Ata bënë vullnetin e Jehovait
Maria zgjedh «pjesën e mirë»
NË DITËT e Jezuit, gratë judeje ishin të kufizuara nga traditat rabinike. Kështu, ato i pengonin që të studionin Ligjin. Në fakt, një opinion që citohej në Mishna thoshte: «Nëse një njeri i jep bijës së vet njohuri për Ligjin, është sikur i ka mësuar asaj shthurje.»—Sotah 3:4.
Për pasojë, shumë gra në Judenë e shekullit të parë nuk ishin të arsimuara si duhet. «Nuk ka asnjë dëshmi për të treguar se përpara shërbimit të Jezuit, gratë judeje ishin lejuar ndonjëherë të ishin dishepuj të një mësuesi të madh, e aq më pak të udhëtonin me këtë mësues ose të mësonin dikë tjetër përveç fëmijëve»,—vëren The Anchor Bible Dictionary. Duke i denigruar gratë akoma më shumë, disa udhëheqës fetarë madje kishin vënë një ligj, i cili thoshte se një burrë nuk duhej t’i fliste një gruaje në publik.
Jezui nuk i përfilli këto qëndrime të paperëndishme. Ai mësoi si gratë, ashtu edhe burrat dhe mes ithtarëve të tij kishte burra e gra. (Luka 8:1-3) Në një rast, Jezuin e kishin ftuar si mysafir Marta dhe Maria. (Luka 10:38) Këto dy gra ishin motrat e Lazrit dhe që të tre ishin dishepuj e miq të ngushtë të Jezuit. (Gjoni 11:5) Kjo familje mund të ketë qenë një familje e shquar, duke pasur parasysh numrin e madh të njerëzve që erdhën të ngushëllonin Martën dhe Marinë, kur vdiq Lazri. Sidoqoftë, ajo që ndodhi në shtëpinë e tyre, kur kishin si mysafir Jezuin, siguroi një mësim të vlefshëm jo vetëm për to, por edhe për ne.
Mëson pranë këmbëve të Jezuit
Pa dyshim, Marta dhe Maria mezi prisnin t’i bënin Jezuit një gosti të kushtueshme e ndoshta kjo ishte brenda mundësive të tyre. (Krahaso Gjonin 12:1-3.) Megjithatë, kur mbërriti mysafiri, Maria «u ul në këmbët e Jezuit dhe dëgjonte fjalën e tij». (Luka 10:39) Asnjë traditë njerëzish nuk mund ta ndalonte Jezuin që të mësonte një grua të sinqertë, e cila ishte kaq e zellshme për të mësuar! Mund ta imagjinojmë Marinë të ulur përballë Jezuit, duke e vënë veten në pozitën e një nxënëseje që e ka përpirë plotësisht dëgjimi i mësimeve të Zotërisë së saj.—Krahaso Ligjin e përtërirë 33:3; Veprat 22:3.
Ndryshe nga Maria, Marta «ishte krejt e zënë nga punët e shumta». Ajo ishte shumë e zënë me punët e shtëpisë, për të përgatitur një tryezë të ndërlikuar. Pas pak, Marta u mërzit që e lanë vetëm për të bërë të gjithë punën, ndërsa motra e saj ishte ulur në këmbët e Jezuit. Kështu, Marta e ndërpreu bisedën e Jezuit me Marinë, ndoshta në mënyrë të vrazhdë, duke thënë: «Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë.»—Luka 10:40.
Në vetvete, kërkesa e Martës nuk ishte e gabuar. Në fund të fundit, të përgatitësh për të ngrënë për një grup njerëzish është punë e rëndë dhe barra nuk duhet të bjerë mbi një person të vetëm. Megjithatë, në fjalët e saj Jezui pa një mundësi për të dhënë një mësim të vlefshëm. «Martë, Martë,—tha ai,—ti je në ankth dhe e shqetësuar për shumë gjëra. Megjithatë, nevojiten pak gjëra ose vetëm një. Nga ana e vet, Maria zgjodhi pjesën e mirë dhe asaj nuk do t’i hiqet.»—Luka 10:41, 42, BR.
Jezui nuk po thoshte se Martës i mungonte interesi për gjërat frymore. Përkundrazi, ai e dinte se ajo ishte një grua me devocion të thellë hyjnor.a Së pari, kjo ishte pa dyshim arsyeja që e shtyu atë ta ftonte Jezuin në shtëpi. Megjithatë, në qortimin e tij të butë, Jezui po theksonte se Marta, me vëmendjen e tepruar që po i jepte ushqimit, po humbiste një rast të rrallë për të marrë mësim personal prej Birit të Perëndisë.
Kuptohet, kultura e asaj kohe mund të ketë mbështetur idenë se vlera e një gruaje provohej më mirë nga aftësia e saj në punët e shtëpisë. Por fjalët e Jezuit treguan se gratë, ashtu si burrat, mund të uleshin pranë këmbëve të Birit të Perëndisë dhe të dëgjonin fjalët e jetës! (Gjoni 4:7-15; Veprat 5:14) Duke pasur parasysh këtë, Marta do të kishte bërë më mirë të përgatiste vetëm pak gjëra ose edhe vetëm një gjë për të ngrënë, nëse kjo gjë do t’i kishte dhënë mundësinë të ulej pranë këmbëve të Zotërisë e të mësonte prej tij.—Krahaso Mateun 6:25.
Mësim për ne
Sot, mes atyre që i përgjigjen ftesës së Jezuit për të «marrë falas ujin e jetës», ka si burra, ashtu edhe gra. (Zbulesa 22:17, BR) Të shtyrë nga dashuria, disa prej tyre, shumë ngjashëm Martës, bëjnë të pamundurën për të plotësuar nevojat e bashkëbesimtarëve. Ata kanë aftësi praktike e janë të shpejtë për të ndërmarrë veprime dhe Jehovai premton se do ta shpërblejë punën e tyre që është tregues i dashurisë. (Hebrenjve 6:10; 13:16) Të tjerë ndoshta i ngjajnë më tepër Marisë. Ata janë të qetë dhe të përqendruar në gjërat frymore. Zelli i tyre për të medituar mbi Fjalën e Perëndisë i ndihmon të qëndrojnë të rrënjosur fort në besim.—Efesianëve 3:17-19.
Që të dyja llojet e individëve plotësojnë një nevojë jetësore në kongregacionin e krishterë. Por, në fund të fundit, të gjithë duhet të ‘zgjedhin pjesën e mirë’, duke u dhënë më tepër rëndësi gjërave frymore. Duke u siguruar për gjërat më të rëndësishme, do të kemi favorin dhe bekimin e Jehovait.—Filipianëve 1:9-11.
[Shënimi]
a Fakti që Marta ishte grua frymore me një besim të madh është i dukshëm nga biseda e saj me Jezuin, pas vdekjes së të vëllait. Në këtë rast, ishte Marta që tregoi zell më të madh për t’u takuar me Zotërinë.—Gjoni 11:19-29.