BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/10 f. 3-4
  • Përse kaq pak kohë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Përse kaq pak kohë?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Kohë me bollëk
  • Gjithnjë e më pak kohë
  • Nuk jemi të vetmit që kemi pak kohë
  • Ta përdorim me mençuri kohën që kemi tani
  • Jehovai na tregon si t’i numërojmë ditët tona
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Koha dhe përjetësia: Çfarë dimë në të vërtetë për to?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Të ecim me Perëndinë: Me sytë nga përjetësia
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Lavdëroni Mbretin e përjetësisë!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/10 f. 3-4

Përse kaq pak kohë?

KOHA. Mund ta kemi të vështirë ta përkufizojmë me saktësi këtë fjalë, por patjetër e dimë se asnjëherë nuk na duket që kemi mjaft kohë. Gjithashtu, e dimë se ajo ikën shpejt. Në fakt, shpesh ne psherëtijmë: «Eh, koha fluturon.»

Megjithatë, duket se poeti anglez Ostin Dobson iu afrua më shumë së vërtetës, kur në vitin 1877 vërejti: «Ju thoni se koha ikën? Oh, jo! Mjerisht, koha rri, ndërsa ne ikim.» Që prej vdekjes së tij, në vitin 1921, Dobson ka rreth 80 vjet që nuk është më, kurse koha ka vazhduar.

Kohë me bollëk

Bibla thotë për Krijuesin e njerëzimit: «Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë, ti je Perëndia.» (Psalmi 90:2) Ose, siç e përkthen The New Jerusalem Bible, «nga përjetësia në përjetësi, ti je Perëndia». Prandaj, koha do të zgjatë sa të jetë vetë Perëndia, domethënë, përgjithmonë!

Në kontrast të thellë me Perëndinë, i cili ka në dispozicion të tij një përjetësi kohe, për njerëzit lexojmë: «Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd, ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë. Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.»—Psalmi 90:9, 10.

Përse jeta sot është kaq e shkurtër, kur Bibla mëson në mënyrë të qartë se qëllimi i Perëndisë është që njerëzit të jetojnë përgjithmonë? (Zanafilla 1:27, 28; Psalmi 37:29) Në vend të një jetëgjatësie të pakufizuar, siç e kishte pasur për qëllim Perëndia, përse mesatarisht njerëzit jetojnë shumë-shumë rreth 30.000 ditë? Përse njerëzit kanë kaq pak kohë? Kush ose çfarë është përgjegjës për këtë situatë të trishtueshme? Bibla siguron përgjigje të qarta dhe të kënaqshme.a

Gjithnjë e më pak kohë

Më të moshuarit mund ta vërtetojnë se në dekadat e fundit ritmi i jetesës është shpejtuar. Një gazetare, dr. Sibil Frish, theksoi se gjatë 200 vjetëve të kaluar, java e punës është zvogëluar në 38 orë nga 80 që ishte, «e megjithatë, kjo nuk u ka dhënë fund ankimeve tona». Pastaj, qartësoi cilat ishin këto ankime: «S’ka kohë; koha është flori; koha është e dëshiruar si frymëmarrja; bëjmë një jetë nxitimthi e rrëmujshëm.»

Shpikjet e reja kanë krijuar raste dhe mundësi që brezat e mëparshëm as nuk i kanë imagjinuar ndonjëherë. Por, sa më e madhe të jetë mundësia për t’u marrë me një shumicë aktivitetesh, aq më i madh është zhgënjimi kur shohim se kemi shumë pak kohë për to. Në ditët tona, në shumë pjesë të botës njerëzit jetojnë duke parë orën, duke u turrur nga një orar në tjetrin. Babai duhet të ikë në punë në orën 7.00 të mëngjesit, mamaja duhet të çojë fëmijët në shkollë në orën 8.30 të mëngjesit, gjyshi ka një takim me mjekun në orën 9.40 paradite dhe të gjithë duhet të bëhemi gati, gjithashtu, për një mbledhje të rëndësishme në orën 7.30 pasdite. Në nxitim e sipër për të arritur një orar pas tjetrit, mbetet shumë pak kohë për t’u çlodhur. Pastaj ankohemi për angaritë e përditshme dhe për rendjen e çmendur pas gjërave.

Nuk jemi të vetmit që kemi pak kohë

Kundërshtari i Perëndisë, Satana Djalli, intriga e të cilit çoi në shkurtimin e jetëgjatësisë së njerëzimit, tani është bërë viktimë e vetë ligësisë së tij. (Krahaso Galatasve 6:7, 8.) Duke folur për lindjen e Mbretërisë Mesianike në qiell, Zbulesa 12:12 na jep shkak për të shpresuar, kur thotë: «Prandaj gëzohuni, o qiej dhe ju që rrini në ta! Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti Djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë.»

Sipas kronologjisë së besueshme të Biblës dhe përmbushjes së profecive biblike, tani po jetojmë në përfundim të asaj «pak kohë». Çfarë gëzimi është të dimë se e gjithë koha që ka Satanai në dispozicion, së shpejti do të mbarojë plotësisht! Pasi ai të jetë flakur tej, njerëzit e bindur do të rikthehen në përsosmëri dhe mund të arrijnë jetën e përhershme që kishte si qëllim Jehovai për ta në fillim. (Zbulesa 21:1-4) Mungesa e kohës nuk do të jetë më një problem.

A mund ta imagjinosh se çfarë do të thotë të kesh jetën e përhershme, domethënë të jetosh përgjithmonë? Kurrë më nuk do të të shqetësojnë gjëra që të është dashur t’i lësh pa bërë. Nëse do të të duhet më shumë kohë, do të kesh në dispozicion të nesërmen ose javën tjetër ose vitin tjetër, në fakt, një përjetësi të pakufishme që shtrihet para teje!

Ta përdorim me mençuri kohën që kemi tani

Duke e kuptuar se e ka të kufizuar kohën për të ndikuar mbi njerëzit, Satanai përpiqet t’i mbajë njerëzit kaq të zënë, sa të mos kenë kohë për të dëgjuar lajmin e mirë të Mbretërisë së vendosur të Perëndisë. Prandaj, bëjmë mirë t’i vëmë veshin këshillës hyjnore: «Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit, duke shfrytëzuar kohën [duke blerë kohën e përshtatshme, BR], sepse ditët janë të mbrapshta. Prandaj, mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit.»—Efesianëve 5:15-17.

Sa jetësore është që ta përdorim me mençuri kohën, për gjërat me më shumë rëndësi, në vend që ta harxhojmë kot me gjëra të pavlefshme, të cilat nuk sjellin dobi të qëndrueshme! Duhet të kultivojmë të njëjtin qëndrim që kishte Moisiu, kur iu lut Jehovait me këto fjalë të sinqerta: «Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.»—Psalmi 90:12.

Vërtet, në botën e sotme të gjithë janë të zënë me punë. Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait të nxitin fuqimisht të harxhosh pak nga koha jote e çmuar, që të mësosh rreth kërkesave të Perëndisë për të fituar jetën e përhershme nën sundimin e Mbretërisë së tij. Një orë në javë për të studiuar sistematikisht Biblën, ‘duke kuptuar cili është vullneti i Zotit [Jehovait, BR]’, do të të japë mundësinë të përjetosh personalisht përmbushjen e këtyre fjalëve: «Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën dhe do të kesh një banesë të përjetshme. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»—Psalmi 37:27, 29.

[Shënimi]

a Shiko librin Njohuria që çon në jetën e përhershme, kapitulli 6, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo