. «Sa për të ligjtë,—thuhet në Proverbat 2:22 (BR),—ata do të zhduken nga toka dhe sa për të pabesët, ata do të shkulen prej saj.» Nga ana tjetër, ata që janë besnikë ndaj Perëndisë mund të presin me padurim një kohë, e cila tashmë është fare afër, kur ‘vdekja nuk do të jetë më; as brengat, as klithmat, as mundimi’.—Zbulesa 21:4.
Kështu, pra, Bibla shpjegon qartë përse vuajnë të pafajshmit. Ajo, gjithashtu, na siguron se ligësia dhe vuajtjet së shpejti do të marrin fund. Mirëpo, ndërsa përjetojmë vështirësitë e tanishme të jetës, na duhet përgjigjja e një pyetjeje tjetër jetësore.
Cili është qëllimi i jetës?
Sot, ndoshta më shumë se në çdo periudhë tjetër të historisë së njerëzimit, njerëzit po përpiqen të zbulojnë ç’domethënie ka jeta. Shumë pyesin veten: ‘Përse po jetoj? Si mund ta gjej domethënien e jetës sime?’ Janë rrethana nga më të ndryshmet ato që i shtyjnë të ngrenë këto pyetje.
Jeta e një personi mund të jetë shkatërruar nga një tragjedi. Për shembull, aty nga fillimi i vitit 1998, një vajzë 12-vjeçare që jetonte në Bavari të Gjermanisë e rrëmbyen dhe e vranë. Një vit më pas, mamaja e saj tha se e kalon çdo ditë duke u përpjekur të gjejë një qëllim në jetë, por më kot. Disa të rinj janë të prirë të pyesin veten rreth kuptimit të jetës. Ata kërkojnë siguri, kërkojnë të jenë të kënaqur, si edhe të ndihen të pranuar e të dashur, por gjejnë vetëm dëshpërim për shkak të hipokrizisë dhe të korrupsionit të përhapur kudo. Persona të tjerë e ndërtojnë jetën e tyre rreth një karriere, por zbulojnë se pushteti, prestigji dhe zotërimet nuk arrijnë ta plotësojnë dëshirën e madhe të brendshme për të gjetur arsyen e ekzistencës.
Çfarëdo që ta shtyjë një person të kërkojë qëllimin e jetës, kjo pyetje meriton një përgjigje serioze dhe të kënaqshme. Edhe një herë, Bibla mund të jetë shumë e dobishme. Ajo e identifikon Jehovain si një Perëndi të qëllimit, si ai që ka arsye të vlefshme për gjithçka bën. Mund të pyesim veten: A do ta ndërtonim një shtëpi pa pasur asnjë arsye? Ka të ngjarë që jo, pasi ndërtimi i një shtëpie kërkon një investim mjaft të madh në para dhe mund të na harxhojë muaj ose vite të tëra. Ne e ndërtojmë një shtëpi, me qëllim që ne vetë ose dikush tjetër të banojë në të. E njëjta logjikë mund t’i aplikohet edhe Jehovait. Ai nuk iu fut gjithë asaj pune për të krijuar tokën dhe gjallesat mbi të, pa pasur një arsye, një qëllim. (Krahaso Hebrenjve 3:4.) Cili është qëllimi i tij për tokën?
Profecia e Isaisë e identifikon Jehovain si ‘Perëndinë e vërtetë, Formuesin e tokës dhe Bërësin e saj’. Vërtet, Jehovai është «Ai që e vendosi [tokën] në mënyrë të patundur, që nuk e krijoi thjesht për asgjë, që e formoi madje për të qenë e banuar». (Isaia 45:18, BR) Po, që nga koha kur toka u krijua, qëllimi i Jehovait ka qenë që ajo të banohej. Në Psalmin 115:16 thuhet: «Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.» Kështu Bibla tregon se Jehovai e krijoi tokën për të qenë e banuar nga njerëz të bindur, që do të kujdeseshin për të.—Zanafilla 1:27, 28.
A bëri rebelimi i Adamit dhe Evës që Jehovai ta ndryshonte qëllimin e tij? Jo. Si mund të jemi kaq të sigurt? Mirë, pra, le të shqyrtojmë këtë fakt: Bibla u shkrua mijëra vjet pas rebelimit që ndodhi në Eden. Nëse Perëndia kishte hequr dorë nga qëllimi i tij fillestar, përse kjo gjë nuk është përmendur në Bibël? Përfundimi i qartë është se qëllimi i tij për tokën dhe njerëzimin mbetet i pandryshuar.
Veç kësaj, qëllimet e Jehovait nuk dështojnë kurrë. Përmes profetit Isaia, Perëndia na jep këtë siguri: «Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa vaditur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbijë në mënyrë që ai që do të mbjellë të marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë, kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.»—Isaia 55:10, 11.
Ajo çka pret Perëndia prej nesh
Është e qartë, pra, që mund të jemi të sigurt se qëllimi i Perëndisë që toka të banohet përgjithnjë nga njerëz të bindur, do të përmbushet. Për të qenë midis atyre që do të kenë privilegjin të jetojnë përgjithmonë në tokë, duhet të bëjmë atë çka tha mbreti i mençur Solomon: «Druaju Perëndisë së vërtetë dhe mbaj urdhërimet e tij. Sepse ky është i gjithë detyrimi i njeriut.»—Eklisiastiu [Predikuesi] 12:13, BR; Gjoni 17:3
Të jetosh në harmoni me qëllimin e Jehovait për njerëzimin do të thotë ta njohësh Perëndinë e vërtetë dhe të veprosh në përputhje me kërkesat e tij, të cilat paraqiten në Shkrimet e Shenjta. Nëse e bëjmë këtë gjë tani, mund të kemi shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore, në të cilën nuk do të pushojmë kurrë së mësuari gjëra të reja rreth Perëndisë dhe krijimit të tij të mrekullueshëm. (Luka 23:43) Çfarë perspektive drithëruese!
Shumë njerëz që kanë kërkuar një qëllim në jetë i janë drejtuar Biblës dhe kanë gjetur lumturi të madhe qysh tani. Për shembull, një i ri i quajtur Alfred nuk arrinte të gjente asnjë domethënie në jetë. Përzierja e feve në luftëra e bënte të ndiente neveri dhe ishte i zemëruar nga hipokrizia dhe korrupsioni në politikë. Alfredi vizitoi indianët e Amerikës së Veriut, me shpresën që të arrinte të kuptonte diçka rreth qëllimit të jetës, por vetëm sa u kthye i zhgënjyer në Evropë. I dëshpëruar, ai iu drejtua drogës dhe muzikës së shfrenuar. Megjithatë, një shqyrtim i rregullt dhe i kujdesshëm i Biblës më pas e ndihmoi Alfredin që të njihte qëllimin e vërtetë të jetës dhe të gjente kënaqësi.
Një dritë e besueshme në rrugën tonë
Në çfarë përfundimi mund të arrijmë, pra, për Biblën? A është ajo sot e kohës? Në fakt po, pasi ajo ofron udhëheqje lidhur me probleme të kohës sonë. Bibla shpjegon se ligësia nuk është diçka që e ka krijuar Perëndia dhe na ndihmon të gjejmë një qëllim të kënaqshëm në jetë. Veç kësaj, Bibla flet shumë lidhur me çështje të tjera që janë me mjaft interes sot. Në Fjalën e Perëndisë trajtohen çështje të tilla, si: martesa, rritja e fëmijëve, marrëdhëniet njerëzore dhe shpresa për ata që kanë vdekur.
Nëse nuk e ke bërë tashmë këtë gjë, të lutemi t’i hedhësh një vështrim nga afër asaj çka përmban Bibla. Pasi të zbulosh vlerën e vërtetë të udhëzimeve të saj për jetën, mund të ndihesh me të drejtë ashtu si psalmisti, i cili iu drejtua Perëndisë Jehova për udhëheqje dhe këndoi: «Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.»—Psalmi 119:105.
[Figura në faqen 6]
A e di përse lejon Perëndia që të pafajshmit të vuajnë?
[Figura në faqen 7]
Ti mund të gëzosh një jetë me domethënie