Të përballojmë sfidën e rritjes së fëmijëve
SOT, të rritësh fëmijë, sidomos kur janë në periudhën e adoleshencës, është një sfidë e madhe për prindërit. The Gazette e Monrealit, Kanada, raporton se eksperimentimi me alkoolin dhe drogën është bërë «gjë normale për adoleshentët». Aty theksohet se prindërit kanë «përgjegjësinë për të qenë vigjilentë rreth ndryshimeve në sjelljen e adoleshentëve [të tyre]».
Për çfarë gjërash që mund të sinjalizojnë këto probleme tek adoleshentët, duhet të jenë të vëmendshëm prindërit? Disa shenja paralajmëruese fizike, emocionale dhe shoqërore që ka identifikuar Akademia Amerikane e Psikiatrisë së Fëmijëve dhe të Adoleshentëve përfshijnë: këputje gjatë gjithë kohës, ndryshime në personalitet dhe në temperament, kalimi i një kohe të tepërt të mbyllur në dhomën e gjumit, sjellje kundërshtuese dhe pasja e telasheve me ligjin.
Si mund t’i mbrojnë prindërit fëmijët e tyre nga këto eksperimentime të dëmshme dhe nga pasojat negative që sjellin ato? Dr. Xhefri L. Derevenski, nga Universiteti Mekgill, beson se komunikimi i hapur dhe kultivimi i respektit reciprok gjatë viteve kur fëmija formohet, mund ta zvogëlojnë problemin më vonë. The Gazette shton se, ndonëse gjatë adoleshencës lind dëshira për më shumë pavarësi, adoleshentët vazhdojnë të kenë nevojë për «udhëheqjen, mbështetjen, rregullin dhe dashurinë që sigurojnë prindërit e tyre». Këto vëzhgime i bëjnë jehonë një proverbi biblik që thotë: «Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.» (Fjalët e urta 22:6) Perëndia i këshillon prindërit që të jenë shembull, shokë, komunikues dhe mësues.—Ligji i përtërirë 6:6, 7.