A mund të na ndihmojë Bibla sot?
«TA MARRËSH Biblën në tërësi, rreth 1 për qind e saj ia vlen të lexohet, por pjesa tjetër nuk hyn në punë dhe është e dalë mode.» Kështu tha një i ri. Shumë persona do të ishin të një mendjeje me të. Ndonëse vazhdon të jetë një nga librat më të shitur në mbarë botën, miliona njerëz i kushtojnë fare pak vëmendje Biblës dhe nuk e dinë se çfarë mëson ajo.
Në numrin që doli në krishtlindjet e vitit 1996, gazeta gjermane Süddeutsche Zeitung komentonte se Bibla «ka gjithnjë e më pak lexues. Në epokën e shkencave të natyrës dhe laicizimit në rritje, shumë njerëzve tregimet biblike u duken të çuditshme dhe të vështira për t’u kuptuar». Sondazhet provojnë vërtetësinë e këtij raporti. Disa studime zbulojnë se një numër i madh fëmijësh nuk dinë as kush është saktësisht Jezui. Në një sondazh, as gjysma e të intervistuarve nuk ishte në gjendje të tregonte historinë biblike të djalit plëngprishës dhe atë të samaritanit miqësor.
Në një botim të Kishës Evangjeliste Zviceriane (Reformierte Forum) thuhet se në Zvicër, kërkesa për Bibla nuk është më si më parë. Madje edhe ata që kanë një kopje të Biblës, shpesh e lënë thjesht të zërë pluhur në raft. Situata është po njësoj edhe në Britani. Sipas një sondazhi, ndonëse pjesa më e madhe e njerëzve kanë një Bibël, shumica dërrmuese zor se e lexojnë ndonjëherë atë.
Nga ana tjetër, miliona njerëz në mbarë botën kanë një mendim të ndryshëm rreth Biblës. Ata e konsiderojnë atë si Fjalën e Perëndisë dhe për ta ajo është e vlefshme dhe e dobishme. Prandaj, e lexojnë rregullisht. Një e re shkroi: «Përpiqem të lexoj një ose dy kapituj të Biblës çdo ditë. Më jep shumë kënaqësi kjo gjë.» Këta persona i kushtojnë vëmendje të madhe asaj që mëson Bibla dhe përpiqen t’i zbatojnë këshillat e saj në jetën e tyre. Ata besojnë se Bibla mund t’i ndihmojë në botën e sotme plot me telashe.
Cili është mendimi yt? A është Bibla e papërshtatshme për kohët moderne? Apo është me vlerë dhe e dobishme? A mund të na ndihmojë Bibla sot?