BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/11 f. 28-29
  • Pyetje nga lexuesit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pyetje nga lexuesit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Material i ngjashëm
  • Nderimi i flamurit, votimi dhe shërbimi civil
    ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’
  • Pse Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë asnjanës në politikë?
    Pyetje që bëhen më shpesh për Dëshmitarët e Jehovait
  • «Ata nuk janë pjesë e botës»
    Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë
  • «Ata nuk janë nga bota»
    Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/11 f. 28-29

Pyetje nga lexuesit

Si e konsiderojnë Dëshmitarët e Jehovait votimin?

Në Bibël ka parime të qarta që i ndihmojnë shërbëtorët e Perëndisë për të pasur pikëpamjen e duhur mbi këtë çështje. Megjithatë, duket se nuk ka ndonjë parim kundër praktikës së votimit në vetvete. Për shembull, s’ka asgjë të keqe nëse një ekip drejtuesish voton për të marrë vendime që kanë të bëjnë me korporatën e tyre. Shpesh, kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait i marrin vendimet lidhur me orarin e mbledhjeve dhe me përdorimin e fondeve të kongregacionit, duke votuar me ngritje dore.

Por, çfarë të themi për votimin në zgjedhjet politike? Është e qartë se në disa vende demokratike, pothuajse 50 për qind e popullsisë nuk shkon të votojë në ditën e zgjedhjeve. Për sa u përket Dëshmitarëve të Jehovait, ata nuk ndërhyjnë në të drejtën e të tjerëve për të votuar dhe as nuk bëjnë në ndonjë mënyrë fushata kundër zgjedhjeve politike. Ata i respektojnë dhe bashkëpunojnë me autoritetet të cilat zgjidhen në mënyrë të duhur nga këto zgjedhje. (Romakëve 13:1-7) Pastaj, nëse personalisht do të votojë apo jo për dikë që ka vënë kandidaturën në zgjedhje, çdo Dëshmitar i Jehovait merr një vendim të bazuar në ndërgjegjen e tij të stërvitur nga Bibla dhe në njohjen e përgjegjësisë së tij para Perëndisë dhe shtetit. (Mateu 22:21; 1. Pjetrit 3:16) Kur marrin këtë vendim personal, Dëshmitarët konsiderojnë një sërë faktorësh.

Së pari, Jezu Krishti tha për ithtarët e tij: «[Ata] nuk janë prej botës, ashtu si edhe unë nuk jam prej botës.» (Gjoni 17:14) Dëshmitarët e Jehovait e marrin seriozisht këtë parim. Duke ‘mos qenë pjesë e botës’, ata janë asnjanës në çështjet e saj politike.—Gjoni 18:36.

Së dyti, apostulli Pavël iu referua vetes si një «ambasador» që përfaqësonte Krishtin para njerëzve të ditëve të tij. (Efesianëve 6:20, BR; 2. Korintasve 5:20) Dëshmitarët e Jehovait besojnë se Krishti Jezu tani është Mbreti i kurorëzuar i Mbretërisë qiellore të Perëndisë dhe ngjashëm ambasadorëve, ata duhet t’ua bëjnë të ditur këtë gjë kombeve. (Mateu 24:14; Zbulesa 11:15) Nga ambasadorët pritet që të jenë asnjanës dhe të mos ndërhyjnë në çështjet e brendshme të vendeve ku dërgohen për të përfaqësuar shtetin e tyre. Si përfaqësues të Mbretërisë qiellore të Perëndisë, Dëshmitarët e Jehovait ndiejnë një detyrim të ngjashëm për të mos ndërhyrë në politikën e vendeve ku banojnë.

Një faktor i tretë që duhet marrë parasysh është se ata që marrin pjesë në zgjedhjen e një personi në detyrë, duke votuar për të, mund të bëhen përgjegjës për atë që bën ai. (Krahaso 1. Timoteut 5:22, The New English Bible.) Të krishterët duhet të konsiderojnë me kujdes nëse duan ta mbajnë mbi supe këtë përgjegjësi.

Së katërti, Dëshmitarët e Jehovait e vlerësojnë shumë unitetin e tyre të krishterë. (Kolosianëve 3:14) Kur fetë përzihen në politikë, shpesh rezultati është ndarja mes anëtarëve të tyre. Duke imituar Jezu Krishtin, Dëshmitarët e Jehovait shmangin përzierjen në politikë dhe mbajnë unitetin e tyre të krishterë.—Mateu 12:25; Gjoni 6:15; 18:36, 37.

