BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/12 f. 30-31
  • Mali Athos: Një «Mal i shenjtë»?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mali Athos: Një «Mal i shenjtë»?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një «mal i shenjtë» manastiresh
  • Mali Athos sot
  • Një «mal i shenjtë» për të gjithë
  • Nevojat e tij frymore u plotësuan
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Shtëpia e Jehovait lartësohet
    Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin I
  • Akrobatët e shkrepave të maleve
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Atje ku akullnajat prekin qiellin e ekuatorit
    Zgjohuni!—2005
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/12 f. 30-31

Mali Athos: Një «Mal i shenjtë»?

PËR më shumë se 220 milionë anëtarët e Kishës Ortodokse, mali Athos, një kep me terren të thyer në Greqinë Veriore, është «mali më i shenjtë në botën e krishterë ortodokse». Për shumë prej tyre, pelegrinazhi në «malin e shenjtë» Athos është një ëndërr. Çfarë është ky «mal i shenjtë»? Si e mori një rëndësi të tillë? Veç kësaj, a është ai «mali» tek i cili duhet të drejtohen njerëzit me druajtje Perëndie për udhëheqje frymore dhe për adhurimin e vërtetë?

Në Bibël ekziston shprehja «mal i shenjtë». Kjo shprehje lidhet me adhurimin e shenjtë, të pastër e të lartësuar të Perëndisë së vërtetë, Jehovait. Në Jerusalemin e lashtë, mali Sion u bë një «mal i shenjtë», kur mbreti David çoi aty arkën e besëlidhjes. (Psalmi 15:1; 43:3; 2. Samuelit 6:12, 17) Pas ndërtimit të tempullit të Solomonit në malin Moriah, «Sioni» përfshiu edhe vendndodhjen e tempullit dhe në këtë mënyrë Sioni mbeti «mali i shenjtë» i Perëndisë. (Psalmi 2:6; Joeli 3:17) Meqenëse tempulli i Perëndisë gjendej në Jerusalem, disa herë edhe ky qytet quhej «mali i shenjtë» i Perëndisë.—Isaia 66:20; Danieli 9:16, 20.

Po sot? A është mali Athos ose ndonjë majë tjetër e lartë, «mali i shenjtë» ku njerëzit duhet të vërshojnë për ta adhuruar Perëndinë në mënyrë të pranueshme?

Një «mal i shenjtë» manastiresh

Mali Athos gjendet në skajin lindor të Gadishullit Kalkidik, në majë të një rripi të ngushtë toke që zgjatet në Detin Egje, pikërisht në lindje të Selanikut të sotëm. Është një shkëmb madhështor mermeri që ngrihet thikë nga deti në një lartësi prej 2.032 metrash.

Athosi është konsideruar prej shumë kohësh një vend i shenjtë. Në mitologjinë greke, ai ishte shtëpia e perëndive para se të kishin si shtëpi malin Olimp. Ca kohë pas Kostandinit të Madh (shekulli i katërt i e.s.), Athosi u bë një vend i shenjtë për kishat e krishtere. Sipas një legjende, «virgjëresha» Mari, e shoqëruar nga Gjon Ungjilltari, gjatë udhëtimit me anije për në Qipro që të vizitonte Lazrin, ndaloi në Athos për shkak të një stuhie të papritur të fortë. E mahnitur nga bukuria e malit, ajo ia kërkoi këtë mal Jezuit. Kështu, Athosi u njoh edhe si «Kopshti i Virgjëreshës së Shenjtë». Aty nga mesi i periudhës bizantine, i gjithë masivi shkëmbor u bë i njohur si Mali i Shenjtë. Ky përkufizim u adoptua zyrtarisht dhe u ratifikua në vitin 1046 të e.s. me një dekret të perandorit Kostandin IX Monomak.

Për shkak se është i thepisur dhe i izoluar, Athosi është tamam një vend i përshtatshëm për të praktikuar jetën asketike. Përgjatë shekujve, ai ka tërhequr burra fetarë nga e gjithë bota ortodokse: grekë, serbë, rumunë, bullgarë, rusë e të tjerë, të cilët ndërtonin manastire të shumta, me kishat dhe komunitetet e tyre. Rreth 20 prej këtyre manastireve kanë mbijetuar.

Mali Athos sot

Sot, Athosi është një krahinë autonome, me statut të ratifikuar në vitin 1926. Pasi ka pasur për vite të tëra një rënie në numrin e banorëve murgj, tani ky numër është rritur në më shumë se 2.000.

Çdo manastir ka rrjetin e vet me ferma, faltore dhe banesa. Faltorja më e lartë e eremitëve gjendet në vendbanimin e Karúlias, vendosur lart në shkrepat marramendës në majë të malit Athos. Aty, grumbulli i kasolleve mund të arrihet vetëm nëpërmjet një labirinti shtigjesh, shkallësh prej guri dhe zinxhirësh të lidhur me njëri-tjetrin. Në Athos, murgjit praktikojnë ende rutinën e tyre të lashtë e të përditshme liturgjike, duke përdorur orën bizantine (ku dita fillon me perëndimin e diellit) dhe kalendarin julian (13 ditë pas atij gregorian).

Edhe pse thuhet që ky vend fetar ia detyron «shenjtërinë» e vet një gruaje, për 1.000 vjet me radhë, murgjit dhe eremitët e tij e kanë shpallur të tërë gadishullin të ndaluar për të gjitha format femërore të jetës, njerëz ose kafshë, si edhe për eunukët ose për çdo burrë pa mjekër. Kohët e fundit, vendimi në lidhje me njerëzit pa mjekër dhe me disa kafshë femra është hequr, por grave u është ndaluar rreptësisht hyrja brenda 500 metrave të bregdetit të Athosit.

Një «mal i shenjtë» për të gjithë

A është Athosi «mali i shenjtë», ku duhet të vijnë për të adhuruar të krishterët me druajtje Perëndie? Duke folur me një samaritane, e cila besonte se Perëndia duhej adhuruar në malin Gerizim, Jezui e bëri të qartë se nuk do të caktohej më asnjë mal i mirëfilltë si vend për të adhuruar Perëndinë. «Po vjen ora që as mbi këtë mal [Gerizimin], as në Jerusalem, nuk do të adhuroni Atin»—tha Jezui. Përse? «Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.»—Gjoni 4:21, 24.

Duke treguar për kohën tonë, profeti Isaia paratha se një ‘mal [simbolik] i shtëpisë së Jehovait’ do të ‘bëhej fortësisht i vendosur mbi majën e maleve’, do të ‘ngrihej mbi kodrat’ dhe në të do të vërshonin në kuptimin figurativ njerëz të të gjitha kombeve.—Isaia 2:2, 3, BR.

Burra dhe gra, të cilët dëshirojnë të kenë një marrëdhënie të miratuar me Perëndinë, janë të ftuar të adhurojnë Jehovain në «frymë dhe në të vërtetën». Miliona njerëz përreth botës kanë gjetur rrugën për në ‘malin e Jehovait’. Së bashku me të tjerët, ata kanë të njëjtat ndjenja të një avokateje greke, e cila tha për Athosin: «Unë kam ca dyshime nëse gjendja frymore mund të mbyllet brenda mureve ose manastireve.»—Krahaso Veprat 17:24.

[Kutia në faqen 31]

Një koleksion i çmuar i fshehur për një kohë të gjatë

Përgjatë shekujve, murgjit e Athosit kanë grumbulluar një koleksion të çmuar që përfshin rreth 15.000 dorëshkrime, disa prej të cilave thuhet se datojnë nga shekulli i katërt, duke e bërë këtë një nga koleksionet më të çmuara të botës. Aty ka rrotulla, vëllime të plota, fletë të Ungjijve, psalme dhe himne, përveç pikturave shumë të vjetra, ikonave, skulpturave dhe punimeve në metal. Përllogaritet se mali Athos ka një të katërtën e dorëshkrimeve greke në botë, edhe pse shumë prej këtyre duhen klasifikuar në mënyrën e duhur. Në vitin 1997, për herë të parë, murgjit lejuan që disa nga thesaret e tyre të shfaqeshin në një ekspozitë në Selanik.

[Burimi i figurës në faqen 31]

Telis/Organizata Kombëtare e Turizmit Grek

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo