Koha dhe përjetësia: Çfarë dimë në të vërtetë për to?
«KOHA duket se është një nga trajtat më misterioze të përvojës njerëzore»,—thotë një enciklopedi. Në fakt, është gati-gati e pamundur ta përkufizosh kohën me terma të thjeshtë. Ne mund të themi se koha «kalon», «ikën», «fluturon» e madje se ne vetë lëvizim «në rrjedhën e kohës». Por, në të vërtetë nuk e kuptojmë se për çfarë po flasim.
Koha është përkufizuar si «distanca mes dy ngjarjeve». Megjithatë, me sa duket përvoja na tregon se koha nuk varet nga ngjarjet, pasi ajo duket që vazhdon pavarësisht nëse ndodh diçka apo jo. Një filozof pohon se faktikisht koha nuk ekziston, por është thjesht diçka e imagjinuar. A mund të jetë thjesht pjellë e imagjinatës ajo mbi të cilën është ndërtuar një pjesë e madhe e përvojës sonë?
Pikëpamja e Biblës për kohën
Bibla nuk jep ndonjë përkufizim të kohës, gjë që na sugjeron se ndoshta është përtej kapacitetit të njerëzve ta kuptojnë plotësisht atë. Është njësoj si shtrirja e pafundme e hapësirës, të cilën po ashtu e kemi të vështirë ta kuptojmë. Me sa duket, koha është një prej atyre gjërave që vetëm Perëndia mund ta kuptojë plotësisht, pasi vetëm ai është «nga koha e pacaktuar në kohë të pacaktuar».—Psalmi 90:2, BR.
Edhe pse Bibla nuk e përkufizon kohën, ajo flet për të si për një realitet. Sa për të filluar, Bibla na thotë se Perëndia krijoi «ndriçues», diellin, hënën dhe yjet, si shënues të kohës, që të «shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, ditët dhe vitet». Shumë ngjarje të paraqitura në Bibël janë të vendosura fortësisht në rrjedhën e kohës. (Zanafilla 1:14; 5:3-32; 7:11, 12; 11:10-32; Eksodi 12:40, 41) Bibla, gjithashtu, flet për kohën si për diçka që duhet ta përdorim me mençuri, me qëllim që të jemi në radhë për të marrë bekimin e Perëndisë: një përjetësi kohe, domethënë perspektivën për të jetuar përgjithmonë.—Efesianëve 5:15, 16.
Jeta e përhershme: A është logjike?
Edhe pse përpjekjet për të kuptuar se çfarë është në të vërtetë koha janë zhgënjyese, shumë njerëzve u duket akoma më e pashpjegueshme ideja e jetës së përhershme ose e jetës përgjithmonë. Një arsye se përse ndodh kështu mund të jetë se përvoja që kemi ne për kohën ka qenë gjithnjë e lidhur me ciklin e lindjes, rritjes, plakjes dhe vdekjes. Në këtë mënyrë, kemi arritur ta identifikojmë rrjedhën e kohës me vetë procesin e plakjes. Për shumë veta, një mendim i ndryshëm do të dukej një shkelje e vetë konceptit të kohës. Ata mund të pyesin: ‘Pse njerëzit duhet të përbëjnë një përjashtim nga ajo të cilës i nënshtrohen të gjitha krijesat e tjera të gjalla?’
Në këtë lloj arsyetimi, ajo që shpesh kalohet pa u vënë re është fakti se njerëzit tashmë janë një përjashtim nga pjesa tjetër e krijimit, në shumë fusha. Për shembull, kafshëve u mungojnë aftësitë intelektuale që kanë njerëzit. Pavarësisht nga pohimet e ndryshme, ato nuk bëhen krijuese përtej asaj që i shtyn instinkti i tyre të bëjnë. Ato nuk kanë as dhuntitë artistike, as aftësinë për të treguar dashuri dhe çmueshmëri që kanë njerëzit. Nëse njerëzve u është dhënë shumë më tepër për sa u përket këtyre cilësive dhe aftësive që e bëjnë jetën domethënëse, përse nuk është e mundur që t’u jetë dhënë shumë më tepër kur bëhet fjalë për vetë jetën?
Nga ana tjetër, a nuk është e çuditshme që pemët, të cilat nuk mund të mendojnë, jetojnë në disa raste për mijëra vjet, kurse njerëzit inteligjentë mund të jetojnë mesatarisht vetëm 70 deri në 80 vjet? A nuk është një paradoks që disa breshka, të cilat nuk kanë aftësi krijuese ose artistike, mund të jetojnë më shumë se 200 vjet, kurse njerëzit, të pajisur në mënyrë të bollshme me këto aftësi, jetojnë shumë më pak se gjysma e këtyre viteve?
Ndonëse njeriu nuk mund ta kuptojë plotësisht kohën dhe përjetësinë, premtimi i jetës së përhershme është gjithsesi një shpresë e bazuar fort në Bibël. Në të, termi «jetë e përhershme» shfaqet afro 40 herë. Por, nëse qëllimi i Perëndisë është që njerëzit të jetojnë përgjithmonë, pse nuk është realizuar akoma? Kjo pyetje do të trajtohet në artikullin vijues.