Së pesti dhe së fundi, duke u mbajtur larg nga politika, Dëshmitarët e Jehovait kanë liri fjale për t’iu afruar njerëzve të të gjitha bindjeve politike me mesazhin e rëndësishëm të Mbretërisë.—Hebrenjve 10:35

Duke pasur parasysh parimet biblike të cituara më sipër, në shumë vende Dëshmitarët e Jehovait marrin një vendim personal për të mos votuar gjatë zgjedhjeve politike dhe liria e tyre për të marrë këtë vendim mbështetet nga ligjet e vendit ku jetojnë. Po sikur ligji të kërkonte që të gjithë shtetasit të votonin? Në një rast të tillë, çdo Dëshmitar është përgjegjës për të marrë një vendim të ndërgjegjshëm, të bazuar në Bibël, se si do ta zgjidhë situatën. Nëse dikush vendos të shkojë në qendrën e votimit, ky është vendimi i tij. Ajo që bën në qendrën e votimit mbetet një çështje mes tij dhe Krijuesit të tij.

Në numrin e 15 dhjetorit 1950, të Kullës së Rojës, në faqet 445 dhe 446, anglisht, thuhej: «Në ato vende ku Cezari e bën të detyrueshme që shtetasit të votojnë . . . [Dëshmitarët] mund të shkojnë nëpër qendra votimi dhe të hyjnë në kabinat e votimit. Pikërisht këtu atyre u duhet të shënojnë ose të shkruajnë në fletën e votimit qëndrimin e tyre. Votuesit mund të bëjnë çfarë të duan me fletën e votimit. Prandaj, këtu në praninë e Perëndisë, është vendi ku Dëshmitarët e tij duhet të veprojnë në harmoni me urdhërimet e tij dhe në përputhje me besimin e tyre. Nuk është në përgjegjësinë tonë t’u mësojmë atyre se çfarë të bëjnë me fletat e votimit.»

Po sikur burri jobesimtar i një gruaje të krishterë të këmbëngulë që ajo të paraqitet për të votuar? Gruaja i nënshtrohet burrit të saj, po ashtu si të krishterët i nënshtrohen autoriteteve më të larta. (Efesianëve 5:22; 1. Pjetrit 2:13-17) Nëse ajo i bindet burrit të saj dhe shkon në qendrën e votimit, ky është vendimi i saj personal. Askush nuk duhet ta kritikojë për këtë.—Krahaso Romakëve 14:4.

Ç’të themi për një vend ku votimi nuk është i detyrueshëm nga ligji, por ku njerëzit shfaqin armiqësi ndaj atyre që nuk shkojnë në qendrat e votimit e ndoshta këta të fundit ekspozohen ndaj rrezikut fizik? Ose ç’të themi kur individët, edhe pse nuk janë të detyruar nga ligji të votojnë, ndëshkohen rëndë në ndonjë mënyrë po të mos shkojnë në qendrat e votimit? Në situata të tilla dhe në të tjera të ngjashme, një i krishterë duhet të marrë vendimin e tij. «Secili do të mbajë peshën e vet.»—Galatasve 6:5, BR.

Disa njerëz mund të pengohen kur shohin se gjatë zgjedhjeve në vendin e tyre, disa Dëshmitarë të Jehovait shkojnë në qendrat e votimit, kurse disa të tjerë jo. Ata mund të thonë: ‘Dëshmitarët e Jehovait nuk janë konsekuentë.’ Por njerëzit duhet ta kuptojnë se në çështje ku përfshihet ndërgjegjja individuale, si kjo që po shqyrtojmë, çdo i krishterë duhet të marrë vendimin e tij para Perëndisë Jehova.—Romakëve 14:12.

Çfarëdo vendimi personal të marrin Dëshmitarët e Jehovait përballë situatave të ndryshme, ata kujdesen për të ruajtur asnjanësinë e tyre të krishterë dhe lirinë e fjalës. Në të gjitha gjërat, ata mbështeten në Perëndinë Jehova, që t’i forcojë, t’u japë mençuri dhe t’i ndihmojë për të shmangur kompromentimin e besimit të tyre në ndonjë mënyrë. Kështu, ata tregojnë siguri në fjalët e psalmistit: «Ti je kështjella ime dhe kalaja ime, për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën.»—Psalmi 31:3.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo